Lojtarët e Hysit duke festuar Skuadra nga Podujeva, Hysi, është shpallur kampion i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, pas fitores së arritur ndaj Trepçës 89’ me rezultat 5-1 para rreth 5000 të pranishmëve në impiant.
Kastriot Rexha hapi serinë e golave (13’) para se Enis Zabërgja ta dyfishojë epërsinë. Mentor Zhdrella shënoi për 3-0, kur dy golat tjerë për kampionët e rinj i shënoi Zabërgja që kompletoi hettrikun dhe filloi festën në Merdare.
Ferizaji i dha lamtumirën e fundit Superligës me humbjen e pësuar nga Vëllaznimi, ndërsa ndeshja tjetër mes Trepçës dhe Flamurtarit është ndërprerë me pretekst të skuadrës nga kryeqyteti se nuk ka forca policore të pranishme në stadium.
Real Madridi e ka kërkuar sulmuesin e Santosit, Neymar, në vitin 2005, gjithnjë sipas agjentit të sulmuesit brazilian.
Marca dhe AS besojnë se Real Madridi do të bëjë ofertë për sulmuesin e talentuar, por marrëveshja ka mundur të arrihet gjashtë vite më parë, kur lojtari u paraqit në Bernabeu për një provë 10 ditore, duke u lënë mbresa bosëve të Realit.
“Unë e di se Florentino Perez e kërkoi Neymarin në vitin 2005, kur ai u stërvit për dhjetë ditë në Valdebebas”, theksoi agjenti për Cadena Cope.
Nga ana tjetër problemet kontraktuale i fajësoi Ramon Martinez, i cili kërkoi me çdo kusht transferimin e Neymar, ashtu sikurse që bën sot.
“Ai erdhi për një ditë nga Brazili dhe drejtpërdrejt u dërgua i lodhur në Valdebebas. Ai shkëlqeu me lojtarët e moshës së tij. Më pas e futëm me lojtarë më të moshuar se ai dhe Neymar shkëlqeu. Unë e kam parë se ai ishte talent dhe se do të bëhej i madh”, theksoi Martinez.
Presidenti i Bayernit të Munichut, Uli Hoeness ka deklaruar se ish-trajneri Louis Van Gaal ka qenë pranë shkarkimit vetëm pesë muaj pasi ishte emëruar trajner i bavarezëve në vitin 2009.
“Nëse Van Gaal nuk do ta fitonte ndeshjen grupore ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve, atëherë ai nuk do t’i shptëonte shkarkimit”.
“Fatkeqësisht për të, ai ra me të fituar Ligën e Kampionëve dhe dy titujt tjerë”, u shpreh Hoeness për Bild.
Chelsea ka aranzhuar një takim me agjentët e sulmuesit belg, Romelu Lukaku, në tentim për të finalizuar marrëveshjen me talentin e Anderlechtit.
Daily Mail shkruan se delegacioni nga Stamford Bridge do të takohet gjatë fundjavës me zyrtarë të Anderlechtit dhe agjentë të Lukakut, në mënyrë që të përmbyllet marrëveshja.
Chelsea kërkon që sa më shumë të ulë çmimin e sulmuesit, mirëpo kjo do të jetë e pamundur, pasi Chelsea do të duhet të paguajë 20 milionë funte. Real Madridi dhe Milani janë duke e përcjellur situatën.
Pronari i Udineses, Giampaolo Pozzo, ia ka bërë të ditur Barcelonës se duhet të paguajë aq sa kërkon ai për transferimin e Alexis Sanchez.
“Përkundër faktit se të gjithë po e kërkojnë Sanchezin, unë kam besim se Sanchez mund të luajë për Udinesen edhe vitin e ardhshëm, sidomos pas bisedimeve që kanë ndodhur së fundmi”.
“Nëse, në fakt, nuk vjen një ofertë e pa rezistueshme, atëherë kjo do të thotë se klubet e mëdha nuk janë të gatshëm ta vlerësojnë ashtu siç ai meriton”, ka thënë Pozzo.
Superylli i Real Madridit, Kaka, ka deklaruar se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Bernabeu, pas spekulimeve se ai do të përfshihet në një marrëveshje shkëmbimi që do ta shihte atë në fanellën e Interit.
“Unë nuk i kam përmbushur pritjet, si të mediave, ashtu dhe të tifozëve. Unë shpresoj dhe pres që të bëj gjëra të mëdha te Real Madridi. Gjithçka është te besimi. Dhe përkundër asaj që është thënë, Mourinho më ka ndihmuar shumë”.
“Njerëzit kanë thënë se Mourinho nuk më dëshiron këtu. Kjo nuk është e vërtetë. Mourinho gjithmonë ka qenë shumë i sinqertë me mua dhe vendimet e tij, jo vetëm me mua, por edhe me ekipin në përgjithësi. Unë kam vetëm fjalë falënderuese për Mourinhon”, ka thënë Kaka.
Sunderlandi ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Liverpoolin për shitjen e mesfushorit anglez, Jordan Henderson.
Ylli i ri anglez është lidhur me një kalim te klubi nga Anfield dhe tani klubi nga Stadiumi i Dritave ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Liverpoolin që peshon 20 milionë funte në total.
“Jordan Henderson do të bisedojë me Liverpoolin pasi dy klubet kanë arritur marrëveshje për mesfushorin. 20 vjeçari, i cili ka luajtur për përfaqësuesen U-21 të Anglisë, do të duhet të arrijë marrëveshje me Liverpoolin”, shkruan në komunikatën e Sunderlandit.
Vullneti i Cesc Fabregas për të kaluar te Barcelona do të jetë vendimtar nëse Barca do ta transferojë asin e Arsenalit.
Sport shkruan se Barca do të ofrojë shumë më pak para se sa Manchester City dhe Chelsea për ta rikthyer mesfushorin nga Katalunia.
Taktika e Barcelonës bazohet kryesisht në dëshirën e Fabregas, të cilën Arsenali duhet ta respektojë dhe prandaj gjasat që Cesc të rikthehet në vendlindje dita ditës po rriten.
Luis Enrique ka zbuluar se ai ka arritur marrëveshje me Romën dhe se është shumë pranë zyrtarizimit si trajner Gialloros.
“Ekziston marrëveshje me Giallorosët. Gjithë ajo që mungon është nënshkrimi im. Në ditët e ardhshme do të jem në Romë për këtë”.
“Unë jam i kënaqur me zgjedhjen dhe entuziast për të filluar projektin e Romës. Është një projekt fitues dhe unë jam trajner ambicioz. Unë do të luaj futboll ofensiv, kështu që njerëzit të vijnë në stadium dhe të kënaqen. Unë dua të luaj me lojtarët më të mirë dhe në Romë do të tentoj të sjelli stilin e Barcelonës”, potencoi Luis Enrique.
Javier Hernandez ka insistuar se ai i ka borxh menaxherit të Manchester United, Sir Alex Ferguson, për atë që nuk u tremb ta sjellte në Evropë.
“Unë jam shumë i motivuar pas një sezoni të mrekullueshëm me United. Tash e tutje unë i kam borxh Sir Alex Fergusonit pse më solli në Evropë”.
“Ëndrra ime nuk ka ndryshuar. Unë dua të fitoj shumë tituj dhe të shpaguaj atë që bëri klubi i cili hapi dyert për mua”, ka thënë sulmuezi meksikan.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti është duke e parë veten në situatë të pa përshtatshme, pasi Chelsea ka bërë një ofertë joshëse për Wesley Sneijder.
Il Corriere dello Sport shkruan se me ofertën prej 35 milionë eurosh të refuzuar nga Interi për mesfushorin holandez, janë Blutë ata që në tentimin e dytë kanë bërë një tentativë më joshëse.
Chelsea ka ofruar Florent Maloudan, Michael Essien plus një shumë të konsiderueshme parash për holandezin dhe Moratti besohet se është i gatshëm ta realizojë këtë operacion, megjithëse fjala e fundit i mbetet Leonardos.
Tifozët e Manchester United do të duhet të presin deri javën e ardhshme që të shohin Ashley Young si lojtar të klubit nga Old Trafford.
PA Sport njofton se marrëveshja nuk mund të finalizohet deri pas martesës së anësorit këtë fundjavë.
Aston Villa pritet që të dyfishojë shumën prej 9 milionë funtesh të paguar disa vite më parë për ta sjellë Young në Villa Park, përderisa kjo nuk paraqet ndonjë problem për Djajtë e Kuq.
Bayerni i Munichut ka konfirmuar se Manuel Neuer ka nënshkruar kontratë pesvjeçare pas transferimit të tij nga Schalke javën e kaluar.
25 vjeçari kreu me sukses testet mjekësore të mërkurën dhe në një komunikatë në faqen zyrtare të klubit shkruan: “ Pasi kaloi teste mjekësore, Neuer ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare e cila skadon më 30 qershor, 2016”.
Neuer nga ana tjetër u shpreh i ngazëllyer që nënshkroi, duke thënë se atij nuk i pritet fillimi i stërvitjeve dhe se e njeh mirë qytetin kryesor të Bavarisë.
Kampioni i Italisë dhe klubi më i trofeshëm në planet, Milani, është futur në bisedime me Liverpoolin për mesfushorin që luajti si huazim te Juventusi sezonin që sapo lamë pas, Alberto Aquilanin.
Il Corriere dello Sport shkruan se Milani është shumë i interesuar për firmën e Aquilanit, pasi Juventusi refuzoi që të bënte ndonjë ofertë prej 16 milionë eurosh, aq sa kërkonte Liverpooli.
Tani Liverpooli kërkon 10 milionë euro për mesfushorin italian, gjë që ka hasur në mirëkuptim me interesat e klubit nga Milanello. Adriano Galliani është parë sipas Tribalfootball ditëve të fundit në Angli, për të biseduar për ish-mesfushorin e Romës.
Udinese ka mohuar zërat se ekziston ndonjë marrëveshje me Barcelonën për transferimin e Alexis Sanchez, duke qartësuar se ende klubet janë larg akordit për anësorin e jashtëzakonshëm.
“Me respekt për lajmet e fundit se Sanchez u transferua te Barcelona, unë dua të qartësoj se këto fjalë janë pa vend. Nuk ekziston kurrfarë marrëveshje mes Udineses dhe Barcelonës për shitjen e këtij lojtari. Duhet të cekim se nuk kemi ndonjë takim të planifikuar me atë klub për këtë transfer”, ka thënë presidenti i Udineses.
Situata momentalisht qëndron kështu – Barcelona ka ofruar 25 milionë euro për Sanchez pasi si prioritet e ka Fabregas. Marrëveshja ishte pranë arritjes, mirëpo me ndërhyrjen e Real Madridit që është i gatshëm të ofrojë sa dëshiron Udinese, Barcelona e ka shumë problem arritjen e akordit. Nga gara nuk përjashtohet as Interi, që nga shumë mediume italiane cilësohet ende favorit për firmën e kilianit.
Ylli i Blackburnit, Phil Jones, është duke i kaluar testet mjekësore te Manchester United në prag të kalimit prej 16 milionë funtesh në Old Trafford.
19 vjeçari ishte pranë kalimit te Liverpooli të mrëkurën, por Ferguson ka ndërhyrë për të siguruar shërbimet e të riut, teksa u shpreh i gatshëm të paguajë çmimin që kërkonte Blackburn.
Jones, i cili mund të luajë edhe si mesfushor defensiv, nuk do të luajë te United aq sa do të luante te Liverpooli, por klasi i klubit nga Old Trafford dhe sukseset së fundmi kanë joshur Jones të ndërrojë kahje.
Trajneri i ri i Juventusit, Antonio Conte dëshiron të nënshkruajë me sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Conte është i vetëdijshëm për interesimin e Interit në Tevez dhe është i paepur ta marrë argjentinasin nga duart e rivalit.
“Ne mund të bëjmë bujë duke nënshkruar me të”, raportohet t’u ketë thënë Conte drejtorëve të klubit.
Tuttosport shkruan se Juve është i gatshëm të bëjë ofertë për Tevez pas deklaratave të tij të fundit se pronari i klubit, Sheikh Mansour, i ka thënë atij se mund të largohet nëse vërtet dëshiron.
Radamel Falcao ka thënë se ai beson se Porto mund të gjejë mënyrën për ta ndaluar Barcelonën kur dy ekipet do të takohen në Superkupën e Evropës në prag të fillimit të sezonit të ardhshëm
Sulmuesi ka shkëlqyer me paraqitjet e tij për të ndihmuar ekipin portugez të fitojë Europa League, dhe tash mezi pret takimin me fituesin e Ligës së Kampionëve, ndeshje e cila do të zhvillohet më 26 gusht në Stade Louis II në Monako.
“Ne do të gjejmë sistemin për t’u përballur me ta në mënyrë efektive kur të takohemi për Superkupën Evropiane. Të gjitha ekipet tjera kanë dështuar të gjejnë sistemin për t’i ndaluar ata, andaj na takon neve për ta gjetur atë”, ka thënë Falcao.
Sulmuesi kolumbian javëve të fundit është lidhur me një transferim te dy klubet londineze Arsenal dhe Tottenham.
Anësori i Manchester United, Nani, është duke u lidhur me një marrëveshje shkëmbimi me mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder.
Independent shkruan se ka një përshtypje në Portugali se Nani tashmë ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me kampionin aktual të Anglisë.
Anësori do të shfrytëzohet si një vlerë 20 milionë funtëshe në ofertën për transferimin e mesfushorit të Interit, Wesley Sneijder.
Pozita e Nanit te United është nën kërcënim pas spekulimeve të vazhdueshme për një marrëveshje të Djajve të Kuq me yllin e Aston Villas, Ashley Young.
Ronaldo u ka dhënë përshëndetjen e fundit fansave të kombëtares braziliane gjatë një takimi të mbrëmshëm emocional kundër Rumanisë.
Ish-ylli i Barcelonës, Real Madridit, Interit dhe Milanit, u inkuadrua në ndeshje në minutën e 30-të të takimit për të luajtur 15 minuta, derisa Brazili shënoi një fitore minimale 1-0.
Megjithatë, pavarësisht tre shanseve 34-vjeçari nuk ishte në gjendje të realizojë ambicien e tij të fundit në fushë. Në pauzën mes pjesëve gjatë prononcimit emocional Ronaldo ka shprehur zhgënjimin që nuk mundi të gjejë golin.“Ma falni, kisha tre shanse por nuk munda të shënoj një gol në 15 minutat e mia të fundit, të cilat do të kishin qenë një shpërblim për gjithçka që ju keni bërë për mua. Falënderime të mëdha për gjithçka që keni bërë për karrierën time, që më keni pranuar ashtu siç jam, që keni qarë kur kam qarë edhe unë, që keni qeshur kur kam qeshur edhe unë. Thjesht duhet t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës”, ka thënë Ronaldo.
Ylli i Liverpoolit, Luis Suarez, thotë se stili i tij i lojës aktive gjatë gjithë ndeshjes ka qenë pjesë e tij që kur ai ka luajtur si junior.
“Herët në karrierën time si futbollist kam mësuar të mos dorëzohem kurrë. Ju kurrë nuk duhet të hiqni dorë nga topi, ju luftoni për gjithçka, kurrë nuk e lëshoni kokën poshtë për asnjë minutë dhe vazhdoni kështu deri në fishkëllimën e fundit”.
“Dhe nëse e dini se nuk është dita juaj e aftësive dhe teknikave dhe gjërat nuk shkojnë si dëshironi ju, atëherë kjo do të thotë se duhet të përpiqeni edhe më shumë, ndaloni njerëzit dhe bëni presion dhe ndërhyni në to. Mendoj se është e rëndësishme të kesh atë shpirtin dhe atë qasjen kurrë mos thuaj vdis”, ka thënë Suarez.
Alexandre DoniLiverpooli raportohet se do të transferojë portierin e Romës, Alexandre Doni, për 1 milionë funte.
Daily Mail shkruan se Liverpool pritet të kompletojë një marrëveshje në vlerën e 1 milionë funteve për portierin e Romës, i cili do të ishte mbulesë për portierin e parë Pepe Reina.
“Kam folur me klubin (Romën) dje dhe ata më kanë konfirmuar se janë duke biseduar me Liverpoolin për të arritur marrëveshje në lidhje me transferimin e Donit”.
“Sapo marrëveshja të arrihet në mes dy klubeve, ne do të fillojmë të negociojmë kushtet personale me Liverpoolin. Doni do të ishte shumë i lumtur t’i bashkohet Liverpoolit dhe të luajë në Ligën Premier”, ka thënë agjenti i lojtarit, Ovidio Colucci.
Përzgjedhësi i Republikës së Irlandës, Giovanni Trapattoni, është plot lëvdata për kolegun e tij të Italisë, Cesare Prandelli.
Italia dje u mposht me rezultat 2-0 nga Irlanda, dhe në mungesë për të lavdëruar lojën e lojtarëve Trapattoni ka lavdëruar Prandellin, të cilin e kishte pasur lojtar në kohën kur kishte drejtuar Juventusin.
“Ai nuk ishte lojtari më i mirë që unë kisha te Juventusi, por ai ishte një burrë i shkëlqyeshëm, një lojtar të cilin çdo trajner do ta dëshironte. Ai ishte individ shumë inteligjent”.
“Ai ishte rezervë, por ishte një prej rezervave në të cilin mund të llogarisësh kur ke nevojë. Një trajner i mirë ka nevojë për zëvendësues si ai, të cilët gjithmonë janë të gatshëm të dalin dhe japin gjithçka. Është ëndërr e një trajneri të kesh lojtarë të tillë”, ka thënë Trapattoni.
Napoli raportohet se është i interesuar në sulmuesin e Juventusit, Amauri.
Agjenti i Amaurit, Enzo Bronzetti, ka zbuluar se ka pasur kontakte me klubin napolitan për transferimin e sulmuesit të qendrës.
Parma po ashtu është e prirë ta mbajë atë pas gjashtë muajve të suksesshëm të huazimit të tij në sezonin që përfundoi.
Duke folu për SportItalia, Bronzetti ka mohuar se ka negociata për shkëmbim me Mattia Cassani nga Palermo ose me Stephan Lichtsteiner nga Lazio.



Mesfushori i Milanit, Rino Gattuso, ka konfirmuar se ai do të vazhdojë të luajë për Rosonerët.
Veterani italian kishte refuzuar një ofertë të majme nga klubi rus Anzhi për të mbetur në San Siro.
“E kam menduar ofertën që kam pranuar pasi ishte vërtet e rëndësishme, por për mua gjëja më e rëndësishme është të qëndroj i qetë, në shtëpi me familjen time. Milani, pas 12 vitesh, është shtëpia ime”, ka thënë Gattuso.
Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo, raportohet se ka porositur sulmuesin e ri brazilian Neymar të pranojë çdo ofertë që vjen nga Bernabeu.
Marca shkruan se Ronaldo është i afërt me agjentin e Neymar, Wagner Ribeiro, dhe ka folur me entuziazëm për jetën te Real Madridi me yllin e Santos.
Megjithatë, Ribeiro ka thënë se ende nuk ka marrë asnjë telefonatë nga Reali, edhe pse nuk është i befasuar nga interesimi i klubit spanjoll.
“Neymar është si Messi. Së shpejti ai do të jetë më i mirë në botë pasi ai është një lojtar jo si të tjerët. Ai është vetëm 19-vjeçar dhe të gjitha klubet e mëdha e përcjellin atë”, ka thënë agjenti.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se Jose Mourinho është trajneri i duhur për të drejtuar klubin spanjoll.
“Real Madridi ka nevojë për dikë si Mourinho, dikë me karakter dhe personalitet. Çdo ditë mësoj nga ai. Ai është gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka dhe kjo ju ndihmon të përmirësoheni çdo ditë”, ka thënë Ramos.
Ramos po ashtu ka mohuar se ka ndonjë lloj ndarje në ekip.
“Unë nuk jam aktor – nëse ka atmosferë të keqe në ekip do ta thosha”, ka shtuar mbrojtësi spanjoll.