Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, i cili pati një sezon të shkëlqyer me bavarezët duke shënuar 39 gola në të gjitha garat, ka deklaruar se ai do të jetë gjithmonë në dispozicion të përfaqësueses së Gjermanisë.
Përkundër formës së tij, 25-vjeçari ende nuk ka siguruar një pozitë startuese me kombëtaren, por duket se kjo nuk i pengon atij.
“Gjithmonë do të ofroj shërbimet e mia. Ndërsa gjithçka tjetër vendoset nga trajneri”, ka deklaruar Gomez për Goal.com, pas fitores prej 2-1 që e regjistroi përfaqësuesja e tij kundër Uruguait.
Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, i ka paralajmëruar klubet që dëshirojnë ta angazhojnë Sergio Agueron se duhet të paguajnë 45 milionë euro për ta transferuar atë.
Argjentinasi 22-vjeçar e ka bërë të qartë se dëshiron të transferohet në një klub më të madh, ashtu që skuadra të shumta kanë shprehur interesim për të, sidomos Juventusi.
“Jemi të gatshëm ta shesim atë me kusht që klubet e interesuara të paguajnë 45 milionë eurot që janë pjesë e kontratës. Dhe atë duhet ta bëjnë me para të thata”.
“Ai na ka thënë se dëshiron të largohet. Ne jemi duke pritur nga ai të na tregojë preferencat e tij, por tash për tash nuk kemi marrë asnjë ofertë zyrtare”, ka thënë Cerezo për Sky Sport Italia.
Manchester Unitedi është shpallur skuadra më e mirë në Angli, mirëpo finalja e Ligës së Kampionëve tregoi se Sir Alex Ferguson duhet të mendojë për të ndërtuar një skuadër të fortë për të garuar në Evropë.
“Duhet të përmirësohemi sezonin e ardhshëm. Nuk do të jetë lehtë, por kjo është sfida, nuk duhet t’i frikësohemi asaj”, ka deklaruar trajneri.
Me pensionimin e Gary Neville dhe Edwin van der Sar (dhe mundësinë e pensionimit të Paul Scholes) dhe me moshën e Ryan Giggs e Rio Ferdinand, United është i gatshëm që të fillojë një epokë të re të ndërtimit të skuadrës.
Njoftohet se Ferguson do të ketë në dispozicion rreth 50 milionë funte për të shpenzuar, si edhe shumën e parave që mund të përfitohet nga shitja e Dimitar Berbatov dhe ndonjë lojtari më pak të rëndësishëm.
Nga lojtarët që mund ta përforcojnë Unitedin, janë emra të tillë, si portieri David de Gea (Atletico Madrid), anësori Ashley Young (Aston Villa) dhe mesfushorët Luka Modric (Tottenham) e Wesley Sneijder (Inter).
Sulmuesi i Dynamo Kievit, Andriy Shevchenko, ka njoftuar se do të pensionohet nga futbolli pas Kampionatit të ardhshëm Evropian në futboll.
Ukraina dhe Polonia janë nikoqirët e Euro 2012, ndërsa 34-vjeçari planifikon t’i japë fund karrierës pas përfaqësimit të vendit të tij në këtë garë.
“Kam vendosur të largohem nga futbolli pas Euro 2012. Është një vendim definitiv”, ka thënë ish sulmuesi i Milanit dhe Chelseat.
Legjenda çeke e Juventusit, Pavel Nedved, ka thënë se ai e ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e trajnerit të bardhezinjve para fillimit të sezonit të ri.
Zonja e Vjetër është në kërkim të një trajneri pas largimit të Luigi Del Nerit, ndërsa janë kërkuar shërbimet e 38-vjeçarit për ta drejtuar skuadrën. Mirëpo, Nedved, i cili aktualisht është drejtor te Juve, nuk mendon se është koha e duhur që ai ta fillojë punën si trajner.
“Është e vërtetë se më është ofruar mundësia e trajnerit kryesor, por e refuzova”.
“Nuk mendoj se është momenti i duhur që unë ta filloj karrierën time si trajner. Sidoqoftë, nuk mund të mohoj se do të drejtoj ndonjë klub në të ardhmen”, ka thënë Nedved për Tuttosport.
Bayern Munich është i interesuar të transferojë sulmuesin e Manchester United, Dimitar Berbatov.
Telegraph-i britanik shkruan se pavarësisht se nënshkrimi rekord i klubit (30.75 milionë funte), ka thënë se nuk ka dëshirë të largohet nga United, mosangazhimi i tij në Wembley mund ta detyrojë atë ta rimendojë të ardhmen e tij.
Bayern Munich ka ringjallur interesimin për Berbatov, derisa edhe një rikthim i tij te Tottenhami është i mundshëm, nëse United shpreh interesim për Luka Modric.
Sulmuesi anglez Michael Owen shpreson se do ta vazhdojë karrierën te Manchester Unitedi, përkundër spekulimeve për mundësinë e largimit të tij.
Owen vazhdon të nxehë bankën rezervë të Djajve të Kuq, ndërsa kontrata aktuale e tij skadon në fund të qershorit dhe akoma nuk ka asnjë njoftim për vazhdimin e saj.
Mirëpo, përkundër mungesës së lojës, veterani ka thënë për Sky Sports se është kënaqur me kohën që ka kaluar në Old Trafford, ashtu që dëshiron të qëndrojë sa më gjatë.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka thënë se ata duhet ta harrojnë atë që ndodhi të shtunën dhe të fokusohen në sezonin e ardhshëm.
Rooney tashmë ka vënë një cak të ri, të fitojë titullin e 20-të në ligë.
“Fitimi i ligës është një arritje e madhe. Ne duhet të harrojmë atë çfarë ndodhi të shtunën dhe duhet të vazhdojmë më tej”.
“Ideja tash është ta fitojmë të 20-tin. Ne do të luftojmë shumë për t’u siguruar se jemi po aty sërish sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar Rooney.
Juventusi raportohet se do të bëjë ofertë tronditëse për dy lojtarë të Manchester United, anësorin Antonio Valencia dhe mbrojtësin e ri Rafael.
United është informuar për dëshirën e klubit italian dhe drejtori sportiv Giuseppe Marotta pritet të bëjë një ofertë formale për Valencia në vlerën e 13 milionë funteve gjatë javës së ardhshme.
Por Juve nuk besohet se do të mund të bindë United me një shumë të tillë që pagoi plot 16 milionë funte për ekuadorianin kur e transferoi atë nga Wigan në vitin 2009. Valencia sapo është rikuperuar nga një lëndim i tmerrshëm që e la atë jashtë fushe për rreth gjashtë muaj.
Juve po ashtu do të synojë të transferojë 20-vjeçarin brazilian Rafael në formë huazimi.
Lionel Messi thotë se ai është i ngazëllyer me golin e tij në triumfin e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United.
Messi ka thënë se ai e kishte vërejtur se Edwin van der Sar kishte dalë nga pozita e tij para se të dërgojë goditjen në drejtim të portës.
“Ne ishim superior ndaj Mancehsterit dhe e merituam fitoren. Është edhe një kupë për ne dhe kam arritur të shënoj sërish. Pashë ca hapësirë atje, portieri doli ca dhe pak me fat topi shkoi në brendi”.
“Tash do të shkojmë në pushim – pasi kemi fituar kupën – pastaj do të fillojmë të mendojmë çfarë mund të arrijmë sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar ylli argjentinas.
Patrice Evra thotë se Manchester United do të rikthehet pas disfatës së të shtunës në finalen e Ligës së Kampionëve, dhe ka pranuar se Barca për tashmë tre vite është ekipi më i mirë në botë.
“Përfundimi është se Manchester United ka pasur një sezon të mirë. Jo një sezon të shkëlqyeshëm pasi ne nuk fituam të shtunën mbrëma, por një sezon të mirë. Nuk ka qenë lehtë, por ne luajtëm me shpirtin e Manchester United. Ne merituam më shumë, por ne luajtëm kundër ekipit më të mirë në botë dhe ishte vështirë. E di çfarë duhet të bëjmë”.
“Të shkojmë në pushime, të pushojmë dhe të rikthehemi pasi Manchester United kurrë nuk vdes. Ne gjithmonë kemi dashur të bëhemi ekipi më i mirë në botë, por për momentin ne duhet ta pranojmë se në tre vitet e fundit Barcelona ka qenë ekipi më i mirë në botë dhe United i dyti”, ka thënë Evra.
Manchester United nuk ka mundur ta ndalojë Lionel Messin, thotë anësori i këtij ekipi, Luis Nani.
Nani u inkuadrua në ndeshje në pjesën e dytë në disfatën 3-1 të Djajve të Kuq nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Me kalimin e kohës ne treguam se mund të luajmë në nivelin e Barcelonës. Por në pjesën e dytë ne filluam t’i japim më shumë hapësirë në mes Messit dhe ata filluan të fitojnë më shumë kohë në top. Ata filluan ta krijojnë diferencën”.
“Andaj po, kur ai filloi ta marrë topin, ishte vështirë. Ai ishte i pandalshëm. Çdokush e di çfarë mund të bëjë ai, por në pjesën e parë, kur ne nuk i dhamë hapësirë atij, ai nuk bëri shumë“, ka thënë Nani.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto'o, ka siguruar fansat Nerazzurë, se ai do të qëndrojë në Giuseppe Meazza.
Eto’o ishte heroi i Interit në fitoren e mbrëmshme prej 3-1 ndaj Palermos në finalen e Kupës së Italisë. Ka pasur spekulime se Eto’o është duke menduar një largim nga Interi këtë verë, por vetë lojtari ka mohuar.
“Presidenti Massimo Moratti ka folur dhe po ashtu edhe unë. Është fakt se po qëndroj këtu. Nuk ka asgjë tjetër për të thënë”, ka deklaruar Eto’o.
Legjenda e dikurshme argjentinase, Osvaldo Ardiles, gjatë një deklarate për fitoren e Barcelonës ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve, është shprehur plot lëvdata për ekipin nga Camp Nou.
“Barcelona është skuadra që duhet mposhtur, është ekipi më i mirë në botë”.
“Mendoj se ata do të mbretërojnë në futboll për një kohë të gjatë. Ata janë të gjithë shumë të rinj po ashtu, dhe është kënaqësi”.
“Mendoj se është ndoshta një nga (ekipet) më të mira në histori të futbollit. Mendoj se është një ekip i jashtëzakonshëm me disa lojtarë të mrekullueshëm, si Lionel Messi”, ka deklaruar Ardiles.