Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta tejkaluar Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ëndërron të luajë në finalen e Wembleyt.
“Nuk ëndërroj për të shënuar gola të paharrueshëm, por ëndërroj të jem në Wembley”.
“Nuk shqetësohem nëse do të shënoj gola ose nëse do të jem në gjendje të luaj, me rëndësi është të arrijmë në finale”.
“Tash mendimet tona kryesore janë këto. Ekipi nuk mendon për asgjë tjetër”, u ka thënë spanjolli gazetarëve.
Mesfushori holandez Clarence Seedorf ka deklaruar se do të flasë për të ardhmen e tij vetëm pasi ta fitojë Milani titullin.
Mediat kanë spekuluar se 35-vjeçari mund të kalojë te Corinthians në fund të sezonit pasi i skadon kontrata me Rossonerët, megjithatë vetë lojtari thotë se do të presë fundin e sezonit.
“Kam qenë i qartë për të ardhmen time. Pasi të kemi Scudetton në dorë, atëherë do të flas për të ardhmen”.
“Ky është një moment i shkëlqyer për ne. Kanë kaluar vite qëkur i kemi përjetuat këto momente dhe ne jemi gati atje (për ta fituar titullin)”, ka thënë Seedoef për Sportmediaset.it.


Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka thënë se nuk planifikon ta braktisë Zonjën e Vjetër në fund të këtij sezoni.
Është spekuluar se 33-vjeçari mund të kalojë te Manchester Unitedi ose Manchester City në afatin kalimtar veror, mirëpo Buffon thotë se nuk planifikon të lëvizë nga Juve.
“Çfarë do të bëj sezonin e ardhshëm? Nuk kam menduar për këtë. Kam një kontratë deri në vitin 2013. Dua të fitoj me Juventusin dhe nuk po mendoj për asgjë tjetër”.
“Krejt çfarë po mendoj është Juventusi”, ka thënë dikur portieri më i mirë në botë për Sky Sport Italia.


Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se është i gatshëm të shpenzojë gjatë verës për ta forcuar skuadrën.
Topçinjtë do ta mbyllin edhe një tjetër sezon pa asnjë trofe, ndërsa francezi thotë se do të bëjë transferime në pozita të nevojshme.
“Ne kemi kualitet, kjo është e sigurt. Duhet ta përforcojmë skuadrën aty ku është nevoja dhe të bëjmë vendime te duhura në sulm”, ka thënë Wenger për Arsenal TV Online, duke pohuar se për çdo ditë mendon për sjelljen e lojtarëve.


Anësori i Chelseat, Florent Malouda, thotë se fitimi i titullit të Ligës Premier këtë sezon është thuajse i pamundur, mirëpo matematikisht ende është gjithçka e hapur, ashtu që Blutë duhet t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura. =
Aktualisht Chelsea gjendet gjashtë pikë prapa Manchester Unitedit që kryeson Kampionatin anglez, ndërsa kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar.
“Sinqerisht, është shumë vështirë. Gjëja e vetme që duam të bëjmë, është që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, pastaj kurrë s’i dihet”, ka thënë Malouda për faqen zyrtare të Bluve.
Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Julio Grondona, ka deklaruar se superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është i vendosur që të bëhet njëri nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në botën e futbollit.
Forma e jashtëzakonshme e dy herë fituesit të Topit të Artë ka bërë që ai shpesh të krahasohet me legjendën argjentinase Diego Maradona, ndërsa Grondona thotë se Messi do ta kalojë atë.
“(Messi) ende nuk ka arritur nivelet e Maradonas, por ai do të vazhdojë të bëhet më i miri i të gjitha kohërave”.
“Deri tash nuk kam parë ndonjë lojtar me aq aftësi në fushë, si edhe me përkushtim për mënyrën e tij të jetesës. Ai është shembull në gjithçka që bën”, citon Sport fjalët e Grondonas.
Mesfushori i Liverpoolit, Maxi Rodriguez, beson se Redsat mund t’ia zënë vendin e pestë Tottenhamit deri në fund të sezonit dhe të jenë konkurrentë seriozë për pozitën e katërt në Ligën Premier.
“Barazimi i Tottenhamit do të thotë se ne e kemi ngushtuar diferencën me vendin e pestë dhe akoma kemi gjasa për t’u kualifikuar në Evropë”.
“Do të vazhdojmë luftën deri në fund dhe shpresojmë ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë”, ka thënë realizuesi e tre golave në fitoren e fundjavës kundër Birminghamit.
Liverpooli aktualisht mban vendin e gjashtë me tre pikë më pak se Tottenhami në vend të pestë, dhe katër më pak se Manchester City që ruan pozitën e katërt.


Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, nuk ka udhëtuar në Gjermani me pjesën tjetër të skuadrës që do të ndeshet me Schalken në takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.
Të zgjedhurit e Sir Alex Ferguson të martën mbrëma do të shfaqen në Gelsenkirchen për të luajtur kundër ekipit të Ralf Rangnick, mirëpo Djajtë e Kuq do të duhet të luajnë pa sulmuesin bullgar, i cili është i lënduar.
Krahas tij do të mungojnë edhe Darren Fletcher, Owen Hargreaves dhe Bebe.


Jose Mourinho thotë se Real Madridi do të vazhdojë ta ndjekë Barcelonën në garën për titullin e Ligës.
Reali shkatërroi Valencian me rezultat 6-3 në Mestalla gjatë të shtunës, por Barcelona vazhdon të ruajë diferencën prej tetë pikësh në maje të tabelës.
“Përgjigja e lojtarëve të mi është gjithmonë pozitive. Jam shumë i kënaqur, pasi Valencia është e treta dhe një prej ekipeve më të mëdha në Liga, por ne e kemi marrë këtë ndeshje me shumë seriozitet”.
“Derisa matematika të thotë ndryshe, ne do të vazhdojmë të luftojmë në Liga deri në fund”, ka thënë Mourinho.
Portieri i Schalke, Manuel Neuer, mezi pret ndeshjen e radhës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester United dhe shpreson se ekipi gjerman mund të përsërisë atë që bëri kundër Interit.
“[Ndaj Interit] sigurisht se ishte befasuese, veçanërisht pasi ne ishin në disavantazh pas vetëm 20 sekondash dhe pastaj ishim në disavantazh 2-1. Askush nuk mendoi se ne mund të shënojmë pesë gola në San Siro. Fansat tanë kishin besim në ne, por unë nuk mendoj se ata besuan se ne do t’ia dalim siç ia dolëm”.
“Nuk kam frikë nga statusi jonë i viktimës ndaj Manchester United – ne e kishim këtë rol edhe kundër Interit”, ka thënë Neuer.
Dy ekipet takohen të martën mbrëma me ndeshjen e parë që zhvillohet në Veltins-Arena të Gelsenkirchen, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Old Trafford të Manchesterit.


Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, është i bindur se Manchester United ka gjasa të dështojë në garën për të fituar titullin.
Dy ndeshjet e radhës të Manchester United janë ndaj Arsenalit dhe ndaj Chelseat dhe Ancelotti thotë se gjithçka mund të ndodhë në dy javët e ardhshme.
“E kam humbur titullin me nëntë pikë diferencë me tetë ndeshje të mbetura. Kjo mund të ndodhë. Nuk është ndjenjë e mirë”.
“Dy muaj më parë ka qenë shumë e vështirë të mendosh se ne mund të qëndrojmë në krye, për këtë arsye, në këtë moment, jemi shumë të kënaqur”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, thotë se ka një vetëbesim të ri në ekip, pas triumfit në Kupën e Mbretit ndaj Barcelonës.
Francezi ishte në listën e shënuesve në fitoren 6-3 të Real Madridit në derbin e vikendit ndaj Valencias, në Mestalla, stadium ku mbretërit triumfuan edhe në finalen e Kupës.
“Ne kemi hequr në masë të madhe presionin duke fituar një Kupë shumë të vështirë. Ne kemi treguar se shumë lojtarë mund t’i ndihmojnë këtij ekipi”.
“Ne nuk kemi pritur një rezultat të madh sa ky, pasi Valencia është një ekip i shkëlqyeshëm, por ndeshja shkoi shumë në favorin tonë pas një pjese të parë të shkëlqyeshme. Ka qenë një fitore e shkëlqyeshme për ne”, ka thënë Benzema.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, dëshiron ta sjellë në Bernabeu kapitenin e Chelseat, John Terry.
Gazzetta dello Sport shkruan se Mourinho ka porositur presidentin e Realit, Florentino Perez t’ia shprehë pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, dëshirën për të nënshkruar me Terryn në fund të sezonit.
Së fundi është spekuluar se klubi anglez nuk është i kënaqur me Terryn dhe Mourinho është i gatshëm të reagojë nëse jepet rast. Mourinho beson se 30-vjeçari mund të jetë “Carles Puyol” i Realit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se ai nuk do të lejojë të largohen dyshen e mesfushës, Jack Wilshere dhe Cesc Fabregas, përveç nëse klubi i lejon.
Topçinjtë po kalojnë periudhën më të dobët të sezonit me vetëm një fitore kundër Blackpool rreth një muaji më parë, ndërsa dje u mposhtën edhe nga Boltoni duke u përjashtuar nga gara për titull.
Me edhe një sezon pa trofe, spekulimet për një largim të Cesc Fabregas drejt Barcelonës janë shtuar, derisa edhe Wilshere raportohet se është në listën e disa klubeve të mëdha, përfshirë Manchester Cityn.
“Kur nënshkruani një kontratë për katër ose pesë vite, ju jeni të përkushtuar që gjatë kontratës tuaj të fitoni trofe me klubin me të cilin nënshkruani. Nuk shkruan në kontratë se nëse nuk fitoni një trofe në vitin e parë, ju mund të largoheni”.
“Askush nuk u thotë atyre të presin. Ne mund të fitojmë menjëherë. Ju flisni sikur lojtarët nuk janë të përgjegjshëm për të fituar trofe. Ata po ashtu janë përgjegjës, siç jam edhe unë, dhe fansat po ashtu”.
“Pse mendoni se i paguajmë lojtarët? Një klub, një ekip futbolli, është bashkësia në mes të menaxherit, lojtarëve, klubit, filozofisë. Është gjë tjetër të thuash, ‘Nëse ju nuk fitoni, unë shkoj’. Pse ne duhet ta shesim Cesc? Ne kemi ndërtuar një ekip përreth Cesc dhe tash e kemi edhe Jack Wilshere. Ne duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë Wenger.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka qenë i ngazëllyer me karakterin e treguar në ndeshjen e vikendit kundër Lazios.
Nerazurët dukej sikur u dorëzuan kur Lazio kaloi në avantazh 1-0 dhe Julio Cesar u dërgua jashtë loje, por ata luftuan për të fituar në fund me rezultat 2-1 dhe u rikthyen në pozitën e dytë të tabelës.
“Nuk është lehtë të reagosh me 10 lojtarë, por ekipi ka bërë një reagim të shkëlqyeshëm. Kam menduar se lojtarët ishin më shumë të lodhur, që me ndeshjen e Kupës së Italisë gjatë të martës, ishte krejtësisht e kuptueshme, por karakteri i tyre tejkaloi lodhjen. Kjo jep shenja të mira për ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Moratti.


Mbrojtësi i Wolfsburg, Simon Kjaer, është duke i interesuar Romës.
Pronarët e rinj të Romës pritet të harxhojnë dukshëm në tregun e transferimeve gjatë verës.
Prioritet kryesor do të jetë një mbrojtës i ri i qendrës i cili do të zëvendësojë Philippe Mexes që duket se do t’i bashkohet Milanit gjatë verës.
Në mesin e emrave që përmenden si zëvendësim për francezin është edhe Simon Kjaer. Mbrojtësi danez u transferua te Wolfsburg verën e kaluar nga Palermo.
Edhe disa nënshkrime gjatë verës do t’i ndihmonin Liverpoolit të garonte për trofetë më të rëndësishëm, thotë Dirk Kuyt.
Holandezi shënoi njërin nga pesë golat e fitores së Liverpoolit ndaj Birmingham Cityt, një fitore që çon në tetë ndeshje vargun e ndeshjeve të Redsave si të pamposhtur në fushë vendore.
“Nëse mund të sjellim edhe ca lojtarë të mirë mendoj se ne mund të garojmë me më të mirët. Është disi një ndjenë e njëjtë si në 2009-tën kur ne ishim vërtet shumë afër dhe përfunduam të dytët”.
“E kam pasur këtë ndjenjë se nëse ne bëjmë disa nënshkrime të mira ne mund të ngjitemi atje dhe ky është rasti edhe tash”, ka thënë Kuyt.
Arsene Wenger më në fund ka pranuar se shanset e Arsenalit për të fituar titullin e katërt nën menaxhimin e tij, për këtë vit janë ‘shumë minimale’ pas disfatës ndaj Boltonit.
“Është vështirë të humbasësh një ndeshje si kjo. Kur shikoni në mënyrën se si i kemi pranuar golat, dhe gjatë javës nga Liverpooli deri sot, është vështirë të gëlltitet, por ne dhamë gjithçka dhe qasja jonë ishte fantastike”.
“Ne ishim në disavantazh 1-0 dhe kishim shanse ta fitojmë dhe fatkeqësisht nuk mundëm. Do të duhet të luftojmë sa më shumë që mundemi deri në ndeshjen e fundit, dhe sigurisht shanset janë shumë minimale tash”, ka thënë mes tjerash Wenger, pas disfatës zhgënjyese.


Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, ka folur për ngazëllimin e tij për ndeshjen e 400-të të zhvilluar për gjigantët katalanas në fitoren 2-0 të së shtunës ndaj Osasunas.
29-vjeçari ka bërë debutimin e tij në vitin 2002 dhe deri tash ka fituar plot 13 trofe të mëdhenj me kampionin e Spanjës.
Valdes është portieri i dytë në historinë e Barcës që arrin shifrën jubilare prej 400 ndeshjesh, dhe aktualisht qëndron pas legjendarit Andoni Zubazarreta, i cili ka bërë plot 410 paraqitje për klubin.
“Është nder për mua. Nuk dua t’u kushtoj shumë vëmendje këtyre gjërave, por është një shifër shumë e mirë dhe do të doja të falënderoj të gjithë ata të cilët kanë qenë këtu për mua. Pa ta nuk do ta shijoja këtë moment”, ka thënë lojtari.


Frank Lampard është i bindur se goli i Fernando Torres ndaj West Ham United e ka çliruar sulmuesin dhe se ai do të shpërthejë me shënime në ndeshjet e ardhshme me fanellën blu.
Torres erdhi për 57 milionë euro te Chelsea gjatë afatit kalimtar veror, por nuk shënoi 732 minuta me Blutë dhe u mendua se do të ishte dështim në Stamford Bridge. Por spanjolli më në fund shënoi golin e tij të parë, pasi u fut në lojë si zëvendësues gjatë të shtunës.
“Një sulmues i klasit botëror vjen me një çmim të lartë. Ju nuk mund ta ndryshoni kualitetin dhe ju nuk mund ta ndryshoni një lojtar të klasit botëror. Ne e kemi parë karrierën e tij dhe asgjë nuk ka ndryshuar”.
“Ai është një djalosh i qetë, ai nuk e hap gojën. Nëse ai qëndron në stol, ai futet dhe nuk thotë asnjë. Ishte vetëm çështje kohe dhe mendoj se tash do ta shihni atë të fluturojë, qoftë në pak ndeshjet e fundit të këtij sezoni ose në sezonin e ardhshëm”, ka thënë Lampard për Sky Sports.
Superylli i Real Madridit, Leite Kaka, ka thënë se me dy golat e realizuar ndaj Valencias, atij i është rikthyer besimi në vetvete.
“Më është nevojitur minutazhi. Më bëri mirë për vetëbesim. Një ekip që mund të bëj paraqitje të tillë pas një finaleje plot lot gëzimi, është ekip i mirë”.
“Më duhet të falënderoj kolegët e mi për mbështetjen. Ata janë grup fantastik. Më është nevojitur një mundësi e tillë. Unë i dedikoj dy golat vajzës time, e cila do të lindë të dielën”, potencoi Kaka.


Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, mendon se Los Blancos janë duke kaluar nëpër formë të jashtëzakonshme para ndeshjeve shumë të rëndësishme të fundsezonit.
“Unë kam fituar shumë besim. Unë jam shumë i lumtur, paksa i lodhur, por kjo është normale. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u rikthyer se sa me het-trik”.
“Tani është koha të argëtohemi pasi kemi shënuar gola për ekipin, të cilët po tregohen të rëndësishëm. Askush nuk ishte egoist. Ne luajtëm si ekip. Tani është koha për të pushuar para ndeshjes së rëndësishme të mërkurën, por ndaj Valencias kemi dëshmuar se jemi në formë të mirë para fazës finale të sezonit”, u shpreh ‘el Pipita’.