Edhe Manchester City ka hedhur poshtë spekulimet e mediumeve angleze se ata janë të gatshëm të shpenzojnë 170 milionë euro për asin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
“Spekulimet që lidhin klubin me Ronaldon janë dezinformata dhe nuk kemi të bëjmë asgjë me një lajm të tillë”.
“Përderisa nuk ka dyshim se Ronaldo është një prej lojtarëve më të mëdhenjë në botë, ai nuk është në listën e transferimeve të klubit”, kanë thënë zyrtarët e Cityt për Sky Sports.
Tulio Tinti, agjenti i Andrea Pirlos, e ka bërë të qartë se ish-mesfushori i Milanit është shumë pranë transferimit te gjiganti i Serie A, Juventus.
32 vjeçari konfirmoi më herët gjatë javës se ai do të largohet nga San Siro pas dhjetë viteve të suksesshme dhe tani duket se është në rrugë drejt Torinos.
“Kanë mbetur edhe disa detaje të cilat duhet të finalizohen para se ta arrijmë marrëveshjen. Sidoqoftë, Juventusi është kandidati kryesor për ta transferuar Pirlon”, ka thënë Tinti.
Sipas një prej gazetarëve më të respektuar sportivë në Itali, Alfredo Pedulla, Alexis Sanchez mund të konsiderohet transfer i ri i Interit, pasi ishte lojtari që refuzoi një mega ofertë të Manchester Cityt vetëm për të s’forcuar një kalim te kampioni i botës për klube.
“Nuk ka dyshim se Sanchez zgjodhi Interin dhe nëse do të ishte pyetur ai, tashmë do të ishte zyrtarizuar transferi. Fjalët e Zamoranos e kanë frymëzuar atë për të kaluar te Interi”.
“Problemi është se Interi nuk po arrin marrëveshje me Udinesen. Oferta prej 15 milionë euro dhe ndonjë lojtar nuk i pëlqeu fare klubit friulian, që dëshiron më shumë para në dorë, 20 deri 22 milionë euro. Manchester City ka ofruar më shumë, por lojtari e dëshiron vetëm Interin”, deklaroi Pedulla.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se ai kurrë nuk do të transferohet te Manchester City, pas spekulimeve se sheikët janë në gjendje që të paguajnë mbi 170 milionë euro për të.
“Manchester City? Unë kurrë nuk mund ta shoh si skuadër më të madhe se sa Manchester United. United e ka traditën dhe historinë që nuk mund t’i bëni me dy-tri vjet pa marrë parasysh sa para posedoni”.
“City thjesht nuk mund ta blejë atë që ka United. Nuk e di nëse ata janë përpjekur për të më transferuar mua, por unë kurrë nuk do të luaja në ndonjë klub tjetër anglez pos Manchester Unitedit”, u shpreh CR7.
Chelsea duhet të paguajë një shumë të madhe të hollash nëse e dëshiron në skuadër superstrategun e Portos, Andres Villas Boas si zëvëndësues të Carlo Ancelottit.
Telegraph shkruan se klauzola e Villas Boas peshon 15 milionë euro, e cila pjesërisht është dhe arsyeja kryesore pse trajneri më i ri në skenën e futbollit evropian do të qëndrojë te Porto.
Chelsea që prej kohësh e ka shqyrtuar një transferim të portugezit të jashtëzakonshëm në Stamford Bridge, por kjo është shumë e vështirë që të ndodhë.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ia ka bërë me dije Real Madridit se ai dëshiron ta transferojë Karim Benzeman gjatë kësaj vere.
Mirror shkruan se Ferguson pritet të lansojë një ofertë të jashtëzakonshme e cila do të mund të tejkalonte edhe shumën prej 60 milionë funtesh.
Skocezi ka urdhëruar që tentimet për Benzeman të bëhen në mënyrë sekrete dhe me Llorenten i cili pritet të luajë për Realin sezonin e ardhshëm, Benzema mezi pret të largohet nga Bernabeu.
Reali i Madridit raportohet se i ka thënë Manchester Cityt se ata mund ta blejnë Cristiano Ronaldon për 150 milionë funte.
Ideja për shitjen e lojtarit ka ardhur pasi ai është përplasur në stërvitje me menaxherin Jose Mourinho, dhe presidenti Florentino Perez preferon më shumë të mbajë trajnerin se lojtarin.
The Sun shkruan se Reali dëshiron ta shesë Ronaldon te Manchester City, kjo për faktin se klubi anglez është i vetmi që mund të blejë lojtarin.
Dhe pavarësisht mohimit që vjen nga Eastlands për një transferim të ish-lojtarit të United, burime spanjolle kanë thënë se Qytetarët janë duke biseduar me Realin për një marrëveshje të mundshme.
Një lëvizje e tillë mund të shkaktojë edhe më shumë zemërim në mesin e fansave të Manchester United, të cilët më herët e kishin humbur një lojtar tjetër, Carlos Tevez, i cili nënshkroi për rivalin lokal të Djajve të Kuq.
Përveç shumës së majme transferuese, Ronaldo thuhet se mund të përfitojë 300 mijë funte në javë dhe një marrëveshje pesëvjeçare që do t’i çonte në 228 mijë harxhimet e klubit anglez për të angazhuar portugezin.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, është emëruar Lojtari i Vitit në klub.
“Kam qenë këtu për shtatë vite dhe të luash me disa prej lojtarëve më të mirë në botë nuk e bën të lehtë për një portier të fitojë një çmim, por unë vërtet jam shumë i kënaqur. Vërtet e respektoj këtë pasi duke luajtur në një klub të shkëlqyeshëm me lojtarë të shkëlqyeshëm, të fitosh ‘lojtarin e vitit’ është një arritje e madhe”.
“Ka lojtarë këtu të cilët i kam gjetur kur i jam bashkuar klubit dhe ata ende janë, ne kemi kaluar vite të mira, vite të këqija, vite mesatare, por ata më bëjnë të ndjehem si në shtëpi dhe kjo është arsyeja se pse shoh vetëm drejt të ardhmes me ta. Gjithmonë mundoheni të fitoni gjithçka, por veçanërisht Ligën e Kampionëve tash, kjo është i vetmi trofe që na mungon”, ka thënë Cech.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të mundohet gjatë këtij vikendi të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Spanjë.
Ronaldo do të tentojë të thyejë rekordin e të gjitha kohërave për numrin e golave të shënuar në elitën e futbollit spanjoll brenda një sezoni.
Anësori i Real Madridit ka shënuar nëntë herë në tre ndeshjet e fundit për të barazuar rekordin prej 38 golash që mbahet nga Telmo Zarra dhe Hugo Sanchez.
Dhe ish-lojtari i Manchester United do të ketë shans të shtojë këtë numër të golave në ndeshjen e vikendit ndaj Almerias, në Santiago Bernabeu, për qëndruar i vetëm në maje të listës.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, thotë se Sergio Aguero nuk dëshiron të transferohet te Real Madridi.
Sulmuesi argjentinas është duke u lidhur me një largim nga Atletico këtë verë, ndërsa një prej destinacioneve të mundshme përmendet edhe rivali lokal, Real Madridi.
“Situata është siç e kemi thënë edhe shumë kohë më parë. Aguero është një lojtar i Atletico Madrid dhe nuk kemi pasur ndonjë ofertë”.
“Ka shumë fjalë por unë nuk kam marrë oferta. Gjithmonë kam thënë se lojtarët mund të luajnë ku të duan, por unë nuk besoj se Kun dëshiron të luajë në Real Madrid”, ka thënë Cerezo.
Alexandre Pato dëshiron të bëhet një prej ikonave më të mëdha të Milanit.
Sulmuesi brazilian sapo ka fituar titullin e tij të parë me Rossonerët dhe menjëherë ka shpalosur synimet e tij më të mëdha.
“Nuk shikoj në të si Zlatan Ibrahimovic. Dua të qëndroj këtu dhe të bëhem flamurtar i këtij klubi, si Paolo Maldini. Megjithatë, për t’u bërë simbol i ekipit duhet të fitoni shumë”, ka thënë Pato.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i paepur të përfundojë në pozitën e tretë të tabelës së Ligës Premier.
Sezoni i Topçinjve ka marrë teposhtën tashmë disa muaj dhe ata kanë fituar vetëm dy nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Arsenali ka humbur edhe pozitën e tretë, ku tash ndodhet Manchester City me një pikë më shumë kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u zhvilluar.
“Ka një dallim të madh në mes pozitës së tretë dhe të katrës. E katërta luan në kualifikime për Ligën e Kampionëve – ky nuk është futbolli i Ligës së Kampionëve”.
“Të tretit i garantohet kjo. Ne do të përpiqemi të fitojmë kundër Fulhamit. Një barazim mund të jetë i mjaftueshëm nëse City humbet. Nuk dua të pendohem dhe vetëm dua ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Wenger.
Raul Meireles është duke kërkuar kontratë të re nga Liverpooli.
Daily Mail shkruan se Meireles shpreson që pronarët e Liverpoolit do ta shpërblejë këtë sezon të parë të shkëlqyeshëm të tij me një kontratë të re të përmirësuar.
Portugezi iu bashkua Liverpoolit verën e kaluar nga Porto dhe nënshkroi kontratë katërvjeçare, por nuk ka fituar kushte shumë të mira.
Mesfushori kaloi një sezon të jashtëzakonshëm për Redsat, dhe dëshiron të fitojë një kontratë më të mirë.
Sir Alex Ferguson e ka dëshmuar të kundërtën e asaj që pohonte gjithë bota, pasi vërtetoi se nuk është jashtëtokësor duke thënë se e ka shumë të vështirë të zgjedhë formacionin ideal për finalen e madhe ndaj Barcelonës.
“Ne kemi bërthamën e një ekipi. Janë edhe të tjerë që meritojnë vendin. Por, ne mund të zgjedhim vetëm 11. Kjo është pjesa tragjike e të qenurit menaxher. Është absolutisht agoni. Është diçka që nuk më pëlqen. Më duhet të zgjedh ekipin dhe të lë në pankinë lojtarë shumë të mirë”.
“Shpresoj se të tjerët që nuk do të luajnë do të kënaqen në fund të një mbrëmjeje të mrekullueshme të futbollit evropian”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi brazilian, Neymar, e ka ftuar Chelsean që të bëjë një ofertë të re për të, pasi tani do të pranonte një kalim në Londër.
“Unë isha shumë i lumtur për interesimin e Chelseat sepse është klub për të cilin dëshiron të luajë çdo lojtar, por për momentin vendimi i mbetet Santosit. Të luaj në Evropë është ëndrra ime. Unë isha krenar me interesimin e Chelseat dhe shpresoj se do të luaj mirë që oferta të bëhet përsëri”.
“Unë e di se është ëndërr për lojtarët që të lujanë për ekipe si Chelsea dhe Manchester United”, deklaroi sulmuesi i cili refuzoi verën e kaluar kalimin te Chelsea.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka folur për transferimet që mund t’i bëjnë Rossonerët gjatë këtij sezoni.
“Ne po kërkojmë një mesfushor të krahut të majtë dhe nëse askush nuk largohet, ne sulm jemi të kompletuar. Në mbrojtje jemi të kompletuar me Mexes dhe Taiwo”.
“Pastore, Hamsik dhe Ganso? Askush nuk ju falë asgjë, kështu që këta janë liderët e klubeve të tyre”, pohoi Galliani.
Kaka ka ri-konfirmuar qëndrimin e tij për të luajtur edhe në vitet në vijim për Real Madridin.
“Është e vërtetë se unë ua kam dërguar mesazhe drejtorëve të Milanit, por po ashtu edhe shumë lojtarëve të tjerë për t’i përgëzuar për triumfin në Serie A”.
“Unë ende kam shumë miq te Milani, ashtu sikurse te Sao Paolo, por dua të qëndroj te Reali – kjo është dëshira ime”, ka thënë Kaka.
Nani dhe Javier Hernandez kanë fituar respektivisht çmimin e futbollistit më të mirë të sezonit të Manchester Unitedit, gjithnjë sipas një sondazhi ku votuan tifozët dhe lojtarët e klubit nga Old Trafford.
Nani ishte më i qëndrueshëm gjatë këtij sezoni dhe ishte pivotal në sukseset e Djajve këtë sezon, përderisa Chicharito befasoi të gjithë me ftohtësinë para portave kundërshtare. Nani ka realizuar 10 gola plus 18 asistime këtë sezon, përderisa Chicharito gjeti 13 herë portat kundërshtare.
Nuk munguan as urimet e bashkëlojtarëve, ndërsa këtë e bëri edhe kapiteni Rio Ferdinand me anë të Twitterit.
“Unë votova për Nanin, 18 asistime dhe 10 gola flasin vet. Urime Nani për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit zgjedhur nga lojtarët”, theksoi Rio.
Legjenda e gjallë e Manchester United, Ryan Gigs, ka thënë se ai po planifikon që katër vjet për t’u pensionuar nga futbolli, por dashuria për klubin nuk po e lejon të largohet aq lehtë nga fusha e blertë.
“Unë kam menduar për këtë tri vitet e fundit, për shkak se kurrë nuk e dini se edhe sa do të përballojë trupi”.
“Unë po përgatitem për këtë që katër vjet. Nëse ndjej se nuk po influencoj ndeshjet, nuk po shënoj gola, atëherë menjëherë do të largohem nga futbolli”, ka deklaruar Giggs për BBC.
Kampioni i ri i Italisë, Milani pritet që të hyjë seriozisht në luftë për mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
Sipas La Nazione, Milani ka urdhëruar Mino Raiolan që të përkujdeset maksimalisht që asi katalanas të mos kalojë te Interi, por të nënshkruajë për kampionët.
Massimo Moratti i Interit nuk do të lëshojë pe, pasi që mesfusha Nerazzure duket e ‘ndryshkur’ dhe kështu paraqitet nevoja për rifreskimin e saj.
Nga ana tjetër, nuk besohet se Cesc personalisht do ta favorizonte një kalim te një prej gjigantëve italianë, pasi që edhe personalisht e ka potencuar se dëshiron të kthehet në vendlindje.