Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, e ka krahasuar rivalin në finalen e Ligës së Kampionëve, Manchester Unitedin, me rivalin e përgjakshëm spanjoll Real Madrid.“Manchester Unitedi është jashtëzakonisht i fortë, i ngjashëm sikurse Real Madridi”.
“Është një skuadër mjaft punëtore dhe është vështirë për t’i ndëshkuar”, ka thënë Pep.
Ai njëherit ka shprehur shqetësim për aftësitë sulmuese të Antonio Valencias, Nanit dhe Javier Hernandezit, të cilët Alex Ferguson i shfrytëzon si armë kryesore këtë sezon.
Mesfushori i Napolit, Marek Hamsik, është duke u përcjellë nga drejtuesit e Milanit për një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar veror.Sllovaku ka kaluar edhe një tjetër sezon të shkëlqyer me napolitanët, të cilët siguruan kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke joshur kështu interesimin e shumë skuadrave të mëdha.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Napoli nuk do të lejojë largimin e 23-vjeçarit për më pak se 30 milionë euro, ndërsa Massimiliano Allegri dhe Adriano Galliani do të takohen këtë javë për të diskutuar mundësinë e transferimit.
Mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets, do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit, pasi që ai ka dalë i pastër nga akuza për racizëm ndaj mbrojtësit të Real Madridit, Marcelo.Los Blancos publikuan një video nga gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve duke thënë se Busquets e kishte quajtur Marcelon “majmun” dhe e kishte mbuluar gojën që të mos shihej nga kamerat.
UEFA filloi një hetim mbi këtë rast duke ftuar edhe Marcelon të dëshmojë, mirëpo akuza është hedhur poshtë, ashtu që mesfushori spanjoll nuk do të dënohet.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ai nuk ka ide për të ardhmen e tij.Chelsea u ndalua me një barazim 2-2 nga Newcastle United gjatë takimit të djeshëm, që nxiti edhe më shumë spekulimet për një largim të Ancelottit.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë. Ne ende duhet të presim edhe një javë. Një javë është një periudhë e gjatë“.
“Ju po më pyesni një pyetje të cilës nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Ju duhet t’ia propozoni këtë pyetje klubit, jo mua. Unë nuk mund të jap përgjigje”, ka thënë italiani.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar shpirtin luftarak të lojtarëve të tij pas fitimit të titullit këtë sezon.Djajtë e Kuq gjatë vikendit u shpallën kampion i Anglisë për të 19-tën herë në histori, që është një numër rekord. Tash ata do të përballen me Barcelonën në finalen e Ligës së Kampionëve dhe mund të kenë një avantazh duke qenë se luajnë në stadiumin Wembley të Londrës.
“Ata nuk dorëzohen dhe kjo është kualiteti më i madh i tyre. E di se ne do të luajmë ndaj një ekipi të tmerrshëm, si Barcelona, por a do të ishit kundër nesh? Nuk mendoj se do të ishit. Ne jemi në gjendje t’ia dalim mirë në finale”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, raportohet se synon të sjellë ish-lojtarin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, në Santiago Bern abeu.El Mundo Deportivo shkruan se trajneri portugez është duke nxitur negociatat me suedezin dhe dëshiron ta sjellë lojtarin e Milanit sërish në Spanjë gjatë verës.
Mourinho është i bindur se Ibra është sulmuesi i qendrës i cili mund të nxjerrë më të mirën nga sistemi i tij i lojës – siç bëri Didier Drogba te Chelsea.
Bllokimi më i madh në këtë drejtim është Kaka, pasi Mourinho dëshiron ta shkëmbejë brazilianin me Ibran. Megjithatë, mesfushori ka edhe oferta tjera dhe kampi i tij më shumë do të preferonte një lëvizje në Angli nëse ai do të duhej të largohej nga Madridi.
Chelsea dhe Manchester City raportohet se janë në mesin e klubeve të interesuara për ish-lojtarin më të mirë në botë.
Giorgio Chiellini ka pranuar dështimin për t’u kualifikuar për Evropë për sezonin e ardhshëm dhe beson se të gjithë janë për t’u fajësuar për edhe një sezon zhgënjyes.Ekipi i trajnerit Luigi Del Neri filloi me shumë optimizëm sezonin 2010-11 dhe deri në Biankonerët ishin në garë për top katërsh në Serie A. Por gjiganti italian dështoi totalisht në janar dhe me edhe vetëm një ndeshje të mbetur në ligë, është tre pikë larg vendit që dërgon në Evropa League.
“Nuk ka pse të mashtrojmë veten. Është një zhgënjim i madh, veçanërisht pasi Roma pësoi disfatë. Ishte edhe një dritare e mundësive të cilën e lejuam të na ikë. Evropa League do ta kishte shpëtuar sezonin tonë”.
“Ne kurrë nuk kemi qenë një ekip. Në mes të nëntorit dhe dhjetorit ne gjetëm një ekuilibër, por pastaj diçka u thye në disfatën tonë nga Parma dhe ishim të paaftë për ta rregulluar”, ka thënë Chiellini.
Juventusi do ta mbyllë sezonin me ndeshjen e 22 majit kundër Napolit në Torino.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, është i ngazëllyer që ka fituar çmimin shënuesit më të mirë në Bundesliga dhe synon të vazhdojë me shënime edhe sezonin e ardhshëm.25-vjeçari shënoi në fitoren 2-1 të vikendit ndaj Stuttgart dhe e përfundoi sezonin 2010-11 me 28 gola në ligë dhe 39 në të gjitha garat. Ai bëhet i pari gjerman në 30 vite që shënon 28 gola në ligë në një sezon dhe tash synon të thyejë rekordin prej 29 golash në ligë të Karl-Heinz Rummenigge e që daton nga sezoni 1980-81.
“Nuk do të ndaloj këtu tash pasi e kam fituar këtë çmim. Do të përpiqem dhe do të shënoj së paku kaq gola edhe sezonin e ardhshëm, ose ndoshta më shumë. Kush e di? E kam gdhendur vendim tim në këtë klub tash. Për shumë vite kam ëndërruar një rol të rëndësishëm në klubin më të mirë të Gjermanisë, dhe e kam fituar këtë”.
“Do të bëj gjithçka që mundem për ta ruajtur edhe në të ardhmen. Ta fitoj këtë ishte ëndërr e fëmijërisë. Jam krenar që jam rreshtuar në mes aq shumë emrash të famshëm”, ka thënë Gomez.
Kapiteni i Bayern Munich, Philipp Lahm, është i bindur se ekipi i tij do të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.Gjiganti gjerman përfundoi i treti në Bundesliga pavarësisht fitores 2-1 ndaj Stuttgart në ndeshjen e fundit të sezonit gjatë të shtunës. Dhe për të siguruar vendin në fazën e grupeve, Bayerni mund të përballet me ekipe tjera gjigante si Manchester City ose edhe Arsenali në rundin kualifikues.
Megjithatë Lahm është i bindur se ekipi i tij do të luajë në garën më të mirë evropiane në sezonin e ardhshëm.
“Mund të jetë shumë vështirë, por ne jemi Bayern dhe çdokush që do të përballet me ne do ta dijë se ka rivalin më të vështirë”, ka thënë Lahm.
















