Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke përgatitur një ofertë prej nëntë milionë eurosh për mbrojtësin e Blackburn Rovers, Chris Samba.
Wenger dëshiron të rregullojë problemet e Topçinjve në qendër të mbrojtjes, ndërsa kapiteni i Blackburnit është zgjidhja e parë.
Samba edhe më herët ka shprehur dëshirën për të luajtur në një klub më të madh, ndërsa përveç Arsenalit, për të interesohet edhe Aston Villa.
Trajneri i fitnesit te Real Madridi, Valter Di Salvo, ka pohuar se top golashënuesi i klubit, Cristiano Ronaldo, mund të ndjekë hapat e ish-bashkëlojtarit të tij Ryan Giggs, për të luajtur deri në moshën 38 vjeçare.
“Është e vështirë të shohësh fundin për Ronaldon, pasi ai kurrë nuk dorëzohet. Mendoj se ai do të luajë deri në moshën 38 vjeçare në nivelin më të lartë. Sikurse Ryan Giggs, ai është një profesionist dhe shembull për të gjithë bashkëlojtarët e tij”.
“Mendoj se Real Madridi bëri një transferim të lirë sepse ai do të luajë në nivelin më të lartë për shumë vjet dhe ai do të japë shumë për Real Madridin”, tha Di Salvo duke arsyetuar 94 milionë eurot e paguara për portugezin në vitin 2009.
Cristiano Ronaldo së fundmi theu rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni në La Liga, përderisa është lojtari i parë që ka fituar këpucën e artë dy herë në kampionate të ndryshme. Cristiano Ronaldo që pas ardhjes së tij te Real Madridi ka shënuar 86 gola në 89 ndeshje.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, nuk kishte dyshime mbi atë nëse skuadra e tij e meritoi fitoren në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, të cilët Blaugranët e fituan me rezultat 3-1.
“Kurrë nuk është lehtë. Ne duhet të përgëzojmë Manchester Unitedin për paraqitjen. Ne jemi të kënaqur sepse e dimë se sa e vështirë është ta fitosh Ligën e Kampionëve”.
“Ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe tani edhe bota e ka parë se e merituam fitoren. Ne e kemi kontrolluar lojën”, u shpreh Guardiola.
Ish-sulmuesi i Barcelonës, Gary Lineker, beson se Barcelona mund të bëhet ekipi më i mirë në histori të futbollit pas triumfit prej 3-1 në Ligën e Kampionëve.
“Ekipet tjera kanë luajtur futboll të mrekullueshëm, por kur ia shtoni formën fizike dhe fuqinë mentale, ju keni një skuadër e cila do të bëhet së shpejti edhe zyrtarisht më e mira e të gjitha kohërave”.
“Për ta arritur këtë status, ekipi i Guardiolas duhet ta fitojë Ligën e Kampionëve edhe dy-tri herë të tjera. Barcelona është në gjendje të bëjë atë që bëri Real Madridi dhe Milani në të kaluarën. I vetmi lojtar që është pranë pensionimit është Carles Puyol. Dhe a e vërejti Barcelona mungesën e tij? Jo.”, potencoi Lineker.
Përderisa të gjithë po flasin për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve të fituar nga Barcelona, Cristiano Ronaldo ka shfrytëzuar rastin për të folur për përforcimet e mundshme të Real Madridit.
“Të gjithë e njohin Coentraon. Për këtë arsye, nuk është e nevojshme të flas për cilësitë e tij”.
“Ai është lojtar shumë i fortë, që mund të luajë në shumë pozita. Ai është një prej lojtarëve më të mirë në botë”, ka thënë Ronaldo për AS i pyetur mbi cilësitë e bashkëkombësit të tij që po lidhet me një kalim te Real Madridi.
Trajneri i Interit, Leonardo, ka këmbëngulur se ai nuk ka asgjë për të dëshmuar në finalen e Coppa Italia ndaj Palermos.
“Një finale është finale dhe është me rëndësi për ne, për Palermon, për të gjithë. Në këtë rast janë dy trofe, që vetëm një ekip, një kapiten do t’i ngrejë. Dhe ky do të jetë trofeu i fundit që do të ngritet këtë sezon në Evropë”.
“Nuk kam nevojë që ta dëshmoj veten, nuk e shoh këtë si synim personal. Kjo do të ishte nënvlerësim i ndeshjes finale të Kupës. Duam ta fitojmë titullin e tretë këtë sezon për ekipin”, ka thënë Leonardo.
Fituesi i Coppa Italias pos që do të ngrejë trofeun e zakonshëm, do të ngrejë edhe një trofe tjetër, atë për nder të 150 vjetorit të bashkimit të Italisë.
Nëse dikush mund të krahasohet me atë që bën Barcelona në futboll, nëpër sporte tjera, atëherë ai është Sebastin Vettel i Red Bull, i cili ka vazhduar me fitoret e tij. Kësaj radhe ai viktimizoi rivalët në garën për Çmimin e Madh të Monacos.
Vettel ishte në pole pozicion të kësaj gare dhe nuk e pati aspak problem që ta përfundojë ashtu si e nisi, në pozitën e parë. Në vendin e dytë përfundoi Fernando Alonso i Ferrarit, i përcjellur nga Jenson Button i McLaren.
Ishte kjo fitorja e pestë në gjashtë garat e zhvilluara këtë sezon për Vettel në Formula 1 dhe gjermani do të dëshirojë që ta vazhdojë formën e tillë edhe më 12 qershor, kur dhe zhvillohet gara për Çmimim e Madh të Kanadasë, në pistën e Montrealit.
Festa për mijëra tifozë të Barcelonës në sheshin kryesor të Barcelonës, Plaza de Catalunya, përfundoi në mënyrë të hidhur, pasi që disa tifozë janë lënduar në incidentet pas ndeshjes.
Mbi 35 mijë tifozë të Barcelonës ishin mbledhur nëpër rrugët e kryeqytetit të Katalunisë për ta përcjellur në një ekran gjigant takimin e zhvilluar në stadiumin Wembley të Londrës.
Pas fitores së Barcelonës prej 3-1, mijëra tifozë të Barcelonës brohoritën rrugëve, ‘Barcelona, Barcelona’, që bëri që situata të tensionohej me forcat policore.
Trajneri dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, Pep Guardiola, është i pa vendosur ende për të ardhmen e tij, pasi para mediave pas ndeshjes finale deklaroi se ai nuk e ka ndërmend të largohet.
“Do ta them përsëri, unë kam edhe një vit kontratë dhe dua ta respektoj atë”.
“Më duhet të shikoj brenda meje. Unë jam i lumtur këtu si trajner i këtyre djemve, por nuk është aq e lehtë”, u shpreh Guardiola.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi ka lansuar një mesazh kërcënues për rivalët, duke thënë se ai nuk lodhet së fituari trofe dhe se ai dëshiron të fitojë edhe më shumë tituj.
“Kjo ishte ndeshje për t’u kujtuar. Çfarë po bën ky ekip është e mrekullueshme dhe ne ende nuk jemi të vetdishëm se çfarë po arrijmë. Ne duam të vazhdojmë së fituari tituj”.
“Ky është ekip fituesish, ne të gjithë e dimë këtë dhe të dielën do të mendojmë vetëm për të festuar. Më pas mendojmë për sezonin e ardhshëm”, deklaroi Messi pas takimit.
Nani ka folur për zhgënjimin që ka përjetuar pasi nuk luajti nga fillimi në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, por premtoi që do të përmirësohet vitin e ardhshëm.
“Është e vështirë për mua pasi unë dua që gjithmonë të luaj. Unë kam dashur të luaj në finale. Të gjithë duan të luajnë në finale, por pasi luajta aq mirë këtë sezon, isha i zhgënjyer pse nuk do të luaja”.
“Por ky është futbolli. Ndonjëherë ju luani dhe ndonjëherë ju nuk luani, por mua më duhet të respektoj vendimet e menaxherit. Ju nuk mund të bëni asgjë”, ka thënë Nani.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, duhet të përgatitet për një ofertë nga Chelsea, për ta marrë nën drejtim klubin nga Londra sezonin e ardhshëm.
Sunday Mirror shkruan se edhe pse Guardiola ka këmbëngulur se ai nuk dëshiron të largohet nga Barcelona, ai mund të bindet për të kaluar te Chelsea.
Pep Guardiolës i intereson vetëm Interi dhe Chelsea në rast të ndonjë largimi dhe me Roman Abramovich që nuk e ka prioritet Guus Hiddinkun, është shumë e mundur që ta shohim teknikun katalanas te Chelsea sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez ka lëvduar Barcelonën duke thënë se është skuadra më e mirë në botë pas fitores së katalanasve në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
“Humbja sigurisht se dhemb. Janë mësime për t’u mësuar dhe ne duhet t’i kuptojmë ato. Tani nuk kam pse të festoj, jam i lënduar. Humbja dhemb, sidomos në një finale”.
“Ju mund ta quani këtë dështim apo zhgënjim. Neve do të na kishte pëlqyer që ta ngrisnim trofeun, por në vend të kësaj duhet të duartrokasim”, ka thënë Chicharito.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, ia ka dedikuar trofeun e fituar në Wembley tifozëve Blaugranë anëembanë globit.
“Ne duam të festojmë me tifozët tanë. Ne duhet të fesojmë dhe të kënaqemi, ne ua dedikojmë fansave këtë titull. Është titull i bukur për t’ua prezantuar njerëzve”, theksoi Pedro.
Barcelona e mposhti Manchester Unitedin me rezultat 3-1 në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën mbrëma.
Ish-trajneri i Barcelonës, Charly Rexach, ka lëvduar ekipin e Pep Guardiolës, duke e quajtur si forcë të pa ndalshme pas fitores në finalen e madhe ndaj Manchester United.
“Unë vërtet u kënaqa me lojën. Ne nuk kemi nevojë për të vuajtur kur ata luajnë. Barcelona ishte superiore dhe bëri diferencën”.
“Ata luajtën shumë mirë kur ishte rezultati 1-1. Është vështirë që ata të humbasin. Ata janë pothuajse të pa ndalshëm”, u shpreh Rexach.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, ka përgëzuar Barcelonën për paraqitjen në finalen e madhe të zhvilluar të shtunën mbrëma duke mos pasur fare arsyetime.
“Duhet t’i komplimentoni, ata luajtën më mirë”.
“Ne kemi mundur të luajmë më mirë, por ata ishin më të mirët dhe nuk mund të arsyetohemi apo të ankohemi për asgjë”, potencoi Ferdinand.
Edwin Van der Sar ka vënë gishtin tregues mbi gabimet e bëra në finalen ndaj Barcelonës, gjë që sipas tij bëri që Djajtë e Kuq të dalin të humbur nga Wembley.
“Ne bëmë një gabim dhe ata na dënuan. Ishte një ndeshje me shumë gabime të bëra nga ne. Nuk është mirë të humbasësh, por ata kanë pasur rastet më të mira”.
“Nuk e di se si do të kishim mundur ta shmangnim golin e Messit. Mendoj se isha pozicionuar mirë, por Villa ma bllokoi shikimin. Messi thjeshtë e dërgoi topin prapa Villas. Ata janë shumë të mirë. Ne filluam mirë, ashtu sikurse në Romë dhe pasi nuk shënuam golin e parë, ja pasojat”, ka thënë holandezi.
Më në fund trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola është bindur që Lionel Messi është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, pas paraqitjes së shkëlqyer nga argjentinasi në finalen ndaj Manchester United.
Lionel Messi shënoi golin e dytë të Barcelonës me një goditje hyjnore nga distanca, që i parapriu dhe golit të fitores nga David Villa.
“Lionel Messi është lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë, ndoshta më i miri në histori. Ai bëri diferencën”.
“Messi është unik. Unë shpresoj që ai të mos ngopet. Kur ai nuk luan mirë, kjo është për shkak se diçka nuk është në rregull me ambientin e tij. Të shpresojmë se ai do të vazhdojë të luajë mirë”, theksoi Guardiola.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ishte tejet i zhgënjyer me disfatën e pësuar në ndeshjen finale ndaj Barcelonës, duke thënë se ekipi i tij e kishte të pa mundur ta ndalonte Lionel Messin.
“Ne jemi mopshtur nga ekipi më i mirë, por prita që të luajmë më mirë. Ne e kemi ditur se kjo do të ndodhë edhe para ndeshjes dhe planifikuam mirë gjërat, stërvitjet ishin të mira”.
“Ata ju çmendin me pasimet e tyre, ndërsa ne vërtet kurrë nuk e kontrolluam Messin, edhe pse shumë njerëz e kanë thënë këtë në të kaluarën. Mendoj se ne kemi arritur të kthehemi me anë të Rooneyt, por kam pritur lojë më të mirë në pjesën e dytë edhe pse nuk ishte e thënë që kjo të ndodhë”, potencoi Ferguson.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano ka thumbuar tifozët e Manchester United, duke ua dedikuar trofeun e Ligës së Kampionëve tifozëve rivalë të Liverpoolit.
“Unë e di se tifozët e Liverpoolit mund të jenë të hidhëruar në mua, por do të thosha se fitorja është për ta. Fitimi i Ligës së Kampionëve për çdo lojtar është kulmi. Të luaj në qendër të mbrojtjes ishte e çuditshme për mua, por jam mësuar”.
“Nuk është pozita ime natyrale dhe jam në gjendje të bëj gjithçka për t’i ndihmaur ekipit, sepse tani ne ia arritëm qëllimit”, deklaroi Mascherano.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ia ka dedikuar golin e shënuar në finalen e Ligës së Kampionëve familjes së tij.
“Ky është shpërblimi për gjithë punën dhe jam i lumtur të kem arritur këtë në një stadium të rëndësishëm si ky. Ishte titull me rëndësi për klubin, kështu që tani është e jona”.
“Nëse na njihni, e dini se ne kurrë nuk pushojmë. Ne kemi ambicie, ne kemi potencial dhe jemi shumë të uritur për tituj. Ne nuk kemi mundur ta lëshojmë këtë rast. Golin ia dedikoj familjes time, vajzave të mia dhe të Pepe Reinas, të cilat janë sikurse mbesat e mia”, ka thënë David Villa pas ndeshjes.