Mbrojtësi brazilian Thiago Silva e ka vazhduar kontratën me Milanin deri në vitin 2016, derisa mesfushori Mark Van Bommel dhe portieri Flavio Roma kanë nënshkruar kontrata njëvjeçare.
Konfirmimin për vazhdimin e kontratave e kanë bërë drejtuesit e klubit përmes një komunikate për media.
Vazhdimi i kontratës së Silvas vjen falë formës së tij të jashtëzakonshme, ndërsa kontratat e deritanishme të Van Bommelit dhe Flavio Romas skadonin në fund të qershorit.
Përkundër këtyre rinovimeve, Milani ka një listë të gjatë lojtarësh të cilëve do të duhet t’ua vazhdojë kontratën ose të lejojë largimin e tyre. Të tillë janë: Massimo Ambrosini, Filippo Inzaghi, Alessandro Nesta, Andrea Pirlo dhe Clarence Seedorf.
Superylli i Real Madridit, Kaka, ka deklaruar se ai dëshiron të qëndrojë te Los Blancos dhe se nuk është duke menduar që të largohet drejt Anglisë ose Italisë.
Braziliani iu bashkua Realit në vitin 2009 për 59.8 milionë funte, mirëpo deri më tani ka dështuar ta tregojë formën e tij, ashtu që është spekuluar se mund të largohet në fund të sezonit, me Chelsean dhe Milanin të interesuar për të.
“Dua të qëndroj te Real Madridi dhe dua të luaj për Real Madridin... Nuk po mendoj tash për të luajtur në Ligën Premier ose të kthehem në Itali”.
“Dua të kthehem në formë të mirë dhe të luaj për Real Madridin sezonin e ardhshëm”, u ka thënë Kaka gazetarëve.
Agjenti i argjentinasit Sergio Aguero, të martën është takuar me presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli dhe me drejtorin sportiv, Guiseppe Marotta- njofton agjencia e lajmeve Ansa.
Aguero ia ka bërë të qartë Atletico Madridit se ai dëshiron të transferohet te një klub më i madh, ndërsa Bianconerët janë në kërkim të një sulmuesi me emër pas sezonit katastrofal.
Takimi mes Jose Seguit dhe drejtuesve të Juves është konsideruar si konfirmim i interesimit të Zonjës së Vjetër për argjentinasin, megjithatë nuk duhet harruar se Segui është po ashtu agjent i Momo Sissokos.
Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, ka heshtur spekulimet se Rossonerët janë në kërkim të mesfushorit të Palermos, Javier Pastore.
“Fillimisht do të mendojmë për rinovimet e kontratave dhe pastaj për transferimet”.
“Nuk e di se nga ka dalë spekulimi në lidhje me një interesim të Milanit për Pastoren”.
“Siç thash, në radhë të parë duhet të mendojmë për rinovimet”, ka përfunduar Galliani.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka folur mbi rekordin e shkëlqyer golashënues të Cristiano Ronaldos duke thënë se portugezi e meriton Këpucën e Artë.
“Cristiano ka realizuar afër 40 gola (38 gola në emër të tij dhe një i është shkruar Pepes) dhe ka thyer një rekord te Real Madridi, prandaj ne jemi shumë të lumtur për të”.
“Ai e meriton Këpucën e Artë dhe ne shpresojmë që ai ta fitojë”, ka thënë argjentinasi.
Sulmuesi francez David Trezeguet do të ishte njeriu i duhur për Napolin, sidomos për të pasur sukses në Ligën e Kampionëve- ka thënë agjenti i tij, Antonio Caliendo.
Pas rënies së Herculesit në Secunda Division, pritet që 33-vjeçari të largohet, ndërsa krahas spekulimeve për rikthimin e tij në Serie A, thuhet se ai mund të transferohet te Napoli.
“Interesimi i Napolit për të nuk është asgjë e re. Shumëçka është thënë së fundmi. Por para se të ndodhë diçka, Napoli duhet të perëndohet te kërkesat e trajnerit dhe të flasë me Walter Mazzarrin”, ka thënë Caliendo.
Real Madridi raportohet se është duke përcjellë situatën e mbrojtësit të Arsenalit, Bacary Sagna.
Bayern Munich është lidhur me një transferim të francezit gjatë kësaj jave. Megjithatë burime të afërta me lotjarin kanë zbuluar se Reali është duke bërë hapa serioz për mbrojtësin e djathtë.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, shpreson të nënshkruajë me një mbrojtës të djathtë këtë verë ashtu që të mund ta zhvendosë Sergio Ramos më në qendër, dhe caku kryesor për këtë pozitë do të jetë pikërisht Sagna.
Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, synon ta mbyllë karrierën në Nou Camp.
Abidal është i bindur se do të nënshkruajë kontratë të re me kampionin e Spajës.
“Presidenti dhe gjithkush e di se kam edhe një vit të mbetur në kontratën time. Jam i qetë. Nuk e kam me nguti dhe shpresoj se do të nënshkruaj kontratë të re, nëse ata më dëshirojnë, sigurisht”, ka thënë Abidal.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, shpreson të përfundojë sezonin me një trofe të fituar – Kupën e Italisë.
Por Moratti ka frikë edhe nga etja e flaktë për trofe e rivalit të finales së Kupës, Palermos.
“Shpresoj se Interi do ta fitojë trofeun dhe shpresoj gjithçka të shkojë mirë. Megjithatë, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për ne pasi trofeu, në këtë moment, do të thotë shumë për Palermon”, ka thënë Moratti.
Dy ekipet do të përballen me njëri-tjetrin në Olimpico të Romës më 29 maj.
Milani raportohet se është i interesuar në mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri.
Kampioni i ri i Italisë synon të bëjë ndryshime të mëdha në mesfushë pas fundit të sezonit me disa veteranë që do të mbeten pa kontratë.
Nasri do të jetë po ashtu pa kontratë në verën e vitit 2012 dhe ende nuk e ka vazhduar marrëveshjen me klubin nga Emirates, duke nxitur spekulime për të ardhmen e tij.
Milani tash planifikon ta testojë rezistencën e Arsenalit me një ofertë për francezin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se ata do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit që po i bëjnë fqinjët e Manchester Cityt.
Klubi super i pasur, City, ka hedhur shikimin për të fituar trofeun e Ligës Premier sezonin e ardhshëm. Por bosi i United nuk është i përgatitur t’i lejojë ata të çojnë kokën lart.
“Ishte koha e Liverpoolit në vitet 1980-ta është koha jonë tash dhe ne gjithmonë presim ata të na sfidojnë neve. Ne po ashtu presim edhe City të na sfidojë. Gjëja më e shkëlqyeshme për ne është se ne i pranojmë sfidat, nuk është me rëndësi se prej nga vijnë ata”, ka thënë Ferguon.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, beson në vizionin që kanë pronarët dhe drejtori Damien Comolli dhe pret një verë të nxehtë në Anfield.
Thashethemet kanë qarkulluar se Reina ishte në mesin e lojtarëve të tjerë që ishin lodhur me jetën në klub dhe se mund të largohet në fund të sezonit. Por spanjolli thotë se beson se Liverpooli do të rikthehet në mesin e top klubeve angleze.
“Mendoj se pronarët janë duke përgatitur një verë të madhe dhe shpresoj se ne do t’ia qëllojmë me transferimet dhe ata lojtarë të cilët do të vijnë do të na ndihmojnë ta përmirësojmë ekipin. Kam biseduar edhe me Comollin, duke folur për të ardhmen, dhe besoj te ky klub dhe ky projekt”.
“Në dhjetor dhe janar mendoj se shumica e njerëzve, jo vetëm lojtarët, dyshonin se ne ishim mjaft të mirë. Unë kurrë nuk jam ndjerë se duhet të largohem pasi kam dashur të besoj në projektin, por situata nuk ka qenë e bukur dhe atmosfera rrotull nuk ishte e mirë”.
“Fatmirësisht kjo më nuk është rast dhe ne përgatitemi të bëjmë një hap tjetër përpara dhe në këtë drejtim edhe duhet të shikojmë tash”, ka thënë Pepe Reina.
Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka kritikuar lojtarët për edhe një sezon tjetër zhgënjyes dhe po ashtu është i hapur për angazhimin e Antonio Conte si trajner në vend të Luigi Del Neri.
Gjiganti nga Torino pësoi disfatë 1-0 ndaj Parmës në Serie A gjatë të dielës dhe sipas gjasave do të dështojë të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Europa League.
Nedved, i cili ka luajtur për gjigantin italian nga viti 2001 deri në vitin 2009, dhe tash është drejtor dhe anëtar i bordit, është i shqetësuar me mungesën e përkushtimit nga një pjesë e lojtarëve dhe beson se ata janë më përgjegjës për krizën aktuale të klubit.
“Kush ka faj? Lojtarët, mbi të gjithë tjerët. Të rinjtë ende nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Juventusit. Më të vjetrit e kanë humbur njohurinë dhe kanë qenë të paaftë për të përcjellë shpirtin fitues te pjesa tjetër e grupit. Karakteri mungoi krejtësisht te Juve këtë vit. Ka qenë një sezon zhgënjyes”, ka thënë Nedved.
“Del Neri? Ai është trajneri. Mirë, të presim deri të dielën dhe do të shohim. Ne do të bëjmë një listë dhe do të shohim tregun. Antonio Conte është një trajner i mirë. Ai tashmë ka menduar si trajner kur ka luajtur. Ai ka pasur një mobilizim shtesë, dhe jam i bindur se ai do të ketë një karrierë të shkëlqyeshme në stol”, ka shtuar çeku.
Juventusi aktualisht qëndron në pozitën e shtatë të Serie A, tre pikë prapa Romës, që pushton pozitën e gjashtë.
Ndalimi i superyllit të Barcelonës, Lionel Messi, duhet të jetë detyra kryesore e ekipit të Manchester United, thotë Rio Ferdinand.
Kampionët e porsazgjedhur të Anglisë takohem me gjigantin spanjoll në finalen e Ligës së Kampionëve në Wembley më 28 maj dhe diskutimi më i madh është përqendruar te argjentinasi Messi, i cili vazhdon të jetë tmerr për çdo mbrojtje kundërshtare.
“Messi është një prej lojtarëve më të mirë në botë. Ai mund t’ju lëndojë kudo në fushë. Por nuk është detyrë e vetëm një ose dy personave të kujdesen për të, i gjithë ekipi duhet ta bëjë këtë. Ata do të mendojnë të njëjtën gjë për lojtarët që ne kemi. Ne kemi lojtarë të cilët mund t’ju lëndojmë nga çdo kënd i fushës”, ka thënë Ferdinand.
Legjenda holandeze Johan Cruyff beson se Ajaxi mund ta rikthejë pozitën e vet si një nga klubet më të mëdha në Evropë.
Pas fitores ndaj kampionit të vitit të kaluar, Twente, Ajaxi u shpall kampion i Holandës për herë të parë pas shtatë vitesh, ndërsa Cruyff, i cili është bërë i njohur me këtë klub, beson se skuadra nga Amsterdami mund të bëhet sërish fuqi e futbollit.
“Ky kampionat mund të jetë fillimi i një periudhe të suksesshme për Ajaxin”, ka thënë Cruyff për De Telegraaf.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo, i cili në takimin ndaj Villarrealit barazoi rekordin ‘Pichichi’ me 38 gola të shënuar në një sezon në La Liga.
“Ai është lojtar vendimtar dhe me ndikim. Shumë pak (futbollistë) janë të aftë të arrijnë numrat që ka arritur ai”.
“Vetëm tre lojtarë e kanë bërë atë (Telmo Zarra, Hugo Sanchez dhe Cristiano Ronaldo), gjë që flet për talentin që ai posedon”, ka thënë Casillas.