Emmanuel Adebayor dhe Cristiano Ronaldo Vet titulli flet! Real Madridi e ka shkatrruar Almerian me rezultat të thellë 8-1 në javën e fundit të Kampionatit spanjoll.
Porsa filloi takimi (4’), pas një kombinimi të Kaka dhe Sergio Ramos, Cristiano Ronaldo e shënoi golin 39-të këtë sezon në La Liga duke thyer kështu rekordin që e arriti një javë më parë.
Emmanuel Adebayor dyfishoi epërsinë pas një asistimi të Mesut Oezil (31’), ndërsa Kalu Uche shënoi golin e nderit për mysafirët (33’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të gjysmës së parë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (48’), Karim Benzema shënoi golin e tretë të Mbretërve, ndërsa Emmanuel Adebayor ishte realizues i golit të katërt (52’). Në të dyja rastet asistoi Ronaldo.
Portugezi bëri asistimin e tretë në këtë takim për golin e dytë të Benzemas në këtë ndeshje (63’), ndërsa dhjetë minuta më pas, Adebayor kompletoi het-trikun e tij (73’).
Cristiano Ronaldo shënoi edhe golin e 40-të në La Liga këtë sezon (76’), ndërsa Joselu vendosi rezultatin përfundimtar (87’).
Real Madridi këtë sezon duhet të kënaqet vetëm me titullin e Kupës së Mbretit, përderisa titulli i kampionit të Spanjës i takon Barcelonës, e cila po ashtu i eliminoi Los Blancos edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Lojtari kryesor i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thyer rekordin për më së shumti gola të shënuara gjatë një sezoni në La Liga.


Me dy golat e shënuar në ndeshjen që zhvilloi Real Madridi me Almerian të cilën e fitoi me rezultat 8-1, Cristiano Ronaldo, edhe zyrtarisht e ka thyer rekordin me 40 gola të shënuar, e që më parë e mbanin Telmo Zarra dhe Hugo Sanchez me nga 38 gola.


Me këto dy gola, Ronaldo ka tejkaluar edhe Lionel Messi për gola të shënuar në të gjitha garat. Tani Ronaldo ka 53 gola, një më shumë se Messi.
Trajneri fitues i Serie A, Massimiliano Allegri, është i bindur që skuadra e tij do të shfaqë paraqitje të mirë ndaj Udineses të dielën.
“Kjo do të jetë një ndeshje e madhe. Ne nuk kemi asgjë për të humbur por do të luajmë një ndeshje të mirë teknike dhe Milani do ta kërkojë rezultatin. Ne nuk mund të lëmë përshtypje të keqe”.
“Ata kanë lojtarë si Di Natale që kanë shënuar shumë gola. Më pas është Sanchez, Inler, Zapata, të gjithë lojtarë të mirë. Ata janë shumë pranë arritjes së një synimi të rëndësishëm dhe ne nuk mund të bëjmë turizëm në Udine”, ka thënë Allegri.
Manchester United është i bindur se do ta transferojë portierin David De Gea brenda dy javëve të ardhshme.
Sir Alex Ferguson po kërkon një portier si zëvendësues të Van der Sar i cili do të pensionohet dhe De Gea së fundmi është parë si opsioni të cilin skocezi e dëshiron në Old Trafford. Megjithatë janë paraqitur probleme me vet portierin, i cili nuk dëshiron të largohet nga Atletico Madridi.
“Ne e dimë se portieri të cilin e duam për ta marrë jemi në një pozitë të mirë dhe jam i sigurt se mund ta finalizojmë marrëveshjen”, ka thënë shefi ekzekutiv i United, David Gill.
Shuma e transferimit të De Geas pritet të jetë rreth 20 milionë funte, ndërsa portieri spanjoll konsiderohet një prej portierëve më të talentuar në botën e futbollit.
Talenti i ri i skuadrës Velez Sarsfield, Ricky Alvarez, është shumë pranë kalimit te Arsenali, pasi besohet se i riu është pajtuar për të kaluar në Ligën Premier në fund të sezonit.
FoxSports njofton se mesfushori 23 vjeçar ka nënshkruar një parakontratë me Arsenalin dhe do të kalojë në Londër kur t’i skadojë kontrata në fund të Clausuras.
Argjentinasi është i njohur për shumanshmërinë e tij dhe për atë se mund të luajë në çdo pozitë në mesfushë dhe po ashtu sikur sulmues i dytë. Ai ka shpejtësi të jashtëzakonshme dhe është tejet i depërtueshëm nëpër zonat kundërshtare. Alvarez posedon edhe goditje shumë të fuqishme dhe precize që rezultoi në shënimin e disa golave të bukur gjatë sezonit.
Barcelona e ka përfunduar sezonin në mënyrën më të mirë, me një fitore prej 3-1 në transfertë te skuadra e cila tashmë e kishte siguruar mbijetesën në La Liga, Malaga.
Ndeshja nuk kishte kurrfarë rëndësi as për njërën e as për skuadrën tjetër pos prestigjit dhe prandaj nuk kishte edhe shumë raste.
Golin e parë ta takimit e realizoi Sebastian Fernandez (31’) për 1-0. Megjithatë, Barcelona e riktheu baraspeshën në rezultat me golin nga pika e bardhë të realizuar nga Bojan Krkic (44’).
Në pjesën e dytë vetëm sa u finalizua fitorja me anë të Ibrahim Afellay (76’) dhe talentit të ri Marc Bartra (85’).
Barcelona është shpallur kampione e Spanjës dy javë më parë, ndërsa në fund të sezonit ka grumbulluar plot 96 pikë.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, beson se rinovimi i Wayne Rooneyt ishte shtytja kryesore për ekipin drejt sukseseve të mëdha këtë sezon.
“Qëndrimi i Rooneyt ishte një pjesë e madhe e asaj që kemi arritur këtë sezon. Ekzistoi një sens i çlirimit te lojtarët, tifozët dhe të gjithë. Rooney është një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe ta kemi atë në ekip është bonus”.
“Unë kam biseduar me të para largimit. E kam bërë me një kapelë të Manchester United dhe ia kam sqaruar arsyet pse duhet të qëndrojë. Nëse do të ishte larguar, atëherë hapësira do të ishte shumë e madhe. Nuk them se do të ishte i pa zëvendësueshëm, pasi menaxheri gjithmonë gjen opsione, por Rooney është lojtar i madh”, ka thënë Rio.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri ka konfirmuar se ndeshja e të dielës ndaj Napolit do të jetë e fundit për të si trajner i Zonjës së Vjetër.
“Sezonin e ardhshëm, Juventusi do të ketë trajner të ri, klubi ma kumtoi të mërkurën vendimin”.
“Unë e pranoj këtë zgjidhje, e ripërsëris, do të doja të kem qëndruar. Juventusi nuk ka kohë për të pritur për ndryshime ose për ngritje graduale. Sa për mua, kur një derë mbyllet, shpresoj që një tjetër e madhe të hapet”, theksoi Del Neri.
Spekulimet për trajnerin e ri të Juventusit kanë filluar që moti, me ish-kapitenin Antonio Conten si favorit për të marrë nën drejtim Zonjën e Vjetër.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani ka këmbëngulur se ai nuk do të jetë aq i angazhuar gjatë verës në sjelljen e lojtarëve të rinj, duke hedhur poshtë një rikthim sensacional të Kakas, por duke pranuar se po bën përpjekje për të siguruar firmën e Gansos.
“Kaka nuk dëshiron të rikthehet sepse Milani nuk mund ta transferojë dhe Reali nuk dëshiron ta lë si huazim, pasi pagoi taksa të mëdha. Unë e dua atë, por është e pamundur ta transferojmë”.
“Për shembull, ne mund ta marrim Ganson. Ne kemi nevojë për një lojtar të shpejtë, pasi numri 10 klasik nuk po punon sa duhet”, u shpreh Galliani.
Carlos Tevez është i gatshëm që ta veshë fanellën e Interit dhe të largohet nga Manchester City, me marrëveshjen e cila tashmë është arritur mes lojtarit dhe klubit zi-kaltër.
Sipas Italiah24, burimet e të cilës janë pranë Massimo Morattit, thonë se Tevez do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare me Nerazzurët me përfitime prej 7 milionë euro në sezon.
Marrëveshja do të zyrtarizohet së shpejti dhe shuma e transferimit besohet të jetë 30 milionë euro duke përfshirë këtu edhe bonuset në një klauzolë në kontratën e Mario Balotellit.
Ishte thënë se edhe Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona janë përfshirë në luftë për firmën e Tevez, mirëpo Moratti ka vepruar nën hije ditëve të fundit dhe është shumë pranë finalizimit të goditjes së parë të madhe për verën e ardhshme.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se çmimi i golashënuesit më të mirë në La Liga këtë sezon u takon të gjithë bashkëlojtarëve të tij, pasi ata e kanë ndihmuar ta fitojë Pichichin.
“Unë jam i nderuar të kem arritur legjenda sikur Hugo Sanchez dhe Zarra. Unë jam i ngazëllyer të jem një prej tyre. Çmimet individuale janë të rëndësishme, por jo sa të arriturat kolektive. Unë jam i kënaqur për shkak se nuk është e lehtë të shënosh 38 gola në një sezon, por unë ia dola ta bëj këtë falë bashkëlojtarëve të mi”.
“Nuk do të isha në gjendje ta fitoj trofeun Pichichi apo Këpucën e Artë pa ndonjë prej tyre. Unë u jam atyre vërtet shumë mirënjohës. Gjithë ajo që mund të bëj është të premtoj se do të bëj më të mirën për këtë fanellë”, ka thënë Ronaldo.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se rivali i tij i përbetuar, Sir Alex Ferguson meriton të jetë menaxheri më i mirë i vitit pas titullit të fituar me Manchester Unitedin.
“Manchester United është në finale të Ligës së Kampionëve dhe ka fituar titullin. Vetëm Ferguson qëndron prapa kësaj. Nga ajo që kam parë në tri javët e fundit, nuk ekziston moment më i mirë për ta mposhtur Barcelonën. Ata duken në formë si fizike ashtu dhe teknike. Unë mendoj se Manchester United ka gjasa të mira”.
“Wembley do të jetë avantazh. Ne e dimë se Barcelona do ta ketë 70% të kohës topin në këmbë dhe United duhet të tentojë që të jetë efektiv për atë kohë sa do ta ketë topin në pronësi. Kam një ndjesi instinktive që United do ta ndryshojë komplet stilin. Mendoj se ata do të luajnë me një mesfushë më të ashpër, më të drejtpërdrejtë se sa në Romë. Kjo do të thotë se Hernandez mund të luajë duke qarkulluar në terren për të pritur momentin dhe për t’u nisur në vrap”, ka thënë Wenger.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka thënë se ekziston dallim shumë i vogël mes bashkëlojtarit të tij Cristiano Ronaldo dhe jashtëtokësorit të Barcelonës, Lionel Messit.
Ronaldo shënoi 38 gola këtë sezon, duke barazuar rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e La Ligas gjatë një sezoni, por edhe Messi ka shënuar shumë gola këtë sezon dhe aktualisht gjendet në pole pozicion për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit evropian gjatë një sezoni.
“Mendoj se të dy janë të të njëjtit nivel. Që të dy kanë mënyrat e tyre të lojës. Ata janë mbi të tjerët. Është e vështirë për ta që të mbajnë njëri-tjetrin në një nivel të njëjtë. Nuk është se duhet t’i krahasojmë, pasi ata kanë stilet e tyre të veçanta”.
“Cristiano është lideri i këtij ekipi. Me 38 golat e shënuar, është arritje vërtet e madhe. Nëse do të isha ai, nuk e di se çfarë do të mendoja, sepse pas shënimit të gjithë këtyre golave, nuk është normale që nuk e fituam titullin. Ai ka treguar se është lojtar me shkathtësi të mëdha”.
“Ronaldo është pika referuese e këtij ekipi. Cristiano gjithmonë dëshiron të fitojë”, tha San Iker.
Wesley Sneijder (Manchester United) - FOTOMONTAZHË Sigurisht se afati i ardhshëm kalimtar veror do të jetë shumë i nxehtë, me tratativat e klubeve të mëdha evropiane për disa prej futbollistëve më të mëdhenj dhe më të talentuar të kontinentit.
Është La Gazzetta dello Sport që ka dhënë parashikimet për fatin e disa prej futbollistëve më të përfolur kohëve të fundit.
Kështu, sipas të përditshmes italiane anësori fantastik i Udineses, Alexis Sanchez, ka gjasa 50% që të kalojë te Manchester City, 40% te Interi dhe vetëm 10% te Barcelona.
Për Carlos Tevez dilemat janë shumë të mëdha, pasi sportivja beson se gjasat e Barcelonës dhe Realit për firmën e tij janë të barabarta – nga 35% të dyjat. Interi vjen në pozitën e tretë me 20%, me Juventusin prapa që ka 10% të gjasave për Tevez.
Është vlerësuar edhe e ardhmja e Wesley Sneijder që po lidhet me një kalim te Manchester United. Kështu, ka gjasa që 60% Sneijder të qëndrojë te Interi dhe 40% të transferohet në Old Trafford.
Nuk mbeti pa u vlerësuar edhe e ardhmja e Eden Hazard, të cilin GdS e sheh tashmë lojtar të Interit me 50% të gjasave për të shkuar në Meazza dhe me 30% për t’u transferuar te Liverpooli.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes ka thënë se të gjitha klubet duan të kopjojnë stilin e lojës së Barcelonës, e cila sipas tij është skuadra që e luan futbollin më të bukur sot në rruzull.
“Ne jemi ekip shumë i mirë. Por, Barcelona është ekipi ultimativ sa i përket bukurisë së lojës, pasi është një stil të cilin edhe ne duam ta luajmë”.
“Por, ne do të fokusohemi në fuqinë tonë për të gjetur mënyra për t’i mposhtur. Ne kemi shumë shpejtësi dhe cilësi, ndërsa dimë të luajmë sikur ata. Të shpresojmë se mund ta dëshmojmë këtë”, tha Scholes.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, beson se Leonardo është strateg po aq i mirë sa ai i Real Madridit, Jose Mourinho.
“Unë edhe Leonardos edhe Mourinhos ua jap notat 10 nga 10. Gigi Simoni dhe Hector Cuper meritojnë notën nëntë. Për Roy Hodgson dhe Mircea Lucescun është nota tetë”, theksoi Zanetti i pyetur nga Mediaset se si i vlerëson trajnerët nën të cilët ka luajtur te Interi.
Interi këtë vit ka rastin që të mos etiketohet me ‘zero tituli’-in e famshëm, nëse arrin ta mposhtë Palermon në finalen e Coppa Italias.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se mesfushori i Manchester United, Paul Scholes është mesfushori më i mirë i gjeneratës së tij.
“Nga të gjithë që janë te Manchester United, unë do të zgjidhja Scholes – ai është mesfushori më i mirë i gjeneratës së tij. Unë do të doja që të luaj pranë tij”.
“Scholes dhe Giggs janë edhe lojtarë të mëdhenj, pika referuese e ekipit. United ka ekip të mrekullueshëm dhe atyre u pëlqen të luajnë futboll të mirë”, theksoi Guardiola.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, u ka premtuar tifozëve të Arsenalit se ai do të bëjë ç’mos për të fituar tituj sezonin e ardhshëm, pas edhe një sezoni të dështuar.
“Unë u premtoj tifozëve të Arsenalit se ne do të bëjmë më të mirën për të fituar tituj. Por, kush mund të garantojë se do të fitojmë tituj? Ne do të bëjmë më të mirën për këtë, ky është synimi ynë kryesor”.
“Çfarë është një trofe për ju? Të përfundoni në pozitën e dhjetë dhe të fitoni Carling Cup? Jo. Çfarë duam të arrijmë është vazhdimësi në cilësi dhe më pas të sjellim trofe, të cilët për mua janë Liga Premier dhe Liga e Kampionëve. Ju mund të thuani se mund të bëni maksimumin, por të garantoni, nuk besoj se jeni të çmendur”, potencoi Wenger.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka pohuar se ai nuk do të derdhte lotë të dielën nëse bordi i klubit vendos ta shkarkojë pas ndeshjes së fundit ndaj Evertonit.
“Klubi duhet ta gjykojë punën time. Nëse ata vendosin të bëjnë ndryshime, nuk ka problem”.
“Ju nuk do të më shihni duke qarë apo duke bërë diçka. Unë do të pranoj vendimin e klubit dhe do të gjej zgjidhje tjetër”, potencoi ‘Carlito’.
Barcelona nuk do ta ketë aspak problem fitimin e Ligës së Kampionëve javën e ardhshme në Wembley ndaj Manchester United, gjithnjë sipas ish-sulmuesit Hristo Stoichkov.
“Unë e shoh një ndeshje të lehtë për Barcelonën. Ata janë mësuar të luajnë në këto ndeshje dhe kanë lojtarë si Lionel Messi, Xavi, Iniesta dhe të tjerët. Po ashtu, nuk varet se kush është kundërshtari i Barcelonës, pasi ajo luan në të njëjtën mënyrë”.
“E vërteta është se motivimi për të fituar lojtarëve u është dhënë nga Guardiola, i cili pasi ishte vet në ekipin e ëndrrave, nuk përsëriti gabimet e të kaluarës. Barcelona aktuale mund të bëjë histori”, ka thënë Stoichkov.
Zëvëndëstrajneri te Real Madridi, Aitor Karanka, është i bindur se transferi veror, Hamit Altintop do ta dëshmojë se është lojtar i vlefshëm për gjigantin spanjoll.
“Altintop është një futbollist që vjen nga një skuadër e madhe si Bayerni i Munichut. Ai është lojtar ekipor dhe tipi i lojtarit që duam. Ne jemi shumë të kënaqur për të dhe ne duam t’u tregojmë njerëzve se pse e transferuam atë sezonin e ardhshëm”.
“Unë personalisht jam shumë i kënaqur. Unë po kënaqem me çdo minutë dhe po mësoj shumë. Mourinho është i lumtur dhe i kënaqur që po qëndron te Reali”, u shpreh Karanka.
Tensionet mes gjigantëve të kategorisë së rëndë në boks, Wladimir Klitschkos dhe David Haye, janë rritur me ukrainasin që ka kërcënuar britanikun me KO në supersfidën e tyre që pritet të zhvillohet më dy korrik.
“Nuk e di se çfarë po ndodh me Haye. Ai nuk dëshiron të shtrëngojë duart. Është gjest i keq ky, kishte duele të mëdha edhe në të kaluarën. Max Schmeling ishte armik me Joe Louis, por janë ca gjëra të cilat nuk ju lejojnë të kaloni vijën e kuqe”. “Unë jam shumë i motivuar që t’i jap Hayes një mësim. Do të përkujdesem maksimalisht që ai ta shijojë nokautin e 50-të në karrierën time” tha Wladimir Klitschko.
Manchester United lirisht mund ta vazhdojë festën, pasi Liga Premier ka shpërblyer mbrojtësin Nemanja Vidic me çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Angli, përderisa Sir Alex Ferguson u shpall menaxheri më i mirë i vitit.
Kjo është hera e parë që Vidic e fiton këtë çmim dhe ai jo rastësisht e fitoi atë, pasi shfaqi formë stoike gjatë gjithë sezonit. Nga ana tjetër për Ferguson është hera e nëntë që e fiton çmimin e menaxherit më të mirë, që nuk është befasi marrë parasysh klasin e skocezit të treguar ndër vite.
Manchester United ka kaluar nëpër formë të jashtëzakonshme në shtëpi dhe nëse arrin të shmangë humbjen në javën e fundit ndaj Blackpoolit, atëherë Djajtë do ta përfundon sezonin pa asnjë humbje në shtëpi, ku kanë vetëm një barazim ndaj WBA-së prej 2-2.
Më 28 maj Manchester United do të takohet me Barcelonën në kuadër të finales së Ligës së Kampionëve në Wembley, që në rast të triumfit do ta përbënte titullin e tretë në garën më prestigjioze evropiane për Unitedin nën drejtimin e Ferguson.
Vendimin për çmimet e mori paneli i Ligës Premier, që përfshiu zyrtarë të lartë të Ligës Premier, mediat dhe tifozët.
Arsene Wenger beson se finalja e Kampionatit Botëror është një prej shkaqeve kyçe pse disa prej lojtarëve të tij kryesorë janë lënduar.
Robin Van Persie dhe Cesc Fabregas të cilët luajtën ndaj njëri-tjetrit në finalen e Botërorit në Afrikën e Jugut, kanë pasur lëndime të shpeshta gjatë sezonit, duke arritur që së bashku të kenë vetëm 44 paraqitje në Ligën Premier.
“Nuk është e rastësishme që Van Persie dhe Fabregas, të dy këta të cilët luajtën në Botëror, luajtën më pak se sa është pritur. Të dy kanë pasur probleme fizike këtë sezon”, theksoi Wenger.
Zëvëndëstrajneri te Real Madridi, Aitor Karanka, ka deklaruar se ende nuk është vendosur e ardhmja e sulmuesit togolez, Emmanuel Adebayor, të cilit i skadon kontrata si i huazuar te Reali.
“Adebayor është lojtar fantastik, i cili i ka sjellë freski zhveshtores. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë. Për çdo rast, ne duam ta zgjidhim këtë, por nuk kemi vendosur ende”.
“Nuk është e thënë që ai të qëndrojë. Të shohim se çfarë do të shkojë dhe çfarë do të vijë”, tha Karanka.
Sipas strategut katalanas, Pep Guardiola, nuk ka favorit për finalen e madhe të Wembleyt që zhvillohet më 28 maj ndaj Manchester Unitedit.
“Manchester United është rival fantastik, por ata kanë përparësinë pasi kanë humbur ndaj nesh dy vite më parë dhe fitoret e tilla mund t’iu vënë në konfuzion”.
“Ju nuk mund të jeni favoritë në një finale ndaj Manchester Unitedit, ata janë ekip i madh. Më pëlqejnë shumë. Ata e kanë shitur Cristiano Ronaldon dhe ende po fitojnë”, u shpreh Guardiola.
Jo, nuk ka vend për brenga. Është kjo thjesht një shaka e menaxherit të Manchester Cityt, Roberto Mancini, i cili ka qeshur me spekulimet që lidhnin Cristiano Ronaldon me një kalim te klubi nga Liga Premier.
“Ne tashmë e kemi transferuar Cristiano Ronaldon për 200 milionë funte”, bëri shaka Mancini.
“Unë e kam thënë para finales së FA Cup se do ta transferoja Ronaldon, Messin, Fabregasin dhe Iniestan. Nuk mendoj se është e mundur kjo”.
“Nuk e di nga ka dalur ky spekulim. Unë nuk di asgjë për këtë. Cristiano Ronaldo është lojtar fantastik, por nuk mendoj se ai do të largohet nga Real Madridi”, ka thënë Mancini.