Walter Samuel është kthyer në skuadrën e Interit pas pesë muajsh larg fushe, si pasojë e ndërhyrjes kirurgjike të cilës iu nënshtrua në ligamentin e gjurit të majtë. Mbrojtësi argjentinas ka munguar që nga muaji nëntor, ndërsa është përfshirë në skuadrën e Leonardos prej 22 lojtarëve që do të udhëtojnë në Gelsenkirchen në ‘misionin e pamundur’ për të kërkuar një vend në gjysmëfinale.
Skuadra e plotë e Interit:
Portierë: Julio Cesar, Luca Castellazzi, Paolo Orlandoni
Mbrojtës: Ivan Cordoba, Javier Zanetti, Lucio, Maicon, Andrea Ranocchia, Marco Materazzi, Walter Samuel, Yuto Nagatomo
Mesfushorë: Dejan Stankovic, Thiago Motta, Wesley Sneijder, Houssine Kharja, MacDonald Mariga, Esteban Cambiasso, Joel Obi, Philippe Coutinho
Sulmues: Samuel Eto'o, Diego Milito, Goran Pandev.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pranuar se përmbysja e rezultatit ndaj Schalkes të mërkurën mbrëma është thuajse e pamundur. Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve u mposht në Giuseppe Meazza me rezultat 5-2, në takimin e parë çerekfinal nga Schalke, ashtu që duhet të fitojë me diferencë prej katër golash në Veltins-Arena nëse dëshiron të kualifikohet në gjysmëfinale. “Duhet të jemi të përqendruar dhe të tentojmë të bëjmë diçka që është e pamundur. Kjo e pamundur i jep ndeshjes një perspektivë magjepsëse”, ka thënë Moratti.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk është i fiksuar që ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon, porse do t’i pëlqente që ta bëjë atë. Portugezi e ka fituar trofeun dy herë, në vitin 2004 me Porton dhe vitin e kaluar me Interin, ndërsa këtë sezon ka gjasa reale për t’u kualifikuar në gjysmëfinale me Real Madridin, ku pritet të takohet me rivalin e përbetuar, Barcelonën. “Është diçka tjetër të fitosh tre kupa me të njëjtin klub dhe ta fitosh kupën tri herë me tre klube të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme kohore”. “Do të më pëlqente që ta arrija atë, kuptohet, por pa qenë i fiksuar. Jam i fiksuar në shfaqjen e ndeshjeve të jashtëzakonshme, ndeshje të cilat nuk i harron kurrë”. “Më pëlqen ta bëj punën mirë dhe t’i bëj njerëzit e lumtur. Fitimi i trofeut të Ligës së Kampionëve është diçka që vërtet ka ndikim te tifozët. Deri në fund të karrierës sime, gjithmonë do të mundohem ta fitoj edhe një herë më shumë, por pa e lejuar që të bëhet fiksim”, ka thënë portugezi për Uefa.com.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka njoftuar se nuk do të rrezikojë me përfshirjen e Rafael në skuadrën që do të përballet me Chelsean në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Braziliani lëndoi gjurin në përballjen e parë në Stamford Bridge dhe mungoi në takimin e fundjavës kundër Fulhamit, ndërsa duket se do të mungojë edhe në takimin tjetër ndaj Chelseat. Ferguson u ka thënë gazetarëve se lojtari mund të jetë i gatshëm të martën, mirëpo ai nuk dëshiron të rrezikojë në një ndeshje kaq të madhe. Ndërkohë, trajneri është shprehur i kënaqur me kthimin nga lëndimi të Rio Ferdinand, Anderson dhe Antonio Valencia, duke thënë se ata janë sikurse transferime të reja.
Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, beson se skuadra e tij ka gjasa që ta zë vendin e katërt këtë sezon dhe të sigurojë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Pas fitores prej 3-2 kundër Genoas, bardhezinjtë gjendet gjashtë pikë pas vendit të katërt që tash e mban Lazio, ndërsa kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar. “Më e rëndësishmja është që të mendojmë për ndeshjet tona, duhet t’i fitojmë të gjitha dhe të shpresojmë për vendin e katërt”. “Roma, Lazio dhe Udinese, të gjithë kanë ndeshje të vështira para tyre, prandaj duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”. “Është me rëndësi ta lëmë Del Nerin të punojë me qetësi deri në fund të sezonit. Ekipi është pas tij dhe gjithmonë ka qenë, ndërsa më e rëndësishmja është që ta mbyllim sezonin mirë me Del Nerin”, ka thënë 25-vjeçari për Radio Monte Carlo.
Anësori i Manchester Unitedit, Nani, është shprehur i pakënaqur për shkak të mosnominimit për çmimin e lojtarit të vitit- PFA. Asistimet e portugezit në fitoren prej 2-0 kundër Fulhamit ngritën në 18 numrin e përgjithshëm të asistimeve, që është shtatë më shumë se Charlie Adam që mban vendin e dytë këtë sezon.
Nani po ashtu ka të shënuar edhe nëntë gola në Kampionat, më shumë se cilido anësor tjetër që luan në Angli, ndërsa mospërfshirja e tij në listën e nominimeve ka ardhur si befasi për shumëkënd.
“Mendoj se kam luajtur mirë, prandaj jam i zhgënjyer që nuk jam aty. Megjithatë, ka edhe shumë punë për t’u bërë këtë sezon. Jam i fortë dhe shpresoj të fokusohem në përparimet e mia në secilin sezon dhe shpresoj të kem më shumë mundësi”.
“Nuk dua të flas për lojtarët tjerë apo për njerëzit që i marrin vendimet. Nëse dua të jem atje, atëherë duhet ta tregoj këtë në fushë”, u ka thënë Nani gazetarëve.
Lista e ngushtë e shtatë lojtarëve të nominuar:
Charlie Adam – Blackpool Gareth Bale – Tottenham Samir Nasri – Arsenal Scott Parker – West Ham Rafael Van der Vaart – Tottenham Nemanja Vidic – Manchester United
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, nuk do të mund t’i shërbejë skuadrës në tre takimet e radhës në Serie A, për shkak të ofendimit që i bëri arbitrit ndihmës në takimin e të dielës mbrëma kundër Fiorentinas. Përmes një komunikate, ‘Lega Serie A’ ka konfirmuar se 29-vjeçari do të mungojë në tri ndeshjet e radhës në Kampionatin italian. Ibra u përjashtua me karton të kuq në minutën e 87-të, ndërsa pakënaqësia e tij me vendimet e arbitrit ndihmës, ka bërë që t’i ndalohet të luajë në përballjet ndaj Sampdorias, Brescias dhe Bolognas, të cilat janë vendimtare për titullin e kampionit në Itali.
Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, ka thënë se ai pret vazhdim të kontratës me Rossonerët. Holandezi thotë se për momentin është i fokusuar të fitojë Skudeton para se të diskutojë të ardhmen e tij. “Po dëgjoj shumë thashetheme. Unë po pres ofertë nga Milani, pasi ka disa oferta konkrete në tavolinë nga Brazili dhe disa klube të tjera. Por fillimisht mendoj për të fituar Skudeton, para se të vendos të ardhmen time”, ka thënë Seedorf.
Arsenali është në rrugë për t’u bërë klubi i pestë i Ligës Premier që do të ketë pronar amerikan, pasi gjiganti i sportit, Stan Kroenke, raportohet se ka arritur marrëveshje për të marrë kontrollin e klubit në vlerën e 731 milionë funteve (826 milionë euro). Miliarderi Kroenke, i cili tashmë ka afro 30 për qind të aksioneve në klubin londinez, ka thënë të hënën se ai ka ofruar 11 mijë e 750 funte për një aksion dhe tashmë ka siguruar pjesën prej 16.1 për qind të Danny Fiszman dhe 15.9 për qind të Nina Bracewell-Smith. Duke pasur kontrollin me 63 për qind të aksioneve te Arsenali, amerikani, i cili në vitin 2010 u vlerësua me 2.9 miliardë dollarë pasuri nga revista Forbes, sipas rregullave ka të drejtë të bëjë ofertë për aksionet e mbetura. “Arsenali është klub fantastik me një histori të veçantë dhe traditë dhe një menaxher të mrekullueshëm si Arsene Wenger. Ne synojmë të ndërtojmë një trashëgimi të pasur dhe ta çojmë klubin drejt sukseseve të reja”, ka thënë Kroenke. Aksionari tjetër i madh te Arsenali është manjati rus i hekurit, Alisher Usmanov, me 27 për qind të aksioneve.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka ftuar menaxherin aktual të Chelseat, Carlo Ancelotti, t’u bashkohet Giallorossëve sezonin e ardhshëm. Totti ishte i jashtëzakonshëm gjatë vikendit duke ndihmuar ekipin të shënojë fitore 2-1 ndaj Udineses. “Ka një pendim, ne do të mund të ishim në mesin e liderëve. (Thomas) DiBenedetto? Ne mezi presim nënshkrimet që do t’i sjellë ai. Ancelotti? Shpresoj se ai së shpejti do të na bashkohet neve”, ka thënë Totti për Gazzetta dello Sport.
Paolo Cannavaro, vëllai i vogël i Fabio Cannavaro, thotë se nëse ai fiton titullin e kampionit të Italisë me Napolin, kjo do të thoshte më shumë se një triumf në Kupën Botërore. Napoli aktualisht është vetëm tre pikë larg kreut të tabelës me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit. “Skudetoja me fanellën e Napolit është më e bukur se sa Kupa Botërore e fituar nga vëllai im. Kjo do të kishte një kuptim tjetër, posi napolitanët nuk do ta harronin atë. Kjo është një armë shtesë për ekipin tim, me gjithë respektin për Milanin”, ka thënë mbrojtësi i Napolit.
Mesfushori i Chelseat, Yossi Benayoun, beson se fitorja ndaj Manchester United në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të ishte një hap i madh në synimin për të sjellë trofeun Evropian në Stamford Bridge. Ekipi i Carlo Ancelottit pësoi disfatë me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë në shtëpi, por ata të martën mund të kualifikohen më tej nëse fitojnë me një rezultat më të mirë se ky. “Çdokush e di – menaxheri, lojtarët – se ne luajmë për të shpëtuar sezonin. Është e qartë se do të përfundojmë në top katërsh dhe sezonin e ardhshëm të luajmë në Ligën e Kampionëve. Kjo po thuajse është e realizuar”. “Gjëja e mbetur është të fitojmë një trofe dhe i vetmi të cilin mund ta fitojmë është Liga e Kampionëve. Nëse e fitojmë këtë ndeshje, kjo do të ndryshojë gjithçka. Jam i sigurt se nëse mposhtim United do të shkojmë deri në fund dhe do ta fitojmë trofeun”, ka thënë Benayoun.
Sulmuesi i Shakhtar Donetsk, Luiz Adriano, synon të shënojë një fitore bindëse ndaj Barcelonës dhe ende shpreson të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Shakhtar u mposht me rezultat 5-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në Camp Nou, por Adriano nuk dorëzohet dhe ende ka shpresa për kualifikim të mëtejmë. “Ne nuk duam vetëm të mposhtim Barcelonën në ndeshjen e dytë, por ne duam të arrijmë në rundin e ardhshëm. Kjo është e gjitha që duam. Cili është qëllimi i lojës tonë nëse ne tashmë heqim dorë nga gjysmëfinalet?”, ka thënë Adriano për Sport. “Barcelona na mposhti me rezultat 5-1 në shtëpi, andaj pse ne nuk jemi në gjendje t’i mposhtim ata me rezultat 4-0? Ne fituam 3-0 ndaj Romës dhe kemi nevojë vetëm për një gol më shumë. Ka ende 90 minuta për t’u luajtur dhe ekipi ende është i bindur se ne mund të vazhdojmë më tej”, ka shtuar sulmuesi.
Pippo Inzaghi ka porositur Milanin të transferojë sulmuesin e Manchester Cityt, Mario Balotellin. Inzaghi është afër pensionimit dhe trashëgimtar potencial i vendit të tij është përmendur pikërisht Balotelli. “Qartas, do të doja ta shoh atë të na bashkohet neve. Ai do të gjente shumë shembuj pozitiv për të mësuar në këtë ekip. Po ashtu do të doja të rikthehet miku im Kaka”, ka thënë sulmuesi italian. Inzaghi ka folur edhe për shokun e skuadrës, Alexandre Pato, duke mbrojtur formën e tij jo të qëndrueshme. “Ka shumë presion në Alexandre Pato. Në moshën e tij unë ende isha në ligat amatore, derisa ai tashmë luan për Milanin për katër vite”, ka shtuarInzaghi.
Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, është ndarë i kënaqur me fitoren e mbrëmshme ndaj Fiorentinas. Napoli dhe Inter që të dy ekipet fituan gjatë vikendit, por Rossonerët vazhdojnë të mbajnë kreun pas fitores 2-1 ndaj Fiorentinës. Dhe, Allegri thotë se Milani është vetëm “një hap afër Skudetos” pasi tashmë ka kaluar rreziqet e mëdha. “Ne humbëm shumë shanse për të shënuar fitore bindëse dhe kur e bëni këtë, më herët ose më vonë ju rrezikoni të pranoni golin e barazimit. Viola luajti shumë mirë, veçanërisht në të djathtë, ku ata na shkaktuan probleme. Është një fitore e rëndësishme”, ka thënë Allegri. “Ne ende kemi një avantazh, pasi kemi avantazh në ndeshjet kokë-më-kokë dhe po ashtu tash është edhe një ndeshje më pak për t’u luajtur, andaj mendoj se ne jemi një hap afër Skudettos. Tash duhet të mendojmë vetëm për një rund, dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar italiani.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ishte i kënaqur me paraqitjen e Jens Lehmann në fitoren e djeshme ndaj Blackpool. Lehmann ishte ftuar në ekip pasi Manuel Almunia ishte dëmtuar në stërvitjet e ekipit para ndeshjes. “Nuk isha i shqetësuar pasi kam zëvendësuar një portier të mirë me një portier të mirë. Shqetësimi i vetëm ishte që nuk kisha një portier tjetër në stol. Nëse diçka i ndodh Jens, pasi ai nuk ka luajtur një kohë të gjatë, ne do të kishim problem”, ka thënë Wenger.
Claudio Ranieri është duke u lidhur me karrigen e nxehtë të Sampdorias, shkruajnë mediat italiane. Sampdoria është në rënie dhe qëndron e pozicionuar vetëm sipër zonës së rrezikut në tabelën e Serie A. Menaxheri i përkohshëm, Alberto Cavasin, nuk pritet të fitojë kontratë të përhershme pas fundit të sezonit. Mediat italiane kanë shkruar se ish-trajneri i Chelseat dhe të Romës, Ranieri, ka qenë në kontakt me drejtuesit e Sampdorias. Genoa po ashtu thuhet se është e interesuar për Ranierin për sezonin e ardhshëm.
















