Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se për të ka më shumë domethënie titulli në La Liga se sa Kupa e Mbretit e humbur disa ditë më parë ndaj Real Madridit.“Titullin në La Liga dëshirojmë ta fitojmë më shumë se çdo trofe tjetër”.
“Nëse jemi tetë pikë para Realit është për shkak se e kemi merituar. Fitimi i La Ligas tregon se jeni një ekip kompakt”, theksoi tekniku katalanas.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit gjerman, Sami Khedira, kur Los Blancos të takohen me Valencian të shtunën mbrëma.Khedira vuan nga një problem muskulor të pësuar në fund të ndeshjes ndaj Barcelonës në Copa del Rey të mërkurën.
Kështu, mesfushori gjerman duhet t’ia lë vendin Lassana Diarras për sfidën ndaj Valencias dhe nuk është ende e sigurtë nëse gjermani do të riaftësohet për supersfidën “El Classico III” që zhvillohet në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve të mërkurën në Bernabeu.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Paul Merson beson se kapiteni Cesc Fabregas mund të jetë shumë pranë largimit nga klubi, pasi Arsene Wenger dëshiron të shfrytëzojë paratë nga shitja e tij për përforcimin e skuadrës.“Ai do të shitet gjatë verës. Ai nuk është lojtari i njëjtë sikurse sezonin e kaluar dhe ai nuk ka arritur pritjet. Arsene Wenger bëri mirë që e mbajti pasi ishte fenomenal përgjatë viteve. Por, kjo nuk funksionoi pasi ai u lëndua shpesh dhe mendoj se tani Arsenali do ta shesë për të marrë para të mira nga shitja e tij”.
“Me paratë që ata mund të marrin nga shitja e mundshme e Fabregas, ata mund të transferojnë tre-katër lojtarë kualitativë. Nuk është fshehtësi që Arsenali duhet të forcohet në qendër të mbrojtjes dhe në mesfushë”, u shpreh Merson.
Manchester United është duke e shqyrtuar një ofertë për dyshen e Portos, sulmuesin Hulk dhe mbrojtësin Rolando.Daily Mail shkruan se Porto duhet të shesë shumicën e lojtarëve më të mirë dhe në listë është mbrojtësi Rolando, i cili vazhdimisht po ndiqet nga skautët e Manchester United.
Sidoqoftë, United nuk e ka në planet e veta vetëm Rolandon, pasi me Manchester Cityn që po e kërkon Hulk, janë edhe Djajtë ata që duan të futen në luftë për Hulk.
Carlos Tevez ka arritur marrëveshje mbi kontratën e tij me Interin para fillimit të sezonit të ardhshëm, gjithnjë sipas Il Corriere dello Sport.Edhe pse Interi nuk ka arritur ende marrëveshje me Manchester Cityn, besohet se Tevez ka nënshkruar kontratën me zi-kaltrit, të cilën tani duhet ta finalizojë klubi italian. Bëhet fjalë për një kontratë pesëvjeçare me një pagë prej 6 milionë eurosh për sezon, plus një numër bonusesh, që gjithsejt e çojnë pagën në 10 milionë euro për sezon.
Nëse ndodh që City ta pranojë disfatën në mbajtjen e sulmuesit 27 vjeçar, atëherë Interit do t’i duhen 40 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e argjentinasit. Këtë Nerazzurët pritet ta bëjnë nga shitja e Wesley Sneijder për 25 milionë euro te Manchester United.
Arsenali dhe Tottenhami janë në garë të ngushtë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Interit, Diego Milito.‘Il Principe’ ka shënuar 27 gola në 53 paraqitje për Nerazzurët, por pas një sezoni fantastik të përjetuar sezonin e kaluar, argjentinasi ka qenë totalisht jashtë formës gjatë këtij sezoni.
Kjo ka bërë që Interi ta fusë në treg atë dhe të kërkojë të interesuarit për shërbimet e tij. Siç spekulon The Sun, Arsenali dhe Tottenhami janë në gjendje që të shpenzojnë 5 milionë funte për shërbimet e legjendës së Interit.
Alberto Aquilani e ka lutur Liverpoolin që ta lë atë të qëndrojë në Itali, vetëm një ditë pasi menaxheri i The Reds, Kenny Dalglish, deklaroi se italiani e ka vendin në Anfield.“Situata ime është e thjeshtë. Gjithçka varet nga Juventusi, nëse ata dëshirojnë, mund të më blejnë pa pyetur askënd. Unë dua të bëhem protagonist i një cikli të ri fitues që ka filluar të hapet te Juventusi”.
“Unë nuk kam dyshime se projekti i Juventusit është projekt fitues, atyre thjeshtë u duhet durim”, ka thënë Aquilani.
Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, thotë se Topçinjtë nuk duhet të shqetësohen për atë se çfarë rezultatesh arrin Manchester United.United ende duhet të udhëtojë në Emirates Stadium më 1 maj dhe pret Chelsean një javë më pas, por Sagna thotë se Arsenali duhet të shqetësohet vetëm për rezultatet e veta.
“Ne mendojmë për ekipin tonë, ne nuk duam të fokusohemi në ekipet tjera. Ne duhet të luajmë ndaj njëri-tjetrit andaj kjo do të jetë një ndeshje e mirë për ne. Ne vetëm duhet të fokusohemi në ekipin tonë dhe të fitojmë”, ka thënë Sagna.
Arsenali barazoi së fundi me Tottenhamin dhe nuk e shfrytëzoi mundësinë për të ngushtuar diferencën me United, që po ashtu barazoi në mesjavë ndaj Newcastle United.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael van der Vaart, thotë se barazimi i të mërkurës ndaj Arsenalit ishte si një fitore për ta.Spurs u rikthyen nga disavantazhi 3-1 për të barazuar 3-3 në derbin londinez të zhvilluar në White Hart Lane.
“Atmosfera këtu është fantastike dhe kjo duket disi si fitore. Ishte një ndeshje e shkëlqyeshme, një ndeshje e hapur dhe të dyja ekipet kërkonin fitore. Ne të gjithë e shijuam atë, shpejtësia ishte e pabesueshme”, ka thënë mesfushori holandez.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, shpreson se liderët e tabelës së Ligës Premier do të ngecin në javët e fundit të sezonit, duke e lënë të hapur garën për titull.Cech beson se eliminimi i Chelseat nga gara evropiane nga Manchester United mund t’u japë atyre më shumë shanse për të mbrojtur titullin e kampionit të Anglisë.
“Ata duhet të luajnë në gjysmëfinale, andaj le të shohim si do t’ia dalin. Ne kemi vetëm një garë për t’u fokusuar, që është një avantazh për ne pasi ne mund të përgatitemi gjithë javën dhe të pushojmë më shumë”.
“Gjithçka është shumë e ngushtë dhe është e rëndësishme të shënojmë gola. Ne mund të përfundojmë me të njëjtin numër pikësh, andaj diferenca e golave do të luajë rol të madh”, ka thënë Cech.
David Villa mendon se Barcelona do të vazhdojë sukseset edhe pas disfatës në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit.Los Blancos iu dhanë fund shpresave të Blaugranëve për të fituar tre tituj këtë sezon, duke i mposhtur kampionët aktual të Spanjës me rezultat minimal në ndeshjen e të mërkurës në Mestalla.
“Ne kishim shpresa për ta fituar Kupën, por tash duhet të qetësojmë veten, ta përpijmë këtë dhe të luftojmë pasi ende ka edhe një muaj të mbetur që mund të jetë shumë i bukur”.
“Tash ne jemi shumë të zemëruar, por ende ka shumë për t’u luajtur, ne duhet ta sigurojmë ligën dhe të mendojmë për Ligën e Kampionëve, ku kemi shanse të arrijmë në finale. Ka disa gjëra shumë të bukura të mbetura para nesh...”, ka thënë Villa.
Marco Amelia ka dalë në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij te Milani, Zlatan Ibrahimovic.Suedezi u dërgua jashtë loje dy herë në dy ndeshje në javët e kaluara. Ai u suspendua pasi shau arbitrin ndihmës, edhe pse ka thënë se ka folur me veten pasi është zemëruar se kishte humbur topin.
“Ne i kemi parë lojtarët e klasit të bëjnë edhe më keq. Atyre mund t’u tërhiqet vëmendja ose t’u jepet një përjashtim për një ndeshje, veçanërisht në këtë moment në këtë cilin kampionati duhet të argëtojë publikun”.
“Ibra është prej një planeti tjetër dhe e ka dëshmuar këtë në ndeshjen ndaj Palermos duke tërhequr pesë kundërshtar me vetë për të liruar Urby Emanuelson për golin”, ka thënë Amelia për Sky Sport Italia.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është i ngazëllyer me formën e tij në barazimin 3-3 ndaj Tottenhamit.Fabregas bëri një paraqitje të qëndrueshme dhe shpreson se niveli i formës së tij fizike do të vazhdojë deri në fund të sezonit pas problemeve që pati së fundi.
“Personalisht nuk jam ndjerë aq i mirë sa dje (të mërkurën), që nga dita që kam marrë lëndimin ndaj Stoke. Shpresoj të vazhdoj deri në fund të sezonit. Merita edhe për Spurs që nuk u dorëzuan dhe na dhanë neve një test të vërtetë. Tash të pushojmë dhe të bëhemi gati për ndeshjen e të dielës në Bolton”, ka shkruar Fabregas në profilin e tij në Twitter.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ekipi i tij do të rikthehet pas disfatës në Kupën e Mbretit nga rivali i hidhur, Real Madridi, gjatë të mërkurës mbrëma.Një gol i shënuar me kokë nga Cristiano Ronaldo në lojën shtesë i dha fitoren Real Madridit në ndeshjen e dytë nga katër takimet sa dy rivalët do të zhvillojnë brenda tre javësh, dhe ua solli mbretërve trofeun e parë të Kupës që nga viti 1993.
“Është një goditje e rëndë, por ne jemi në gjendje të rikthehemi. Vitin e kaluar ne humbëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit dhe ne ishim në gjendje të vazhdojmë. Këtë vit jemi të sigurt se do ta bëjmë të njëjtën gjë”, ka thënë Pique.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka porositur ish-ekipin e tij, Interin, të mos dorëzohet pas një sezoni po thuajse të përkryer.Interi fitoi tre tituj sezonin e kaluar me Mourinhon, por u eliminua nga Liga e Kampionëve nga Schalke dhe ka ngecur në garën për titullin e Serie A ndaj rivalit lokal Milanit.
“I them Interit se ky sezon nuk është tmerr nëse ata nuk fitojnë trofe. Ata duhet të rindërtohen për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehen në rrugën e fitores, pasi ai mbetet Interi im”.
“Presidenti Massimo Moratti dhe bashkëpunëtorët e tij janë shumë të mençur dhe Leonardo është një trajner i cili mund të shkojë larg. Ajo që llogaritet tash është sigurimi i vendit të dytë në Serie A dhe triumfi në Kupën e Italisë”, ka thënë portugezi.
Tifozët e Real Madridit mund të mos brengosen fare për kupën e tyre të fituar të mërkurën mbrëma, e para pas tri vitesh, pasi ajo është në gjendje jashtëzakonisht të mirë.Besohej se pasi kishte rënë nga dora e Sergio Ramos dhe ishte futur nën autobus, Kupa e Mbretit e fituar ndaj Barcelonës të mërkurën pësoi dëmtime të rënda dhe se nuk do të mund të shfaqej për vizitorët në muzeun e trofeve në Bernabeu.

Megjithatë, është faqja zyrtare e Real Madridit ajo që ka demantuar pohimet e tifozëve Blaugranë kinse madrilenët nuk dinë të mbajnë në dorë trofe, duke publikuar kështu foton e trofeut të fituar në muzeun e Bernabeut.
Njeriu që kujdeset për transferet e Manchester Cityt, Barry Hunter, mendon se supertalenti italian, Mario Balotelli, nuk do të largohet nga Eastlands në fund të sezonit.“Balotelli? Ai është lojtar fantastik, përkundër sjelljeve. Ai do të luajë në finalen e FA Cup dhe jam i sigurtë se do të luajë mirë”.
“Interesimi i Milanit? Është befasues, por Balotelli do qëndrojë këtu për një kohë të gjatë”, potencoi Hunter për Calciomercato.
















