Manchester United ka arritur që të bëjë një hap gjigant drejt finales së Wembleyt me fitoren prej 2-0 si mysafir i Schalkes në gjysmëfinalen e parë të Ligë së Kampionëve të zhvilluar në Arena auf Schalke para tifozëve të flaktë gjermanë.
Fillimi i pjesës së parë ishte i nivelizuar, me të dyja skuadrat që tentuan me anë të gjysmërasteve të arrijnë pranë golit. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe Manchester United filloi ta gëlltitë Schalken.
Rastet deri në fund të pjesës së parë nuk munguan, me Chichariton dhe Fabio da Silvan të cilët shpërdoruan rastet më të mira për Djajtë e Kuq, por nuk ishte vetëm faji i tyre, pasi portieri gjerman Manuel Neuer shfaqi formë jashtë-planetare me anë të disa intervenimeve të jashtëzakonshme.Pasi pjesa e parë përfundoi pa gola, në fraksionin e dytë vetëm sa rritet presioni në portën e vendasve. Manuel Neuer vazhdoi të bënte intervenime bravoroze, por qëndresa heroike e Mbretërve të Kaltër bie pas më shumë se një ore lojë.
Përvoja e Ryan Giggs tregohet vitale në minutën e 67-të. Pasi humbi një rast të qind për qindtë në pjesën e parë, ishte legjenda uellsiane ai që zhbllokoi rezultatin, pasi pranoi një pasim nga Wayne Rooney për ta mposhtur portierin deri në atë moment fantastik, Manuel Neuer.Dhe ky gol e demoralizoi tej mase skuadrën vendase, e cila përsëri dorëzohet. Vetëm pas tre minutash (70’), Javier Hernandez gjen Rooneyn të lirë, me sulmuesin anglez që tregohet i pa shmangshëm për të realizuar për 2-0 dhe fitoren e madhe në këtë takim.
Me këtë fitore Manchester United ka siguruar praktikisht kualifikimin në finale, pasi avantazhi prej dy golave në terrenin mysafir është i vështirë për t’u shkrirë për gjermanët, kur dihet se më 4 maj Schalke i shkon Unitedit në ndeshjen kthyese në Old Trafford.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk mendon që Barcelona është skuadra më e mirë në botë, mirëpo ka pohuar se pret një ndeshje të vështirë në Santiago Bernabeu.
“Secila ndeshje është një tregim më vete. Do të ishte njësoj edhe sikur të mos e kishim fituar finalen (e Kupës). Garat në kupë janë gjithmonë ndryshe”.
“Sido që të jetë, ne jemi të qetë. Është një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe ne nuk do të ndikohemi nga ajo që ka ndodhur më herët”, ka deklaruar ‘I Veçanti’.
I pyetur nëse ekipi aktual i Barcelonës është më i miri i të gjitha kohërave, portugezi është përgjigjur: “Nuk e di nëse janë më të mirët, janë skuadër e shkëlqyer, por nuk e di nëse janë më të mirët”.
Legjenda braziliane Ronaldo ka deklaruar se Real Madridi do ta mposhtë Barcelonën në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Santiago Bernabeu.
“Unë mendoj se takimin e parë do ta fitojë Madridi”.
“Sidoqoftë, Barcelona është klubi më i mirë në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Lojtarët janë fantastikë dhe ata dinë si ta mbajnë topin. Është një skuadër e bukur për ta shikuar”.
“Gjërat do të vendosen në ndeshjen e dytë, por kurrë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në ‘el Clasico’”, ka deklaruar Ronaldo për Sport.tv.


Chelsea besohet se dëshiron të ofrojë plot 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e anësorit të Tottenhamit, Gareth Bale.
I riu uellsian ka shkëlqyer këtë sezon duke bërë disa paraqitje të fuqishme për të fituar edhe çmimin e Lojtarit të Vitit në Ligën Premier nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist. 21-vjeçari tash lidhet me një largim nga Tottenhami.
Derisa Spursat po mundohen të sigurojnë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve, Mirror shkruan se Blutë mund të shfrytëzojnë rastin për të sjellë anësorin nëse i mposhtin djelmoshat e Harry Redknapp gjatë vikendit, që do t’i godiste shpresat e tyre për të përfunduar në top katërsh.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, nuk besohet se do të arrijë të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Sport shkruan se Iniesta është duke luftuar me lëndimin dhe maksimumi që mund të arrijë është të qëndrojë në stol për këtë takim. Vendin e tij në mesfushë pritet ta pushtojë Seydou Keita.
Sportivja spanjolle shkruan se nëse do të ishte finale, Iniesta do të rrezikohej, por Pep Guardiola është i përgatitur ta kursejë shtyllën e mesfushës dhe ta ketë atë në dispozicion për ndeshjen e kthimit në Nou Camp