Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka deklaruar se ai nuk ka ndërmend të kthehet për pushime në Mançester kur të largohet nga City.
“Nuk ke se çfarë të bësh në Mançester. Unë flas ende keq anglisht. Kur të mbarojë kontrata ime me Cityn pas tri vitesh, nuk do të kthehem as për pushime”.
“Gjithmonë kam thënë se do të pensionohem në moshën 28 vjeçare, por mendoj se do të vazhdoj edhe pak”, u shpreh 27 vjeçari.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i vendosur që ta shfuqizojë suspendimin me pesë ndeshje mos prani në stol në garat evropiane dhe këtë portugezi dëshiron ta bëjë duke i shkuar deri në fund çështjes me UEFA-n.
The Sun shkruan se Mourinho do ta padisë UEFA-n në Gjykatën për Arbitrim Sportiv për ta shfuqizuar suspendimin e lartpërmendur.
UEFA e ka dënuar Jose Mourinhon pas komenteve kontraverse të portugezit, i cili deklaroi se organi më i lartë i futbollit evropian po i ndihmonte Barcelonës me anë të manipulimit të gjyqtarëve.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, e ka këshilluar klubin që të procedojë me çështjen Fabregas dhe të mos e lë pas dore, pasi sipas tij Cesc meriton rikthimin në vendlindje.
“Unë kam simpati për Cesc. Ju e dini se çfarë do t’i jipte ekipit. Unë shpresoj se ai mund të vijë te Barcelona. Jo vetëm si lojtar, por si dikush që meriton të rikthehet”, theksoi Villa për The Sun.
Përderisa Fabregas është duke e u ‘djegur’ nga dëshira për t’u kthyer te Barcelona, është Arsene Wenger ai që nuk po e lejon një gjë të tillë, jo për një shumë më të vogël se 45 milionë funte.
Përzgjedhësi i kombëtares turke, Guus Hiddink, ka refuzuar të flasë saktësisht për të ardhmen e tij pas barazimit të skuadrës së tij ndaj Belgjikës në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012.
“Ekipi është në situatë të mirë. Ne do të bëjmë disa ndryshime dhe lojtarë të rinj do të vijnë vazhdimisht. Është po ashtu aspekt i rëndësishëm”.
“E ardhmja? Të shohim. Nuk ka asgjë të sigurtë. Në moshën time mund të dalin shumë probleme, ne mund të flasim gjithmonë”, tha Hiddink.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, ka deklaruar se ai ka miqësi të mirë me Fernando Torresin përkundër kalimit të tij te Chelsea, ndërsa është shprehur i bindur se The Reds do të tejkalojnë Blutë sezonin e ardhshëm.
“Ne tashme kemi biseduar për këtë. Unë i dëshiroj atij çdo të mirë, ai më dëshiron mua çdo të mirë. Marrëdhëniet tona janë të njëjta, ashtu sikurse kur kemi luajtur së bashku. Ne të dy duam ta shohim njëri-tjetrin të suksesshëm”.
“Unë shpresoj se do ta tejkalojmë Chelsean. Ne jemi në pozicion të mirë për të pasur sukses sezonin e ardhshëm”, ka thënë Reina për Goal.com.
Sulmuesi italian, Giuseppe Rossi është i kënaqur me golin e realizuar ndaj Estonisë, me ç’rast ka lëvduar Antonio Cassanon për bashkëpunimin e treguar.
“Është sezon i mrekullueshëm dhe jam i kënaqur që gjithçka ka shkuar mirë. Natyrisht, unë dua të luaj edhe më mirë”.
“Unë mund të luaj në sisteme të ndryshme dhe gjithmonë do të tentoj të jap më të mirën kudo që më vendos trajneri. Unë jam përshtatur mirë Antonio Cassanon, i cili është kampion. Është lehtë të luash pranë tij”, potencoi Rossi.
Trajneri i Barcelona B, Luis Enrique, ka thënë se ai është në bisedime me Romën dhe se atij i pëlqen shumë kryeqyteti italian.
“Situata ka mbetur e njëjtë. Negociatat po vazhdojnë me Romën dhe ende nuk ka përfunduar asgjë. Roma është qytet i bukur, unë e njoh atë dhe më pëlqen shumë”, theksoi Luis Enrique.
Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Real Madridit pritet që brenda pak ditësh të emërohet trajner i Romës, e cila ka ndërruar pronarë dhe po kërkon të rikthehet fuqishëm në skenën e futbollit evropian.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka shprehur dëshirën e tij për ta transferuar anësorin e Benficas, Fabio Coentrao.
“Ai është lojtar i mrekullueshëm. Më pëlqen shumëanshmëria e tij, duke qenë se mund të luajë në të gjitha pozitat”.
“Lojtarë si ai janë të mirëpritur, sidomos te një klub kërkues sikurse Real Madridi”, u shpreh portugezi përp Cadena Ser.
Sulmuesi i Juventusit, Luca Toni, ka këmbëngulur se ai do të qëndrojë te gjiganti italian dhe se do të luftojë për vendin në skuadër.
“Është e qartë se unë jam ende pjesë e këtij projekti të klubit. Për këtë arsye, unë do të qëndroj dhe do të bëj ç’mos për t’i ndihmuar trajnerit të ri. Ne duhet të fillojmë mirë pas një sezoni të mjerë”, theksoi Toni.
Juventusi ka dështuar që të kualifikohet për garat evropiane sezonin që lamë pas duke përfunduar vetëm në pozitën e shtatë në renditjen tabelare të Serie A.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, shpreson që Nerazzurët të finalizojnë transferimin e anësorit të Udineses, Alexis Sanchez, në ditët e ardhshme, pas spekulimeve të shumta për të ardhmen e kilianit të shumëkërkuar.
“Është e vështirë të japim një përgjigje precize në këtë moment, pasi po tentojmë të kuptojmë nëse klubet janë të gatshme t’i shesin lojtarët, si duan t’i shesin, çmimet, pagat dhe nëse mund të bëhen shkëmbime të caktuara”.
“Sidoqotë, le të themi se lojtari për të cilin po flasim, nuk e di nëse do të jetë lojtar i joni. Kjo për shkak se ai është shumë lojtar cilësor dhe bisedimet i kemi hapur që një kohë të gjatë. Le të mos themi definitivisht që ai do të vijë te Interi, por 60% të gjasave janë që ai të jetë lojtar i yni”, deklaroi Moratti për ESPN.
Mbrojtësi i Anglisë, John Terry, ka këshilluar bashkëlojtarët e përfaqësueses që t’i kushtojnë vëmendje Jack Wilshere, pasi mendon se nga ai Albionët mund të përfitojnë shumë në të ardhmen.
“Ai ka qenë klas tjetër për ne në ndeshjet e fundit. Unë e shoh atë si pjesë shumë të rëndësishme këtu. Nëse do ta kërkojmë titullin në Euro 2012, atëherë duhet të shikojmë në Wilsheren. Unë e shoh atë pjesë integrale të ekipit të parë kombëtar, por duhet të kujdesemi për të”.
“Sinqerisht, unë ndjej se ne duhet të kujdesemi më shumë për të, pasi ai është e ardhmja e kombëtares tonë”, u shpreh Terry.
Talenti i ri argjentinas, Esteban Andrada, është në rrugë drejt largimit nga Lanus, pasi vet portieri zbuloi se ai është shumë pranë kalimit te kampioni i Spanjës, Barcelona.
20 vjeçari konsiderohet si një prej talentëve më të mëdhenj të kategorisë së tij dhe vazhdimisht është lidhur me një kalim në Evropë. Siç duket Barcelona në fshehtësi ka siguruar shërbimet e tij.
“Agjenti më ka thënë se unë do të jem lojtar i Barcelonës brenda dy-tri javësh. Unë kurrë nuk e kam paramenduar që klubi më i mirë në botë do të shfaqte interesim për pmua. Unë jam shumë i lëkundur, që nga koha kur së pari janë interesuar për mua, tri muaj më parë. Victor Valdes është shembull për mua”, theksoi Andrada për Ona FM.
Roger Federer ka ndalur ecurinë pa humbje në vitin 2011 të tenistit serb Novak Djokovic, duke e mposhtur atë në gjysmëfinale të grand slam turneut, French Open.
Federer fitoi me rezultat 3-1 në sete (7-6, 6-3, 3-6, 7-6), duke i bërë me dije serbit se ende ka mbetur ai i vjetri.
Tenisti më i mirë i të gjitha kohërave, Roger Federer do të takohet në finalen e të dielës me Rafael Nadal që mposhti britanikun Andy Murray.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka thënë se ai dëshiron të qëndrojë te klubi nga Santiago Bernabeu, pas spekulimeve të shumta për të ardhmen e tij.
“Shumë klube e duan djalin tim. Juventusi është një prej klubeve më të rëndësishme në Evropë dhe askush nuk ka biseduar me neve për interesimin e tyre”.
“Ne jemi të nderuar nga interesimi i tyre, por Gonzalo dëshiron të qëndrojë në Spanjë me Real Madridin”, ka thënë babai Jorge Higuain për Tuttosport.
Kampioni i Italisë, Milani nuk është i sigurtë nëse Axel Witsel i Standard Liege është njeriu i duhur për ta përforcuar skuadrën, përderisa drejtori Ariedo Braida ka udhëtuar në Belgjikë të premtën për ta shikuar për së afërmi mesfushorin e shumëanshëm para se të bëjë një ofertë konkrete.
Lajmin e bën të ditur La Gazzetta dello Sport që shkruan se zyrtarët e Milanit dëshirojnë ta shfrytëzojnë ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 mes Belgjikës dhe Turqisë për ta përcjellur për së afërmi lojtarin me të cilin skuadra nga San Siro është lidhur shumë kohëve të fundit.
Përkundër këtij interesimi të hapur të Milanit për Witsel, nuk mund të thuhet se negociatat kanë nisur, por mediat belge besojnë se Rossonerët duhet të bëjnë gati 15 milionë euro për shërbimet e mesfushorit belg.
Pronarët e Liverpoolit, Fenway Sports Group (FSG) janë duke e menduar shitjen e disa prej lojtarëve të cilët janë përfituesit më të mëdhenj në klub, në mënyrë që të financohet plani i transferimeve për këtë verë, njofton Guardian.
Liverpooli është duke u lidhur me një sërë lojtarësh nga Liga Premier, por për të mundësuar transferimet e reja gjatë verës së pari The Reds kanë menduar shitjen e disa prej lojtarëve të pa nevojshëm të cilët fitojnë shumë.
Joe Cole (113 mijë euro në javë), Milan Jovanovic (135 mijë euro në javë) dhe Alberto Aquilani janë të parët në listën e gjatë të FSG-së për t’u larguar, me italianin që ende është dilema kryesore për shkak të çmimit të ulët që dëshiron ta paguajë Juventusi.