
vs

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka refuzuar të flasë për një përballje të mundshme me Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, përkundër fitores prej 5-1 ndaj Shakhtarit në Camp Nou. Edhe Real Madridi është fare pranë gjysmëfinales pas fitores prej 4-0 në shtëpi ndaj Tottenhamit. “Rezultati është ai që është, por Shakhtari po drejtohet nga një trajner me përvojë dhe jam ende i frikësuar. Ne duhet të luajmë së pari në Donetsk dhe më pas të mendojmë për Real Madridin”. “Mos i besoni Mircea Lucescut kur thotë se gjithçka ka mbaruar. Unë po ju them një gjë: këtu nuk ka mbaruar asgjë. Ne e kemi mposhtur në shtëpi me rezultat 5-0 Betisin dhe më pas kemi pësuar humbje prej 3-1 në transfertë. Unë ju kam tërhequr vërejtjen, por më akuzuat për modesti të rreme”, ka thënë Guardiola.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, u ka thënë ‘ndal’ njëherë e përgjithmonë kritikave drejtuar sulmuesit anglez Wayne Rooney, i cili pothuajse vet e mposhti Chelsean nga Liga e Kampionëve me golin e shënuar në Stamford Bride të mërkurën. “Ne duhet ta ndjekim atë më shumë si futbollist se sa të lehim në drejtim të tij për gjëra tjera palidhje”. “Nuk them se ai është i pafajshëm për gjithë atë që ndodhi në të kaluarën në jetën e tij, por shpeshherë për shkak të faktit se çfarë lojtar është ai, reagimi mund të jetë i tepruar”, theksoi Ferdinand.
E ardhmja e sulmuesit kamerunas, Samuel Eto’o te Interi është vënë në dyshim, me familjen e sulmuesit që po e sforcon një largim nga qyteti i Milanos. Marca shkruan se Eto’o ishte viktimë e një plaçkitjeje në shtëpinë e tij ku humbi me miliona euro. Shoku nga ky incident vazhdon për bashkëshorten e tij e cila po e detyron Eto’on ta shqyrtojë të ardhmen te Interi. Eto’o është një prej futbollistëve më të paguar në botë me 12 milionë euro të ardhura në vit nga Interi, ndërsa do të duhej të pranonte një ulje drastike të pagës nëse do të dëshironte të kalonte te një prej ekipeve të interesuara, Chelsea ose Manchester City.
Milani është fare pranë zyrtarizimit të transferimit të Paul Henrique Gansos nga Santosi, mesfushor ky i shumëkërkuar edhe nga rivali i përbetuar i Rossonerëve, Interi. Besohet se marrëveshja është shumë pranë finalizimit me drejtorin e Milanit, Ariedo Braida që pritet të udhëtojë në Brazil për t’u dhënë fund dilemave. Për Rossonerët transferimi i Gansos është i mirëpritur marrë parasysh faktin se ai ka pasaportë italiane dhe se nuk do të vlente kriteri i vënë së fundmi nga FIGC për lojtarët joitalianë. Shuma e transferimit të Gansos nuk do të jetë më e ulët se 30 milionë euro.
Sulmuesi i Fiorentinës, Alberto Gilardino, i ka thënë Mario Balotellit që ta kontrollojë veten nëse dëshiron të bëhet i suksesshëm në të ardhmen. “Nuk e njoh dhe aq mirë Balotellin, por ai natyrisht se është cilësor”. “Sidoqoftë, ai duhet të mësojë se si të vishet dhe ta kontrollojë veten, pasi po rrezikon që ta humbasë nga vetvetja”, tha Gila.
Ëndërr apo realitet? Deklarata e të martës dhënë nga Silvio Berlusconi, se ai dëshiron ta transferojë te Milani asin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka bërë bujë të madhe nëpër mediumet angleze, italiane dhe spanjolle. Megjithatë, është Adriano Galliani ai që është përkujdesur për të hedhur benzinë në zjarrin e spekulimeve, duke thënë: “Për merkato do t’iu flas vetëm pas 22 majit”. Galliani as nuk mohoi e as nuk pohoi tratativat e Milanit për ta sjellë Ronaldon, por besohet se Milani dëshiron t’i ofrojë ‘çek të bardhë’ Realit, që do të thotë se është në gjendje të paguajë çdo shumë për superyllin portugez.
Futbollisti më i Mirë i Vitit në Botë sipas FIFA-së, Lionel Messi, përfundimisht i është bashkuar faqes sociale Facebook dhe menjëherë ka bërë më shumë se shtatë milionë fansa. Argjentinasi 23-vjeçar njihet si një person i turpshëm para mediave dhe për prirjen për të mbajtur jetën personale të izoluar. Megjithatë, të mërkurën Messi përfundimisht është hapur më shumë për fansat e tij duke iu bashkuar Facebook-ut. Fituesi i dyfishtë i Topit të Artë tashmë ka bërë më shumë se shtatë milionë fansa në vetëm një ditë në rrjetin social, siç bën të ditur Associated Press, dhe sigurisht se do të ketë edhe shumë fansa që do të shtohet në ditët në vijim. “Jam shumë i ngazëllyer! Nga tash e tutje do të jemi më afër të lidhur përmes Facebook-ut”, ka shkruar Messi.
















