Milly Moratti Gruaja e Massimo Morattit, Milly Moratti, ka thënë Interi akoma është më i mirë se Milani, edhe pse Rossonerët e fituan titullin këtë sezon.
Kuqezinjtë nuk i lejuan zikaltrit që ta fitonin titullin e gjashtë radhazi, por Milly beson se kjo nuk e bën Milanin klubin më të mirë në Serie A.
“Interi është ende më i mirë se Milani, edhe pse ata e kanë fituar Scudetton. Ndoshta gjërat shkuan në drejtime të caktuara, sepse ne po luanim nëpër turne të ndryshme dhe në fund kjo kushton në nivelet e fitnesit”.
“Ne jemi kampionët e botës dhe kemi çdo të drejtë për t’u kënaqur me këtë plotësisht. Ne po ashtu fituam pesë tituj të Serie A radhazi dhe askush nuk ta largojë këtë nga ne”, ka thënë Milly për Il Giorno.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij të kërkojnë një vend në finalen e Kupës së Italisë, pasi do të duhet t’ia bëjnë pa të në ndeshje kthyese gjysmëfinale kundër Interit.
Totti vazhdon të jetë i suspenduar nga kupa për shkak të goditjes që i bëri Mario Balotellit në finalen e vitit të kaluar.
Interi e fitoi Coppa Italia në sezonin e kaluar, ndërsa sulmuesi romak u dënua me katër ndeshje moslojë, ndërsa i ka mbetur edhe një suspendim për të shërbyer.
“Është turp që jam jashtë një momenti kaq të rëndësishëm. Dëshiroja të jem aty, por ajo që ndodhi do të thotë se jam i suspenduar edhe për një ndeshje. Por shpresoj ta shoh Romën në finale”, ka thënë kapiteni për Sky Sport 24.
Giallorossët u mposhtën me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Olimpico, ndërsa të mërkurën mbrëma zhvillohet takimi kthyes në Meazza.
Mesfushori i Palermos, Javier Pastore, ka pranuar se gjithmonë e ka pasur ëndërr që të luajë për Real Madridin ose Barcelonën, megjithatë ka thënë se është i kënaqur në Itali.
“Ende nuk ka ofertë formale nga asnjëri klub (Reali ose Barca), por do të ishte nder i madh, një ëndërr, që të luaja për cilëndo nga ato skuadra”.
“Ato janë skuadrat më të mira në botë! Por tash po mendoj vetëm për Palermon. Jam shumë mirë këtu”, ka deklaruar 21-vjeçari për faqen e tij zyrtare.
Disa nga ish-yjet e Manchester United do të kthehen Old Trafford për të nderuar pensionimin nga e bota e futbollit të mbrojtësit legjendar të Djajve të Kuq, Gary Neville.
Nicky Butt dhe Phil Neville e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ndeshjen e 24 majit kundër Juventusit, ndërsa është kërkuar edhe nga David Beckham që të luajë.
“Nuk mund të kërkoj më shumë, veçse t’i kthej të gjithë miqtë e mi për një herë të fundit. Nëse kjo është e mundur, atëherë do ta bëjë mbrëmjen edhe më të veçantë për mua dhe shpresoj që edhe tifozët të kënaqen kur t’i shohin ata”, u ka thënë Neville gazetarëve.
Takimi miqësor do të zhvillohet para finales së Ligës së Kampionëve, të cilën United e zhvillon ndaj Barcelonës, ndërsa nga emrat tjerë që pritet të jenë të pranishëm, janë edhe Peter Schmeichel dhe Eric Cantona.
Pas konfirmimit të Massimiliano Allegrit se Philippe Mexes dhe Taye Taiwo janë lojtarë të Milanit, zëvendëspresidenti i klubit, Adriano Galliani, ka thënë se ata janë vetëm dy nga emrat që do të transferohen për sezonin e ri.
“Ne tashmë e kemi sjellë Mexesin dhe Taiwon, por unë nuk merrem me emra”.
“Por ne padyshim se do të blejmë lojtarë të tjerë, skuadra do të forcohet edhe më shumë”, ka thënë Galliani.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, shpreson ta fitojë titullin e La Ligas në ndeshjen e të mërkurës kundër Levantes.
Blaugranëve u duhet vetëm një pikë nga tri ndeshjet e mbetura për t’u shpallur kampionë të Spanjës, ndërsa do ta fitonin që të martën titullin nëse Reali dështon të fitojë ndaj Getafes.
“Duhet ta fitojmë titullin më të rëndësishëm të vitit, Ligën, sa më shpejtë që është e mundur”.
“Është gjithmonë vështirë ta fitojmë këtë titull. Tre vitet e fundit ka qenë e komplikuar dhe ka qenë një sfidë e madhe”, u ka thënë trajneri gazetarëve.
Pasi ka konfirmuar nënshkrimin me Nuri Sahin gjatë të hënës, Real Madridi thuhet se është afër për të nënshkruar edhe me një lojtar tjetër turko-gjerman, yllin e Bayern Munichut, Hamit Altintop.
Raportet nga Spanja e kanë lidhur 28-vjeçarin me një transferim te Los Blancos edhe gjatë javës së kaluar, dhe sipas edicionit të ri të sportives AS, ai do të zbulojë lëvizjen e tij pas ndeshjes së të shtunës kundër Stuttgartit.
Më herët gjatë vitit, Altintop ka shprehur pakënaqësinë me rolin e tij si lojtar stoli dhe është lidhur me klubet turke si Fenerbahce dhe Galatasaray. Megjithatë, duket se ai ka zgjedhur të luftojë për një rol te Madridi.
Jose Mourinho kërkon të shtojë më shumë konkurrencë në ekipin e tij gjatë verës dhe raportohet se e sheh të zhdërvjellëtin Altintop si një shtesë të përkryer në ekip.
Nëse transferohet te Madrid, Altintop do t’u bashkohet gjermanëve të tjerë te gjiganti spanjoll si Mesut Ozil, Sami Khedira, dhe Nuri Sahin. Kontrata e Altintop me Bayernin do të skadojë në qershor, që do të thotë se ai mund të transferohet si lojtar i lirë.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se është vështirë ta shohë Manchester United t’i tejkalojë ata si klubi më i suksesshëm në Angli.
United ka nevojë vetëm për një pikë për t’u shpallur kampion i Anglisë për të 19-tën herë dhe për të tejkaluar Liverpoolin me numër të titujve.
“Është vërtet e dhimbshme pasi e kemi mbajtur rekordin për aq gjatë. Duhet ta pranoni kur e meritojnë – ata na kanë tejkaluar neve tash por e mira nga këndvështrimi jonë është se ne jemi në rrugë për t’u rikthyer dhe ne nuk do të dorëzohemi për t’i tejkaluar ata sërish – mos u shqetësoni për këtë”.
“Ky është motivimi – të dini se rivalët më të hidhur ju kanë tejkaluar në titujt e ligës. Ne ende mund të mburremi me Kupat Evropiane, sigurisht, por kemi nevojë rregullojmë raportin 19-18 [të titujve]. Unë dhe çdokush tjetër do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për ta bërë këtë”, ka thënë Gerrard.
Johan Cruyff ka akuzuar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, se ai vuan nga sëmundja 'Barcelonitis'.
Legjenda e Barcelonës thotë se portugezi kishte dështuar të besojë në lojtarët e tij për ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Duke parë fundin e rezultatit Sevilla-Real Madrid (2-6), duke parë ekipin që udhëtoi në Sanchez Pizjuan, duke parë çdo lojtar që luajti, secili në Real Madrid do të mendonte se çfarë ndodhi me 11 lojtarët kundër Barcelonës”.
“Ishte Mourinho me barcelonitis-in e tij. Ishte Mourinho me planet e tij të dizajnuara vetëm për t’u përballur me Barcelonën. Nuk duhet të kishte qenë kështu nëse ai besonte në ekipin e tij, por si trajner ai është master në vendimet e tij”.
“Secili luan për tifozët, për publikun e vet. Por Madrid, dhe Barca, është më shumë se sa një ekip futbolli. Dhe vlerat e përçuara prekin shumë njerëz”, ka deklaruar holandezi.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, raportohet se planifikon të transferojë sulmuesin e parehatshëm të Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Perez synon të blejë një sulmues të ri këtë verë dhe El Mundo Deportivo shkruan se Tevez është bërë prioritet për të parin e Realit.
Po ashtu në listën e shkurtër është edhe sulmuesi i Athletic Bilbao, Fernando Llorente, dhe ai i Atletico Madrid, Sergio Aguero. Megjithatë Tevez mbetet caku kryesor.
Reali do të duhet të garojë me Interin që po ashtu është i interesuar në argjentinasin, megjithëse mbretërit tashmë kanë një linjë të mirë komunikimi me Cityn pas huazimit të Emmanuel Adebayor.
Barcelona raportohet se është duke përcjellë situatën e mbrojtësit të Olympique Lyon, Michel Bastos.
Braziliani tashmë është konfirmuar si një cak për Juventusin, derisa vetë lojtari thotë se do ta marrë vendimin përfundimtar në fund të sezonit.
Cadena Ser shkruan se trajneri i Barcës, Pep Guardiola, e vlerëson lartë Bastos dhe beson se ai do të përshtatej mirë në sistemin e tij.
Pengesë për Barcën mund të jetë buxheti i limituar, pjesa më e madhe e të cilit pritet të harxhohet në transferimin e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, vazhdon të mbajë derën e hapur për një rikthim të Kaka në San Siro.
Me brazilianin që po dëshmon formën e tij, Reali është duke kërkuar para për transferime të reja gjatë verës dhe tashmë ka kontaktuar klubet e interesuara, përfshirë Milanin, Chelsean dhe Manchester Cityn.
Reali tashmë ka nënshkruar me zëvendësimin e Kaka, mesfushorin e Borussia Dortmund, Nuri Sahin.
“Kaka është i shkëlqyeshëm dhe do të bëja gjithçka për të. Kam qarë kur ai u largua pasi e kam dashur atë shumë. Kam vuajtur vetëm për dy lojtarë në jetën time – e para ishte kur u largua Leonardo dhe pastaj Kaka”, ka thënë Galliani.