Me rezultat prej 2-0, Barcelona e ka mposhtur Real Madridin para tifozëve të vet në takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.
Të mërkurën mbrëma e gjithë vëmendja e futbolldashësve ishte e përqendruar në Santiago Bernabeu ku u ndeshën dy rivalët e përgjakshëm dhe dy nga skuadrat më të mëdha në botë, në një përballje përplot emocione, tension, kartonë dhe ku u shënuan dy gola. Skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë “të mërzitshme”, kjo sidomos falë taktikave të trajnerit të Real Madridit, i cili arriti t’ia bllokojë lojën Barcelonës dhe njëkohësisht i kishte kufizuar lojtarët e tij nga faza ofensive.
Barcelona në tentativë për të zhvilluar lojën e vet nuk arrinte të krijonte hapësira, pasi lojtarët me fanella të bardha në mënyrë të shkëlqyer i kishin mbyllur ato.
Sido që të jetë, Blaugranët arritën të krijojnë disa kërcënime, ndërkohë që një të tillë e pati edhe Cristiano Ronaldo në fund të gjysmës së parë, e cila u mbyll pa gola.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës Barcelona vazhdoi me dominimin në posedim të topit, ndërkaq vendasit edhe më tej aplikonin lojë defensive.
Pas një ore lojë, për shkak të një ndërhyrjeje të vrazhdë në Dani Alvesin, lojtari më i rëndësishëm i Realit në këtë takim, Pepe, u përjashtua me karton të kuq, dhe në këtë mënyrë krijoi hapësirë për mysafirët të aplikonin lojën e vet.
Një krosim i shkëlqyer i lojtarit të porsainkuadruar, Ibrahim Afellay, gjeti lojtarin më të mirë në botë, Leo Messi, përballë Iker Casillasit, i cili dështoi ta ndalte superyllin argjentinas (76’).
SuperMessi vërtetoi edhe njëherë epitetin e më të mirit në botë duke kaluar gjithë mbrojtjen e Real Madridit dhe duke e mposhtur për të dytën herë Casillasin (87’) për ta shuar dilemën e fituesit në këtë ndeshje.
Dy skuadrat do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese në Camp Nou, ku do të vendoset se kush do të luajë në finale.
Sulmuesi i Schalkes, Raul, është i bindur se asgjë nuk ka përfunduar ende sa i përket finalistit të Ligës së Kampionëve mes Unitedit dhe skuadrës gjermane, pasi legjenda spanjolle mendon të pa mundurën në Old Trafford.
“Në ndeshjen kthyese, gjithçka është e mundur. Ne nuk e dimë çfarë do të ndodhë, një penalti për ne, një përjashtim për ata. Gjithçka është e mundur në futboll”.
“Ne kemi pritur rezultat tjetër, por ne jemi ende të kënaqur sepse kemi luajtur në nivelin tonë. Problemi është se Manchester United luajti në një nivel tjetër”, ka thënë Raul.
Barcelona do ta mposhtë Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe vendimtar do të jetë futbollisti më i mirë në planet, Lionel Messi, gjithnjë sipas legjendës së Interit dhe ish-sulmuesit të Barcelonës, Luis Suarez.
“Mendoj se përkundër asaj që ka ndodhur, favorit është ende Barcelona, për shkak se dy ndeshje me system vajtje-ardhje nuk janë njëjtë sikur një ndeshje. Nëse shikoni në finalen e Kupës, ata nuk kanë pësuar humbje pas 90 minutave, por në vazhdime”.
“Të dyja ndeshjet do të jenë të vështira, por shpresoj se do të shohim futboll, e jo beteja”, u shpreh Suarez për Goal.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo Më shumë se 1700 policë dhe pjestarë tjerë të sigurisë do të jenë prezent në Bernabeu të mërkurën mbrëma për ndeshjen e parë gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Gjigantët spanjollë janë takuar edhe dy herë më parë brenda dy javëve dhe incidentet mes tifozëve nuk kanë munguar megjithëse ata të Real Madridit janë komplimentuar për sjelljen e tyre të mirë.
Para ndeshjes mijëra policë do të jenë në krye të detyrës që të sigurojnë se çdo i vetmi tifoz i Barcelonës do të hyjë në Bernabeu pa u cënuar nga asnjë huligan.
Real Madridi takohet sonte mbrëma me Barcelonën në Santiago Bernabeu, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, nuk pret që Blaugranët ta humbasin ndeshjen e parë gjysmëfinale që zhvillohet në Santiago Bernabeu sonte mbrëma, duke pohuar se lojtarët do të bëjnë ç’mos për ta shmangur disfatën.
“Lojtarët do të bëjnë çdo gjë në mundësitë e tyre për të na dhënë kënaëqsi”.
“Por, çfarëdo qoftë rezultati, Barcelona ka fituar respektin, duartrokitjet dhe besimin e tifozëve, ashtu si të drejtorëve dhe të atyre që duan futbollin”, potencoi Laporta.


Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka quajtur golashënuesin Ryan Giggs një ‘njeri të mahnitshëm’ pas fitores së mbrëmshme 2-0 ndaj Schalke.
Giggs ishte përgjegjës për krijimin e disa shanseve të shkëlqyeshme të United dhe po ashtu shënoi golin e parë të takimin e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që i jep një shtytje ekipit të Ferguson drejt finales së 28 majit në Wembley.
“Është e çuditshme pasi vitet kulminante të Ryan kanë zgjatur kaq shumë. Ju do të mendoni, në moshën 37-vjeçare ai do të tregonte shenja të zbehjes. Nuk shoh ndonjë evidencë për këtë. Ne tentojmë që ai të pushojë para ndeshjeve, por kur ai e fiton atë freski, ai nuk tregon shenja të lodhjes aspak. Ai është një njeri i mahnitshëm”, ka thënë Ferguson.
Massimiliano Allegri është i lumtur te Milani dhe thotë se ai nuk mendon për të ardhmen por vetëm se si ta fitojë Skudeton.
Milani është katër pikë larg sigurimit të Skudetos së parë që nga viti 2004, dhe thotë se e ardhmja e tij nuk është çështje e kësaj kohe.
“Të mendoj për të ardhmen tash do të ishte një gabim. Ne duhet të mendojmë vetëm për ligën. Aty është edhe gjysmëfinalja e Kupës së Italisë, andaj ne synojmë t’i realizojmë këto dy objektiva, që janë më të rëndësishme”, ka thënë Allegri.
Pep Guardiola u është përgjigjur sulmeve të Jose Mourinhos, duke thënë se portugezi është një “f...ing-boss” jashtë fushe, por se përgjigjet e duhura për kritikat e portugezit ai do t’i japë në fushë në takimin e sotëm.
Dy gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, u ndeshen dy herë në dy javët e kaluara, duke nxjerrë një barazim 1-1 në kampionat dhe fitore 1-0 për mbretërit në finalen e Kupës së Mbretit, që ishte shkak i këtyre përplasjeve.
Në të vërtet Guardiola për “të parën herë” ishte ankuar në vendimet e gjyqtarëve, edhe pse sipas incizimeve ato kishin qenë të drejta.
Dhe ishte portugezi i cili sulmoi i pari duke thënë se Pep Guardiola bën pjesë në një grup të veçantë të trajnerëve, ata të cilët kritikojnë vendimet e drejta të gjyqtarëve. Dhe spanjolli nuk ka nguruar t’ia kthejë kësaj radhe.
“Më herët nuk kam reaguar, por tash ai ka folur me mua drejtpërdrejtë (me Pep), andaj edhe unë do të bëj të njëjtën gjë. Nesër (sonte) ne do të takohemi në fushë, jashtë fushe ai tashmë më ka mposhtur. Unë nuk mund t’i luaj ato lojëra. Në dhomën e konferencave të shtypit ai është shef i shk..., ai është bos i shk... dhe unë nuk mund të garoj me të në këtë fushë”.
“I jap shpërblimin për trajnerin më të mirë jashtë fushe në Ligën e Kampionëve, shpresoj se ai do ta marrë atë në shtëpi dhe do të kënaqet. Nëse Barcelona do të dëshironte një trajner i cili garon në konferencat e shtypit, atëherë do të kërkonte një trajner të ri, unë nuk jam ai. Ne nuk e bëjmë këtë”.
“Nuk e arsyetoj mossuksesin me kritika ndaj gjyqtarëve. E kam uruar Real Madridin, ata fitoren në Kupë e merituan në fushë. Nuk i fajësoj gjyqtarët, kurrë nuk e kam bërë këtë. Kur luaj kundër Mourinhos, në fushë përpiqem të mësoj shumë nga ai, por jashtë fushe mësoj shumë pak. Mund të luani në shumë mënyra, metodat që ai i shfrytëzon janë shumë të mira”, ka thënë Guardiola.
Dy trajnerët e gjigantëve spanjoll, Barcelona dhe Real Madridi, Pep Guardiola dhe Jose Mourinho, janë futur në një luftë me fjalë në prag të ndeshjes të sotme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Jose Mourinho ka provokuar Pep Guardiolën duke i thënë se ai bën pjesë në një grup të veçantë të trajnerëve, ata të cilët kritikojnë vendimet e drejta të gjyqtarëve. Kjo pasi Guardiola kritikoi arbitrin e ndeshjes finale të Kupës me supozimin se ata kishin mohuar një gol të pastër të Pedro, edhe pse incizimet televizive treguan se është fjala për një pozitë të pastër jashtë loje.
“Siç duket kemi filluar një erë të re. Deri tash kishte dy lloje të trajnerëve. Njëri grup i vogël i cili kurrë nuk fliste për gjyqtarët dhe një tjetër më i madh, në të cilin bëj pjesë edhe unë, që flasin për gjyqtarët kur ata marrin vendime të gabuara. Por tash kemi edhe një grup të tretë në të cilin është vetëm Pep, njeriu i cili kritikon vendimet e drejta të gjyqtarëve”.
“Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Ai luante me një lojtar më shumë kundër Interit sezonin e kaluar, dhe pastaj kundër Arsenalit këtë vit. Tash në finalen e Kupës, kur arbitri kishte një detyrë të vështirë, ndërsa morri vendimin e drejtë, ai e kritikoi”, ka deklaruar Mourinho.
Cristiano Ronaldo Cristiano Ronaldo do të vazhdojë të luajë për Real Madridin, ka siguruar menaxheri gjeneral i klubit, Jorge Valdano, i cili thotë se një transferim i lojtarit te Milani gjatë verës është larg të mundshmes.
Ronaldo, i cili ka shënuar 29 gola në 30 ndeshje të ligës për Madridin, ka qenë vazhdimisht i lidhur me një kalim në San Siro, që kur pronari i klubit italian, Silvio Berlusconi, iu kishte thënë miqve se ai do të bëjë gjithçka për ta sjellë lojtarin në San Siro.
“Është mirë të dëgjosh një president si Berlusconi dhe një klub si Milani të ëndërrojë për lojtarët tonë. Por Cristiano Ronaldo do të mbetet me ne”, ka thënë Valdano.
Anësori i Manchester United, Nani, është duke u lidhur me një transferim në Spanjë, saktësisht te Real Madridi.
News of the World shkruan se Real Madridi është duke përcjellë situatën e Nanit te Manchester United pas thënieve se ai mund të largohet nga Old Traffrod gjatë verës.
Interi dhe Milani po ashtu janë duke përcjellë zhvillimet nga afër. Nani ka ambicie për të luajtur jashtë Anglisë, edhe pse së fundi ka thënë se është i lumtur në Old Trafford.
Javier Mascherano beson se Barcelona mund ta tregojë fuqinë kundër Real Madridit kur dy ekipet takohen sonte në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
“Besimi jonë është pacenuar dhe ju nuk mund ta vlerësoni rezultatin bazuar vetëm në një ndeshje. Gjithë sezonin kemi bërë atë që ka qenë e nevojshme. Ne po i bëjmë gjërat si duhet dhe kemi marrë shumë gjëra pozitive nga disfata [në Kupë]”.
“Ajo që duhet të bëjmë është të luajmë si në pjesën e dytë të finales së Kupës së Mbretit në Valencia. Në pjesën e parë të ndeshjes ne nuk kishim posedim dhe nuk mund të luanim lojën tonë. Është Madrid-Barcelona, një gjysmëfinale historike. Gjëja e rëndësishme është të mbetemi të fokusuar ashtu që të mund të arrijmë në finalen në Wembley”, ka thënë Mascherano.