Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, nuk do ta shesë Edin Dzekon gjatë kësaj vere.
Dzeko, 25-vjeçar, ka qenë një dështim i madh që kur arriti në Eastlands gjatë Vitit të Ri, por Mancini nuk heq dorë nga ai.
“Arsyeja se pse e sollëm Edin-in në janar ishte që ai të mund të adaptohet. Unë jam i bindur se ai do të shënojë ‘qindra’ gola sezonin e ardhshëm. Vështirësitë e tashme të tij ma kujtojnë Fernando Torres te Chelsea”, ka thënë Mancini.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, thotë se ata ende mund të përfundojnë në top katërsh.
Udinese aktualisht pushton pozitën e vlefshme për në Ligën e Kampionëve falë rezultateve pozitive së fundi dhe është dy pikë mbi dy ekipet e kryeqytetit italian, Roma dhe Lazio.
“Ende është shumë e hapur. Ka dy ndeshje deri në fund dhe ne jemi vetëm dy pikë prapa Udinese. Ne duhet të presim që ata të bëjnë ndonjë gabim, edhe pse e di se do të jetë vështirë”.
“Sa i takon festës së Skudetos, Milani e meritoi ta fitojë. Ata më kanë tronditur me urinë e tyre për sukses dhe qëndrueshmëri në maje të tabelës”, ka thënë Totti.
Trajneri i Palermos, Delio Rossi, është i ngazëllyer për fansat pas arritjes në finalen e Kupës së Italisë.
Palermo barazoi 2-2 ndaj Milanit në ndeshjen e parë dhe e fitoi me rezultat 2-1 takimin e mbrëmshëm për t’u kualifikuar në finale ku do të përballet me njërin nga dy gjysmëfinalistët tjerë, Romën ose Interin.
“Ne e dinim se po përballeshim me një ekip të fuqishëm, andaj duheshin dy paraqitje të shkëlqyeshme dhe unë mendoj se gjatë dy ndeshjeve ne ishim superior ndaj Milanit. Jam i lumtur për fansat tonë, të gjithë sicilianët dhe Jugun, pasi po dëshmojmë se mund të krijohet një ekip i shkëlqyeshëm futbolli në këtë pjesë të vendit”, ka thënë Rossi.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është duke përgatitur ofertë për kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
City siguroi një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve mbrëmjen e kaluar falë një autogoli të Peter Crouch, që i dha ekipit nga Eastlands fitoren vendimtare ndaj Tottenhamit.
Por i pyetur se cili lojtar do ta bënte ekipin e tij kampion të Ligës Premier vitin e ardhshëm, Mancini është përgjigjur: “Cesc Fabregas”. Sipas The Sun, City pritet të ofrojë 50 milionë funte për Fabregas, që vështirë se mund të refuzohej nga Arsenali.
Kapiteni i Arsenalit tashmë kërkohet nga Barcelona, ku e filloi karrierën si junior para se të transferohej në Emirates.
Nëse Arsenali vendos ta shesë mbetet të shihet se cilin ekip do ta zgjedhë Fabregas, atë të zemrës, ose paratë e majme që mund të ofrojë City.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, nuk ka ankesa pas disfatës së tyre në gjysmëfinale të Kupës së Italisë nga Palermo.
Milani shpresonte të fitojë Dyshe të titujve disa ditë pasi siguroi Scudetton, por ata u mposhtën me rezultat 2-1 në takimin e mbrëmshëm për t’u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 4-3.
“Ne kemi pasur disa raste, përfshirë një me Robinhon në sekondat e para. Kur ne i afroheshim golit, nuk mund t’i përfundonim mundësitë. Palermo luajti një ndeshje të shkëlqyeshme dhe unë nuk mund t’i kritikoj lojtarët e mi për asgjë”, ka thënë Allegri.


Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ekipi i tij i tashëm nuk mund të krahasohet me “Ekipin e Ëndrrave” të Johan Cruyff të viteve 1990-ta.
Barca mund të kurorëzohet kampion sonte me një fitore ndaj Levante, e që do të ishte titulli i tretë radhazi për Pep Guardiolën në tre sezone në krye të ekipit.
“Ata ishin pionierë. Ata nuk mund të arrihen vetëm duke fituar shumë tituj. Ju kurrë nuk mund të jeni baras me ‘Ekipin e Ëndrrave’, pasi ata ishin të parët që i dhanë fund asaj periudhe prej aq shumë vitesh pa fitore”, ka thënë Guardiola, i cili ka qenë pjesë e atij ekipi.
“[Ish-trajnerët Louis] van Gaal, [Frank] Rijkaard dhe ne kemi vazhduar gjërat, por asgjë nuk do të kishte ekzistuar pa ta”, ka thënë Guardiola.
Liverpooli raportohet se po i afrohet gjithnjë e më shumë transferimit të anësorit të Valencias, Juan Mata.
Këto spekulime kanë shpërthyer nga reporteri spanjoll Guillem Balague, i cili ka zbuluar në ueb faqen e tij se menaxheri i Redsave, Kenny Dalglish, e ka shndërruar mesfushorin spanjoll Juan Mata në prioritet për afatin kalimtar të verës.
Drejtori i Liverpoolit, Damien Comolli, ka vizituar Mestallan për t’u interesuar për 23-vjeçarin në prag të transferimit të propozuar.
Kontrata e Mata ka të specifikuar një klauzolë blerëse në vlerën e 60 milionë eurove, por nuk është e besueshme që Liverpooli të paguajë aq. Mendohet se 25 deri në 30 milionë euro do të ishin të mjaftueshme për të marrë shërbimet e lojtarit.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka zbuluar se ai ka qenë afër të marrë nën drejtim Arsenalin më herët gjatë karrierës së tij.
Oferta kishte arritur në vitin 1986, para se Ferguson të merrte nën drejtim Manchester United, dhe ai kishte dashur ta marrë me veti edhe aso kohe ndihmësin e tij, Walter Smith, tash trajner te Rangers.
“Më ishte ofruar puna e Arsenalit dhe doja ta marr me veti edhe Walter. Mendova ta merrja kur ishim të dy në Skoci së bashku në detyrë. Ne do të shkonim të luanim në Izrael dhe nuk e dija se Walter do të shkonte te Rangers në atë kohë”.
“I thash se më ishte ofruar shansi të shkoj te Arsenali dhe i kërkova atij mendimin. Ai ishte pozitiv për këtë, duke thënë se ata ishin një klub i madh dhe këso gjëra. Andaj i thash atij, ‘A do të vije me mua?’ Pastaj ai lëshoi një bombë të papritur se do të shkonte te Rangers”.
“Rasti te Arsenali ishte se ata dëshironin përgjigje menjëherë, por nuk mund t’ua jepja atyre, pasi do të shkoja në Kupën e Botës në Meksikë me Skocinë. Andaj kjo dështoi. Walter shkoi te Ranger dhe pastaj, më vonë gjatë atij viti unë shkova te Manchester United”, ka zbuluar Ferguson.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i ngazëllyer pas tregolëshit në fitoren e mbrëmshme ndaj Getafes.
Ish-mesfushori i Manchester United tash ka çuar në 36 numrin e golave në La Liga, pesë para yllit të Barcelonës, Lionel Messi. Ronaldo po ashtu ka 49 gola gjithsej në të gjitha garat.
“Është e vërtetë se po luftojë për të qenë golashënuesi i parë por kjo nuk është një obsesion [për të thyer rekordin e Hugo Sanchez]. Është e vërtetë se bashkëlojtarët e mi më kanë kërkuar mua në disa raste me qëllim që të shënoja më shumë, por përpjekjet kolektive gjithmonë janë më të rëndësishme se arritjet individuale”, ka thënë Ronaldo.