Me rezultat prej 3-1, Barcelona e ka mposhtur Manchester Unitedin në finale të Ligës së Kampionëve, për t’u shpallur kampion i ri i Evropës për klube.
Dy gjigantët e futbollit botëror të shtunën mbrëma u takuan për të zhvilluar finalen e garës më të madhe evropiane për klube. Në stadiumin e Wembleyt u takuan dy filozofi të ndryshme të futbollit- Manchester United që prezantonte futbollin tipik anglez dhe Barcelona me stilin e vet të dominimit të lojës.Dhjetë minutat e para të takimit i takuan skuadrës nga Liga Premier, e cila dominoi lehtësisht, por nuk arriti të krijonte raste për t’u përmendur. Ndërkaq, pas kësaj periudhe Blaugranët e morën topin në këmbët e tyre duke krijuar një mori rastesh, pas të cilave arritën të realizojnë.
Ishte Pedro Rodriguez lojtari që ndëshkoi Van der Sarin (27’), pasi pranoi një top nga mjeshtri i pasimeve, Xavi Hernandez.
Derisa katalunasit vazhdonin me menaxhimin e topit, numri dhjetë i Djajve të Kuq, Wayne Rooney, krijoi një aksion duke kombinuar me Javier Hernandezin dhe duke realizuar një gol të bukur kundrejt Victor Valdesit (34’).Spanjollët e filluan më mirë fraksionin e dytë të lojës dhe nuk kaloi shumë kohë, kur ata rikthyen avantazhin. Ishte lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi, ai që gjeti hapësirë nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit për ta plasuar topin në rrjet, ashtu si di vetëm ai (54’).Barca vazhdoi të tregonte magjinë me kalimin e minutave, ndërsa radha i erdhi David Villas për të shënuar një supergol (69’), padyshim golin më të bukur në këtë finale.
Minutat në vijim ishin sa për t’u shpenzuar, pasi United humbi shpresat për ndryshim të rezultatit, ndërsa katalunasit nuk dëshironin më shumë.
Në këtë mënyrë, Barcelona shpallet kampion pas triumfit në Ligën e Kampionëve për sezonin 2010/2011, ndërsa ky është trofeu i katërt në histori të Blaugranëve në këtë garë.
Schalke ka zbuluar se ka arritur marrëveshje mbi shumën e transferimit të Manuel Neuer te Bayern Munichu, por se nuk e ka pranuar ende ofertën e bavarezëve.
“Ne kemi pasur biseda të mira me Bayernin dhe jemi pajtuar për aspektin ekonomik. Por, ne ende nuk e kemi pranuar ofertën”, tha drejtori menaxhues i klubit, Peter Peters.
Transferimi i Manuel Neuer te Bayern Munichu duket të jetë i pa evitueshëm dhe sipas mediave gjermane është çështje orësh zyrtarizimi i atij kalimi.
Qendërmbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand ka lëvduar bashkëlojtarin e tij, Wayne Rooney, duke e cilësuar atë si një prej lojtarëve më të mirë në botë. Rio është i bindur se ‘Wazza’ mund ta gjunjëzojë Barcelonën.
“Mendoj se Rooney mund të krahasohet me më të mirët e botës. Pa marrë parasysh çfarë ndodhi verën e kaluar apo çfarë ndodh këtu, kur kemi nevojë për Rooneyn ai gjithmonë është aty”.
“Në ndeshjen ndaj Cityt ai shënoi një prej golave më të mirë të parë ndonjëherë në Old Trafford. Nuk ka nevojë t’i përmendi ndeshjet tjera. Ne kemi besim të plotë në lojtarët tanë, jo vetëm në Rooneyn. Do të na duhet fuqia kolektive për të fituar”, ka thënë Ferdinand para finales.
Carles Puyol shpreson se Pep Guardiola do të qëndrojë trajner i Barcelonës, pa marrë parasysh rezultatin ndaj Manchester Unitedit të shtunën mbrëma në Ligën e Kampionëve.
“Shpresoj se ai nuk do të largohet. Për mua ai është trajneri më i mirë në botë dhe shpresoj se ai do të jetë me ne edhe për shumë vite”.
“Unë po ndihem shumë mirë. Unë kam qenë në gjendje të përgatitem dhe nëse trajneri e sheh të nevojshme, do të luaj. Jam 100% i gatshëm. Të gjithë mezi e presin atë ndeshje edhe pse nuk isha në gjendje të luaj pas lëndimit”, ka thënë Puyol.
Asi i Tottenhamit, Gareth Bale, i ka sugjeruar klubit që të bëjë gjithçka për ta mbajtur në ekip menaxherin Harry Redknapp, i cili besohet të jetë nën shënjestrën e Chelseat.
“Definitivisht, unë dua që ai të qëndrojë. Që nga koha kur kam qenë në klub ne kemi pasur tri menaxherë dhe është mirë që e kemi Rednapp këtu, pasi ai solli stabilitet”.
“Ne jemi mësuar me të, me mënyrën se si ai menaxhon dhe se si ai dëshiron që ne të luajmë. Askush nuk dëshiron që ai të largohet dhe jam i sigurt se ne mund ta mbajmë atë në klub”, u shpreh Bale.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, ndjen se sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është përmirësuar pas largimit të Cristiano Ronaldos nga Old Trafford.
“Rooney meriton respekt. Ai është një prej sulmuesve më të mirë në botë”.
“Pozita e tij ka ndryshuar dhe mendoj se ai tani është më i rrezikshëm se sa kur luajti edhe Cristiano Ronaldo”, u shpreh Valdes.
Javier Hernandez u ka thënë gazetarëve se ai do të djersiet deri në vdekje për ta fituar finalen e Ligës së Kampionëve, duke shtuar se ai në asnjë moment nuk ka menduar të bëhet sikur Messi.
I pyetur nëse dëshiron të jetë sikur Messi, ai tha: “Jo, unë jam lojtar i këtij ekipi të mrekullueshëm. Nuk synoj të bëhem sikur Messi. Unë jam vetëm një futbollist i thjeshtë”.
“Çfarë më fikson është ta djersis fanellën deri në vdekje dhe këtë do ta bëj edhe në finale”, u shpreh Chicharito.
Menaxheri i Peterborough, Darren Ferguson, ka thënë se babai i tij, bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, mund ta ushtrojë zejen e menaxherit edhe për pesë vjet të tjera.
“Jo, ai nuk do të pensionohet, ai do ta vazhdojë rrugën”.
“Kur të marrë fund, do të marrë. Nuk do të befasohesha nëse ai është qëndron në këtë profesion edhe pesë vjet, përderisa shëndeti i tij është i mirë”, potencoi Darren Ferguson për The Telegraph.
Mbrojtësi i Benficas, Fabio Coentrao ka shprehur dëshirën e tij për t’iu bashkuar Real Madridit, duke thënë se ai do të largohet nga klubi portugez vetëm për gjigantët spanjollë.
“Çfarë unë dua është të luaj për Real Madridin. Ai është klubi më i mirë në botë dhe unë do të largohem nga Benfica vetëm për atë ekip”.
“Natyrisht, jam i lumtur që po lidhem me Realin, por asgjë nuk ka marrë fund. Ne duhet të jemi të qetë. Reali është ekipi më i mrië në botë, ka lojtarët më të mirë në botë dhe kam shumë miq atje. Shpresoj se do të arrihet një marrëveshje”, u shpreh Coentrao për AS.
Guus Hiddink është i gatshëm që të rikthehet te Chelsea, me vetë holandezin që ka ftuar Blutë për të bërë ofertë për të.
Chelsea është vënë në kërkim të një menaxheri të ri dhe janë disa emra të mëdhenj të cilët po spekulohet se mund ta marrin postin e menaxherit të Chelseat.
“Po ka shumë spekulime për Chelsean. Por, nëse do të ketë ndonjë ofertë konkrete, atëherë do të mendoja për këtë”, tha Hiddink.
Diego Maradona ndjen se sulmi i Manchester United mund ta godasë mbrojtjen e Barcelonës në finalen që zhvillohet sonte mbrëma.
“Për mua, lojtarët më me rëndësi te United janë sulmuesit. Unë e kam parë Chichariton të luajë në Meksikë dhe kam parë se është talent. Nuk është befasi që ai ka bërë mirë aq shpejtë. Ai është sulmues natyral”.
“Por, lëvizshmëria e tij dhe mënyra e lojës sikur fantazmë e bën atë shumë më të rezikshëm. Mbrojtësit nuk e dinë si të luajnë ndaj tij, pasi nuk e dinë ku është. Për shkak të kësaj, Rooney ka hapësira dhe mund të krijojë probleme”, tha Maradona.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka thënë se finalja e fituar në vitin 2009 ndaj Manchester United është totalisht e pa krahasueshme me duelin që do të zhvillohet të shtunën në Wembley.
“Çdo moment e ka tregimin e vet. Ajo finale është dashur të jetë e tillë”.
“Ne e kemi fituar dhe ai ishte shpërblim për punën e bërë. Kjo ishte arsyeja e veçantë. Kjo finale është e pa krahasueshme, është e ngjashme sa i përket stileve dhe natyrisht është finale, por nuk mendoj se ka diçka tjetër aty”, ka thënë Iniesta.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, parashikon që ndeshja finale e Manchester United ndaj Barcelonës mund të jetë finalja e dekadës.
Duke folur para finales së Ligës së Kampionëve në Wembley të shtunën, Ferguson ishte entuziast për atë që mund të shohim në mbrëmjen e madhe. Ferguson lëvdoi Pep Guardiolan, që është trajneri i vetëm që ka drejtuar Barcelonën për tri vjet, duke e krahasuar atë me legjendarin Johan Cruyff.
“Mund të jetë finalja më e mirë e dekadës. Atraksioni i dy ekipeve të mëdha me histori të madhe është i natyrshëm. Është finale e madhe, sidomos për atë që mund të ndodhë në të. Nuk mendoj se dikush mund të vë në pikëpyetje lojtarët të cilët do t’i shohim nesër”, theksoi skocezi.
Sidoqoftë, sipas tij nuk do të shohim një luftë zjarr më zjarr.
“Siç bëjmë gjithmonë, ne njoftohemi për cilësitë e kundërshtarit. Është dobësi nëse nuk analizoni ekipin kundërshtar. Ne gjithmonë bëjmë këtë dhe respektojmë kundërshtarin”.
Duke folur për homologun e tij nga tabori kundërshtar, Ferguson shtoi: “Mendoj se gjëja më e rëndësishme për Guardiolën është se ai është trajner i ri që erdhi në një klub të madh duke e ndryshuar mënyrën e lojës në shumë aspekte. Mendoj se ne të gjithë po shohim se si ai i ka sjellë maturi ekipit. Që nga dita kur na mposhtën në Romë, ju vetëm sa keni parë më shumë pjekuri”.
“Ai ka luajtur për Barcelonën, gjë që ndihmon dhe nëse shikoni në të kaluarën e Barcelonës me trajnerë holandezë, ai ka bërë një hap të madh për ata spanjollë”, përfundoi Ferguson.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se skuadra e tij duhet të luajë shumë më mirë se sa dy vite më parë për ta fituar Ligën e Kampionëe në finalen ndaj Manchester United në Wembley të shtunën mbrëma.
Në konferencën për shtyp të mbajtur para ndeshjes së madhe, Pep Guardiola nuk mendon se skuadra e tij është favorite – përkundrazi, ajo sipas tij duhet ta përmirësojë lojën.
“Është shumë e çuditshme të them se unë jam i kënaqur që fituam, por të bëhemi të sinqertë, ne duhet të luajmë shumë më mirë se sa në vitin 2009. Ne duhet të luajmë më shpejtë. Në aspektin e intensitetit dhe në disa gjëra tjera, ata nuk ishin aq të mirë sa kemi dashur. Kjo është ajo që u kam thënë lojtarëve vazhdimisht gjatë ditëve të kaluara. Nëse lojtarët do të luajnë të shtunën njëjtë sikurse në Romë, atëherë ne nuk do të fitojmë”.
“Unë jam i brengosur për gjithçka sa i përket Manchester Unitedit. Ata janë fantastikë, lojtarë të fuqishëm dhe janë po aq të mirë sa ne. Ky nuk është ekip i të kaluarës. Ky është ekip historik. Ata kanë kaluar nëpër shumëçka dhe ata e dinë si të bëjnë gjëra të ndryshme. Ata janë një prej ekipeve më të kompletuara që kam parë në të gjitha aspektet. Ja pse duhet të vë një ekip të mrekullueshëm”, theksoi Guardiola.Sidoqoftë, Guardiola ka besim se lojtarët e tij do të vazhdojnë me paraqitjet impresive të këtij sezoni, të cilat bënë që Barca të arrijë në finale të Copa del Rey dhe ta fitonte titullin e tretë radhazi në La Liga.
“Pikat e forta? Manchester United ka shumë të tilla, por pika të dobëta? Mirë, ata kanë edhe shumë të tilla. Ne duhet të shfrytëzojmë atë që kemi në mënyrën sa më të mirë. Ne jemi të gatshëm. Ne jemi në disponim të mirë. Ishin disa gjëra të cilat nuk më pëlqyen në stërvitje, por në përgjithësi them se jemi të gatshëm për sfidën. Nëse luajmë sikurse vitin e kaluar dhe japim gjithçka, mendoj se do të jetë e mjaftueshme në fund”, tha Pep.

Spekulimet e fundit e lidhnin Guardiolan me një largim nga Barcelona, por trajneri refuzoi të fliste mbi spekulimet për të ardhmen e tij.
“Jo, sot nuk është dita të flas për këtë. Kjo është një shfaqje dhe ne kemi punuar shumë ditë për të ardhur këtu. Largimi? Do të flas për këtë një ditë tjetër”, përfundoi konferencën e tij për shtyp, Pep Guardiola.
Ish-trajneri i Barcelonës, Cesar Luis Menotti beson se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka frikë nga Barcelona, duke e përshkruar atë si ‘pulë’, përderisa pohon se ai e dh*u veten ndaj katalanëve këtë sezon.
“Ai ka marrë frikë. E dini se çfarë thonë në Argjentinë për Mourinhon? Se ai është pulë. Dhe, të jem më eksplicit tani, ai e dh*u veten. Ai la katër sulmues në pankinë: Adebayor, Higuain, Benzema dhe Kaka. Si mund të luani pa ta?”.
“Ai luajti me tri mesfushorë dhe vetëm me Ronaldon në sulm në dy ndeshjet gjysmëfinale. Ai kishte frikë. Humbja 5-0 në La Liga e ka vrarë atë. Ajo ishte ndeshja e tij dhe ajo ishte ndeshja ku ai e humbi titullin. Po të kishte fituar në ndeshjen e parë në Camp Nou, ai do të ishte Zot. Por, ai jo vetëm që humbi. Ajo ishte disfata më e thellë në një El Clasico. Ju mund të humbisni 2-1, por 5-0 ishte turpëruese”, deklaroi Menotti për DPA.
Chelsea është gjithnjë e më pranë sigurimit të shërbimeve të asit të Santosit, Neymar.
The Sun shkruan se Blutë, pasi u është refuzuar oferta për brazilianin verën e kaluar, tani besojnë se mund të mbyllin me sukses negociatat për 23 milionë funte.
“Roman Abramovich është i gatshëm që të përfshihet personalisht për ta finalizuar transferimin e Neymar. Ai do të flaës me të muajin e ardhshëm”, u shpreh një burim.
Anësori i Manchester United, Nani, ka thënë se sa herë shikonte lojtarët e Barcelonës në televizor, ai inspirohej për t’u bërë futbollist edhe më i mirë.
“Kur jam në shtëpi duke shikuar televizor, mendoj se ata janë shumë më ndryshe se sa unë kur luaj ndaj tyre. Në shtëpi, më pëlqen se si ata luajnë”.
“Messi është lojtari më i mirë në botë. Më pëlqen ta shoh atë duke luajtur dhe duke parë gjërat që po bën. Ai inspiron lojtarët tjerë të bëjnë gjëra të ndryshme. Por, në fushë dua të luaj më mirë se ata. Cilido të jetë ekipi i United, unë vetëm dua të fitoj”, potencoi Nani.
Portieri i Manchester United, Edwin van der Sar, shpreson se secili ekip do të sjellë një ndeshje të “klasit A” për ndeshjen e nesërme në Wembley.
“Ju shpresoni të sillni lojën tuaj të klasit A në finale. Për këtë keni nevojë për gjithçka, mbrojtje, aftësi komunikuese, përvojë dhe aftësi motivuese. Duhet të gjithë të punojmë së bashku për t’u siguruar që mbrohemi mirë”.
“Në këtë kuptim, përgatitjet janë të njëjta sikur të luash ndaj Wiganit. Diferenca është në intensitet, pasi asgjë nuk e arrij nivelin e kësaj ndeshje”, ka thënë Van Der Sar.
Teknika e Barcelonës do të përplaset me stilin tipik anglez të Manchester United në finalen e Ligës së Kampionëve, gjithnjë sipas strategut Giovanni Trapattoni.
Trapattoni e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve si lojtar në vitin 1963 me Milanin, ndërsa si trajner i Juventusit e përsëriti të arriturën në finalen skandaloze të Heyselit ndaj Liverpoolit.
“Është një finale e cila ndesh dy ekipet më të mira të Evropës. Nga pikëpamja teknike, ata janë të ndryshëm – një ekip shumë i fortë anglo-sakson do të luajë ndaj një ekipi të Barcelonës me imagjinatë të madhe dhe teknikë të shkëlqyer”.
“Diferenca mes fitores dhe humbjes në një nivel aq të lartë mund të jetë gabimi më i vogël, apo humbja e përqëndrimit në një moment të vetëm”, ka thënë Trapattoni për UEFA.com.
Ish-përzgjedhësi i Italisë, Marcello Lippi e ka lënë të ardhmen e tij të hapur, me strategun italian që pohon se do të drejtonte një kombëtare apo një klub në Ligën e Kampionëve.
“Unë do të doja ta drejtoj një kombëtare, por nëse vjen një ofertë e rëndësishme nga ndonjë klub dhe nëse ai klub merr pjesë në Ligën e Kampionëve, atëherë nuk do ta refuzoja pasi kam luajtur në katër finale të Ligës së Kampionëve”.
“Të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Lippi.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka refuzuar një ofertë të jashtëzakonshme nga Juventusi për të qëndruar kështu në Eastlands.
Daily Mail shkruan se oferta ishte bërë nga klubi Bianconer gjatë qëndrimit në Mançester për ndeshjen ndaj Manchester Unitedit.
Besohet se Tevez ka refuzuar një kontratë të vlefshme 23 milionë funte për sezon, vetëm e vetëm për të qëndruar te Manchester City.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, beson se dy ekipet më të mira në Evropë ia kanë dalur të kualifikohen në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
“Nuk ka dyshime se dy ekipet më të mira janë në finale. Barcelona është ultimative. Ata po luajnë ashtu sikurse të gjithë të tjerët do të dëshironin të luanin”.
“Por, futbolli ynë di të jetë herë-herë më i mirë se i tyre. Edhe jemi cilësorë. Të dyja ekipet duan të sulmjonë dhe të shënojnë gola, kështu që nuk mendoj se do të mund të kërkonim një finale më të madhe dhe më të mirë”, u shpreh Scholes për Sky Sports.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, e ka përshkruar Manchester Unitedin si pikën referuese në finalen e të shtunës në Ligën e Kampionëve.
“Për mua Manchester United është pikë referuese, jo vetëm tani, por për shumë vite. Çfarë ka arritur Ferguson meriton vërtet komplimente. Ferguson, Scholes dhe Giggs janë shembuj për të gjithë në botën e futbollit”.
“Ata kanë qenë në maje për shumë vite, duke luajtur në nivel të jashtëzakonshëm. Ata kanë fituar tituj vit pas viti dhe luajtën në nivel të jashtëzakonshëm. Ata kanë arritur edhe nëpër fazat e larta të Ligës së Kampionëve. Ata kanë nivel spektakolar futbolli dhe e gjithë Evropa i shikon ata”, u shpreh Xavi për The Times.
Liverpooli raportohet se është afër angazhimit të përforcimit të parë të afatit kalimtar veror, mesfushorit të Wigan Athletic, James McCarthy.
Kenny Dalglish thuhet se është një admirues i madh i 20-vjeçarit dhe besohet se dëshiron të harxhojë plot 10 milionë funte për të siguruar shërbimet e tij.
Chelsea po ashtu thuhet se është duke shfaqur interesim për McCarthy, megjithatë, siç raporton Goal, lojtari u ka thënë drejtuesve të Wigan se ai dëshiron të luanë për Liverpoolin sezoni ne ardhshëm.