Mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, ka kritikuar ashpër Fabio Capellon për mënyrën se si e ka menaxhuar situatën rreth kapitenit të kombëtares angleze, duke thënë se Sir Alex Ferguson do ta menaxhonte shumë më mirë situatën. “Nuk ishte menaxhuar në mënyrën më të mirë. Të gjithë e pranojnë këtë. Ju nuk mund ta fshehni këtë fakt. Te Manchester United ne kemi një menaxher i cili merret me neve dhe flet me ne, kështu që do të ishte e pazakontë që një çështje aq madhore sikur kjo e kapitenit të trajtohej në këtë mënyrë”. “Problemi në gjithë këtë është se nuk është dashur të krijohej gjithë kjo zhurmë, e sidomos jo nga një strateg i cili pretendon të jetë me përvojë”, u shpreh Neville për Mirror.
Samir Nasri besohet se do të nënshkruajë një kontratë të re të vlefshme 90 mijë funte në javë, që do ta bëjë atë përfituesin e dytë më të madh te klubi nga Emirates. Por, në rast se ndodh që Nasri ta fitojë çmimin e futbollistit më të mirë në vitit në Ligën Premier, atëherë sipas mediumeve angleze francezi do të kërkojë 110 mijë funte në javë, pagë e njëjtë me atë të Cesc Fabregas. Megjithatë, thuhet se detajet kryesore të kontratës pesëvjeçare tashmë janë definuar dhe kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla mbi pagën dhe të përfitimet tjera të lojtarit, ashtu si klauzola në rast të ofertës nga ndonjë klub i madh evropian.
Thiago Silva ka pranuar se ai do të jetë pasardhësi i legjendës së Milanit, Paolo Maldini, në vazhdën e thirrjeve bërë brazilianit për të qëndruar në San Siro. “Unë jam në fazën vendimtare të karrierës time. Unë e ndjej përgjegjësi të jem zëvëndësuesi i një fenomeni si Maldini”. “Në fund të karrierës time, unë shpresoj të kem fituar gjysmën e asaj që ai fitoi gjatë karrierës së tij në sport”, u shpreh Thiago Silva.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka tallur Chelsean për shpenzimet e bëra së fundmi, duke e quajtur skuadër tejet të pa suksesshme. “Disa prej ekipeve prapa nesh nuk kanë bërë asgjë për 20 vjet dhe krejt rastësisht marrin lëvdata”. “Një lojtar i një ekipi që është prapa nesh, kushton më shumë se sa i gjithë ekipi jonë”, tha Wenger duke aluduar kështu në transferimin 50 milionë funtesh të Torresit te Chelsea.
Mbrojtësi i Milanit, Ignzaio Abate, e ka mirëpritur idenë që ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo të kalojë te gjiganti i Serie A, Milan. “Unë besoj se ai do të luante shumë mirë. Shpresoj se ai do të vijë edhe pse kam luajtur me shumë lojtarë tjerë fenomenalë këtu”. “Nëse do të më kishit thënë më parë se do të stërvisja me Beckhamin, atëherë nuk do t’iu kisha besuar”, u shpreh Abate.
Mbrojtësi i Milanit, Gianluca Zambrotta, ka hedhur një ide interesante për mediat që të vazhdojnë spekulimet e tyre, pasi u ka sugjeruar drejtusve të klubit që ta transferojnë Cristiano Ronaldon, nëse Interi nga ana tjetër e bën të njëjtën gjë me Lionel Messin. “Mund të jetë Guardiola ai që do të kërkojë nga Messi të kalojë te Interi. Kurrë mos thuaj kurrë”. “Unë e di se një prej synimeve të Morattit është ta transferojë Messin. Nëse ai shkon te Interi, atëherë mendoj se Berlusconi duhet ta transferojë Cristiano Ronaldon”, u shpreh Zambrotta për Tuttomercatoweb.