Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, ka rinovuar kontratën me kampionin e Italisë edhe për një sezon tjetër.“A.C Milan dëshiron të bëjë të ditur se Alessandro Nesta ka nënshkruar vazhdimin e kontratës deri më 30 qershor 2012”, shkruan në komunikatën e klubit nga San Siro.
Milani kështu ka edhe një arsye më shumë për të festuar, pasi pos fitimit të titullit të kampionit të Serie A, kuq e zinjtë ua kanë rinovuar kontratat edhe Thiago Silvas, Van Bommellit dhe portierit Flavio Roma.
Anësori në pronësi të Real Madridit, Royston Drenthe, mund të kalojë te Zonja e Vjetër gjatë afatit kalimtar veror- shkruan Tuttosport.Bardhezinjtë janë të interesuar për një anësor të majtë, ndërsa lojtari i Lyonit, Michel Bastos, është shënjestra primare.
Mirëpo, çmimi i lartë që kërkon skuadra franceze për shërbimet e tij, ka bërë që Juventusi të kthejë vëmendjen kah Drenthe, i cili këtë sezon ka qenë i huazuar te Herculesi.
Antonio Cassano mund të ndërrojë skuadër sërish në fund të këtij sezoni, ndërsa Fiorentina ka shprehur interesim për sulmuesin e Milanit.Viola është e interesuar që ta freskojë skuadrën gjatë verës, ashtu që, sipas La Repubblica, 28-vjeçari konsiderohet si njeriu i duhur për fazën e sulmit.
Cassano kaloi te Milani gjatë afatit kalimtar të janarit nga Sampdoria, megjithatë ai nuk e ka të sigurt vendin në sulmin e Rossonerëve.
Kjo mund të bëjë që ai të largohet nga San Siro edhe pse kontrata e tij është valide deri në vitin 2014.
Mbrojtësi i Romës, Philippe Mexes, është i ngazëllyer me transferimin e tij te Milani.Mexes dje doli haptas rreth marrëveshjes, pas disa javësh spekulime dhe negociata me Rossonerët.
“Kam kaluar disa vite të jashtëzakonshme në kryeqytet. Roma, për mua, është shtëpia e dytë. Por tash po shkoj në një prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme në botë”.
“Po i bashkohem Milani dhe jam i lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi në katër vitet e ardhshme. Jam krenar, veçanrësisht kur shoh në fanellën e re me Skudeton në të”, ka thënë Mexes.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, ka potencuar ndikimin e Park Ji-sung në suksesin e pjesës së dytë të sezonit.“Ji është i pabesueshëm. Vetëm kam qeshur kur e kam parë atë në ndeshjen kur ai vraponte, pasi ishte e pabesueshme. Duhet të jetë ushqimi korean. Jam përpjekur të bëj ngjashëm, ndonjëherë shkoj te shtëpia e tij dhe ha ca ushqim”.
“Por seriozisht mendoj se Ji është një shembull për çdo lojtar. Ai vrapon për secilin. Ndonjëherë nëse jam i lodhur e di se do të jetë ok pasi Ji do të vrapojë për mua. Mendoj se ai është një prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekip pasi ai nuk ndalon së vrapuar, ai mund të vrapojë gjithë ditën”, ka thënë Evra.
Sulmuesi gjerman Miroslav Klose është pranë largimit nga Bayern Munichu, ndërsa e ardhmja e tij mund të jetë te Valencia ose Milani.Rossonerët janë të interesuar për një sulmues jo të shtrenjtë për ta mbështetur Zlatan Ibrahimovicin, ndërsa, sipas Tuttosport, 32-vjeçari është njeriu i duhur për atë pozitë.
Nga ana tjetër, Kicker njofton se Valencia është e interesuar që ta forcojë sulmin gjatë verës, kurse veterani gjerman, të cilit i përfundon kontrata këtë verë, mund të jetë zgjidhja e duhur për skuadrën spanjolle.
Muajt e fundit, Klose lidhet me klubet, si Borussia Dortmund, Tottenham Hotspur dhe Lazio, ndërsa tani duket se Milani dhe Valencia janë favoritë për transferimin e tij.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se do të mendonte për rikthimin e Zlatan Ibrahimovicit nëse do t’i jepej kjo mundësi në një të ardhme të afërt.Boshnjaku me pasaportë suedeze në të gjitha klubet që ka luajtur në vitet e fundit (Juventus, Inter, Barcelona dhe Milan), e ka përfunduar sezonin me titullin e kampionit të Ligës, ndërsa këtë sezon triumfoi me rivalin e përjetshëm të Interit, Milan.
“Do ta ktheja Ibrahimovicin që sot, kjo është sigurt. Pavarësisht gjërave tjera, ai është një lojtar që të ndihmon ta fitosh kampionatin”, ka thënë Moratti për Class TV.
Legjenda braziliane Pele edhe njëherë e ka vënë në pikëpyetje madhështinë e superyllit argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi, duke thënë se ai duhet të arrijë edhe shumë për t’u krahasuar me legjendat e mëhershme.Fituesi i dyfishtë i Topit të Artë, Leo Messi, aktualisht konsiderohet si futbollisti më i mirë në botë, ndërsa janë të shumtë ata që mendojnë se 23-vjeçari mund të bëhet njëri nga më të mirët e të gjitha kohërave. Por kështu nuk mendon Pele.
“Njerëzve u pëlqen të bëjnë krahasime, por duket se ata i kanë harruar Cruyffin, Platinin dhe Di Stefanon, të cilët kanë qenë më të mirë se Messi”, ka thënë Pele për La Tercera.
Fituesi i trefishtë i Kupës së Botës ka folur edhe për finalen e Ligës së Kampionëve.
“Manchester Unitedi është një skuadër e fortë dhe është besnike ndaj stilit anglez të futbollit. Por nuk kam dyshim se si skuadër, Barcelona është më e mira në botë”, ka shtuar legjenda braziliane.
















