Manchester Unitedi është kampion i sezonit 2010/2011 në Angli, pasi me rezultat 2-1 e ka mposhtur rivalin e drejtpërdrejtë për titull, Chelsean, në derbin e javës së 36-të të Ligës Premier.
Në takimin e zhvilluar në Old Trafford, vendasit e dominuan tërësisht fraksionin e parë të lojës duke arritur të realizojnë dy gola. Në sekondat e para të takimit, Javier 'Chicharito' Hernandez zhbllokoi rezultatin pas një pasimi të Ji-Sung Park për t’ua ofruar një kënaqësi të hershme tifozëve në Old Trafford.
Ryan Giggs gjeti për mrekulli mbrojtësin Nemanja Vidic, i cili shënoi me kokë për rezultatin 2-0 (23’), me të cilin u mbyll gjysma e parë.
Chelsea e nisi mirë gjysmën e dytë duke e diktuar lojën, mirëpo lojtarët me fanella blu vështirë gjenin hapësira kundrejt mbrojtjes vendase. Një krosim i Ramires e gjeti Branislav Ivanovicin i cili goditi me kokë drejt portës, ndërsa Frank Lampard e plasoi topin në rrjet (69’) për t’u dhënë shpresa mysafirëve që të nxirrnin së paku një barazim.
Deri në fund të takimit, Blutë nuk arritën që së paku ta barazonin rezultatin, ashtu që Manchester United shpallet kampion me gjashtë pikë diferencë, dy javë pa përfunduar Liga Premier. Megjithatë për t'u kurrërëzuar me titullin e 19-të dhe për të thyer rekordin, Djajtë e Kuq duhet ta fitojnë edhe një pikë në xhiron e radhës pasi nuk ka përfunduar gjithçka sa i përket golaverazhit (nëse Chelsea i fiton të dyja ndeshjet e radhës me epërsi të lartë dhe United i humb të dyja takimet e mbetura me epërsi të lartë, gjë që nuk mund të ndodhë).
Lojtarët e Interit duke festuar Interi mund të mos jetë shpallur kampion i Italisë, por e ka vërtetuar statusin prej klubit kampion bote që është, duke e mposhtur me lehtësi Fiorentinën në Meazza me rezultat 3-1.
Interi ishte i pa kapshëm në këtë takim. Fillimisht Samuel Eto’o ia përgatiti golin Giampaolo Pazzinit pas 25 minutash lojë, para se rezultatin ta dyfishonte Esteban Cambiasso (28’), përsëri pas asistimit të Samuel Eto’os.
Fiorentinën në lojë e kthen Alberto Gilardino me golin e nderit të shënuar për 2-1 (74’), para se Philippe Coutinho t’i japë fund takimit (77’) për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar.
Interi me këtë fitore ka 72 pikë në pozitën e dytë dhe është shumë pranë që të bëhet nënkampion i Italisë, ku konkurrent të drejtpërdrejtë e ka Napolin.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka gjasa të mëdha që të mbtetet në stolin e Bluve pasi pronari rus Roman Abramovich nuk ka arritur ta bindë Guus Hiddinkun të kthehet në Stamford Bridge.
Përkundër faktit se Chelsea është ende në garë për titull në Ligën Premier, Roman Abramovich ka kontaktuar shumë strategë, si Hiddink, Van Basten dhe Andre Villas-Boas, por sipas Telegraph që të gjithë e refuzuan.
Tifozët e Chelseat e duan Hiddinkun të rikthyer në Stamford Bridge, pa marrë parasysh nëse ndodh çudia dhe Blutë e fitojnë titullin, një dëshirë kjo e tifozëve e cila do të mbetet e pa plotësuar, pasi holandezi ka kontratë me kombëtaren turke.
Trajneri i Milanit, Massimliano Allegri ka lëvduar impenjimin e bërë nga Silvio Berlusconi në përforcimin e ekipit që bëri Rossonerët fituesit e titullit në Serie A për herë të parë pas shtatë vitesh.
“Unë falënderoj kryeministrin Berlusconi. Ai ma ka dhënë një ekip të përzier me lojtarë të rinj dhe të moshuar. Ne fituam aq shumë ndeshje dhe shfaqëm sjellje të jashtëzakonshme, si jashtë, ashtu dhe brenda fushës”.
“Ne jemi shumë të lumtur për tifozët. Na vjen keq që nuk kemi festuar në Milano, por ne do të festojmë gjatë javës dhe të shtunën mbrëma në stadium”, ka thënë Allegri për Gazzetta dello Sport.
Sir Alex Ferguson ka zbuluar se ai nuk e ka ndërmend të pensionohet në fund të këtij sezoni si menaxher i Manchester United.
Skocezi është në krye të klubit nga Old Trafford që nga viti 1986 dhe 25 vitet e tij në krye të Manchester United e bëjnë atë menaxherin që qëndroi më gjatë te United. Megjithatë, skocezi nuk tregon shenja të plakjes.
“Unë do të jem këtu edhe vitin e ardhshëm”, theksoi Ferguson për The Mirror.
Ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel është fituesi i garës për Çmimin e Mash të Turqisë të zhvilluar në shtegun Istanbul Park.
Vettel pa ndonjë problem arriti ta ruajë pozitën e parë të fituar në kualifikimet e djeshme, ndërsa dilemat e vetme ishin për pozitat pas fituesit absolut dhe kampionit Vettel.
Mark Webber katër xhiro pa përfunduar gara ishte në pozitën e tretë, derisa e tejkaloi Fernando Alonson e Ferrarit, i cili në fund u radhit i treti në podium. Lewis Hamilton zuri vetëm pozitën e katërt, përderisa kolegu i tij te McLaren, Jenson Button doli i gjashti.
Ishte kjo fitorja e tretë këtë sezon për Sebastian Vettel, që e zmadhon edhe më shumë diferencën ndaj përcjellësve të tij.


Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar se ai është i lëkundur nga interesimi i Interit për të.
Guardiola besohet të jetë emri i parë në listën e gjatë të Massimo Morattit për trajner sezonin e ardhshëm, pas dështimeve katastrofale nën Leonardon.,
“Unë jam i nderuar nga interesimi i Interit, pasi ai është klub i madh. Unë kam edhe një vit kontratë me Barcelonën. Për çdo rast, para se të marri ndonjë vendim më duhet të flas me drejtorët”, ka thënë Guardiola.
Anësori i Udineses, Alexis Sanchez, duket të jetë një hap para largimit nga Serie A, pasi besohet se agjenti i tij, Fernando Felicevich është takuar me zyrtarë të Barcelonës.
La Gazzetta dello Sport shkruan se drejtues të Barcelonës janë takuar pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale ndaj Real Madridit me agjentin e kilianit Sanchez.
Barcelona e kërkon Sanchezin për të shtuar kreativitetin në fazën ofensive të skuadrës, por problem mbetet shuma e lartë e tij – 30 milionë euro të cilat i dëshiron Udinese. Mos të harrojmë se në garë janë edhe Manchester United, Manchester City dhe Interi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka vendosur që definitivisht të shpenzojë në afatin kalimtar veror për ta përforcuar skuadrën e tij dhe për ta fituar titullin në Ligën Premier sezonin e ardhshëm.
“Ne kemi një ekip pshumë të ri dhe duam që ta forcojmë atë. Me numra, nuk e di saktë sa, por varet shumë nga gjërat tjera, pasi kemi skuadër të madhe”.
“Duhet të paguani para, mendoj se kjo është pjesë e të qenurit futbollist sot. Në anën tjetër nëse nuk e fusni në lojë një lojtar, ai s’ka si të dëshmohet”, ka thënë Wenger.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, beson se fitorja ndaj Manchester United mund të jetë e kompletuar vetëm në rast të një triumfi me shumë gola, pasi vetëm kështu do të garantohej superioriteti në golaverazh.
“Hapi i parë është që të fitojmë ndaj Manchester Unitedit dhe me pas ne e dimë se ata kanë fuqinë të shënojnë shumë gola. Këtë do ta bëjmë edhe ne”.
”Ne kemi një ndeshje në shtëpi ndaj Newcastle United dhe jam i sigurtë se tifozët do të na ndihmojnë në këtë ndeshje, duke shpresuar në shënim të shumë golave, që ndoshta do ta bëjnë diferencën”, u shpreh Torres.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mournho, besohet se është duke e menduar një marrëveshje shkëmbimi e cila do ta shihte yllin e Chelseat, Frank Lampard, të transferuar në Santiago Bernabeu.
Mesfushori anglez ishte shumë pranë Interit verën e kaluar kur e kërkoi Mourinho dhe ‘avazi’ i njëjtë pritet të vazhdojë, me portugezin që e do në skuadër Lampardin.
The Mirror shkruan se Real Madridi nuk ka 40 milionë funte për t’i paguar Chelseat për shërbimet e Lampard dhe për këtë arsye Los Blancos po mendojnë që ta ofrojnë superyllin brazilian, Kaka, në një marrëveshje shkëmbimi.
Cristiano Ronaldo ka shënuar plot katër gola në shkatërrimin prej 6-2 të Sevillas nga Real Madridi, ndërsa portugezi iu falënderua bashkëlojtarëve për kontributin e dhënë në tejkalimin e Lionel Messit në renditjen e realizatorëve më të mirë në La Liga.
“Të shënosh katër gola nuk është e lehtë, por ju duhet të komplimentoni bashkëlojtarët e mi për shkak se ata më kanë ndihmuar. Unë po mendoj për të qenë top golashënuesi”.
“Është mëkat që nuk mund ta fitojmë titullin, por ky është futbolli. Do t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Ronaldo.
Pas fitores së lartë të Real Madridit me rezultat 6-2 ndaj Sevillas të shtunën, zëvëndëstrajneri Aitor Karanka ka deklaruar se ekipi i tij nuk e ka ndërmend të hyjë nëpër ndeshje pa e pasur si synim kryesor fitimin e ndeshjeve.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe të fitojmë ndeshjet, pa marrë parasysh çfarë bëjnë të tjerët. Ne duhet të mësojmë nga gabimet para sezonit të ri”.
“Ne nuk duhet të humbasim pikë në ndeshjet ku në shikim të parë jemi superiorë. Çdo pikë është e rëndësishme, pa marrë parasysh renditjen tabelare”, u shpreh Karanka.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlsuconi, ishte tejet i ngazëllyer me sigurimin e titullit të kampionit në Serie A, duke u ndezur edhe më shumë dhe duke u premtuar transferime të shumta tifozëve gjatë verës.
“Scudetto më në fund e ka rikthyer skuadrën kuq e zi në San Siro”.
“Tek e fundit, mendoj se e merituam. Të gjitha zgjedhjet tona u dëshmuan të jenë pozitive. Massimliano Allegri e kuptoi stilin tonë dhe faktin se ne kurrë nuk fokusohemi në rezultat sa në futbollin që shfaqim në fushë”.
“Ne bëmë transferime të rëndësishme dhe kemi skuadër mjaft konkurruese, por kjo nuk vjen me aq pak para. Nuk mund të fitoni në futboll pa shpenzuar shumë para. A do të kem më shumë dhurata për tifozët gjatë verës? Po, shpresoj se tregu do të më lejojë ta bëj këtë për tifozët”, u shpreh Berlusconi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se skuadra e tij e ka përparësinë mentale ndaj Manchester Unitedit, para sfidës kryesore të sezonit.
“Manchester United shpresoi se nuk do ta luante ndeshjen ndaj nesh me këtë rëndësi që ka tani. Nëse ata do të kishin më shumë pikë avantazh, atëherë do të ishte ndeshje e lehtë ndaj nesh – jo e lehtë, por më ndryshe”.
“Ata duhet të luftojnë përsëri për titullin. Ndoshta dy-tri javë më parë ata nuk e kanë menduar këtë, se do të luftojnë edhe aq shumë. Për këtë asye, mentalisht ne kemi përparësinë”, potencoi Ancelotti.


Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka thënë se ai gëzon respekt për të gjithë menaxherët, përkundër mospajtimeve me shumë menaxherë, siç është rasti me atë të Stoke Cityt, Tony Pulis, i cili ka aplikuar stërvitje ‘rugby’ me lojtarët e tij.
“Ju mund të keni mospajtime dhe respekt. Unë mund të shprehi ndjenja të sinqerta për gjëra të caktuara, të cilat kurrë nuk do të ndryshojnë. Unë respektoj çdo të vetmin menaxher në kampionat”, theksoi Wenger.
Arsenali nuk ka gjasa të mëdha për titull në Ligën Premier, pos nëse ndodh ndonjë mrekulli në fazat finale të kampionatit.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzari, ka pranuar se ai nuk e di nëse do të jetë trajner i napolitanëve edhe për sezonin tjetër.
“Unë i kam thënë edhe klubit, se e ardhmja ime është e pasigurtë. Kam biseduar me klubin për të sqaruar gjithë atë që është thënë nëpër media”.
“Unë do t’iu them në fund të sezonit nëse do të qëndroj apo jo, por unë nuk do ta marr vendimin krye më vete, pasi kam kontratë. Unë tani jam në një pozitë ku njerëzit shumë devijojnë atë që them”, ka thënë Mazzarri.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se ekipi i tij nuk është ende i gatshëm për t’u quajtur top ekip, pas disfatës prej 2-1 ndaj Evertonit.
“Ne duhet ta përmirësojmë situatën tonë. Ju nuk duhet t’i humbisni ndeshjet sikurse ndaj Evertonit nëse dëshironi të bëheni ekip i fortë”.
“Ishim pranë, kemi pasur raste të mira për të shënuar në pjesën e dytë me anë të Yaya Toures dhe Edin Dzekos. Nuk është e rëndësishme t’i shënojmë golat, por që ekipi t’i fitojë ndeshjet”, ka thënë Mancini.
Kapiteni i Bayernit të Munichut, Philipp Lahm, tani synon që bavarezët ta okupojnë pozitën e dytë, pas fitores së lartë prej 8-1 ndaj St. Paulit.
“Do të ishte sensacionale nëse përfundojmë në vendin e dytë. Ne do të bëjmë ç’është e mundur në këtë drejtim”.
“Ne duam të mposhtim Stuttgartin dhe ta përfundojmë sezonin në mënyrën më të mirë. Më pas do të shohim se çfarë bën Leverkusen”, theksoi Lahm.
Mbretërit kanë regjistruar fitore të lartë prej 6-2 kundër Sevillas në njërin nga derbit e javës së 35-të në La Liga që u zhvillua të shtunën mbrëma në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan.
Sergio Ramos e filloi serinë e golave (21’), ndërsa Cristiano Ronaldo (31’) dhe Ricardo Kaka (41’) bënë që të kuptohej fituesi i takimit që në gjysmën e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, vendasit luajtën pakëz më mirë duke arritur të ngushtojnë rezultatin në 3-1 me anë të Negredos (61’).
Mirëpo, ky gol vetëm sa i acaroi mysafirët të cilat realizuan edhe tre gola të tjerë, të cilët mbajnë vulën e Cristiano Ronaldos (65’, 70’ dhe 75’).
Pa përfunduar takimi (84’), Negredo shënoi edhe golin e dytë sa për të ngushëlluar tifozët e pranishëm në stadium.
Me këtë fitore, Reali ngritet në kuotën e 83 pikëve dhe ia shtyn Barcelonës titullin së paku edhe për një javë, pasi që matematikisht La Liga është ende e hapur.
Përkundër barazimit pa gola ndaj Romës, Milani ka grumbulluar pikët e nevojshme për ta fituar Scudetton, dy javë pa përfunduar Kampionati i Italisë. Gjysma e parë e takimit u takoi vendasve, të cilët luajtën më mirë, megjithatë nuk arritën të shënonin gol. Një nga rastet më të mira e pati Mirko Vucinic, të cilit ia mohoi golin Abbiati.
Rossonerët e filluan më mirë pjesën e dytë. Në minutat e para, Robinho pati një rast të shkëlqyer, mirëpo goditja e tij përfundoi në shtyllë. Deri në fund të takimit asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënonte, ashtu që me pikën e fituar, Milani edhe matematikisht fiton titullin e Serie A për sezonin 2010/2011
Ky është trofeu i parë në Kampionatin italian për Milanin që nga viti 2004, ndërsa është titulli i 18-të në përgjithësi.