
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich besohet ta ketë në mendje John Terryn si zëvëndësues të Carlo Ancelottit. Telegraph shkruan se ekziston ndjesia te Chelsea se para përfundimit të kontratës së tij si lojtar, Terry ka filluar të mendojë për një sektor tjetër të klubit – menaxhmentin. Mbrojtësi nuk e ka fshehur në të kaluarën dëshirën për ta drejtuar Chelsean dhe madje kishte thënë se do të dëshironte një opsion në kontratën e tij prej lojtari që në rast se i kërkohet, të jetë edhe menaxher. Sipas miqve të Abramovich, John Terry është definitivisht në planet e pronarit rus, i cili e di mjaft mirë se askush nuk e do më shumë klubin se sa kapiteni aktual.

Arsene Wenger ia ka bërë të qartë aksionarit më të madh të klubit, Stan Kroenkes, se Arsenali ka gjasa ende për ta fituar Ligën Premier, pas takimit të dy prej njerëzve më të rëndësishëm të klubit nga Emirates. “Unë e di se ai ka bërë ofertë për të qenë aksionari më i madh, por ekzistojnë disa rregulla prandaj nuk mund të komentoj më shumë mbi këtë. Unë mendoj se kam përgjegjësi për t’i sjellë suksese ekipit, të jemi vazhdimisht në maje dhe ta menaxhojmë mirë klubin. Për mua është me rëndësi që secili në klub t’i kryejë përgjegjësitë e veta”. “Fokusi im do të jetë që të sigurohem se ekipi do të jetë i sukesshëm në fund të sezonit. Ne kemi edhe shumë për të luajtur”, theksoi Wenger.

Presidenti i Interit, Massimo Moratti beson se eliminimi i Interit nga Liga e Kampionëve është thjeshtë një copëz e vogël e sezonit zi-kaltër, pasi sipas tij Nerazzurët janë në gjendje ta fitojnë Scudetton. “Unë dua të falënderoj ekipin tim dhe të gjithë lojtarët që përgjatë viteve më sollën aq shumë kënaqësi dhe suksese mua dhe fansave”. “Duke parë se kanë mbetur edhe shumë gjëra për t’u fituar, jam i bindur se trajneri e di mjaft mirë ashtu si lojtarët se si mund të na e rikthejnë kënaqësinë”, deklaroi Moratti.

Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, është i lumtur për Raulin dhe sukseset e tij me Schalken. “Ai po kalon nëpër një sezon të jashtëzakonshëm dhe kjo është diçka me të cilën jemi mëuar, pasi ai gjithmonë i tejkalon pritjet”. “Ne duhet të ngritemi në këmbë kur flasim për të dhe atë që ai ka bërë për ne si Real Madrid dhe futbollit spanjoll në përgjithësi. Ai gjithmonë është profesionist dhe qëndron i gatshëm. Ai është lojtar i madh”, potencoi Valdano.

Mesfushori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, beson se Arsenalit i ka munguar mentaliteti fitues që nga koha kur ai ishte larguar nga Emirates. Ishte pikërisht Vieira ai që ngriti trofeun e fundit të fituar nga Arsenali. “Unë ende kam ndjenja për Arsenalin, por tashmë ato po fillojnë të frustrohen. Ata luajnë futbollin më të mirë në Angli dhe nuk po mund të fitojnë asgjë”. “Unë vërtet kënaqem kur i shikoj, por atyre u mungon fuqia fizike. Arsenali nuk e ka qëndrimin vrasës sikurse që e ka Manchester United”, u shpreh Vieira për L’Equipe.

Trajneri i Interit, Leonardo, ka përgënjështruar zërat se lufta për titullin në Serie A ka mbaruar pas derbit, duke thënë se ajo jo që nuk ka mbaruar, po vetëm sa ka filluar. “Ne kemi ende mund ta kemi fjalën e fundit në kampionat dhe në Coppa Italia. Objektivat tanë mbesin të njëjtë sikurse në janar dhe që nga dita e parë kur erdha këtu edhe pse gjërat ishin jo aq mirë kur kam arritur”. “Kërkimi i rezultateve të mira është gjë konstante dhe unë do ta bëj këtë ashtu si të tjerët. Është fundamentale që ta menaxhojmë mirë këtë moment dhe të mbesim të fokusuar mbi objektivat që kemi. Ne kemi edhe gjashtë ndeshje të mbetura në Serie A dhe dy gjysmëfinale në Coppa Italia. Mund të reagojmë, e dimë se mundemi”, deklaroi Leo.

Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka këmbëngulur se ai e ka të lehtë kur luan me Ibrahimovicin, duke hedhur poshtë zërat se Ibra është armiku më i madh i Milanit. “Ibra është super kampion. Unë kam shpresuar se ai nuk do të dënohej, por jam i sigurt se do të kthehet shpejtë dhe do të na ndihmojë ashtu si më parë”. “Ekziston gjithmonë dikush që u jep shumë fjalë njerëzve. Ne jemi miq dhe jam shumë i kënaqur që luaj me Ibrën”, deklaroi Pato për Milan Channel.

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri përfundimisht u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e Zlatan Ibrahimovic, duke thënë se sulmuesi suedez nuk do të largohet nga San Siro. “Mendoj se Ibrahimovic do të qëndrojë te Milani dhe sezoni i tij ka qenë shumë i mirë përpos muajit të fundit, në të cilin ai është dashur të paguajë për sjelljet të cilat nuk ishin të mira”. “Pesë muajt e parë ai bëri gjëra të jashtëzakonshme dhe jam i sigurtë se ai do të rikthehet në formën e tij të zakonshme”, ka thënë Allegri.

Manchester City një ditë do ta arrijë rivalin lokal Manchester United, sa u përket sukseseve, gjithnjë sipas menaxherit aktual të ‘qytetarëve’, Roberto Mancini. “Unë kam respekt për Manchester Unitedin sepse ata kanë fituar gjithçka përgjatë viteve. Ata e filluan këtë kur e fituan trofeun e parë pas shumë vitesh pa asgjë. Tani ne jemi në një pozitë të njëjtë”. “Ne mund të bëjmë atë që bëri United. Ne kemi rastin për ta bërë këtë të shtunën dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur”, ka thënë Mancini.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i bindur se ai është njeriu i duhur për ta zëvëndësuar legjendarin Sir Alex Ferguson në postin e menaxherit në Old Trafford. The Sun shkruan se Mourinho beson se është i aftë ta zëvëndësojë Fergusonin në krye të klubit nga Old Trafford, ndërsa Mou besohet t’u ketë thënë miqve se ai do të kalojë te United në verën e vitit 2012. Megjithatë, problemi ekziston te fakti nëse Ferguson fiton tripletën, pasi një gjë e tillë do ta shtynte skocezin që ta shtyjë pensionimin e tij.

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Barceloona do ta fitojë Ligën e Kampionëve. “Kurrë nuk do ta eliminoja Alex Ferguson dhe United, thjesht për shkak se ai ka arritur aq shumë gjatë viteve. Ai vazhdimisht e ka mbajtur ekipin në maje dhe një herë ka fituar tre tituj, në vitin 1999”. “Por që në fillim të garës kam parashikuar se Barcelona dhe Real Madridi do të jenë ekipet që duhet mposhtur. Secilën herë që e shoh Barcelonën ata më duken më të mirë – ekipi më i mirë që kam parë në tre dekadat e fundit. Ata janë basti im”, ka thënë Redknapp.

Përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës në futboll, Vicente del Bosque, është i sigurt se Real Madridi nuk do ta lejojë Barcelonën ta përsërisë rezultatin e ndeshjes së nëntorit, 5-0. Dy ekipet do të përballen katër herë në 18 ditë në tre gara të ndryshme, dhe Del Bosque beson se një disfatë e thellë e Mbretërve ka shumë pak gjasa të ndodhë. “Sot është e pamendueshme që rezultati 5-0 të ndodhë përsëri. Barcelona luan një ndeshje e cila është e ndërtuar nga durimi, derisa Madridi është shumë energjik, ndryshon lojën aty për aty. Do të jetë një festival i futbollit në Spanjë me katër ndeshjet”, ka thënë Del Bosque për Marca.

Ish-lojtari i Real Madridit, Roberto Carlos, ka nënvizuar rolin e Cristiano Ronaldos për Real Madridin, duke thënë se ylli portugez është më i rëndësishëm për ekipin se që është Lionel Messi për Barcelonën. “Vërtetë më pëlqen stili i lojës i Messi. Megjithatë, Ronaldo mund të bëjë më shumë për Realin se sa Messi për Barcelonën”. “Madridi vërtet varet nga loja e mirë e Ronaldos, derisa Barcelona është më shumë se sa Messi. Kjo është se pse Ronaldo është më vendimtar”, ka thënë Carlos për Sport.

Fabio Capello ka rifilluar luftën e fjalëve me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, duke zbuluar se atij i është ofruar posti i trajnerit të Real Madridit para se ky t’i ofrohet portugezit. Përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë në futboll ka thënë se ai kishte refuzuar rikthimin në Bernabeu, dhe vetëm pas këtij refuzimi Reali kishte reaguar për të sjellë Mourinhon. “Kam mundur të shkoj te Real Madridi vitin e kaluar, por do të ishte rrezik të rikthehem atje sërish, pasi nëse nuk fitoja diçka do të ishte një zhgënjim masiv”, ka thënë Capello për Marca. Komentet vijnë disa javë pasi Mourinho i tha shtypit se atij i ishte ofruar pozita e trajnerit të Anglisë para se ish-trajneri i Juventusit e Milanit të merrte detyrën.

Juventusi raportohet se është gjithnjë e më afër për të siguruar shërbimet e Rolandos. Corriere dello Sport shkruan se Zonja e Vjetër dëshiron të sjellë gjak të ri në repartin mbrojtës në fund të sezonit. Biankonerët janë lidhur me transferimin e 25-vjeçarit edhe më herët dhe tash raportohet se kanë vendosur të marrin hapa serioz për portugezin. Edhe agjenti i lojtarit ka konfirmuar se do të takohet me drejtorin sportiv të Juves, Giuseppe Marotta, në ditët e ardhshme për të diskutuar rreth një marrëveshje të mundshme.

Roberto Mancini ka nënvizuar rëndësinë e gjysmëfinales së Kupës FA kundër rivalit të hidhur Manchester United. City nuk ka fituar trofe në 35 vitet e fundit dhe italiani ka thënë se ndeshja është një mundësi e shkëlqyeshme për t’i dhënë fund kësaj. “Të gjithë lojtarët e mi duhet të kuptojnë shumë mirë se është një moment i madh për ne. Ne mund ta ndryshojmë historinë e klubit. Trofetë tjera janë më të fuqishme por është koha për Manchester Cityn për të fituar diçka”, ka thënë Mancini.

Javier Pastore duket se është gjithnjë e më afër largimit nga Palermo, pasi presidenti i klubit Maurizio Zamparini thotë se ai nuk mund të jetë pengesë për lojtarin nëse vijnë oferta nga Real Madridi dhe Barcelona. Pasi ka mohuar raportet se Pastore do të largohet gjatë gjithë sezonit, Zamparini duket se më në fund është mposhtur, duke thënë për të parën herë se 21-vjeçari, i cili ka shënuar 10 gola në 31 ndeshje këtë sezon, mund të largohet nga Sicilia. “Nëse oferta të caktuara arrijnë atëherë do të duhet të mendojmë për atë. Për Pastore, Barcelona dhe Real Madridi janë ekipe që i ka dëgjuar [për interesimin]. Nëse ai dëshiron të largohet atëherë do të largohet, sikur [Edinson] Cavani”, ka thënë Zamparini.

Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, ka vendosur dorën në Skudeton dhe thotë se ekipi i tij meriton ta fitojë atë. 33-vjeçari ka thënë se dominimi i tyre në Serie A gjatë gjithë sezonit do të shpërblehet me të drejtë në fund. “Milani e meriton Skudeton. Ne e meritojmë pasi kemi qenë para për 22 ose 24 javë dhe ne kemi mposhtur Napolin dhe Interin, të cilët janë të dytët dhe të tretët në ligë, secilin nga dy herë. Ne shpresojmë ta fitojmë, ka edhe gjashtë ndeshje deri në fund”, ka thënë Gattuso. Rossonerët të shtunën do të përballen me Sampdorian.

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, beson se menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti mund t’i bashkohet Romës sezonin e ardhshëm. E ardhmja e Ancelottit me Blutë është vënë në dyshime dhe raportet e fundit thonë se dështimi për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të bëjë që Abramovich ta shkarkojë trajnerin në fund të sezonit. Edhe Galliani mendon se një largim i Ancelottit nga Chelsea është më se i mundshëm dhe se ai sipas gjasave do të transferohet te Roma. “Carlo e do Romën shumë. Ai e do qytetin. Ata ishin ekipi i tij i parë i nivelit të lartë. Ai e ka Romën në zemrën e tij, por unë nuk dua të përfshihem në punët e njerëzve të tjerë”, ka thënë Galliani për Sky Italia.

Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, beson se Rossonerët do ta kenë më të lehtë pa Ibrahimovicin, i cili përsëri u përjashtua dhe u dënua me tri ndeshje moslojë. “Ne të gjithë e dimë se ai është i rëndësishëm, ai për ne është fundamental, por ne e fituam derbin pa të. Nëse ai luan, më mirë për ne”. “Sidoqoftë, ne kemi shumë lojtarë të tjerë të cilët janë të aftë të shënojnë gola”, u shpreh Nesta.

Roberto Mancini i ka bërë thirrje sulmuesit kontrovers, Mario Balotelli, që të lërë prapa problemet e tij dhe të përqendrohet për sfidën ndaj Manchester Unitedit, dhe ka kërkuar nga sulmuesi që të bëhet hero. “Ai mund të bëhet hero. Të shtunën, nëse ai luan, ai e ka rastin për të bërë mirë. Dhe nëse ai shënon një gol ai mund të na dërgojë në finale, ai mund ta ndryshojë vitin e tij”. “Ai e ka mentalitetin e ndeshjeve të mëdha për ta bërë këtë. Shpresoj se në ndeshjet e ardhshme Mario do të mund të shënojë gola”, u shpreh Mancini.

Strategu holandez, Guus Hiddink, ka marrë ofertë nga drejtuesit e Chelseat për të ushtruar detyrën e drejtorit sportiv te klubi nga Londra. Goal njofton se Abramovich është ngopur nga shfrytëzimi jo i duhur i parasë së tij për transferime dhe kështu dëshiron të angazhojë një njeri me përvojë në këtë lëmi si Hiddink. Nuk përjashtohet as mundësia që Hiddink të jetë zëvendësues i Ancelottit në fund të sezonit, por kjo është pak e mundur që të ndodhë marrë parasysh se holandezi ka nën drejtim kombëtaren turke.

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka lëvduar bashkëlojtarin e tij, Javier Hernandez, për paraqitjet fenomenale në fanellën e Djajve të Kuq këtë sezon. “Chicharito është vërtet i rëndësishëm, jo vetëm për golat, por edhe për lojën ekipore që po bën”. “Ai vazhdimisht po lëviz prapa mbrojtësve kundërshtarë dhe po krijon hapësira, të cilat në mënyrë perfide është në gjendje t’i shfrytëzojë Rooney”, theksoi Giggs.

Barcelona ka marrë lajme të mira në prag të El Clasicos vendimtar për titullin në La Liga që zhvillohet të shtunën, pasi mbrojtësi dhe kapiteni Carlos Puyol ka arritur që të riaftësohet për sfidën ndaj rivalëve të përbetuar, Real Madrid. Kryetrajneri Pep Guardiola do ta ketë në dispozicion ‘bishën’ e Barcelonës, i cili pa kurrfar dyshimi ka formuar me Piquen tandemin më të fortë defensiv sot në botë. Ky është lajm i keq për Real Madridin, marrë parasysh se me Puyolin në mbrojtje, Barcelona ka pranuar shumë pak gola dhe zakonisht ishte stoik në ndeshjet El Clasico.

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të dëshironte që në finale të Ligës së Kampionëve të takohej me ish-klubin e tij, Manchester United. “Natyrisht, do të isha i lumtur po që se do të luanim ndaj Manchester Unitedit, sepse kam luajtur gjashtë vjet atje, të shohim çfarë do të ndodhë. Finalja është ende larg”, theksoi CR7. Real Madridi duhet ta tejkalojë Barcelonën nëse dëshiron që ta përjetojë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet në Wembley.