Wesley Sneijder (Manchester United) - Fotomontazhë Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, duhet të vendosë se a do ta pranojë ofertën e Manchester Cityt apo atë të Manchester United, teksa është duke qëndruar për pushime në Los Angeles.
Sunday Mirror shkruan se Sneijder ka shkuar për një vizitë të shpejtë në Angli javën e kaluar dhe më pas shkoi në Los Angeles për të biseduar mbi të ardhmen me bashkëshorten Yolanthe.
Sneijder u ka bërë me dije të dyja klubeve që të bëjnë gati nga 200 mijë funte në javë nëse e dëshirojnë atë në ekip dhe kjo nuk është problem për asnjërin klub.
Megjithatë, United konsiderohet favorit, për shkak të klasit të klubit dhe takimeve të shumta mes agjentit të holandezit dhe Sir Alex Ferguson.
Mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere, ishte shumë i zhgënjyer me barazimin prej 2-2 ndaj Zvicrës së përforcuar me pesë shqiptarë.
“Unë jam i zhgënjyer që nuk kemi marrë tri pikë, por kemi shfaqur karakter për t’u rikthyer”.
“Në fund ne kemi mundur ta fitojmë takimin. Unë luajta mirë dhe sistemi 4-3-3 bëri që të jemi më konkret para portës”, potencoi Wilshere.
E ardhmja e Nanit te Manchester United është bërë edhe më e pa qartë me mediat angleze që flasin për një interesim të Real Madridit në anësorin portugez.
Sunday Mirror shkruan se anësori portugez është i pa kënaqur me rolin e tij te Manchester United dhe kështu refuzoi rinovimin e kontratës në mars. Dhe me Manchester Unitedit pranë kompletimit të tranferimit të Xherdan Shaqirit, Nani e di se nuk ka çfarë të kërkojë te klubi nga Old Trafford.
Real Madridi ka trokitur menjëherë në dyert e drejtuesve të Manchester United për të pyetur se cili është çmimi i Nanit – përgjigja ishte 40 milionë funte.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka deklaruar se pronari i Manchester Cityt, Sheikh Al Mansour i ka thënë se ai mund të largohet nëse dëshiron.
“Mansour më transferoi, ai dëshiron të më mbajë, por në të njëjtën kohë, ai më ka thënë se mund të bëj çfarë dua unë për të qenë i lumtur. Ai më ka thënë: ‘Nëse dëshiron të largohesh, mund të shkosh’. Varet nga unë”.
“Ata ma ofruan një kontratë të re në dhjetor, por nuk kam dashur ta zgjas. Në fund të sezonit më ofruan edhe një kontratë të re, por për momentin nuk e di nëse do ta pranoj atë. Janë disa opsione, por nëse nuk luaj për Real Madridin, Barcelonën, Interin ose Milanin, atëherë nuk kam çfarë të tregoj për jetën time. Nuk kam problem tjetër – Mançesteri është shtëpia ime e dytë”, potencoi Tevez.
Asi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i përgatitur për ta sakrifikuar shënimin e golave vetëm e vetëm për të fituar tituj me ekipin.
Ronaldo shënoi 53 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe përkundër këtij fakti, CR7 në çdo moment do të ishte i gatshëm t’i shkëmbente këto gola me tituj.
“Unë do të preferoja të mos shënoj aq shumë gola dhe të fitoj më shumë tituj”, theksoi Ronaldo për Marca.
Një seksion i tifozëve e vërshëlleu anësorin në ndeshjen kruciale të Portugalisë për kualifikim ndaj Norvegjisë në Estadio da Luz, gjë që nuk e brengos Ronaldon.
“Unë nuk dëgjoj asgjë. Unë jam i kënaqur me rezultatin. Ardhja e Paulo Bentos e ka përmirësuar skuadrën që tani është solide, e bindur, e matur dhe ja pse jemi të parët në grup”, përfundoi Ronaldo.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, është shprehur i kënaqur me golin e realizuar në miqësoren ndaj SHBA-ve, duke thënë se lëndimet e kanë mbajtur atë larg prej formës më të mirë.
“Unë jam ndier shumë mirë nga fillimi. Ishte një vit shumë i vështirë ky për mua”.
“Unë kam luajtur vetëm dy herë për kombëtaren. Lëndimet më kanë mbajtur larg formës më të mirë. Unë jam i kënaqur që ekipi fitoi dhe gjithçka shkoi si duhet”, potencoi Torres.
Mbrojtësi i Benficas, Fabio Coentrao, ka konfirmuar se është duke u kërkuar nga gjiganti spanjoll, Real Madrid, duke aluduar kështu në një transferim.
“E ardhmja ime ende është e pa sigurtë. Unë e di se ekziston interesim i Real Madridit. Tani po shkoj në pushime dhe më pas të shohim çfarë do të ndodhë”.
“Nëse largohem nga Benfica, atëherë do të rikthehem një ditë përsëri. Është premtim i bërë nga ana ime, por është diçka që ka nevojë të thuhet. Unë e dua Benfican dhe do ta mbaj në zemër gjithmonë”, ka thënë Coentrao.
Tinejxheri sensacional shqiptar, Xherdan Shaqiri besohet të jetë shndërruar në një prej synimeve kryesore të Sir Alex Ferguson, pasi besohet që skocezi është fascinuar nga paraqitja e Shaqirit në fanellën e Zvicrës në barazimin prej 2-2 ndaj Anglisë.
Caughtoffside shkruan se 19 vjeçari pritet të largohet gjatë verës nga Baseli dhe një prej destinacioneve të mundshme është Manchester United, ku Shahqiri shihet si zëvëndësues i Ryan Giggs.
Për të shmangur interesimin e Liverpoolit, Juventusit dhe skuadrave të shumta nga Bundesliga, United është i gatshëm t’i ofrojë Baselit 10 milionë funte.
Pos tjerash Manchester United mendon që të ofrojë edhe anësorin francez Gabriel Obertan në ofertën për Shaqirin, i cili mund ta shohë veten shumë lehtë në Old Trafford sezonin e ardhshëm.
Torino ka bërë të ditur se skuadra e tretë në Serie A dhe pjesmarrëse në Ligën e Kampionëve, Napoli, ka shfaqur interesim për mesfushorin shqiptar Blerim Xhemajli.
“Napoli vërtet interesohet për Xhemajlin. Aktualisht, lojtari pëlqehet nga shumë klube. Ne vetëm po presim se çfarë do të jetë oferta. Unë nuk e di se si do të marrë fund kjo, por Xhemajli është lojtar i nivelit të lartë dhe profesionist i jashtëzakonshëm”, theksoi drejtori sportiv i Torinos, Gianluca Petrachi për Racio CRC.
Edhe në të kaluarën kemi pasur mundësi ta shohim Xhemajlin në Serie A, si në fanellën e Parmës ashtu edhe në atë të Torinos, duke shfaqur një sërë paraqitjesh të mira.
Mesfushori i Spanjës, Santi Cazorla, ka shprehur kënaqësinë e tij në të luajturit për përfaqësuesen spanjolle, pas realizimit të dy golave në miqësoren ndaj SHBA-ve.
“Kur luaj për Spanjën unë jap gjithçka. Është privilegj të luaj për Spanjën dhe për këtë fanellë. Ne kemi treguar se ky grup është ende shumë i bashkuar”, theksoi Cazorla për AS.
Është menduar se përfaqësuesja e Spanjës, e cila përbëhet kryesisht nga lojtarë të Barcelonës dhe Real Madridit, do të shfaqte përçarje pas tensioneve nëpër El Clasicot e prillit, një mendim ky që doli të ishte i pa qëndrueshëm.
Komentet më të fundit të bëra nga agjenti i talentit brazilian, Neymar, na sugjerojnë se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi brazilian, së paku jo në një të ardhme të afërt.
“Këto janë spekulime nga Britania. Është absurde. Ai nuk dëshiron dhe nuk do të largohet nga Santosi. Ai është i lumtur dhe dëshiron të fokusohet në Copa Libertadores”.
“Natyrisht se ai do të tërheqë interesimin me paraqitjet e mira në fushë, por ju garantoj se nuk ka ofertë për të. Duhet të paguani 40 milionë funte për të, apo Santosi të dëshirojë ta shesë dhe Santos nuk dëshiron ta bëjë këtë”, ka thënë agjenti i lojtarit.