Milani ka dalë fitues i përballjes së fundit të javës së 32-të në Serie A duke e mposhtur Fiorentinan me rezultat 2-1, në takimin e zhvilluar të dielën mbrëma në Stadio Artemio Franchi. Mysafirët i dhanë fund dilemës për fituesin që në pjesën e parë duke ndëshkuar dy herë skuadrën vendase. Rossonerët e filluan në mënyrë të shkëlqyer takimin duke arritur te goli avantazhit që në minutën e tetë. Pasimi i Ibrahimovic u ndal nga Comotto, por topi kaloi te Pato, i cili pasoi te Clarence Seedorf, ndërsa holandezi shënoi golin e parë. Pa u mbyllur pjesa e parë (41’), Kevin-Prince Boateng krosoi ulët në drejtim të Alexandre Patos dhe braziliani dyfishoi epërsinë. Dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, Viola e ngushtoi rezultatin përmes Juan Manuel Vargas për të shpresuar për një barazim të mundshëm, por këtë nuk e arriti deri në fund të takimit. Ndërkohë, sulmuesi i kthyer nga ndëshkimi, Zlatan Ibrahimovic, do t’i mungojë sërish Milanit, pasi që në minutën e 87-të u përjashtua me karton të kuq, pasi mori dy kartonë të verdhë. Kjo fitore e mban Milanin pastër në krye të tabelës me tre pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Napoli.
Portieri i Aston Villas, Brad Friedel, mund të jetë pranë një rikthimi në Anfield. Sunday Mirror shkruan se 39 vjeçari do të mbesë pa kontratë në fund të sezonit dhe është në listën e Dalglish për ta zëvendësuar Reinan nëse ky i fundit largohet. Manchester United dhe Arsenal janë skuadrat e interesuara për shërbimet e spanjollit, i cili ka refuzuar që të garantojë qëndrimin në Anfield.
Mesfushori i Manchester United, Michael Carrick, ka shmangur besimin e tepruar para ndeshjes kthyese ndaj Chelseat, përkundër avantazhit nga ndeshja e parë e zhvilluar në Stamford Bridge. “Ne jemi në një pozitë të cilën e merituam. Të martën duhet të luajmë përsëri. Nuk themi se gjithçka ka mbaruar, nuk ka lidhje që kemi avantazh. Ndoshta njerëzit tjerë do të kishin besim”. “Ne respektojmë Chelsean. Jo më larg se sezonin e kaluar ata na kanë mposhtur në Old Trafford dhe një rezultat i tillë do të na eliminonte”, ka thënë Carrick.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ishte tejet i kënaqur me triumfin mbi Almerian në Camp Nou, duke shpresuar në një fitore ndaj Real Madridit në ‘el Classico’. “Ne është dashur të reagojmë shpejtë, pasi ndeshja po vështirësohej, ndërsa ne kemi vazhduar me lojën sulmuese derisa u shpërblyem”. “Ne kemi sulmuar deri në fund dhe i morëm tri pikët. Ishte shumë e vështirë pas golit të Coronas. Tani duhet ta mposhtim Realin në Bernabeu”, ka thënë Iniesta.
Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, ndihet më mirë pas fitores së ekipit të tij dhe rikthimit pas dy disfatave të rënda. ‘Cambi’ ishte një prej golashënuesve në fitoren prej 2-0 ndaj Chievos në Meazza të shtunën pasdite. “Ndaj Chievos vërtet na është nevojitur qetësia, pas dy humbjeve dhe gjithë asaj që ishte krijuar përreth klubit. Tifozët tanë gjithmonë kanë besuar në mundësitë tona. Ne bëmë shumë mirë që fituam”. “Në dhjetor kjo situatë ishte vërtet e pa imagjinueshme, kështu që ne nuk duhet ta humbasim toruan për dy humbje, sepse 45 vite kanë kaluar pa fituar Ligën e Kampionëve dhe ky ekip e bëri atë”, ka thënë Cambiasso.
Një zyrtar i lartë i Fenway Sports Group (FSG), konzorciumit që ka në dorë Liverpoolin, ka zbuluar se negociatat për rinovimin e kontratës së Kenny Dalglish kanë filluar. Sam Kennedy, presidenti i konzorciumit FSG ka zbuluar se bisedimet për një kontratë afatgjate të Dalglish janë hapur që disa javë. Legjenda e Liverpoolit ka arritur të sjellë impakt pozitiv në Anfield dhe tani kërkohet krijimi i bazamentit për sezonin e ardhshëm, ku parashikohet një rikthim i Liverpoolit në skenën e futbollit anglez. “Bisedimet janë duke u zhvilluar tani me njerëzit përkatës. Ian Ayre, Damien Comolli dhe pronarët tjerë. Por, mendoj se Dalglish ka sjellë shtytje të madhe. Ai është njeri i mrekullueshëm, i apasionuar për klubin”, ka thënë Kennedy.
Trajneri i Romës, Vincenzo Montella, është shprehur krenar me shpirtin e treguar nga lojtarët e tij në fitoren prej 2-1 ndaj Udineses në Serie A të shtunën mbrëma. “Pas golit të barazimit ishte e vështirë ta gjejmë përkushtimin për të shënuar përsëri, por ne bëmë njëjtë si në Lecce dhe jam shumë i lumtur për këtë. Ne po ashtu rrezikuam ta humbnim këtë ndeshje, por kjo është pjesë e futbollit dhe jam i kënaqur me qëndrimin e lojtarëve”. “Fatkeqësisht, ne vështirë arrijmë të mbajmë intensitetin e njëjtë të lojës gjatë një ndeshje, por kur shihni përkushtimin e treguar në pjesën e dytë, kjo do të thotë se shpirti është këtej pari”, potencoi Montella.
Legjenda holandeze, Marco van Basten nuk është aspak i impresionuar nga sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, përderisa nuk ka fjalë të mira as për Didier Drogban. “A jam kritik ndaj Torresit dhe Drogbas vetëm pse kam qenë edhe vet sulmues? Nuk mendoj kështu. Torres është lojtar i madh, por Chelsea ka paguar shumë për të dhe a po e bën ai diferencën tani? Jo”. “John Terry dhe Frank Lampard janë ende fantastikë në mbrojtje dhe mesfushë. Por, Drogba në vijën sulmuese? Ai duket të jetë i harxhuar. Ditët e tij më të mira janë prapa tij”, ka thënë Van Basten.
Arsenali e ka shënuar fitoren e parë pas tri barazimeve radhazi në fushën e Blackpoolit me rezultat 3-1, për të vazhduar luftën për titull të kampionit në Ligën Premier, gjashtë javë pa përfunduar sezoni. Arsenali hyri me qëllim të qartë në këtë takim – fitoren. Abu Diaby ia dhuron Arsenalit epërsinë e parë pas 18 minutash lojë, me ndihmën e Robin Van Persiet. Epërsia dyfishohet vetëm tre minuta më vonë (21’), kur Emmanuel Eboue shënoi për 2-0. Në pjesën e dytë vendasit rikthehen në lojë. Taylor-Fletcher realizoi për 2-1 (52’) duke i dhënë një fije shpresë lojtarëve për të vazhduar presionin. Mirëpo, Robin van Persie dëshmoi kalibrin prej sulmuesi që është, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 3-1 (76’). Me këtë fitore Arsenali vazhdon ta përcjellë Manchester Unitedin në garë për titull në Ligën Premier me 62 pikë, shtatë më pak se Djajtë e Kuq që janë liderë, por Topçinjtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Zonja e Vjetër ka arritur që në mënyrë sensacionale ta përmbysë avantazhin e Genoas, për të shënuar fitore prej 3-2 në takimin e zhvilluar të dielën në Olimpico të Torinos. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e shtatë kur Leonardo Bonucci shënoi në portën e vet pas goditjes së Luca Antonellit. Në fillim të pjesës së dytë (50’), Marco Rossi ua ktheu shërbimin vendasve pas goditjes së Simone Pepes për të barazuar rezultatin. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë (57’) dhe Antonio Floro Flores riktheu avantazhin e Genoas pas asistimit të Antonellit. Inkuadrimi i Luca Tonit në lojë (62’) rezultoi i suksesshëm për vendasit, pasi që sulmuesi italian fillimisht asistoi te Alessandro Matri, i cili barazoi rezultatin në 2-2 (63’), dhe më pas shënoi golin e fitores (83’) pas asistimit të Alberto Aquilanit. Pas kësaj fitoreje, Juventusi gjendet pesë pikë larg pozitës së katërt që çon në Ligën e Kampionëve, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se ekipi i tij manovroi si duhet për ta tejkaluar Almerian e pa përshtatshme, përderisa planifikon që t’ia japë goditjen përfundimtare Real Madridit në el Classicon e 16 prillit. “Të mos gabojmë duke menduar se e kemi të garantuar titullin. Ne nuk po shkojmë duke menduar se asgjë nuk do të ndodhë nëse humbasim në Bernabeu. Ky është rasti unik për ne që ta vendosim fituesin e titullit. Nëse humbasim, distanca do të zvogëlohet në pesë pikë me gjashtë ndeshje të mbetura. Ne duhet të luajmë në Bernabeu sikurse që bëmë dy vitet e fundit”. “Ata janë ekip që di të rikthehet, ata kanë skuadër të madhe dhe kanë mënyra të ndryshme të lojës. Ne duhet të shfaqim impenjim të madh për fitore. Ne nuk mund të lejojmë që kjo ndeshje të ikë aq lehtë nga dora. Ky është mentaliteti i Barcelonës”, deklaroi Guardiola.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, beson se titulli në La Liga do të vendoset në javët e fundit, përkundër distancës së madhe me Barcelonën. “Ne do të vazhdojmë të mendojmë se mund ta fitojmë titullin dhe të fitojmë pikët, kështu që askush të mos besojë se kampionati ka mbaruar”. “Do të jetë e vështirë të fitojmë, por kurrë nuk i dihet. Një gabim mund të ndryshojë gjithçka. Tottenhami vjen para El Classicos. Duket se jemi kualifikuar, por asgjë nuk është e sigurtë. Le të flasim për Barcelonën pas ndeshjes në Londër”, ka thënë Casillas.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është hedhur në mbrojtje të kalibrit të sulmuesve të tij, pas spekulimeve se Silvio Berlusconi dëshiron ta transferojë Cristiano Ronaldon në San Siro. “Unë nuk flas për Ronaldon apo Ganson, sepse kam një grup me tri prej sulmuesve më të mirë në botë. Për këtë arsye, jam shumë i kënaqur”. “Ndaj Fiorentinës do të jetë ndeshje e rëndësishme si për lojtarët të cilët do të startojnë, ashtu dhe për ata në pankinë. Ndaj Fiorentinës është ndeshja kryesore e sezonit, rezultati pozitiv do të ishte shtytje në luftën për titull”, ka thënë Allegri.
Një javë më parë Leonardo ishte njeriu më i kritikuar në botë, por është strategu i Interit ai që pasi ishte dorëzuar ditë më parë në garë për Ligën e Kampionëve dhe Serien A, është ndier i entuziazmuar pas fitores prej 2-0 ndaj Chievos. “Golat ishin me rëndësi, pasi Chievo u dëshmua të jetë test i vështirë për ne. A kam pasur frikë nga ndonjë rezultat pos fitores? Unë tentoj të mbaj frikën larg meje. Në shumë ndeshje, ne ose kemi fituar, ose e kemi bërë këtë duke u rikthyer”. “Ndaj Chievos ndjeva paraqitjet fantastike të dy mbrojtësve të krahut, të cilët na e lejuan ta kontrollojmë lojën. Lojtarët ishin shumë të qetë dhe drejtorët ashtu si presidenti janë sjellur shumë mirë gjatë kësaj periudhe të vështirë”. “Objektivat tanë janë të qarta dhe ato nuk kanë ndryshuar, vlen edhe për Ligën e Kampionëve. Duhet t’i merrni ndeshjet një nga një dhe deri në vërshëllimën e fundit ndaj Chievos, menduam vetëm për këtë ndeshje. Tani mund të mendojmë për Ligën e Kampionëve, me të njëjtin nivel të përqëndrimit”. “Për mua, gjithçka është e mundur. Unë mendoj se kam të drejtë kur e them këtë edhe në emër të lojtarëve, sidomos për Eto’on, i cili njeh shumë rikthime sensacionale nga e kaluara dhe i kishte përjetuar personalisht ato”, deklaroi Leonardo.
Kampioni aktual i Gjermanisë, Bayerni i Munichut ka shkarkuar trajnerin holandez, Louis Van Gaal, ndërsa ka vënë në krye zëvëndëstrajnerin Andreas Jonker. Ky hap i drejtuesve të Bayernit vjen pas barazimit prej 1-1 ndaj Nurnbergut në derbin bavarez. Andreas Jonker është ish-trajner i skuadrës holandeze Willem II, ndërsa ai do të jetë në krye deri në fund të sezonit, para se në krye të detyrës të jetë Jup Heynckes i cili tashmë ka nënshkruar me Bayernin.
Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka lëvduar brazilianin Kaka pas realizimit të dy golave në fitoren prej 3-0 ndaj Athletic Bilbaos në San Mames të shtunën mbrëma. “Ai luajti shumë mirë, ashtu si Pepe. Ai është dukur shumë mirë, seidomos pas gjithë atyre gjërave që ndodhën përreth tij sa i përket lëndimit. Është me rëndësi që Kaka të qëndrojë i përgatitur fizikisht, pasi janë duke ardhur ndeshje shumë të rëndësishme”. “Di Maria është lojtar që kurrë nuk lë asgjë në fushë. Ai gjithmonë jep 120 përqindëshin. Ai luajti shumë mirë dhe bëri gjithçka për ekipin, që ishte me rëndësi për ne”, tha Karanka.
Ish-anësori i Barcelonës dhe Real Madridit, Luis Figo, ka pranuar se askush nuk mund të parashikojë saktë fituesin e ndeshjes së ardhshme ‘el Classico’, mes Real Madridit dhe Barcelonës. Reali dhe Barcelona sipas të gjitha gjasave do të përballen katër herë brenda 18 ditëve dhe atë në tri gara – Ligën e Kampionëve, La Ligan dhe Copa del Rey, ndërsa për Figon, i cili mbrojti ngjyrat e të dyja skuadrave, një derbi i tillë është i paparashikueshëm. “Ato janë ndeshje me rezultat të paparashikueshëm pa marrë parasysh se si përgatiteni, detajet e vogla e vendosin ndeshjen. Është e vërtetë se Barcelona ka fituar në katër ndeshjet e fundit, por natyrisht se sivjet do të jetë shumë më ndryshe”, ka thënë Figo për Marca.