
Barcelona ka shënuar fitore prej 1-0 në Donbass Arena për ta eliminuar Shakhtar Donetskun nga Liga e Kampionëve, dhe me rezultat të përgjithshëm prej 6-1 siguron kualifikimin në gjysmëfinale të garës prestigjioze të futbollit evropian. Katalunasit e kishin siguruar fazën tjetër që takimin e parë në Camp Nou, të cilin e fituan me rezultat 5-1, ndërsa duhej t’i zhvillonin sa për ‘formalitet’ edhe 90-të minutat e ndeshjes kthyese, të cilën po ashtu e fituan. Magjia e futbollit modern, Lionel Messi, mori topin nga Dani Alves, kaloi mbrojtjen vendase dhe realizoi golin e fitores (43’). Pos eliminimit me rezultat të thellë të përgjithshëm prej 6-1, humbjen në ndeshjen kthyese e bën më të hidhur fakti se kjo disfatë ishte e para për Shakhtarin në shtëpi pas më se 80 ndeshjeve. Në gjysmëfinale, ka gjasa reale që Barcelona ta ketë përballë rivalin e përgjakshëm, Real Madrid, që të mërkurën e zhvillon ndeshjen kthyese në Londër kundër Tottenhamit, të cilën e fillon me avantazh prej 4-0 nga takimi i parë.

Me rezultat të përgjithshëm prej 3-1, Manchester Unitedi është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar rivalin nga Liga Premier, Chelsea. Takimi i parë i zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 për United, që fitoi edhe ndeshjen kthyese në Old Trafford, me rezultat prej 2-1. Të dyja skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë më ‘të kujdesshme’ me një iniciativë të lehtë të Bluve, mirëpo konkretizimi ishte në anën e Djajve të Kuq. Fillimisht vendasve iu anulua një gol për pozitë jashtë lojë, kur pas krosimit të Wayne Rooneyt, Hernandez shënoi në portën e Cech (27’). Ndërkohë, goli i avantazhit erdhi në minutën e 43-të. Ishte legjenda Ryan Giggs që asistoi, ndërsa Javier 'Chicharito' Hernandez plasoi topin në rrjet, këtë herë në mënyrë të rregullt. Mysafirët zhvilluan një gjysmë të dytë më të zbehtë, ndërsa gjërat u përkeqësuan edhe më shumë pas përjashtimit të Ramires me kartonin e dytë të verdhë (70’). Chelsea gjeti fuqinë ta barazojë rezultatin, kur pas një pasimi të Essien, Didier Drogba mposhti portierin Van der Sar (77’). Mirëpo, shpresa e Bluve për kualifikim eventual nuk zgjati as një minutë, pasi që Ryan Giggs pasoi te Ji-Sung Park, i cili riktheu epërsinë e vendasve. Në gjysmëfinale, Manchester Unitedi do të takohet me Schalken ose Interin, ndërsa gjasat më të mëdha janë që skuadra gjermane të luajë kundër Djajve të Kuq, pasi në ndeshjen e parë në Meazza e mposhti kampionin në fuqi me rezultat 5-2.