Mbrojtësi veteran Marco Materazzi pranon se në të ardhmen do të mbetet tek Interi, mirëpo është i pasigurt nëse do të vazhdojë si futbollist, apo do të marrë rolin e drejtorit pasi të pensionohet.
Kontrata e 37- vjeçarit skadon në qershor të viti 2012, ndërsa ai shumë rrallë ka luajtur për skuadrën e Leonardos. Roli i tij i reduktuar në ekip ka nxitur spekulimet se atij mund t’i jetë ofruar një punë në zyrë te Interi, mirëpo gjërat janë ende të paqarta, pasi që ai po përgatitet për bisedime të reja me presidentin Massimo Moratti.
“Nuk e di nëse edhe në sezonin tjetër do të jem këtu. Presidenti ka thëne se mund të bëj çfarë të dëshiroj, pasi që kemi një miqësi të shkëlqyeshme dhe nuk do të ketë probleme”.
“Unë gjithmonë kam ardhur të flas me Morattin, nuk ka ndonjë problem, ne vetëm po flasim. E ardhmja si drejtor? Sigurisht se kjo fanellë është si lëkura e dytë për mua”, është shprehur Materazzi për shtypin.
Trajneri i porsaemëruar i Juventusit, Antonio Conte, ka njoftuar se Bianconerët janë duke punuar në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri 2011/2012 dhe janë të bindur se do të sjellin disa lojtarë kualitativë.
Juve tashmë ka siguruar shërbimet e Andrea Pirlos dhe Reto Zieglerit, ndërsa Conte paralajmëron lojtarë të tjerë.
“Klubi po punon maksimalisht dhe e di kur të bëjë lëvizjen dhe për kë”.
“Do ta shfrytëzojmë afatin kalimtar për të siguruar lojtarë kualitativë”, ka thënë Conte.
Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, u ka premtuar Alessandro Del Pieros dhe Francesco Tottit se do të kthehen në kombëtare nëse arrijnë formë të mirë me skuadrat e tyre respektive.
Përkundër dështimeve të Juventusit dhe Romës në sezonin që lamë pas, Del Piero e Totti luajtën mirë në nivel personal.
Sulmuesi i Juventusit nuk ka luajtur për kombëtaren që nga Euro 2008, ndërsa numri dhjetë i Romës u tërhoq nga përfaqësuesja në fund të Kampionatit Botëror 2006.
Ndërsa tani, Prandelli u ka dhënë shpresë dy legjendave të futbollit italian, duke thënë se falë formës së tyre, ai do t’i konsiderojë për Euro 2012, edhe pse asokohe Del Piero do të ketë 37 vjet, ndërsa Totti 35 vjet.
Mbrojtësi francez, Eric Abidal, mendon se bashkë-lojtari i tij te Barcelona, Lionel Messi, mund ta fitojë çmimin Topi i Artë për të tretën herë radhazi.
Messi për të parën herë e fitoi trofeun në vitin 2009, para se ta fitojë atë edhe një herë vitin e kaluar, pasi Topi i Artë u bashkua me çmimin Lojtari më i Mirë i Vitit i FIFA për t’u bërë FIFA Topi i Artë.
23-vjeçari ka shënuar 53 gola në 55 paraqitje këtë sezon, derisa Barcelona fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Dhe Abidal ka thënë se Messi është në garë për ta fituar çmimin edhe njëherë.
“Kam pasur një ndjenjë të mirë për Lionel. Dy sezone më parë, i kam thënë atij se ai ishte i aftë ta fitojë Topin e Artë tre herë radhazi. E vërteta është se ai është shumë afër ta realizojë atë. Jam i ngazëllyer për të, që ai është lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Abidal.
Real Madridi shpreson të grumbullojë deri në 90 milionë funte këtë verë nga shitja e lojtarëve të padëshiruar.
Marca shkruan se me ekipin aktual të përbërë nga 27 lojtarë, Reali dëshiron t’i shesë së paku pesë lojtarë gjatë verës.
Kaka (i cili vlerësohet rreth 40 milionë euro), pastaj Lassana Diarra (20 milionë), Fernando Gago (12 milionë), Ezequiel Garay (10 milionë) dhe Pedro Leon (8 milionë) që të gjithë janë në shitje.
Reali po ashtu dëshiron t’i dëgjojë ofertat për të rinjtë Mateos dhe Sergio Canales.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai nuk dëshiron të transferohet te Real Madridi.
Mediat së fundi shkruan se suedezi ishte duke kërkuar një ribashkim me ish-trajnerin e Interit, Jose Mourinho. Por ai ka mohuar spekulimet e tilla.
“Është krejtësisht e pavërtetë. Dua të qëndroj me Milanin për edhe tre vite të tjera. Jam i lumtur këtu”, ka thënë Ibra për mediat suedeze.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, thotë se Kupa e Mbretit është vetëm fillimi për ekipin aktual.
Florentino ka deklaruar se Mourinho është ‘trajneri më i mirë në botë’ dhe se fansat mund të jenë të ngazëllyer për sezonin e ardhshëm.
“Ne kemi një ekip spektakolar, të ri, dhe trajnerin më të mirë në botë. Këtë vit ne e kemi shtruar terrenin për të ardhmen. Ne fituam Kupën dhe jemi të bindur se kjo Kupë është vetëm fillimi i një momenti të shkëlqyeshëm që ndodhet para nesh”, ka thënë Perez.
Anësori i Aston Villas, Ashley Young, nuk mund të fshehë ambiciet e tij për t’u transferuar te ndonjë klub më i madh.
Caku i Manchester United ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij te Villa dhe dëshiron të përjetojë futbollin e Ligës së Kampionëve dhe të luajë në Kupat Botërore dhe Kampionatet Evropiane.
“Gjithmonë më është dashur të besoj se mund të luajë në nivelet më të larta. Gjithmonë kam pasur vetëbesim. Gjithmonë kam pasur vetëbesim se mund të luaj në nivelin më të lartë”.
“Dua ta testoj veten në Kupa Botërore, Kampionate Evropiane dhe Ligën e Kampionëve. Si fëmijë gjithmonë doni të luani në garat më të mira. Si një fëmijë kam dashur të luajë në Ligën e Kampionëve – dhe me shpresa se një ditë edhe do të luaj”.
“Njerëzit thonë se kulmi i karrierës është në moshën 25, 26, 27. Unë do të mbush 26 vjet muajin e ardhshëm andaj shpresoj të arrij kulmin”, ka thënë anglezi.
Carlos Tevez ka zbuluar se Manchester City i ka ofruar atij kontratë të re të majme pas suksesit të Cityt në finalen e Kupës FA.
“Sheikh Mansour ka bërë shumë sakrifica për të më mbajtur mua dhe nëse qëndroj te City, do të jetë për të. Ai nënshkroi me mua, ai dëshiron të më mbajë por, në të njëjtën kohë, ai më ka thënë të bëj gjithçka që duhet të bëj për të qeni i lumtur”.
“Ai më ka thënë, ‘Nëse dëshiron të largohesh, atëherë mund të largohesh’. Nuk ka afat – gjithçka varet nga unë. Ata më kanë ofruar një kontratë të re në dhjetor, por unë nuk doja ta pranoj”.
“Në fund të sezonit ata më ofruan edhe një marrëveshje tjetër të re, por për momentin nuk e di nëse do ta pranoj atë”, ka thënë Tevez për News of the World.
Nicklas Bendtner ka thënë se tashmë është “100 për qind” i sigurt se ai do të largohet nga Arsenali këtë verë.
Sulmuesi danez ka dështuar të gjejë vend të rregullt si startues sezonin e fundit dhe ka filluar të joshë interesimin e klubeve si Sevilla, Milan dhe Bayern Munich.
“Mund të premtoj se nuk do të jetë edhe një sezon tjetër si ky. Kam vendosur 100 për qind se duhet të largohem nga Arsenali”.
“E kam menduar këtë një kohë të gjatë dhe ishte krejtësisht e qartë kur erdha te ky vendim i imi. Jam shumë i qetë dhe i bindur se do të gjendem mirë te cilido klub i ri”, ka thënë Bendtner për sporten.dk.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, nuk mund ta përjashtojë një rikthim te Liverpooli.
Xabi është i lumtur në Madrid, por është i hapur për një rikthim në Anfield në të ardhmen.
“Pse jo? Mendoj se në futboll shumë gjëra ndryshojnë, dhe pse jo? Unë kam pasionin tim ‘të kuq’ dhe nëse rrethanat bëhen, atëherë pse jo? Për momentin nuk e di çfarë do të ndodhë, por kjo mund të jetë një mundësi. Kurrë mos thuaj kurrë”, ka thënë ai për liverpoolfc.tv.
Chelsea raportohet se i është bashkuar garës për të transferuar kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas.
Daily Star Sunday shkruan se Cesc është bërë caku më i nxehtë në botë, me Chelsean dhe Interin që i janë bashkuar garës 60 milionë funtëshe për mesfushorin spanjoll.
Ai tash është nënshkrimi i ëndrrave për pronarin e Chelseat, Roman Abramovich. Kjo do të thotë se menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, edhe një herë do të duhet të zhvillojë një betejë të ashpër për të mbajtur lojtarin e tij kyç.
“Dy lojtarët që Abramovich gjithmonë i ka dashur nga klubet tjera angleze kanë qenë Fernando Torres dhe Fabregas. Ai tashmë ka transferuar Torres nga Liverpooli në janar për 50 milionë funte dhe do të dëshironte të arrijë një marrëveshje të ngjashme për Fabregas”.“Abramovich dëshiron të luajë në stilin e Barcelonës, por ka kuptuar se është e pamundshme të nënshkruajë me Lionel Messi, Andres Iniesta ose Xavi. Por ai e sheh se Fabregas është një lloj i lojtarit i afërt me ta”, ka thënë burimi nga kampi Blu.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka konfirmuar se nuk e ka në plan që të largohet nga kampioni i Italisë gjatë kësaj vere, pasi që dëshiron të luajë për Rossonerët edhe disa vite.
Së fundmi është spekuluar se boshnjaku me pasaportë suedeze mund të transferohet te Real Madridi, mirëpo 29-vjeçari mohon diçka të tillë.
“Është tërësisht e pavërtetë. Dua të qëndroj te Milani për tre vite të tjera. Jam i lumtur këtu”, citon ESPNSoccernet fjalët e Ibras.
Për ta mbajtur Ibrahimovicin, Milani duhet t’i paguajë Barcelonës 24 milionë euro.
Lojtari i porsaardhur te Juventusi, Andrea Pirlo, e ka lëvduar bashkëkombësin e tij Giuseppe Rossi, duke thënë se sulmuesi i Villarrealit do të ishte transfer i duhur te Bianconerët.
“Giuseppe Rossi te Juventusi? Do të ishte e shkëlqyer. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe këtë e ka dëshmuar në vitet e fundit”.
“Shpresoj që ai t’i bashkohet një klubi të madh këtë verë”, ka deklaruar Pirlo, ndërsa citon Il Corriere dello Sport.
Agjenti i talentit argjentinas Javier Pastore, ka deklaruar se Chelesa është një prej ekipeve më të interesuara për shërbimet e mesfushorit të Palermos.
“Unë supozoj, por është vetëm supozim, se ashtu si ekipet tjera të mëdha, edhe Chelsea të jetë i interesuar, por unë nuk kam pasur ndonjë kontakt zyrtar me Blutë”.
“Unë mund të konfirmoj se Javier e do Italinë, ai ndihet sikur në shtëpi. Për çdo rast, ofertat zyrtare janë për Palermon dhe ne nuk jemi në dijeni për këso lloj propozimesh”, u shpreh Marcelo Simonian, agjenti i Pastores.
Real Madridi nuk ka të ngopur me transferimin e mesfushorëve dhe radhën tani duket se e ka Samir Nasri, gjithnjë sipas mediave angleze.
Sunday Mirror raporton se Arsene Wenger ka dështuar që të përfundojë me sukses bisedimet për rinovimin e kontratës dhe Arsenali nuk do të lejojë që kontrata aktuale të vazhdojë së ekzistuari dhe mendon ta shesë atë.
Real Madridi dhe Manchester City janë të interesuarit për shërbimet e francezit dhe Wenger do të preferonte t’ia shesë Real Madridit për shkak të konkurrencës me Cityn në Ligën Premier.
Bosi i Turqisë, Guus Hiddink, është një prej favoritëve për t’u emëruar menaxher i Chelseat, por agjenti i holandezit ka qartësuar se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë para shtatorit.
Chelsea është pa menaxher që pas shkarkimit të Carlo Ancelottit dhe përkundër faktit që ai konsiderohet favorit, duket se Chelsea vështirë se do ta presë strategun deri në shtator për të zhvilluar edhe dy ndeshjet kualifikuese.
“Hiddink po shkon në pushime dhe mund të them se ai do të jetë në krye të Turqisë edhe në shtator për ndeshjet e ardhshme ndaj Kazakistanit dhe Austrisë. Kjo është ajo që themi ne, ky është pozicioni ynë”, theksoi Van Nieuwenhuizen, agjenti i Hiddink.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke u përgatitur për ta shitur asin Cesc Fabregas gjatë kësaj vere.
Sunday Mirror pohon se 24-vjeçarit do t’i plotësohet dëshira për t’u larguar nga Arsenali dhe sipas të gjitha gjasave të rikthehet në vendlindje te Barcelona.
Wenger dëshiron ta mbajë ende lojtarin, por me interesimin e Realit në ngritje, Barcelona nuk dëshiron ta humbasë terrenin dhe dashurinë e kapitenit të Arsenalit, i cili me ngulm e ka kërkuar rikthimin në vendlindje.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, u ka bërë thirrje zyrtarëve të klubit që të mos lejojnë Ganson t’u ikë nga dora dhe të kalojë te ndonjë prej klubeve rivale.
“Unë kam biseduar me Ganson dhe ai është duke u riaftësuar shumë shpejtë nga zgjatja muskulore. Ai dëshiron të luajë në Kupën e Amerikës dhe ai dëshiron të kalojë te Milani. Unë kam lexuar se marrëveshja ngeci. Nuk është në rregull, është koha që ai të transferohet”.
“Për mua, duket se Milani ka shumë ide të qarta se si ta përforcojë skuadrën. Vitin e ardhshëm ne do të tentojmë të fitojmë gjithçka. Me blerjet e duhura, ne nuk duam t’ia kemi zili Barcelonës. Ja pse nuk duhet ta humbasim nga dora Ganson”, u shpreh Thiago Silva për La Gazzetta dello Sport.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se Milani është në bisedime me gjigantin belg, Standard Liege, për mesfushorin Axel Witsel.
“Ne jemi në bisedime me Standard Liege për Axel Witsel”, konfirmoi Galliani për Sky Sport 24.
Është vetëm çështje orësh kur Witsel do të zyrtarizohet si lojtar i Milanit, në vazhdën e fushatës përforcuese të ekipit kampion rossoner, para fillimit të sezonit të ri.
Kanë filluar të dalin në dritë edhe shumë ndeshje tjera të cilat besohet të jenë të manipuluara në Serie A, me mediumet italiane që pos Interit, tashmë kanë futur në ‘thesin’ e të dyshuarve edhe kampionin e Italisë, Milanin.
Sipas informatave të fundit nga Cremona, ku po vazhdojnë hetimet për skandalin e trukimit të ndeshjeve në Serie B, bëhet e ditur nga zyrtarë se edhe disa klube të Serie A janë të përfshira.
“Janë pesë ekipe të përfshira, një prej të cilëve është i madh”, thuhet nga burimet në Cremona.
Po ka dyshime edhe për kampionin e Italisë, Milanin. Pas ndeshjes Inter – Lecce e cila përfundoi me rezultat minimal, është ndeshja Milan – Napoli, një ndeshje që ishte vendimtare për fatin e titullit në Serie A më 28 shkurt dhe e cila përfundoi me fitore të lartë të Rossonerëve ajo që ka rënë në lupën e hetuesve. Tifozët Rossonerë nuk duhet të brengosen, pasi nuk ka ndonjë dëshmi inkriminuese për këtë rast.
Nga skandali i fundit i basteve në Itali, ai që quhet Calciopoli II, kanë mbetur të arrestuar rreth 20 persona, prej të cilëve ende në çeli gjendet ish-reprezentuesi italian Beppe Signori, ndërsa në arrest shtëpiak gjenden edhe dhjetëra të tjerë, duke përfshirë edhe një shqiptar, Ismet Mehmeti.