Kapiteni i Chelseat, John Terry, ka kërkuar nga pronari i klubit, Roman Abramovich, ta mbajë Carlo Ancelottin në ekip.Blutë nuk arritën të fitojnë asnjë trofe këtë sezon që nxiti spekulimet se italiani mund të largohet nga Stamford Bridge. Derisa Ancelotti pohon se dëshiron të mbetet në klub, tash edhe kapiteni i ekipit thotë se dëshiron që ish-trajneri i Milanit të vazhdojë punën e tij.
“Ai ka mbështetjen time të plotë. Më pëlqen Carlo. Ai fitoi dy tituj në vitin e parë dhe këtë sezon lëndimet dhe lirimi i lojtarëve ka qenë i vështirë për të”, ka thënë Terry.
Bayern Munich raportohet se ka arritur marrëveshje për të sjellë në Allianz Arena portierin e Schalkes, Manuel Neuer, shkruan Bild.Gjiganti bavarez do të paguajë fillimisht 18 milionë euro për 25-vjeçarin me edhe 7 milionë euro të tjera shtesë, 3 milionë të garantuara dhe 4 milionë në varësi të paraqitjeve të lojtarit.
Schalke ka pranuar ofertën e Bayernit pas tre orësh negociata mes të dyja klubeve, derisa Neuer raportohet se do të nënshkruajë marrëveshje katërvjeçare me klubin e ri.
Largimi i Neuer ka nxitur edhe spekulime të tjera se kush do ta zëvendësojë portierin, me atë të Ajaxit, Maarten Stekelenburg, që duket si një kandidat më i fuqishëm.
Lazio raportohet se po bën gati një ofertë në vlerën e 9 milionë funteve për sulmuesin e Arsenalit, Marouane Chamakh.Burime nga Italia thonë se Lazio e ka shndërruar Chamakh, i cili nuk ka shënuar në Ligën Premier që nga nëntori, në cak kryesor të afatit kalimtar veror.
Klubi francez Marseille dhe një klub tjetër i paemëruar anglez po ashtu janë të interesuar për të transferuar sulmuesin, por presidenti i Lazios, Claudio Lotito, tashmë është i gatshëm të bëjë ofertë në vlerën e rreth 9 milionë funteve në fund të sezonit.
Chamakh mohoi një lëvizje drejt Marseille javën e kaluar.
















