
Derbi më i madh botëror i futbollit, ‘el Clasico’, i zhvilluar të shtunën mbrëma ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1. Dy fuqitë e futbollit botëror dhanë një spektakël në fraksionin e parë, por fatkeqësisht rrjetat heshtën. Barcelona zhvilloi lojën e vet të zakonshme me administrimin e lojës në mesfushë dhe me posedimin e topit, dhe njëherit duke krijuar raste. Ndërkohë, Real Madridi u mbështet në lojën defensive me krijimin e rasteve përmes kundërsulmeve. Nga rastet e mysafirëve veçojmë dy shanset e shkëlqyera të Leo Messit, të cilat ia mohoi në mënyrë të jashtëzakonshme Iker Casillas, ndërsa një rast të mirë për Realin e pati në fund të gjysmës së parë Cristiano Ronaldo, por goditjen e tij me kokë e ndali mbrojtja e Barcës. Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), Raul Albiol ishte lojtari tragjik i Los Blancos, pasi ndali topin me dorë dhe ndërhyri në David Villan brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, për ta përfunduar ndeshjen para kohe dhe për t’ua dhuruar mysafirëve një penallti. Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori Leo Messi, i cili realizoi golin e 30-të në La Liga dhe të parin kundër një ekipi që drejton Jose Mourinho (53’). Pas golit të shënuar, Barca filloi ta diktojë lojën me qetësi, mirëpo përkundër disavantazhit në numrin e lojtarëve, vendasit vazhduan të tregoheshin të rrezikshëm dhe të tentonin ta pengojnë humbjen e gjashtë radhazi në Kampionat nga Blaugranët. Në vazhdim të lojës Mbretërit ishin më kërkues të golit të barazimit, ndërsa këtë ua mundësoi arbitri, i cili akordoi penallti pas ndërhyrjes së Dani Alves në Marcelon. Ishte Cristiano Ronaldo lojtari që u paraqit përballë Valdes dhe shënoi golin e parë në karrierë kundër Barcelonës (82’). Kjo ndeshje shënon përballjen e parë nga katër përballjet e dy gjigantëve të futbollit botëror, që në vazhdim do të zhvillojnë edhe finalen e Kupës së Mbretit dhe dy ndeshjet gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.

Chelsea ka arritur ta përmbysë rezultatin në sfidën e zhvilluar ndaj WBA-së në transfertë, duke e fituar takimin me rezultat 3-1. Fillimisht vendasit kalojnë në epërsi. Është Odemwingie ai që zhbllokoi rezultatin pas 17 minutash lojë. Kur të gjithë bastexhinjtë shqyen skedinat e tyre, atëherë në skenë del Didier Drogba për ta barazuar rezultatin (22’) para se edhe Salomon Kalou (26’) ta kalojë në epërsi Chelsean. Rezultati përfundimtar i këtij takimi u vendos në fund të pjesës së parë (45’) me anë të Frank Lampard. Me këtë fitore Chelsea ka 61 pikë në pozitën e tretë, duke përforcuar kështu vendin që dërgon në Ligën e Kampionëve.

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i ka bërë thirrje trajnerit të tij, Jose Mourinho, që ta harrojë Manchester Unitedin dhe të qëndrojë në Bernabeu. “Jose Mourinho është pjesë fundamentale e suksesit tonë. Titujt e tij flasin më shumë”. “Ai ka fituar gjithçka. Jam i lumtur që ai është me ne dhe shpresoj se mund të fitojmë shumë tituj së bashku”, ka thënë Ronaldo.

Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi është tërhequr nga pohimet e tij të mëparshme sensacionale, duke thënë se ai nuk e ka ndërmend që të shpenzojë në lojtarë të shtrenjtë sikur Cristiano Ronaldo. Më herët ishte thënë se Milani mund ta transferojë Ronaldon gjatë verës, pohime këto që tani hidhen poshtë nga vet njeriu që i ndezi ato. “Unë tashmë kam investuar 70 milionë euro dhe poashtu më duhet të arrij marrëveshje me familjen. Tani për tani nuk po bisedojmë për transferime”, theksoi Berlusconi.

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff e konsideron Lionel Messin lojtar shumë më të mirë se sa Cristiano Ronaldon, kjo për shkak të superioritetit teknik të argjentinasit. “Messi po luan që katër vjet apo kështu diçka, përderisa të tjerët kanë luajtur nga 14 vite, kështu që ai ka edhe dhjetë vjet përpara me cilësinë e njëjtë dhe shpresoj se do të ketë suksesin e njëjtë”. “Messi ka cilësitë e Maradonës, i cili ishte lojtar që bëri shumë gjëra në mënyrë individuale. Është e vështirë ta fusim Ronaldon në këtë thes. Ronaldo është më shumë lojtar fizik, përderisa të tjerët nuk janë aspak lojtarë fizikë, por lojtarë të pastër teknikë”, deklaroi Cruyff për ESPN.

Massimiliano Allegri ka refuzuar që të bëjë parashikime mbi atë se kush do ta fitojë titullin sivjet në Serie A, ndërsa në vend të titullit ka kërkuar fokus para ndeshjes ndaj Sampdorias. “Unë nuk dua të bëj parashikime. Së pari ne duhet të marrim tri pikë të shtunën dhe më pas të shikojmë pjesën e mbetur”. “Së pari luajmë të shtunën. Më pas do të mendojmë për Coppa Italian dhe Brescian. Ne duhet të mendojmë për çdo ndeshje pa bërë kalkulime”, tha Allegri.

Ish-mesfushori i Real Madridit, Steve McManaman e sheh El Clasicon si një ndeshje që nuk mund të krahasohet me tjerat dhe thotë se asnjë ekip nuk mund të lejojë që të pësojë disfatë. “El Clasico është si asgjë tjetër për shkak të historisë dhe traditës. Unë duhet të pranoj se më pëlqyen ato ndeshje”. “Nëse e merrni rezultatin e kërkuar, kënaqeni me atë. Nëse humbisni, pësoni katastrofë. Nëntë vite më parë, El Clasico ishte shoqëruar me ndeshje në Ligën e Kampionëve, kështu që ishte skenar i pabesueshëm, ashtu si sot”, ka thënë McManaman.

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar para El Clasicos se Los Blancos sipas tij përbëjnë ekipin më të mirë sot në botën e futbollit. “Ne jemi një prej ekipeve më të mira në botë dhe nuk po mund ta imagjinoj fare që Reali që dy-tri vjet është pa titull”. “Sfidat tjera ndaj Barcelonës? Nuk kam frikë, në fakt jam i entuziazmuar. Është momenti ku mund të fitoni gjithçka, ose të përfundoni pa asgjë. Unë gjithmonë dua të shënoj gola dhe të luaj mirë për t’i ndihmuar ekipit”, potencoi CR7.

Manjati amerikan Thomas DiBenedetto ka arritur marrëveshjen për blerjen e Romës me bankën UniCredit, e cila hyn menjëherë në fuqi. Sky Sport Italia njofton se dokumentet përfundimtare janë nënshkruar të premtën pasdite, përderisa të dyja palët finalizuan marrëveshjen. Di Benedetto tashmë ka zbuluar planet e tij për ta nxjerrë Romën nga kriza, ndërsa synon që pos sjelljes së lojtarëve më të mirë në Olimpico, ta fitojë edhe Scudetton.

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, mendon se Barcelona është skuadra më e fortë në botë dhe gjithmonë ka qenë e tillë, pak orë para El Clasicos ndaj Real Madridit. “Si lojtar i Barcelonës, unë vërtet dua të fitoj në Madrid. Për mua, Barcelona gjithmonë ka qenë ekipi më i mirë në botë. Ne jemi referencë për botën e futbollit”. “Duhet të kemi kujdes nga Reali, sepse ata kurrë nuk dorëzohen”, theksoi Valdes.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se Real Madridi do të hyjë si favorit në ndeshjen El Clasico që zhvillohet në Bernabeu me fillim nga ora 22:00. “Unë gjithmonë kam pasur respekt për Realin. Ky Real është më i miri se ai ndaj të cilit kemi luajtur më parë. Ata hyjnë në këtë ndeshje si favoritë. Nëse humbasim në Bernabeu, kemi rrugë të gjatë para vetes, por duhet të fitojmë në Bernabeu nëse e duam titullin”.

Guardiola shfaqi respekt për ekipin e Realit, përderisa ua tërhoqi vërejtjen lojtarëve të tij që të jenë të kujdesshëm. “Lojtarët e Realit godasin më shumë, kërcejnë më shumë dhe janë më të shpejtë dhe më të fuqishëm se lojtarët tanë. Unë nuk kam parë ende ekip që luan në hapësira të tilla – ata me tri prekje shënuan gol. Ne duhet ta largojmë topin nga Victor Valdesi për të krijuar një mundësi, kurse atyre u duhen vetëm tri sekonda”, theksoi tekniku katalanas.

I pyetur për atë se si e sheh faktin që homologu i tij, Jose Mourinho ka vendosur që të mos flasë në konferencën për shtyp, Guardiola u shpreh: “Gjithë ajo që them do të krahasohet me atë që tha zotri Mourinho, të gjithë bëjnë atë që duan në klubin e tyre, nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”. “Ai di si të luajë në mënyra të ndryshme, ai e bëri këtë edhe me Interin, një stil në ndeshjen e parë dhe një tjetër në ndeshjen kthyese. Ai është shumë i shkathtë në ndërrimin taktik të ekipit të tij”, përfundoi Guardiola. Barcelona dhe Real Madridi do të përballen edhe tri herë pas të shtunës – më 20 prill, 27 prill dhe 3 maj.

Jose Mourinho ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para El Clasicos ndaj Barcelonës, por ai ka mundur edhe të mos duket fare në shesh, pasi e ka lënë të flasë zëvëndëstrajnerin Aitor Karankan. Dhe përderisa Karanka iu përgjigj pyetjeve, mediat spanjolle vendosën ta bojkotojnë konferencën në shenjë proteste, duke lënë të vetmuar disa gazetarë të huaj të cilët kanë pasur rastin për të adresuar pyetjet e tyre, përderisa njeriu kryesor në gjithë këtë shfaqje, Jose Mourinho qëndroi i ulur duke heshtur. “Sa herë që flet Mourniho, gjithçka fryhet nga ajo që është thënë vërtet. Por, nuk jemi ne ata që po krijojmë zhurmë. Kjo nuk do të ndikojë në ndeshjen dhe nuk është hera e parë që e kemi bërë këtë. Është thjeshtë metodikë e punës”, theksoi Karanka.

Pëshpërimat në sallën ku po mbahej kjo konferencë ‘sa për sy e faqe’, sugjeronin se Mourinho shfaqi mungesë respekti për tifozët e Real Madridit, duke mos marrë pjesë plotësisht në këtë konferencë. Ky pohim u hodh poshtë nga Karanka. “Tifozët e duan këtë Real Madrid. Mendimet e tifozëve mund t’i shihni në rrugë dhe në Bernabeu. Tifozët duan një trajner që gjithmonë lufton për çdo pikë. Sa për bojkotin e mediave, unë nuk dua të gjykoj, pasi përfaqësoj Real Madridin”, përfundoi Karanka.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se skuadra e tij nuk do të përfitojë nga kalendari i ngjeshur i ndeshjeve të Manchester United. Djajtë e Kuq janë të përfshirë aktualisht në tri gara, përderisa Arsenali shpresën e vetme e ka vetëm në Ligën Premier. “Kalendari nuk është dhe aq i keq për ta, sepse ata luajnë ndaj Schalkes të martën mbrëma dhe ata janë superfavoritë për ta fituar atë gjysmëfinale”. “Ndeshjet nuk janë njëjtë sikur në vitin 1999 kur përfituam nga një situatë e njëjtë. Tani është e vështirë për të gjithë në udhëtim. Ne duhet të luajmë mirë dhe jo të shikojmë çfarë bëjnë të tjerët”, u shpreh Wenger.

Menaxheri nën presion, Carlo Ancelotti ka deklaruar se për të nuk do të ishte problem shkarkimi nga detyra e menaxherit te Chelsea, pas eliminimit të Bluve nga Liga e Kampionëve. “Nuk kam dijeni për atë gjë, nuk ka lidhje, në fund të sezonit klubi do të vendosë nëse do të qëndroj. Ky nuk është problem për mua”. “Klubi e ka përgjegjësinë për ta gjykuar punën time dhe nëse ata nuk janë të kënaqur ata mund të më shkarkojnë pa ndonjë problem. Mendoj se tani nuk është koha e duhur të flasim për këtë, kemi edhe shtatë ndeshje për ta bërë më të mirën”, deklaroi ‘Carlito’

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka aluduar se Owen Hargreaves nuk e ka të ardhmen dhe aq të qartë, pasi mesfushori është lënë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit. “Nuk po e shoh lëndimin. Është një lëndim në krah. Ai lëndim thjeshtë ia ka ndërprerë sezonin. Ai ka pasur fat të keq gjatë gjithë kohës që ka qenë këtu. Jam i sigurtë se ai nuk do të luajë këtë sezon”. “Kontrata e tij skadon në fund të sezonit dhe unë nuk e di çfarë do të ndodhë. David Gill bisedoi me Hargreaves javën e kaluar. Por, asgjë më shumë nuk ndodhi. Ne duhet të marrim një vendim”, tha Ferguson.

Ish-menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, beson se qëndrimi i mundshëm i Pepe Reinas në Anfield do ta garantonte të ardhmen e ndritur të klubit nga Anfield, përderisa kështu nuk do të ishte nëse ndodh që spanjolli të largohet. “Kur një ekip ka një lojtar të mirë, atëherë është me rëndësi që ai të qëndrojë. Pepe Reina është një prej lojtarëve kryesorë për Liverpoolin, kështu nëse ai qëndron do të ishte shtytje e madhe për Liverpoolin”, theksoi Benitez. Portieri spanjoll është nën radarin e Manchester Unitedit dhe Arsenalit.