
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, ka këmbëngulur se gjyqtari mori vendimin e drejtë kur gjykoi se nuk kishte të bëjë me penalti dueli i tij me Ramires, pasi mendon se e ka fituar pastër topin. “Unë sinqerisht nuk e prisja referin që të akordojë penalti. Unë kam shkuar në top dhe keni parë se e kam prekur atë”. “Unë e preka topin dhe e preka edhe lojtarin, unë nuk jam frikësuar nga një penalti e mundshme”, u shpreh mbrojtësi francez.

Juventusi ka filluar negociatat me Liverpoolin për të përcaktuar çmimin e transferimit të Alberto Aquilanit. Gazzetta dello Sport shkruan se Aquilani, i cili aktualisht është i huazuar te Juve, dëshiron të mbetet në Torino. Marrëveshja e tij e huazimit ka një opsion për t’u shndërruar në të përhershme për 16.5 milionë euro në fund të sezonit, por Juve dëshiron të negociojë dhe ta sjellë atë për rreth 12 milionë euro. Pastaj Juve do të duhet të negociojë edhe me lojtarin për pagën e tij. 26-vjeçari aktualisht merr 3.5 milionë euro në vit dhe Juventus do të dëshironte ta ulë këtë vlerë.

Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben, ka folur për të ardhmen e mbrojtësit kualitativ të Ajaxit, Gregory Van der Wiel, të cilin e ka ftuar te klubi nga Bavaria. Mbrojtësi holandez është lidhur në të kaluarën me top klubet evropiane, por kolegët e tij nga kombëtarja, si Robben, shpresojnë ta kenë pranë tyre. “Gregory është lojtar i cili ka shumë përvojë me Ajaxin dhe kombëtaren holandeze. Për mendimin tim, ai është shumë i talentuar dhe do t’i përshtatej Bayernit”, tha Robben.

Sulmuesi i Real Madridit, Emmanuel Adebayor ka zbuluar se kritikat që ai ka marrë në të kaluarën nuk kanë ndikuar fare në të si futbollist profesionist. “Unë nuk lexoj gazetat spanjolle sepse ende nuk di spanjisht. Në fakt fare nuk më interesojnë ato, se çfarë shkruajnë për mua. Është normale për një futbollist që të kaloj formë të mirë dhe të keqe herë pas here”. “Shtypi shkroi se unë isha lojtari më i keq në fushë fundjavën e kaluar, por më bënë hero për golat e mi ndaj Tottenhamit. Dhe ndoshta përsëri do të jem lojtar i keq për ta nëse nuk shënoj ndaj Athletic Bilbaos”, deklaroi Adebayor për AS.

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, tejet i entuziazmuar pas fitores minimale në udhëtimin e vështirë në Stamford Bridge, ka deklaruar se pohimet e lojtarëve të Chelseat se atyre u është mohuar një penalti janë të pa sakta. Ramires u rrëzua në zonë nga Evra në minutat përfundimtare pranë rezultatit 1-0 në sfidën e zhvilluar në kuadër të ndeshjes së parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. “Ishte një ‘break’ për ne ky, është fitorja e parë pas shtatë vitesh këtu. Të jem i sinqertë më është dukur se Ramires e zmadhoi edhe pse nuk e kam parë ende xhirimin e ngadalsuar. Por, mendoj se ka shumë për t’u folur sa u përket pohimeve pa respekt mbi penaltitë e pa akorduara dhe simulimeve, ndërsa kjo është e tëra. Mendoj se lojtarët e mi bënë punë të mirë”, u shpreh Fergie.