
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka komentuar barazimin e të shtunës ndaj Real Madridit dhe nuk ka qenë i impresionuar me taktikat e aplikuara nga Jose Mourinho, duke e etiketuar portugezin si një ‘trajner negativ’. “Është një kompliment i madh për Barcelonën kur Real Madrid fillon ndeshjen në Santiago Bernabeu me shtatë mbrojtës. Kjo ndeshje konfirmoi se Jose Mourinho është një trajner negativ. Ai shqetësohet vetëm për rezultatin dhe nuk shqetësohet shumë për të bërë futboll të mirë”, ka thënë Cruyff për Telegraaf-in holandez. “Qartas, ai erdhi me diçka para katër ndeshjeve të mëdha kundër Barcelonës. Një disfatë e thellë do të kishte qenë goditje e madhe në prag të finales së Kupës së Mbretit dhe ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, Sidoqoftë, vendimi i tij të luajtur me shtatë mbrojtës dhe tre sulmues ishte disi ekstrem”, ka shtuar holandezi.

Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është emëruar Lojtari më i Mirë i Vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist, duke mposhtur mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, i cili përfundoi i dyti, dhe sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, i cili ishte i treti. Ish-i riu i Southampton famën më të madhe e shijoi këtë sezon duke ndihmuar Spursat të arrijnë deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Jam më shumë se i ngazëllyer, vërtet. Është një shpërblim i madh dhe është një nder i madh ta pranoj këtë, veçanërisht nga profesionistët tjerë. Është vërtet një nder kur shikoni në emrat të cilët e kanë fituar atë më herët dhe kjo ju bën të thoni ‘wow’”, ka thënë Bale. Uellsiani ishte i nominuar edhe për shpërblimin Lojtari i Ri i Vitit, të cilin e fitoi mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere. PFA po ashtu ka zbuluar edhe Ekipin më të Mirë të Vitit ku dominojnë lojtarët e Manchester United dhe Arsenali.

Sulmuesi i Atletico Madrid, Diego Forlan, është duke u lidhur me një rikthim te Manchester United gjatë kësaj vere. Forlan mund të bëjë një rikthim sensacional në Old Trafford pasi ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madrid, shkruajnë mediat angleze. Sulmuesi 31-vjeçar është përfshirë në një zënkë me menaxherin e ekipit Quique Sanchez Flores dhe klubi spanjoll është përgatitur të analizojë ofertat në vlerën e nëntë milionë funteve për sulmuesin. Edhe Tottenham raportohet se është i interesuar të nënshkruajë me Forlan pavarësisht se përpjekja e këtij ekipi për të nënshkruar me të në janar dështoi, edhe pse u tha se ofroi plot 17 milionë funte.

Arsene Wenger ka mbetur i zhgënjyer nga barazimi 1-1 ndaj Liverpoolit dhe thotë se penalti a akorduar për Redsat nuk kishte qenë e drejtë. “Ne u ndëshkuam me penalti pas 11 minutash kur arbitri tha se janë tetë minuta lojë shtesë. Unë nuk e di se prej nga erdhën ata tre minuta, dhe ajo nuk ishte penalti”. “Ne ia kemi dalë keq në dy ndeshjet këtu. Kundër Sundelandit shënuan një gol të rregullt dhe nuk na u dha një penalti që ishte 100 për qind, pastaj sot na ndodhi e njëjta. Është një periudhë ku ne nuk kemi fat, kjo është e sigurt”, ka thënë Wenger. Francezi po ashtu ka kritikuar Liverpoolin duke e quajtur një ekip që vetëm është mbrojtur.

Kapiteni i Liverpoolit, Jamie Carragher, thotë se ai është mirë pas përplasjes gjatë barazimit dramatik 1-1 ndaj Arsenalit. Pati një ndërprerje të theksuar në pjesën e dytë kur Carragher mbeti i shtrirë në fushë pas një përplasje me kokë me John Flanagan. Dhe mbrojtësi anglez u nxor jashtë loje duke u tërhequr, me qafore dhe me pompë të oksigjenit në fytyrë. “Nuk mund të mbaj mend asgjë. Sapo dola jashtë isha mirë. Ishte një përplasje e vogël kokë-më-kokë dhe gjëra që ndodhin në futboll. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim tre pikë”. “E pashë penaltinë e tyre në dhomën e veshjeve dhe pastaj e pashë tonën. Vetëm lutesha që të shënonim dhe të nxjerrim katër pikë nga gjashtë në dy ndeshjet e fundit ishte fantastike”, ka thënë Carragher.

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka mirëpritur spekulimet të cilat e lidhin trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, me një rikthim në Giuseppe Meazza. Chelsea dhe Manchester United po ashtu janë lidhur me një transferim të portugezit, kontrata e të cilit me Real Madridin skadon në qershor të vitit 2014. “Leonardo po bën një punë të mirë dhe nuk do të ishte fe drejtë ta fajësojmë atë për rezultatet e fundit. [Por] Dyert janë gjithmonë të hapura për Mourinhon pas gjërave të jashtëzakonshme që ai arriti me klubin”, ka thënë Zanetti.

Mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere, është i ngazëllyer që është emëruar Lojtari i Ri i Vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist (PFA). “Është sezoni im i parë i plotë dhe ka qenë një çmim i madh. Jam shumë krenar që jam personi i pestë nga Arsenali që marr këtë çmim, është mirë të ruash historinë”. “Arsenali është një klub i mirë për të sjellë lojtarë të rinj dhe kjo vazhdon të dëshmohet andaj do të doja ta falënderoj edhe menaxherin”, ka thënë Wilshere.

Barcelona është serioze për ta fituar Kupën e Mbretit, thotë mbrojtësi brazilian Daniel Alves. Ndeshja e të shtunës ishte e para në vargun prej katër takimeve brenda 18 ditësh mes dy rivalëve të hidhur, dhe ndeshja e radhës është vetëm katër ditë më vonë në finalen e Kupës së Mbretit. “Ne duhet të vazhdojmë ashtu pasi të mërkurën kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Le të shohim nëse kemi më shumë fat. Ne jemi shumë të motivuar për kupën, veçanërisht pas kësaj ndeshje. Ne merituam më shumë dhe futbolli gjithmonë ju ofron mundësi të reja dhe kjo do të jetë të mërkurën”, ka thënë Alves.