Presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, ka njoftuar se Milani ka blerë kartonin e Kevin-Prince Boateng.
“Dy klube si Genoa dhe Milani nuk mund të mos merren vesh, prandaj kemi arritur një marrëveshje. Boateng do të jetë lojtar i Milanit”, u ka thënë Preziosi gazetarëve.
Gjatë sezonit që lëmë pas, 24-vjeçari ishte në formë huazimi te Milani, ndërsa njoftohet se Rossonerët kanë paguar shtatë milionë euro për shërbimet e ganezit.
Si pjesë e kontratës, Milani ka nënshkruar kontrata të plota të Alberto Paloschit dhe Marco Amelias, ndërsa Sokratis Papastathopoulos është në bashkëpronësi me Genoan.


Mesfushori kreativ Andrea Pirlo i është bashkuar gjigantit italian Juventus.
Kontrata e italianit me Milanin skadonte më 30 qershor, ndërsa Rossonerët nuk u shfaqën të gatshëm për t’ia vazhduar kontratën, ashtu që ai kalon te Bianconerët me parametrat zero.
Pirlo iu është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore mëngjesin e të martës dhe më pas ka nënshkruar kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë në Torino deri në fund të qershorit 2014.
“Andrea Pirlo tash është zyrtarisht lojtar i Juventusit. Klubi ka arritur marrëveshje me lojtarin”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Juventusi.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, e ka quajtur homologun e tij te Real Madridi, Jose Mourinho, si patetik dhe arrogant.
Portugezi ishte figurë kontroverse gjatë kohës që drejtonte Interin në Serie A, ndërsa ka vazhduar me stilin e tij edhe gjatë drejtimit të Real Madridit në Spanjë.
“Edhe tash edhe atëherë, ai ka qenë patetik. Ai gjithmonë përsërit të njëjtat gjëra. Mendoj se është i mirë, por pas arrogancës së tij, ai e fsheh pasigurinë”, ka thënë Allegri.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, mendon se Manchester Unitedi do ta ketë një përparësi të vogël në raport me Barcelonën, pasi finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në Wembley.
Të shtunën mbrëma zhvillohet finalja e shumëpritur e garës më të madhe të futbollit evropian për klube, ndërsa Pep thotë se Djajtë e Kuq do ta kenë sikurse të luanin në Old Trafford.
“Është gjithmonë më mirë kur luan në shtëpi. Nuk e di largësinë mes Londrës dhe Mançesterit, por është rreth një orë, një orë e gjysmë”.
“Është shumë më komforte për tifozët (e Unitedit), skuadrën, gjithçka, por nuk është problem për ne”, ka thënë trajneri blaugran.
Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, është i vetëdijshëm se do ta humbë Sergio Agueron, mirëpo ai thotë se nuk mendon se argjentinasi ka një ofertë nga Real Madridi.
22-vjeçari ka deklaruar se sezonin që vjen nuk dëshiron që të luajë më në Vicente Calderon, mirëpo cilido klub që dëshiron shërbimet e tij duhet të paguajë 45 milionë euro.
“Vendimi i Kun na ka kapur në befasi. Atletico ka humbur lojtarë të mëdhenj, si Fernando Torres, në të kaluarën, prandaj tifozët duhet të jenë të qetë”.
“Nuk mendoj se Aguero ka një ofertë nga Real Madridi. Ajo që di unë është çfarë ka postuar në faqen e tij- se ai dëshiron të largohet nga klubi, kjo është çfarë di unë”, ka thënë Cerezo për AS.com.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka mohuar spekulimet për një kthim të mundshëm në Itali, duke konfirmuar se ai dëshiron të qëndrojë te skuadra aktuale.
Italiani kontrovers u transferua verën e kaluar te City nga Interi, ndërsa përkundër spekulimeve se ai mund të transferohet te skuadra e tij e zemrës, Milan, SuperMario ka deklaruar se është i kënaqur në Angli.
“Tash për tash jam i lumtur në Angli. E komplimentoj Milanin për fitimin e Scudettos, por sa më përket mua, unë jam i lumtur në Angli”, ka thënë 20-vjeçari për Corriere dello Sport.
Manchester Unitedi është një skuadër më e baraspeshuar në krahasim me kohën kur luante Cristiano Ronaldo- ka deklaruar mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves.
Superylli i Real Madridit ishte pjesë e skuadrës së United që u mposht në finalen e vitit 2009 nga Barca në Romë, ndërsa Alves beson se Djajtë e Kuq luajnë më mirë pa portugezin.
“Manchesteri është shumë më i paparashikueshëm pa Cristiano Ronaldon. Ata kanë ndërtuar një skuadër më të balancuar dhe janë më të fortë se dy vite më parë”.
“Nuk e di nëse është për shkak të largimit të Ronaldos, por është fakt se Manchester Unitedi është skuadër shumë më solide në fushë”, ka thënë braziliani.
Shefi ekzekutiv i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, beson se klubi i tij duhet ta gjejë formulën e vet të lojës dhe jo ta kopjojë Barcelonën ose Manchester Unitedin.
Bavarezët zhvilluan një sezon jo të mirë duke përfunduar të tretët në Bundesliga dhe duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve në fazë të hershme nga Interi.
Kjo ka bërë që drejtuesit e Bayernit të mendojnë për ndryshime serioze në lojën e skuadrës, por Rummenigge thotë se taktikat e dy finalistëve të Ligës së Kampionëve, Barcës dhe Unitedit janë unike, prandaj Bayerni nuk duhet të tentojë të ndërtojë një lojë si të tyren, porse të krijojë stilin e vet.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson që skuadra e tij mund ta heshtë Lionel Messin në finale të Ligës së Kampionëve.
“Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje për Messin të shtunën. Duhet pasur parasysh se ata kanë edhe lojtarë të tjerë të mirë dhe ne kemi po ashtu lojtarë të mirë”.
“Prandaj është një lojë kaq ngazëlluese të shtunën. Jam i sigurt se Barcelona di për rrezikun tonë”, ka thënë Sir Alex.
Skocezi ka deklaruar se Barcelona është skuadër akoma më e fortë sesa ajo që e mposhti Unitedin në finalen e vitit 2009. Megjithatë ai e ka bërë të qartë se skuadra e tij do ta zhvillojë lojën e vet.
Sipas tij, Djajtë e Kuq nuk do të përqendrohet vetëm në lojën e Barcelonës, porse do të zhvillojnë taktikat e tyre për ta fituar ndeshjen dhe për t’u shpallur kampion.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka treguar se ylli i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, e kishte uruar atë pasi katalunasit e eliminuan Real Madridin nga Liga e Kampionëve.
“Rooney më uroi në Twitter të njëjtën ditë kur e eliminuam Madridin, dhe ai po ashtu lëvdoi lojën e Xavit dhe Iniestas”, ka thënë Pique për AS.com.
Pique do të jetë sërish bashkë me ish-skuadrën e tij të shtunën mbrëma në Wembley, por kësaj radhe si kundërshtar.
Sebastian Giovinco ka deklaruar se ai nuk dëshiron të kthehet të Juventusi, porse parapëlqen të vazhdojë të luajë për Parmën.
Anësori 24-vjeçar është i huazuar në Ennio Tardini, ndërsa Parma e ka të drejtën që ta blejë gjysmën e kartonit të tij, ashtu që të pronësojë gjysmën e lojtarit.
“Mendoj se do të qëndroj te Parma. Presidenti Tommaso Ghirardi dhe drejtori Pietro Leonardi kanë qenë shumë të qartë për këtë”.
“Përveç nëse ka ndryshime radikale të planeve, përndryshe jam 99 për qind i sigurt se do të qëndroj këtu”, ka thënë Giovinco për Sky Sport Italia.
Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, beson se ylli i Arsenalit, Jack Wilshere, duhej të ishte emëruar Lojtari i Vitit.
Daily Mail shkruan se Capello është i impresionuar me Wilshere dhe ka qenë i vetmi që ka mbështetur mesfushorin e Arsenalit të zgjidhet më i miri i sezonit.
Dhe derisa Capello ka mbështetur mesfushorin anglez, çmimi në fund i ka takuar kapitenit të Manchester United, Nemanja Vidic, i cili ka fituar shumicën e votave.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka mohuar thashethemet të cilat e lidhin atë me detyrën e trajnerit të Chelseat.
Redknapp është përmendur si një prej favoritëve për të pasuar Carlo Ancelottin në Stamford Bridge pasi italiani u shkarkua nga Chelsea gjatë të dielës.
“Kam një punë të mirë te Tottenham, gjërat shkojnë mirë për mua. Kam kaluar shumë vite që nuk kishin kaluar kaq mirë për mua. Nuk kam dëgjuar asgjë nga Chelsea, kjo është e sigurt, askush aq që ma ka përmendur mua Chelsean”, ka thënë Redknapp për Sky Sports.
Liverpooli është favorit për të nënshkruar me portierin e Aston Villa, Brad Friedel.
Daily Mail shkruan se Friedel do t’i ribashkohet Liverpoolit pasi ka refuzuar ofertat nga West Bromwich Albion dhe mundësinë për të vazhduar me Aston Villan.
Portieri veteran është pajtuar të nënshkruajë marrëveshje dyvjeçare me ekipin e drejtuar nga Kenny Dalglish për të qenë mbulesë e Pepe Reina.
Villa i ka ofruar Friedel, 40-vjeçar, një marrëveshje me më pak para por me një bonus më të madh për paraqitjet.
Mesut Ozil ka deklaruar se Real Madridi do të jetë më i fuqishëm se Barcelona në sezonin e ardhshëm.
Gjiganti i kryeqytetit spanjoll përfundoi katër pikë prapa Barcelonës në kampionatin spanjoll dhe ata po ashtu u eliminuan nga Liga e Kampionëve nga rivali i hidhur. Por Ozil shpreson se sezonin e ardhshëm gjithçka do të jetë më ndryshe.
“Barcelona ka luajtur bashkërisht për disa vite, por sezonin e ardhshëm ne do të jemi më të fuqishëm se ata. Jam i bindur se ne do të fitojmë më shumë se një titull”, ka thënë Ozil për Marca.
22-vjeçari erdhi te Reali verën e kaluar nga Werder Bremen dhe është i kënaqur me sezonin e tij të parë në La Liga dhe ka lavdëruar trajnerin Jose Mourinho për ndihmën që i ka dhënë atij për t’u integruar në ekip.
Milani raportohet se është i gatshëm të testojë rezistencën e Bayern Munichut për të parehatshmin Franck Ribery.
Corriere dello Sport shkruan se Ribery është i gatshëm të largohet nga Bayerni pas një sezoni zhgënjyes dhe Milani tashmë është në kontakte me kampin e tij.
Rossonerët besojnë se ata mund ta sigurojnë Riberyn për 30 milionë, edhe pse janë të gatshëm të ofrojnë edhe 35 milionë për mesfushorin.
Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, iu ka premtuar fansave një nënshkrim të madh këtë verë dhe Ribery mund të jetë njeriu i duhur.
Megjithatë, nëse ai nxirret në shitje nga Bayerni, ekipe të tjera si Manchester United, Barcelona dhe Real Madrid, sigurisht se do t’ia vështirësojnë punët ekipit të Serie A për të siguruar francezin.
Klubi i ri i Diego Maradonas, Al Wasl, ka zbuluar se është duke kërkuar të nënshkruajnë me Lojtarin më të Mirë të Kupës Botërore 2010, Diego Forlan.
Drejtori ekzekutiv i Al Wasl, Ashraf Mohammad, ka shprehur ambiciet për të nënshkruar me 31-vjeçarin, i cili kaloi një sezon frustrues me Atletico Madrid duke shënuar vetëm 10 gola në të gjitha garat.
“Ai [Forlan] është një prej emrave të mëdha në listë, nuk mund të mohoj por ne ende nuk e kemi mbyllur marrëveshjen. Ne punojmë në këtë drejtim. Ne sigurisht bëjmë më të mirën për të sjellë më të mirët në këtë vend, pasi Emiratet e Bashkuara Ara e meritojnë këtë”, ka thënë Mohammad.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, dëshiron që menaxheri i shkarkuar i Chelseat, Carlo Ancelotti, të bëjë një rikthim emocional në klub.
Pavarësisht se ish-bashkëlojtari i tij Vincenzo Montella aktualisht po e drejton ekipin,Totti do ta mirëpriste ish-yllin e Romës, Ancelottin, në rast rikthimi në klub.
“Shpresoj që Ancelotti të jetë në garë [për të drejtuar Romën] pasi është larguar nga Chelsea”, ka deklaruar Totti.
Ancelotti dje ka thënë se dëshiron të mbetet në Ligën Premier pas shkarkimit si menaxher i Chelseat.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të mos e nënvlerësojnë fuqinë e rivalit të finales së Ligës së Kampionëve, Manchester United.
Kampioni i Spanjës do të përballet me kampionin e Anglisë në finalen e garës më të madhe evropiane gjatë të shtunës në Wembley, një mbrëmje që do të përsërisë finalen e sezonit 2008-09. Barcelona kishte fituar garën aso kohe duke mposhtur me rezultat 2-0 Manchester United falë golave të Samuel Eto'o dhe Messi.
“Ata kanë filluar kampionatin anglez dhe ata janë në finalen e Ligës së Kampionëve. Ata nuk mund të jenë të dobët nëse kanë arritur këtë. Është një finale, është një ndeshje e veçantë. Memoriet e mira nga Roma janë e kaluar. Kjo do të jetë një ndeshje krejtësisht tjetër. Ne do të përballemi me një kundërshtar shumë të vështirë, i cili ka lojtarë shumë të mirë”, ka thënë Messi.
Manchester United dhe Barcelona e kanë fituar Kupën Evropiane nga tri herë secili
Sulmuesi i Atletico Madrid, Sergio Aguero, ka zbuluar se ai dëshiron të largohet nga klubi këtë verë.
Në një deklaratë të postuan në profilin e tij në Twitter, 22-vjeçari në mënyrë të qartë ka shprehur dëshirën për të mos vazhduar të luajë për fituesin e sezonit të kaluar në Europa League.
“Ia kam shprehur Atleticos dëshirën time për t’u larguar. Iu kam kërkuar atyre të pranojnë, në mënyrë të pakushtëzuar, ofertat të cilat vijnë nga klubet tjera”, ka shkruar Aguero.
Kjo deklaratë e tij erdhi vetëm disa orë pasi mediat spanjolle raportuan se Aguero ka kaluar një orë e gjysmë në diskutime me babain dhe agjentin e tij në Vicente Calderon mbrëmjen e kaluar. Drejtori ekzekutiv i Atleticos, Miguel Angel Gil Marin dhe Enrique Cerezo është raportuar se nuk kanë qenë në takim.
Argjentinasi ka postuar edhe një deklaratë në faqen zyrtare të tij.
“Do të mbush 23-vjet dhe kam gjithçka para meje. Është e mjaftueshme të them se nuk është arsye ekonomike, por thjesht sportive. Andaj dua qartas të shpreh vlerësimin tim për klubin për përpjekjet që kanë bërë për të mbajtur mua”, ka deklaruar argjentinasi.
Aguero po ashtu ka falënderuar fansat për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë viteve të kaluara te Atletico.
Janë disa klube që janë lidhur me Aguero. Përveç Barcelonës dhe Atletico Madridit, të interesuar për të raportohet se janë edhe Manchester City dhe Interi.
Mbrojtësi i Marseille, Taye Taiwo, është i bindur se ai mund të ketë sukses te kampioni i Italisë, Milani.
26-vjeçari pritet t’i bashkohet ish-kampionit të Evropës gjatë verës si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij aktuale me klubin francez skadon. Taiwo tashmë ka kaluar testet mjekësore dhe është pajtuar për një marrëveshje trevjeçare, dhe mezi pret aventurën në Itali.
“Nuk kam frikë të luaj për Milanin. Kam qenë askush kur kam arritur për të parën herë te Marseille, por kam qenë në gjendje ta imponoj veten. Rossonerët janë një prej klubeve më prestigjioze në botë, së bashku me Manchester United dhe Chelsea”.
“Jam vërtet entuziast për të luajtur krahas Zlatan Ibrahimovic, Alexandre Pato dhe Clarence Seedorf. Do të punoj fuqishëm çdo ditë. Pastaj do t’i takojë trajnerit të vendosë si dhe kur do të më shfrytëzojë mua në ekip”, ka thënë Taiwo.
Taiwo ka kaluar gjashtë vite me Marseille dhe zyrtarisht do të bëhet lojtar i Milanit më 1 korrik.
Arsene Wenger ka shprehur zhgënjimin e tij që Arsenali ka zënë vetëm vendin e katërt në Ligën Premier këtë sezon, por ka kërkuar nga tifozët e pakënaqur që të mos e teprojnë.
“Përfundimi në vend të katërt është zhgënjyes, sepse tri javë më parë ishim në një pozitë për ta fituar Ligën”.
“Jemi të frustruar dhe të zhgënjyer, por nuk duhet të mërzitemi tepër. Duhet që t’i korrigjojmë gjerat në pozitat ku kemi nevojë për përmirësim”, ka deklaruar Wenger, i cili e ka konsideruar veten përgjegjës për rezultatet.
Trajneri ka thënë se bashkë me stafin e tij do të mundohet që të sjellë lojtarët e duhur gjatë verës, por e ka bërë të qartë se Arsenali nuk ka para të blejë lojtarë të shtrenjtë.
Nënkapiteni i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se mungesa e skuadrës së tij në futbollin evropian, do t’u ndihmojë që në sezonin e ardhshëm të sigurojnë një vend në top-katërsh.
“Do të na pëlqente që të ishim në Europa League, por kjo nuk ndodhi, prandaj duhet ta shikojmë këtë si diçka pozitive”.
“Gjëja kryesore për ne në sezonin e ardhshëm është që të kthehemi në Ligën e Kampionëve”.
“Mosprania në Evropë do të na japë më shumë gjasa që ta bëjmë këtë. Duam të kthehemi në top-katërsh dhe të luajmë mirë në kupa”, ka thënë Carragher.