
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk beson se Cristiano Ronaldo do të transferohet te Milani, por thotë se kjo nuk është gjë e pamundur. Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, së fundi tha se ekipi i tij mund të bëjë ofertë për yllin e Realit gjatë verës. Në anën tjetër ka pasur spekulime edhe se Jose Mourinho do të zëvendësojë Roberto Mancinin në stolin e Cityt. “Për mua te Manchester City, them se është e pamundshme. Por nuk mund të them se është e pamundshme për Cristianon, pasi mbase Berlusconi do të dëshirojë të bëjë diçka të çmendur, por mund të them se Reali nuk dëshiron ta shesë atë”, ka thënë Mourinho.

Cristiano Ronaldo ka qenë në humor të mirë pasi ekipi i tij mbrëmë mposhti Tottenhamin me rezultat 1-0 për të siguruar vend në gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve. Ronaldo ka thënë se pavarësisht se Barca luan një futboll të shkëlqyeshëm, ai është optimist për arritje në finale të Ligës së Kampionëve me Realin. “Ka qenë një fitore e mirë sonte dhe kjo do të thotë se ne kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ambicia jonë në fillim të sezonit ishte të shkojmë sa më larg në këtë garë”. “Ne jemi afër finales tash, por kemi një rival të vështirë përballë. Ata janë një ekip i shkëlqyeshëm, por ata nuk janë nga ndonjë planet tjetër; ata janë njerëz si ne. Ata luajnë futboll të mirë, por edhe ne. Ne ndjehemi mirë si fizikisht, ashtu edhe mentalisht”, ka thënë Ronaldo.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është i gatshëm për serinë prej katër ndeshjeve ndaj Real Madridit brenda 18 ditësh, pavarësisht se ata do të kenë përballë një ekip ‘të pandalshëm’. “Është shansi për t’u përballur me ekipin më të fuqishëm. Pavarësisht se sa herë luajmë me ta, ata ende janë ekipi më i fuqishëm në çdo aspekt – më të fortë, ekipi në formën më të mirë, ekipi më i pandalshëm. Ne duhet ta pranojmë sfidën dhe të jemi të gatshëm për këtë”. “Nuk ka rëndësi se në çfarë kushtesh jemi. Ajo çfarë është me rëndësi është mentaliteti dhe dëshira. Kjo është një dhuratë që çdo person sportiv do të ishte i ngazëllyer ta pranojë. Në këtë situatë, gjithë çfarë ne mund të bëjmë është të falënderojmë lojtarët dhe ta trajtojmë këtë [sfidë] si një dhuratë”, ka thënë Guardiola.

Trajneri i Interit, Leonardo, thotë se ai vërtet kishte besuar se Nerazzurët do të mund ta përmbysnin rezultatin prej 5-2 dhe të kualifikohen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Braziliani thotë se lojtarët e tij e nisën mirë takimin e mbrëmshëm dhe gjithçka do të kishte qenë më ndryshe nëse ata do të kishin shënuar një gol të hershëm. Por ndeshja përfundoi edhe me një disfatë për kampionin në fuqi të Evropës, që u mposht me rezultat 2-1. “Unë vërtet kam besuar, pasi në pjesën e parë ne kishim iniciativën dhe kontrolluam ndeshjen, por nuk kishim mundësi të shënojmë. Kam ëndërruar për një rikthim dhe ne do të kishim mundur ta realizonim këtë duke shënuar një gol në fillim dhe duke qenë në gjendje të godasim në kohën e duhur”, ka thënë Leonardo.

Tottenham do të fokusohet në Ligën Premier me synimin për të siguruar pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, thotë Gareth Bale. Ekipi anglez u eliminua nga Real Madridi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa aktualisht pozicionohet një vend larg pozitës së katërt, që kualifikohen në garën evropiane për sezonin e ardhshëm. “Disfata është e vështirë, por ne e dinim që para ndeshjes se do të jetë një sfidë e vështirë. Ne kemi pasur një ecuri të shkëlqyeshme në Ligën e Kampionëve dhe jemi krenar për këtë, por, në fund të ditës, ne humbëm nga ekipi që ishte më i mirë”. “Ne kemi shanse të përfundojmë në pozitën e katërt. Ne jemi tre pikë larg Cityt me një ndeshje më pak, dhe do të përballemi me ta, Chelsean dhe Arsenalin. Andaj ende ka shumë për t’u luajtur dhe ne do të jemi të gatshëm për të vazhduar më tej” ka thënë Bale pas takimit të mbrëmshëm.

Raul mezi pret sfidën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Mancheseter United, pasi ndihmoi Schalken të eliminojë kampionin në fuqi, Interin, me rezultat 7-3 nga të dy ndeshjet çerekfinale. Sulmuesi veteran mbrëmë shënoi golin e 71-të në Ligën e Kampionëve, të 73-tin në Evropë, derisa Schalke fitoi 2-1 ndaj Interit, dhe spanjolli mezi pret sfidën e radhës pasi ëndërron të luajë në finalen në Wembley. “Ne jemi të lumtur, tash kemi dy gjysmëfinale të mëdha, ne kundër United dhe Real Madrid kundër Barcelonës. Ishte e rëndësishme të mposhtësh Interin, tash ne ëndërrojmë për finale pas një arritje aq të madhe”, ka thënë Raul për Sky Sport Italia.

Iker Casillas ende nuk mendon për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve përballë Barcelonës dhe dëshiron që bashkëlojtarët e tij së pari të fokusohen në ndeshjen e ligës mes dy rivalëve që zhvillohet këtë vikend. Real Madridi mbrëmë mposhti Tottenhamin me rezultat minimal 1-0, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të garës evropiane me rezultat të përgjithshëm 5-0, dhe do të ketë pikërisht Barcelonën si sfidues të radhës. Dy ekipet do të takohen edhe dy herë të tjera, një në kuadër të kampionatit spanjoll dhe një tjetër herë në finalen e Kupës FA, që do të çojë në katër numrin e ndeshjeve derbi mes tyre brenda tre javësh. “Ne tash kemi dy ndeshje të njëpasnjëshme kundër tyre, por ndjenja është tjetër në Ligën e Kampionëve. Tash le të mendojmë për ndeshjen e ligës. Le të dalim dhe ta fitojmë dhe të reduktojmë pikët. Fitorja në ligë është ende e mundshme”, ka thënë njëshi spanjoll. Madridi qëndron tetë pikë prapa Barcelonës në tabelën e La Ligës.

Superagjenti italian Enzo Bronzetti nuk pret që Real Madridi të kthehet kah mesfushori i Romës, Daniele De Rossi. De Rossi është lidhur me një largim nga Roma gjatë kësaj vere dhe Real Madridi është përmendur si stacion i mundshëm për italianin. “Disa ditë më parë kam folur me presidentin e Real Madridin dhe ai më ka thënë se De Rossi nuk është në planet e tyre. Lassana Diarra, Sami Khedira dhe Xabi Alonso do të qëndrojnë, andaj kjo pozitë është e mbuluar”, ka thënë Bronzetti.

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, thotë se ata paguan për gabimet e tyre në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve ndaj Schalke. Nerazzurët humbën me rezultat 5-2 në ndeshjen e parë dhe nuk arritën të përmbysin rezultatin në ndeshjen e kthimit në Gjermani, ku po ashtu u mposhtën, kësaj here me rezultat 2-1. “E dinim se do të ishte vështirë, edhe nëse nuk luanim në mënyrën me të cilën duhej të luanim. Fatkeqësisht ju paguani për gabime të caktuara në Ligën e Kampionëve, ka thënë Zanetti për Rai.

Jose Mourinho ka festuar me fitore ndeshjen e tij të 500-të duke mposhtur Tottenhamin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Mourinho filloi karrierën si menaxher në Benfica ku bëri debutimin e tij më 23 shtator të vitit 2000. Suksesin e parë të madh ai e shijoi me Porton me të cilin ekip fitoi kampionatin portugez, Kupën dhe Kupën UEFA në vitin 2003. Kjo u pasua me Ligën e Kampionëve në vitin 2004, para se ai të largohet për Chelsean ku fitoi dy tituj. Me Interin ai fitoi Skudeton, Kupën dhe Superkupën e Italisë në sezonin e parë, ndërsa sezonin e kaluar fitoi të tre titujt e rëndësishëm, Skudeton, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve. Pas këtij suksesi me Interin ai verën e kaluar u transferua te Real Maddridi ku shpreson të përsërisë sukseset e tij. Shumicën e dekadës ai e kaluar duke u mburrur me rekordin si i pamposhtur në të gjitha ndeshjet në shtëpi për nëntë vite, por së fundi u thye nga Sporting Gijon. Megjithatë sfida tjetër e madhe për Mourinhon do të jenë katër ndeshjet e tre javëve të ardhshme kur do ta drejtojë Real Madridin në katër përballje me rivalin e përbetuar, Barcelonën, që do të përcaktojë edhe sukseset e klubit për këtë sezon.