Manchester Unitedi nuk ka arritur ta mposhtë Newcastle Unitedin në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të në Ligën Premier. Takimi i zhvilluar në St. James’ Park përfundoi pa gola.Në gjysmën e parë vendasit patën iniciativën, mirëpo rastet më serioze u takuan mysafirëve, sidomos një rast të mirë pati Wayne Rooney.
United nuk arriti të shënojë as në pjesën e dytë, ashtu që largohet nga kjo përballje me një pikë të fituar.
Pas këtij takimi, Djajtë e Kuq kanë 70 pikë, shtatë më shumë se përcjelli i parë, Arsenal, ndërsa kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit.
Nerazzurët kanë shënuar fitore minimale Stadiumin Olimpik të kryeqytetit italian duke mposhtur Romën para tifozëve të vet.Takimi i parë gjysmëfinal i Kupës së Italisë përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Interit.
Mesfushori serb Dejan Stankovic mori topin nga Cambiasso dhe nga një distancë prej afro 23 metrash mposhti portierin Doni në fund të pjesës së parë.
Romakët nuk arritën që në pjesën e dytë të bënin diçka për ta ndryshuar rezultatin, ashtu që takimi përfundoi me fitoren e mysafirëve.
Ky rezultat e favorizon Interin që ndeshjen kthyese e zhvillon në Giuseppe Meazza, ashtu që zikaltrit kanë gjasa më të mira se Roma për të fituar një trofe këtë sezon. Por nuk duhet harruar se në finale mund të luajë me Milanin, nëse Rossonerët eliminojnë Palermon.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka deklaruar se Jose Mourinho mund ta dërgojë Realin drejt triumfit në Copa del Rey, në finalen ndaj Barcelonës.“Përvoja është faktor shumë i rëndësishëm”, theksoi Valdano.
“Reputacioni i Mourinhos është prej një pushtuesi, aim und të luajë në finale, ai e di se si ta transmetojë besimin në lojtarët e tij dhe ky është një hap i parë shumë i rëndësishëm”.
“Krenaria në këtë klub është që nga formimi. Krenari kemi pasur gjithmonë”, përfundoi Valdano.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka pranuar se ai është përgjegjës për eliminimin e skuadrës së tij nga Barcelona në Ligën e Kampionëve këtë sezon.“Ndeshja e dytë në Camp Nou ishte një prej momenteve më të rëndësishme në karrierën time. Unë po kthehesha në Barcelonë si kapiten i Arsenalit, me një rezultat pozitiv nga ndeshja e parë, duke luajtur kundër miqve dhe familjes time në tribuna”.
“Ne kemi pasur pritje të mëdha nga kjo ndeshje, por përfundoi në mënyrë katastrofale dhe unë jam fajtori për këtë. Unë mbaj 70% përgjegjësi për eliminimin e Arsenalit nga Liga e Kampionëve”, pranoi Fabregas.
Pas spekulimeve të së hënës të cilat thoshin se transferimi i portierit gjerman Manuel Neuer nga Schalke te Bayern Munichu është i pashmangshëm, janë mediumet gjermane që tani zbulojnë detaje tjera mbi transferin.Bild shkruan se 25 vjeçari do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare, duke lënë kështu shumën e transferimit si të vetmen çështje për t’u zgjidhur.
Besohet se skuadra më e trofeshme gjermane do të paguajë 18 deri 20 milionë euro për shërbimet e portierit të jashtëzakonshëm. Ishte thënë se Neuer nuk do të pranonte një transfer në Allianz Arena, për shkak se nuk do t’i tradhtonte tifozët e Schalkes.
Bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ai do të dëshironte që ta transferonte yllin e Napolit, Marek Hamsik.I pyetur se cilin prej lojtarëve do të dëshironte ta drejtonte në të ardhmen, Allegri pa kurrfarë hezitimi pranoi të zbulonte emrin e futbollistit.
“Marek Hamsik. Ai ka cilësi të rëndësishme dhe duke parë moshën e tij të re, ai ka edhe shumë hapësirë për t’u përmirësuar”, theksoi Allegri.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka talluar rivalët e Interit, duke u sugjeruar që të fillojnë ndryshimet për sezonin e ardhshëm edhe pse sipas Kryeministrit të Italisë, Nerazzurët fituan atë që fituan vitin e kaluar dhe tani për dhjetë vitet tjera nuk do të mund të bëjnë asgjë.“Ju (Interi) keni qenë të mrekullueshëm. Tripleta ishte një arritje historike dhe Mourinho ishte i jashtëzakonshëm. Por, tani ne jemi duke fituar”.
”Vitin e kaluar lejuam që Interi të fitojë gjithçka. Mjaft më! Unë e dua këtë klub. Kur e kam parë Milanin duke luftuar për mbijetesë në vitet e 80-ta, unë i kam thënë vetes se do ta bëj këtë klub më të trofeshmin në botë”, u shpreh Berlusconi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka hedhur poshtë spekulimet që thoshin se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, do të rikthehet te Interi pas përfundimit të sezonit.“Leonardo po tenton që të bëjë atë që është e nevojshme dhe për mua ai po bën mirë, por sigurisht se nuk është e lehtë të ndalësh një situatë të kësaj natyre”.
“Ne shpresojmë se ai do të kthehet duke bërë gjëra të mira edhe pse na duhet pushim. Unë i kam lexuar spekulimet nëpër gazeta, por nuk ka asgjë sa i përket Mourinhos”, theksoi Moratti.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se Fernando Torres do ta thyejë heshtjen e golave më herët ose më vonë.Torres nuk ka shënuar për klubin e as për vendin e tij që nga transferimi te Chelsea në janar kur erdhi nga Liverpooli për 50 milionë funte.
“Ai do të shënojë. Ai mund të shënojë nëse luan. Është shumë vështirë ta ndryshosh ekipin i cili luajti aq mirë kundër West Brom, jo vetëm për shkak të rezultatit, jo vetëm për shkak të performancës. Ata luajtën shumë mirë kundër West Bromwich”, ka thënë Ancelotti, i cili nuk ka konfirmuar nëse Torres do të aktivizohet nesër.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se Gareth Bale mund të bëhet më i miri në botë – nëse dëshiron.Bale nuk do të mbushë 22 vjet deri më 16 korrik dhe Redknapp është i ngazëllyer me përmirësimet që uellsiani ende mund t’i bëjë sa i takon ndeshjes së tij.
“Gareth është bërë gjithnjë e më i mirë dhe ai ka gjithçka për të qenë një lojtar i klasit botëror. Ai ka ritëm, ai mund të driblojë, ai mund të godasë me këmbë, me kokë – ai ka shumë gjëra”.
“Tash shtrohet vetëm pyetja nëse ai do të bëhet mbrojtësi i majtë më i mirë në botë ose anësori i majtë më mirë në botë, pasi ai është një talent shumë i madh sa të dyja opsionet janë të hapura për të”, ka thënë Redknapp.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se përfundimi në top tresh është më e mira që ata mund të shpresojnë tash.Pasi Blutë gjetën rrugën e fitoreve në ndeshjen e të shtunës ndaj West Brom, Drogba thotë se atmosfera në kamp vazhdon të jetë në nivel.
“Le të jemi të sinqertë, do të jetë vështirë (ta arrijmë Manchester United), por ne mund të bëjmë ca presion në Arsenalin për pozitën e dytë. Le të shohim, por ne duhet të fitojmë ndeshjet tona”.
“Ishte një pasdite e mirë kundër West Brom. Ishte mirë të fillojmë të fitojmë sërish dhe është e rëndësishme ta sigurojmë pozitën e tretë”, ka thënë Drogba.
Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ata duhet patjetër ta fitojnë Skudeton.Milani fitoi ndaj Sampdorias gjatë vikendit dhe tash është lider i tabelës me gjashtë pikë diferencë nga ndjekësi i parë, Napoli, që pësoi disfatë gjatë vikendit ndaj Udinese.
“Rezultati në San Siro është i rëndësishëm. Ende ka për t’u luajtur, por gjashtë pikë janë shumë për t’u rikuperuar. Nëse nuk e fitojmë titullin tash do të ishte vetëvrasje”, ka thënë Allegri.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka potencuar rëndësinë e triumfit në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës gjatë të mërkurës.Dy ekipet përballen me njëra-tjetrën në Mestalla për të dytën herë në më pak se një javë. Të shtunën Madridi mirëpriti Barcën në Bernabeu në një sfidë që përfundoi me rezultat 1-1 e që u mundësoi Blaugranëve të ruajnë distancën prej tetë pikësh në maje të tabelës së kampionatit spanjoll.
“Është një trofe shumë i rëndësishëm për Real Madridin dhe ne nuk mund të lejojmë mos ta fitojmë atë për 17 vite. Do të jetë edhe më i rëndësishëm nëse e fitojmë. Është vitale. Nuk e kam fituar në 11 vitet sa kam qenë këtu”, ka thënë Casillas.
“Ne besojmë se është koha të fitojmë shumë trofe. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyeshme në mes dy ekipeve më të mira në Spanjë. Gjithçka mund të ndodhë, por ne jemi të ngazëllyer për shanset tona. Ne shpresojmë se mund ta fitojmë Kupën”, ka thënë Casillas.
















