
Sir Alex Ferguson ka pranuar se për të dhe Manchester Unitedin prioritet këtë sezon është Liga Premier, përkundër faktit se Djajtë gjenden në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Kampionati është synimi i parë, duhet të jetë kështu”. “Ndeshja ndaj Newcastle është më e rëndësishme se sa të tjerat. Ne të gjithë e dimë shumë mirë se duhet të fitojmë dhe kjo duhet të reflektohet në përzgjedhjet e mia”, theksoi Fergie.

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të mbesin të bashkuar deri në fund të sezonit, pas formës së dobët në ndeshjet e fundit. “Ne duhet të hymë në pesë ndeshjet e fundit me përkushtimin më të madh të mundshëm, duke rigjetur forcën e nevojshme. Më pas kemi dy ndeshje në gjysmëfinale të Coppa Italias ndaj Romës”. “Nuk e di nëse dikush ka fytyrë ta vlerësojë këtë ekip pas gjithë atyre sukseseve sezonin e kaluar. Është normale që kjo ndodhi pas sezonit të vështirë që kemi pasur nga fillimi”, theksoi ‘Il Capitano’.

Trajneri i Real Madridit, Jose Murinho, është acarruar përsëri me mediumet, kësaj radhe bëhet fjalë për mediumet madrilene AS dhe Marca, me të cilët “I Veçanti” ka gëzuar marrëdhënie të mira, por jo më… Kjo pasi portugezi shprehu frustrimin e tij pas barazimit prej 1-1 ndaj Barcelonës, për bojkotin e konferencës për shtyp para kësaj ndeshje, ku Mourinho refuzoi të fliste. Këtë gjë e bëri edhe kësaj radhe Mourinho, por duke ua qartësuar pozicionin e tij mediumeve. “A je drejtor i AS? Nëse jo, nuk mund të përgjigjem. Sepse sipas filozofisë tuaj, nëse nuk dëshironi të flisni me zëvendësin tim, atëherë unë dua të flas vetëm për drejtorët tuaj”, theksoi Mou. Kur i është kërkuar përgjigja e një pyetjeje tjetër, 48 vjeçari tha: “Nuk mund të përgjigjem. Punto Pelota (gazetari) nuk pati respekt që t’i flasë një njeriu që meriton respekt. Një njeriu që ka fituar tri tituj të Ligës së Kampionëve me këtë klub (bëhet fjalë për Aitor Karankan), i cili ka gjithë kredibilitetin për të qenë përfaqësuesi im në një konferencë për shtyp”, përfundoi portugezi.

Për dallim nga bashkëlojtarët e tij të tjerë, Sergio Ramos ka refuzuar të dorëzohet në luftë për titullin në La Liga. “Qëndrimi ynë ishte i mirë pas përjashtimit dhe ne bëmë mirë që barazuam”. “Gjyqtari ka mundur ta përjashtojë Dani Alvesin pas ndërhyrjes në Marcelon, por ai nuk e bëri. Nga ana tjetër, ai nuk hezitoi për ta bërë këtë me Albiolin”. “Ne jemi të detyruar të luftojmë deri në fund, pasi ende matematikisht nuk është vendosur kampioni. Do të jetë e vështirë për ne ta fitojmë La Ligan këtë sezon”, tha spanjolli.

Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ishte tejet i nervozuar me gjyqtarin Cesar Muniz Fernandez pasi u akordua penalti në dëm të Barcelonës. “Ne zakonisht nuk flasim për gjyqtarët, por ndonjëherë duhet ta bëjmë këtë. Ata tentojnë ta bëjnë punën e tyre dhe zakonisht shkon mirë, por ndonjëherë gabojnë. Nuk ishte penallti. Unë e fitova pastër topin”. “Jam befasuar nga Real Madridi, ata luajtën me aq shumë mbrojtës edhe pse e dinë se nuk do ta fitojnë kurrë titullin”, u shpreh Alves.

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka lëvduar blerjet e klubit gjatë verës së kaluar dhe gjatë janarit, pas fitores prej 3-0 ndaj Sampdorias në San Siro. “Duke hyrë në lojë nga pankina, Cassano ngriti në këmbë stadiumin. Si zakonisht, Van Bommel luajti me autoritet para mbrojtjes. Të gjithë luajtën shumë mirë. Seedorf është në formë të lartë ashtu si pjesa tjetër e skuadrës”. “Cassano është lojtar i madh me shkathtësi të mëdha teknike. Mendoj se bëmë mirë që e transferuam në janar. Transfer tjetër i mirë ishte Boateng. Yepes po kalon sezon të mirë. Por, ai nuk është i vetmi, të gjithë po kalojnë nëpër një sezon të jashtëzakonshëm. Ai është lojtar i rëndësishëm, lojtar me personalitet”, u shpreh Galliani.

Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, beson se Dani Alves kishte fat që qëndroi në fushë pas ndërhyrjes ndaj Marcelos, e cila rezultoi në penalti të cilën e konkretizoi Ronaldo. “Alves është dashur të përjashtohet. Unë nuk e kam parë ndërhyrjen e Albiol por është mëkat që ai nuk luan në finalen e Kupës së Mbretit”. “Ekipi ka shfaqur karakter dhe ne kemi qenë në gjendje të nxjerrim një barazim nga ky takim. Nuk është rezultati më i mirë për ne, kështu që gjërat komplikohen. Ne kemi luajtur shumë mirë sa ka qenë raporti i barabartë me lojtarë, kështu fundi ishte i keq”, deklaroi Arbeloa.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka kërkuar mbështetje maksimale prej tifozëve për finalen e të mërkurës ndaj Barcelonës në kuadër të Kupës së Mbretit që zhvillohet në Mestalla të Valencias. “Përkrahja e tifozëve do të jetë vitale në finale. Ne presim që tifozët ta respektojnë këtë ndeshje dhe madhështinë e të dyja ekipeve”. “Do të jetë ndeshje me më shumë tensione. Ne do të tentojmë të fitojmë, por është ndryshe nga kampionati apo Liga e Kampionëve. Shpresojmë se do të fitojmë dhe do të luajmë të barabartë ndaj rivalit. Në Bernabeu, kjo nuk ndodhi”, precizoi Mou.

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka deklaruar pas ndeshjes ndaj Real Madridit se Blaugranët ishin më të mirë në atë takim dhe se e merituan fitoren. “Barcelona ishte shumë më e mirë se Reali. Është mëkat që nuk i morëm tri pikët për shkak se do ta kishim siguruar titullin”. “Barazimi nuk është i mirë për asnjë skuadër. Ekipet janë ambicioze dhe ne kërkuam tri pikët. Ne e kemi kontrolluar ndeshjen dhe ishim të mirë në mbrojtje, por ia kemi vështirësuar vetes punët në fund”, potencoi Xavi.

Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka pranuar se Barcelona i ka kthyer në lojë Los Blancos, duke i inkurajuar me gabimet. “Barcelona e bëri gabimin që na dha pak kurajë. Ishte një ndeshje e madhe kjo dhe ekipi kishte besimin që ta kërkojë edhe fitoren”. “Ndeshja u bë e vështirë pas penaltisë dhe përjashtimit të Raul Albiol. Na është dashur shumë punë dhe besim që të bëjmë diçka, pasi e kemi ditur se do të jetë vështirë”, potencoi Valdano.

Arsenali dhe Liverpooli janë ndarë baras në derbin e javës së 33-të në Ligën Premier. Takimi i zhvilluar të dielën në Emirates Stadium ndërmjet rivalëve të futbollit anglez përfundoi me rezultat 1-1. Gjysma e parë nuk dha shumëçka për t’u shijuar, ndërsa Arsenali luajti më mirë, dhe rasti për t’u përmendur ishte i Laurent Koscielnyt. Ndërkohë, Liverpooli ishte i mirë në mbrojtje, porse i mungonte freskia në sulm.

Edhe në gjysmën e dytë asnjëra nga skuadrat nuk arrinte që ta dënojë kundërshtarin, dhe atëherë kur pritej që takimi të përfundonte pa gola, u akordua penallti në favor të vendasve të cilin e shndërroi në gol Robin van Persie (90’+8). Në këtë ndeshje të stërzgjatur, një penallti i takoi edhe Liverpoolit, ndërsa përgjegjësinë e mori Dirk Kuyt, i cili barazoi gjithçka (90’+12).

Ky rezultat nuk i konvenon asnjërës nga skuadrat, pasi që Arsenali mbetet gjashtë pikë prapa liderit Manchester United në garën për titull, ndërsa Liverpooli mbetet shtatë pikë larg vendit të katërt të cilin e mban Manchester City.

Vetëm një ditë pas përfundimit të El Clasicos së parë nga katër që do të zhvillohen brenda 17 ditëve të ardhshme, janë mediumet italiane ato që flasin për një rikthim të Jose Mourinhos te ish-klubi i tij, Interi. La Gazzetta dello Sport shkruan se sipas burimeve të saj nga Zvicra, fëmijët e Jose Mourinhos do të regjistrohen në shkollën ndërkombëtare amerikane në Lugano, që është vetëm 37 kilometra larg zyreve të Interit në Appiano Gentile. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë tifozët e Interit kanë të drejtë të ëndërrojnë për një rikthim sensacional të njeriut që i bëri ata kampionë të botës dhe këtë ‘ëndërr’ e bën më të besueshme fakti se Sir Alex Ferguson e ka kohën në duart e veta dhe Mourinho nuk mund të kalojë në Old Trafford pa u pensionuar skocezi.

Trajneri i Interit, Leonardo, është përshëndetur nga titulli i kampionit në Serie A për sivjet, duke thënë se edhe pse ka gjasa matematike, shkrirja e tetë pikëve për pesë ndeshje është e pamundur. “Para se të mendojmë për kampionatin mendoj se duhet të mendojmë për gjendjen tonë fizike. Matematikisht është shumë vështirë të mendojmë se mund ta shkrijmë diferencën prej tetë pikëve për pesë ndeshje. “Pasi pranuam golin e parë ne filluam të luajmë më mirë, e kërkuam golin e barazimit, por u dënuam”, ka thënë Leonardo.

Kapiteni i Real Madridit, njëkohësisht heroi i betejës së parë nga katër të cilat do të zhvillohen në ditët në vijim, Iker Casillas, ka deklaruar se ishte e vështirë që Los Blancos të kthehen në lojë pas përjashtimit të Raul Albiol. “Pas një kartoni të kuq dhe një penaltie, ishte e vështirë por ekipi shfaqi karakter”. “Ne kërkuam të zvogëlonim disavantazhin, por nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë. Me dhjetë lojtarë ishte e vështirë, por tifozët ishin prapa nesh dhe ne kemi qenë kërkues”, u shpreh ‘San Iker’.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk ka fshehur frustrimin e tij për atë që sipas tij ishte referim i dobët në sfidën që përfundoi me rezultat 1-1 në El Clasicon numër 162 të zhvilluar në Bernabeu. Skuadra vendase mbeti me një lojtar më pak kur Raul Albiol u përjashtua pas një ndërhyrjeje me qëllim në David Villan, e cila rezultoi në penalti që u realizua nga Lionel Messi. “Në pjesën e parë, të dyja ekipet ishin të barabarta. Ne kemi luajtur kompaktë dhe kemi mbajtur formën tonë përgjatë takimit. Një fitore është fitore dhe barazim është barazim, por ne do të nxjerrim pikat pozitive nga ky takim”. “Çfarë duam është që të baraspeshohen vendimet për të dyja ekipet. Rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe jam ngopur duke luajtur ndeshjet me nga dhjetë lojtarë. Raul Albiol do të mungojë në finalen e kupës për shkak të një ndërhyrjeje që nuk ekzistoi”, theksoi portugezi.

Tekniku portugez nuk la pa elaboruar as ndërhyrjen e Dani Alves në Marcelon. Për Mourinhon, braziliani i Barcës është dashur të përjashtohet dhe tha se do të dëshironte që një ditë të luante me një lojtar më shumë ndaj Blaugranëve. “Si zakonisht, kur raporti është 10 ndaj 11 është shumë e vështirë të luash ndaj Barcelonës. Qëndrimi i gjyqtarit ndryshoi pas vendimit për të mos e përjashtuar Dani Alvesin. Një herë në jetë dua të luaj ndaj një Barcelone me dhjetë lojtarë”, u shpreh Mourinho.

Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka ripërsëritur dëshirën për të qëndruar te Chelesa, pas fitores prej 3-1 në transfertë te WBA. “Unë kam thënë shumë herë se e dua këtë klub, e dua këtë vend dhe dua të qëndroj këtu”. “Unë e dua këtë futboll dhe këtë atmosferë. Nëse është e mundur, do të qëndroj. Nëse jo, nuk ka problem”, theksoi Ancelotti Ai shtoi se Fernando Torres do të luajë nga fillimi në ndeshjet e mbetura dhe nuk do të qëndrojë në pankinë sikurse ndaj WBA-së.

Trajneri i Romës, Vincenzo Montella ka thënë pas humbjes nga Palermo se nuk ka justifikime për këtë disfatë, pas zërave se ndërrimi i pronarit ka qenë arsyeja kryesore. “A janë të zhgënjyer ata në SHBA? Po, ne po ashtu në Romë. Tani presim rezultatet e të dielës për të parë nëse mund ta sigurojmë vendin e katërt”. “Nuk mendoj se çështjet brenda klubit kanë ndikuar në paraqitjen tonë. Kur humbisni raste të mira, duhet të prisni që të dënoheni”, u shpreh Montella.