Real Madridi e ka regjistruar fitoren e parë kundër Barcelonës pas një kohë të gjatë, fitore e cila ua siguron madrilenëve trofeun e parë të sezonit.Dy superfuqitë e futbollit botëror u takuan të mërkurën mbrëma në Mestalla për të zhvilluar finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa me rezultat prej 1-0 Mbretërit dolën fitues.
Në gjysmën e parë Los Blancos ishin më mbresëlënës, ndërsa Blaugranët nuk arritën ta tregojnë atë që të dinë të bëjnë më mirë. Një rast për t’u përmendur ishte goditja e Pepes me kokë (44’) pas krosimit të Mesut Oezil. Por sidoqoftë, nuk pati gola.
Fraksioni i dytë i lojës i takoi Barcelonës që arriti ta imponojë lojën e vet. Megjithatë thuajse i gjithë takimi ishte një luftë taktike, por duhet lëvduar edhe të dy portierët për intervenimet e tyre.Sido që të jetë, pas 90 minutave, rrjetat heshtën, ashtu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për ta përcaktuar fituesin e Copa del Rey.
Loja e bukur vazhdoi edhe në pjesën e parë të vazhdimeve, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 103-të. Pas një kombinimi me Marcelon, Angel Di Maria krosoi në drejtim të Cristiano Ronaldos dhe portugezi me kokë mposhti portierin Pinto.
Ish-trajneri i Real Madridit, Angel Cappa, ka deklaruar në mënyrë sensacionale se Jose Mourinho nuk ka frikë nga humbja ndaj Barcelonës, por ai më shumë i frikësohet ndonjë deklasimi të tipit 5-0 sikurse nëntorin e kaluar.“Unë jam tifoz i Realit, por unë dua që Barcelona të fitojë. Unë kam qenë dëshmitar i një prej ekipeve më të mira në histori të futbollit, pse do të doja që ata të humbasin? Unë gjithnjë dua që më i miri të fitojë”, theksoi Cappa.
Duke parashikuar organizimin taktik defensiv të së shtunës ndaj Barcelonës në “El Clasicon I”, Cappa nuk pret ndonjë ndryshim në këtë aspekt te Reali, përderisa u tall me strategun portugez.
“Mourinho nuk ka frikë nga humbja, por ai frikësohet më shumë nga një disfatë me katër-pesë gola diferencë”, përfundoi legjenda e Los Blancos.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael Van der Vaart, mendon se eksperienca e Arsenalit është e pa mjaftueshme që ata ta fitojnë titullin në Ligën Premier.“Arsenali ka ekip të ri. Ky është problemi me një ekip të ri – së pari, ju luani në mënyrë fantastike, por në ndeshjet tjera, në ato më të rëndësishmet, ju lëshoni pikë”.
“Ata janë ende ekip fantastik. Do të jetë ndeshje e hapur ndaj tyre. Por, ne kemi treguar në Emirates disa muaj më parë se ne mund t’i mposhtim ata”, u shpreh holandezi.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie ka shprehur frustrimin e tij mbi kolegët që luajnë në fazën defensive, duke thënë se përqëndrimi i tyre i dobët në mbrojtje ka bërë që Arsenali në fund ta rrezikojë seriozisht triumfin në Ligën Premier.“Për mendimin tim, kjo ka ndodhur shumë shpesh. Nëse shikoni në të kaluarën tonë, kur ne jemi përpara, kur ne jemi të sigurtë, kur ne i kemi tri pikët në xhep, ne pranojmë gola”.
“Disa prej tyre janë gola palidhje, aspekt në të cilin duhet të punojmë ende. Ne duhet të qëndrojmë pozitivë, por ne duhet që vërtet të kujdesemi më shumë për këtë, pasi është kriminale mënyra se si jemi duke i hedhur pikët”, precizoi Van Persie.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka dhënë një deklaratë heroike ku u ka bërë thirrje lojtarëve të tij dhe çdo pjestari tjetër të klubit nga Emirates që të lënë pikën e fundit të gjakut për ta fituar titullin në Ligën Premier dhe kjo është e mundur vetëm nëse Topçinjtë mposhtin Tottenhamin.“Ne duam të vazhdojmë të zhvillohemi dhe të qëndrojmë në top katërshe dhe…t’i afrohemi Manchester Unitedit, pasi kemi gjasa për ta fituar titullin”.
“Unë ende besoj që është absolutisht me rëndësi kjo, është esenciale që ta lëmë pikën e fundit të gjakut në fushë për ta bërë këtë”, deklaroi Wenger.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ai si trajner dëshiron të fitojë çdo garë të mbetur dhe këtu nuk bën përjashtim as Coppa Italia, ku strategu Rossoner ka vendosur të hyjë në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Palermos me formacion të ‘cunguar’.“Ne duam që ta nderojmë këtë kupë. Ne kemi rastin për ta fituar Scudetton dhe së paku të arrijmë në finale të Kupës së Italisë. Ne nuk kemi fituar ende asgjë, por unë nuk do të isha këtu po që se nuk do të kishin punuar njerëzit e mi”.
“Është gjysmëfinale shumë e rëndësishme për ne dhe ne duam të arrijmë në finale, duke marrë një rezultat pozitiv ndaj Palermos. Ekziston entuziazmi dhe është me rëndësi që të shfrytëzojmë atë për të arritur objektivat tanë”, potencoi Allegri.
Carles Puyol është ftuar nga Pep Guardiola për të qenë pjesë përbërëse e skuadrës së Barcelonës për sfidën finale që zhvillohet sonte mbrëma ndaj Real Madridit në Mestalla të Valencias.Kishte pohime se Puyol nuk do të luajë pas pësimit të lëndimit në po të njëjtin vend në “El Clasico I” të shtunën, por këto brenga tifozëve ua hoqi strategu Pep Guardiola, i cili konfirmoi lojtarët të cilët janë të ftuar për ndeshjen ndaj Realit, e ku është përfshirë edhe ikona Blaugrane.
Portierët: Valdes, Pinto.
Mbrojtësit: Fontas, Puyol, Maxwell, Adriano, Pique, Alves, Milito.
Mesfushorët: Busquets, Keita, Xavi, Iniesta, Afellay, Thiago, Mascherano
Sulmuesit: Pedro, Jeffren, Messi, Villa.
Trajneri i Interit, Leonardo, ka thënë se ai është i lehtësuar pas fitores në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Romës.“Ishte e rëndësishme t’u japim fund rezultateve negative. Kurrë nuk është lehtë siç duket. Shumë faktorë ju bëjnë të humbni vetëbesimin gjatë kohëve të vështira. Kjo fitore në Olimpico ishte gjëja e duhur dhe djelmoshat ia dolën shumë mirë”.
“Ishte një ndeshje në mes të dy ekipeve që vijnë nga disfatat, andaj nuk ishte e lehtë të përgatitemi për të. Ne duhej të shënonin dhe e bëmë këtë herët në ndeshje, duke i kontrolluar 90 minutat shumë mirë”, ka thënë Leonardo pas ndeshjes.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, thotë se Delio Rossi meriton të drejtojë një klub si Roma.Zamparini e shkarkoi dhe pastaj e riktheu trajnerin gjatë këtij sezoni.
“Unë nuk do të marr vendimin bazuar në dëshirën e fansave. Sipas mendimit tim Rossi do të adaptohej te Roma duke marrë parasysh përvojën si trajner. Ai ka pasur vetëm një zënkë me mua. Në fund ai mbase do të qëndrojë në Palermo”
“Ne duhet të takohemi dhe të shohim nëse ka kushte që ai të qëndrojë. Nëse dy njerëz nuk shkojnë është më mirë të ndahen dhe të ecin rrugëve të ndara. Gruaja ime e parë ishte shumë e bukur, por ne nuk shkonim mirë. Tash jam me një tjetër me të cilën shkoj mirë. Në rastin e futbollit do të jetë Rossi ai do të marrë vendimin”, ka thënë Zamparini.
Manuel Neuer ka bërë të ditur se ai nuk do të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me Schalken.Marrëveshja aktuale e portierit gjerman aktualisht skadon në verën e vitit 2012 dhe Schalke dëshiron ta mbajë atë. Megjithatë 25-vjeçari ka hedhur shikimin te një transferim te Bayern Munich dhe pritet që largohet gjatë verës.
“U kam thënë drejtuesve të Schalke se nuk do të nënshkruajë vazhdimin e kontratës. Kam ardhur te ky vendim pa lejuar njerëzit tjerë të ndikojnë në mua. Të gjitha spekulimet tjera nuk kanë bazë”.
“Vendimi nuk ka të bëjë asgjë me ardhjen e një trajneri të ri ose me ndonjë klub tjetër. Jam falënderues ndaj Schalke dhe fansave, por dua t’i mbaj opsionet e mia të hapura pas 20 vitesh në klub. Tash dua të fokusohem në arritjen e synimeve tona këtë vit”, ka thënë Neuer.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se ndërtimi i një ekipi prej lojtarëve të rinj nuk është një arsyetim i mjaftueshëm për dështimin e tyre për të fituar trofe.“Që nga viti 2007 kisha filluar të them ‘ne nuk fitojmë, por luajmë mirë’. Dhe pastaj kuptoni se kjo nuk mund të përdoret më”.
“Ju kënaqeni me veten gjatë një faze të kampionatit – si ky vit, për shembull, kur ne ishim në katër gara të ndryshme. Dhe i thoni vetes ‘këtu kam gjithçka’! Por pastaj ajo pika përfundimtare mungon dhe pastaj është ai momenti kur duhet të marrësh vendimin: ose të dalësh dhe të fitosh ose të zhvillohesh si lojtar”, ka thënë Fabregas.
Arsenali sonte udhëton në fushë të Tottenhamit në një ndeshje që mund të vendosë nëse Topçinjtë do të vazhdojnë të garojnë për titull ose jo.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, thotë se fitorja 1-0 ndaj Romës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë ka qenë një rikthim në formë nga rezultatet e dobëta së fundi.Dejan Stankovic shënoi të vetmin gol në ndeshjen në Olimpico në fund të pjesës së parë, për t’i dhënë fitoren e parë në tre ndeshje Interit, pas zhgënjimit dhe eliminimit nga Liga e Kampionëve nga Schalke dhe një disfate tjetër në Serie A nga Parma.
“Është një fitore e rëndësishme në një stadium të vështirë. Ne kalonim në një periudhë të vështirë dhe duhej të përgjigjeshim. Mendoj se sonte luajtëm një ndeshje të shkëlqyeshme kundër një ekipi shumë të talentuar. Kurrë nuk është lehtë të fitosh në Romë”, ka thënë Zanetti.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale mes dy ekipeve do të zhvillohet më 11 maj në San Siro.
Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, mbetet i pavendosur rreth të ardhmes së tij me gjigantin gjerman dhe ka refuzuar të zotohet për një qëndrim te klubi aktual.Holandezi është lidhur së fundmi me një transferim te ndonjëri nga dy gjigantët milanez, Milan dhe Inter, ndërsa mediat gjermane thonë se një largim i tij do të jetë më se i sigurt nëse Bayerni dështon të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
“Asgjë në jetë nuk është e sigurt”, ka thënë Robben gjatë një dreke të martën.
Kontrata e Robben me Bayernin skadon në vitin 2013.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, beson se që të dyja ekipet, Reali dhe Barca, kanë shanse të barabarta për ta fituar Kupën e Mbretit.Dy ekipet më të mëdha dhe më të suksesshme evropiane do të përballen në finalen e sotme në Mestalla dhe Mourinho thotë se edhe njëri edhe ekipi tjetër mund ta fitojë trofeun.
“Nuk dua të them diçka të jashtëzakonshme pasi kurrë nuk ka një favorit në finale. Të dyja ekipet kanë shanse të njëjta për të fituar. Shpresoj se do të shohim një ndeshje të bukur dhe se gjithçka në stadium dhe rrugë do të kalojë pa incidente”.
“Këto janë fjalë tipike par një finale, por unë vërtet i besoj ato. Kam luajtur në shumë finale kundër ekipeve të cilat kanë qenë ose inferiore ose më të fuqishme se të miat, por ata të gjithë kanë qenë të ekuilibruar. Është një tendencë natyrale e finaleve”, ka thënë Mourinho.
















