Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka e ka përshkruar disponimin në klubin madrilen pas dënimit të Jose Mourinhos me pesë ndeshje mos prani në stol, duke thënë se portugezi nuk do të flasë derisa të sqarohen arsyet e dënimit.
UEFA kishte konfirmuar të premtën se e ka dënuar Jose Mourinhon me pesë ndeshje mos prani në stol pas komenteve kontraverse dhe akuzave të drejtpërderjta për favorizim të Barcelonës. Sipas Aitor Karankas, Mourinho nuk do ta hapë gojën derisa të sqarohen saktë arsyet e suspendimit.
“Ai nuk e ka pritur mirë këtë. UEFA kurrë nuk ka sqaruar arsyet. Klubi ka lëshuar një komunikatë ku ka paralajmëruar apelimin e vendimit. Mourinho do ta mbrojë veten derisa t’i vihet fundi kësaj pune. Mourinho nuk do të flasë tani sepse ai dëshiron drejtësi. Ne duam të fokusohemi në kampionat tani”.
“Ideja është që derisa UEFA të mos sqarojë arsyet e suspendimit, Mourinho të mos flasë në konferenca për shtyp”, theksoi Karanka.
Duke parë faktin se UEFA nuk e ka si praktikë të veten sqarimet e mëtutjeshme ndaj individëve të caktuar pas shpërndarjes së masave disiplinore, mund të parashikojmë një heshtje të përjetshme të njeriut më kontravers në futbollin botëror, Jose Mourinhos.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka pranuar se Milani meriton vendin në majen e tabelës së Serie A dhe se ata do të jenë fituesit meritorë të titullit për këtë sezon.
“Është e drejtë që Milani ta fitojë Scudetton. Sezoni i Interit ishte i luhatshëm dhe kemi pasur vështirësi, si me lëndime ashtu dhe me stafin teknik”.
“Ne kemi rigjetur kompaktësinë në grup dhe tani me rëndësi është që sezoni të përfundojë siç është më së miri, ndoshta duke përfunduar në pozitën e dytë dhe duke e fituar Coppa Italian”, potencoi Zanetti.


Fernando Torres sipas të gjitha gjasave do të nxehë pankinën e Chelseat në supersfidën e të dielës ndaj Manchester Unitedit që do të zhvillohet në Old Trafford, pasi Carlo Ancelotti preferon të startojë në këtë takim me Didier Drogban.
Ancelotti luajti me të dy sulmuesit ndaj Tottenhamit, por kjo e detyroi Drogban të luajë në krah, ndërsa kjo nuk i pëlqeu fare ‘Carlitos’ dhe pas paraqitjes fenomenale të Drogbas në këtë takim, italiani preferon të startojë me të në ndeshjen kryesore dhe jo me Fernando Torresin.
Nuk pritet që Ancelotti të marrë një vendim defnitiv para fillimit të takimit, përkundër shumë spekulimeve që po qarkullojnë nëpër mediumet britanike.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e di se fitorja ndaj Chelseat gjatë të dielës do t’ua siguronte atyre titullin.
Nëse United fiton ndaj ekipit të Carlo Ancelottit, ata do të kishin nevojë edhe për një pikë në dy ndeshjet e fundit ndaj Blackburn dhe Blackpool për të arritur objektivin.
“Çdokush është i vetëdijshëm për madhësinë e ndeshjes së të dielës. Nëse ne fitojmë, ne duhet ta fitojmë ligën. Është një ndeshje të cilën mezi e presim. E diela e kaluar (në Arsenal) sigurisht na ka bërë më të vetëdishëm se sa e rëndësishme është ndeshja e kësaj jave”.
“Është një prej arsyeve se pse zgjodha atë ekip të mërkurën. Doja të kishim një shans të vërtetë. Ne do të kemi një ekip të freskët të dielën dhe kjo e bën dallimin këtë herë. Duhet të jetë një ndeshje fantastike”, ka deklaruar Ferguson.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka kërkuar nga lojtarët e tij që të tentojnë ta sigurojnë titullin në derbin e kësaj fundjave në Serie A, kur Roma e cila po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve pret Milanin në Olimpico.
“Të gjithë po shkojnë në Romë, pasi mendoj se është e drejtë që ta bëjmë këtë dhe ne duam ta bëjmë të gjithë së bashku. Më pas është normale që disa lojtarë të tjerë ta shikojnë takimin nga tribunat, ata duhet ta pranojnë këtë”, theksoi Allegri.
Ai shtoi se do ta kërkojë me çdo kusht pikën që e siguron titullin ndaj Romës, përderisa pohoi se do ta kërkojë të martën finalen e Coppa Italias në sfidën gjysmefinale kthyese ndaj Palermos në Renso Barbera.
Portieri i dytë i Barcelonës, Jose Pinto, nuk do të jetë në dispozicion të Pep Guardiolës për finalen e Ligës së Kampionëve, pasi UEFA e ka suspenduar me tri ndeshje gardianin katalanas pas sjelljeve jo të mira ndaj Real Madridit në Bernabeu.
“Portieri i Barcelonës, Jose Pinto, i cili kishte marrë karton të kuq në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në Madrid, është suspenduar për tri ndeshjet e ardhshme në garat evropiane. Vendimi mund të apelohet brenda tri ditësh”, shkruan në komunikatën e UEFA-s.
Pinto kështu do të mungojë në finalen e madhe të Wembleyt ndaj Manchester Unitedit, ashtu si një ndeshje tjetër sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, pasi mungesa e tij në Camp Nou ëshë përfshirë në këtë dënim.


Gjiganti spanjoll Real Madrid dëshiron ta mbajë në Bernabeu sulmuesin Karim Benzema, përkundër interesimit të shumë skuadrave të mëdha evropiane.
Marca shkruan se Benzema nuk është fare i kënaqur me situatën e tij pasi ishte lënë në pankinë për dy ndeshjet ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, përkundër formës së shkëlqyer.
Dhe interesimi i klubeve si Juventus kanë bërë që Benzema ta kërkojë largimin nga Bernabeu, por kjo është utopi për drejtuesit e Los Blancos, të cilët e shohin të ardhmen e francezit në kryeqytetin spanjoll.
Anësori fantastik i Manchester United, Nani, beson se Djajtë e Kuq kanë përparësinë psikologjike ndaj Chelseat para ndeshjes kryesore të sezonit që zhvillohet të dielën në Old Trafford.
“Gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Chelseat dhe jo ndaj Barcelonës. Do të jetë shumë vështirë. Por, ne po luajmë në shtëpi dhe kemi përvojë të mirë ndaj tyre”.
“Ne e dimë se nëse duam ta fitojmë ndeshjen duhet të luajmë me besim. Rezultatet ndaj tyre në Ligën e Kampionëve ishin shumë të mira. Besoj se kjo na garanton avantazh psikologjik”, deklaroi Nani.


Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, di më mirë se askush tjetër si ta ndalë Barcelonën, gjithnjë sipas legjendës së Real Madridit, Raul Gonzalez.
“Nuk mendoj se në finale ka favorit. Nuk ka asgjë që mund t’u sugjeroj menaxherëve. Ferguson dhe Guardiola janë dy trajnerë të mëdhenj, ndërsa te United, Fergie është legjendë. Ai e di saktësisht çfarë duhet të bëjnë lojtarët e dij për të fituar dhe kështu ata do të punojnë në bazë të një plani”.
“Të dyja skuadrat janë shumë të baraspeshuara dhe ato e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. Ata janë në nivelin më të lartë të mundur. Do të jetë finale e madhe”, ka deklaruar Raul.