Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka ndërtuar ‘rrjetin e tij të spiunazhit’ për të qëndruar në hap me lëvizjet transferuese të Barcelonës.
Mediat spanjolle shkruajnë se Mourinho po i shfrytëzon agjentët e tij më të afërt, përfshirë Jorge Mendes, për t’u informuar në atë se çfarë bën Barcelona gjatë afatit kalimtar veror.
Raportohet se edhe Mourinho edhe presidenti i Realit, Florentino Perez, po e nxisin Mendes për informata rreth lëvizjeve të Barcës rreth e qark globit.
Interesante është se sapo doli lajmi se Barca dëshironte yllin e Santos, Neymar, vetëm disa ditë më vonë u tha se Real Madridi kishte kontaktuar me legjendën braziliane Ronaldo për të ndikuar te lojtari që ai të zgjedhë Madridin.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, u ka dhënë bashkëlojtarëve të tij nga një dhuratë, para se të gjithë të shkojnë në pushime verore, e që konsiderohet si lamtumira e fundit para largimit drejt Barcelonës.
Mesfushori i Arsenalit, Andrei Arshavin frikësohet se dhënia e dhuratave mund të jetë lamtumira e fundit përderisa Barcelona është gjithnjë e më pranë sigurimit të shërbimeve të Cesc.
“Vetëm Cesc duhet të vendosë nëse do të largohet apo jo. Biseda serioze për këtë temë nuk janë zhvilluar, por ne kemi bërë pak shaka, si zakonisht”.
“Para se të shkonim në pushime, Fabregas na dha dhurata të vogla secilit prej nesh dhe unë e pyeta: ‘Çfarë është kjo? Dhuratë lamtumirëse?’. Ai nuk tha asgjë. Kjo do të thotë se diçka fshihet prapa heshtjes së tij”, ka thënë Arshavin.
Lojtarët e Primera Divizionit spanjoll janë në pushim, por rivaliteti mes Barcelonës dhe Real Madridit vazhdon edhe jashtë fushe, përderisa Gerard Pique ka lansuar një sulm drejt njerëzve të Jose Mourinhos.
Pique ndjen se Real Madridi duhet të flasë më pak dhe të fokusohet në futboll, duke u referuar telasheve pas gjysmëfinaleve të tensionuara.
“Në fund futbolli ju kthen atë që keni bërë për të dhe kështu edhe Real Madridi duhet të flasë më pak dhe të fokusohet në gjëra tjera”.
“Ne të gjithë e dimë ku është kufiri. Unë nuk dua që akuzat e caktuara të pa vërteta të përsëriten. Asjëri prej nesh nuk ka biseduar me gjyqtarët. Ne jemi fokusuar në futboll dhe gjithçka tjetër ishte lënë menjëanë”, precizoi Pique.
Dirk Nowitzki Dallas Mavericks e ka barazuar rezultatin në 2-2 pas ndeshjes së katërt finale të luajtur në Teksas ndaj Miami Heat.
Dallas arriti ta mposhtë Miamin përkundër faktit se Nowitzki luajti i sëmurë. Kjo nuk e ndali gjermanin fantastik të ishte më i miri në këtë takim me 21 pikë dhe 11 kërcime, i përcjellur nga Terry (17 pikë) dhe Marion (16 pikë).
Në fund ngadhënjeu Dallas me rezultat 86-83, duke bërë që finalja të hyjë në ndeshjen e pestë të saj. Skuadra e cila e para arrin të shënojë katër fitore, shpallet kampion i NBA.
Juventusi ka marrë kurajo pas komenteve të Theo Walcott i cili kritikoi Arsenalin, duke filluar interesimin për anësorin e shpejtë anglez.
Antonio Conte është adhurues i Walcott dhe Tuttosport beson se trajneri juventin e ka angazhuar Giuseppe Marottan që të interesohet për anësorin.
Juventusi ka edhe 120 milionë euro për të shpenzuar në këtë afat kalimtar veror dhe ata do të tentojnë ta shfrytëzojnë fuqinë e parasë për ta joshur futbollistin anglez.
Barcelona ka frikë se transferimi i Alexis Sanchez mund të dështojë në rast të përfshirjes në garë të Manchester United.
Sport shkruan se menaxheri i United, Sir Alex Ferguson është i njoftuar me faktin se Barca ka arritur marrëveshje, gjë që e ka motivuar atë të hyjë në garë për kilianin.
United është në gjendje që menjëherë të bëjë një ofertë prej 30 milionë eurosh e të shkojë deri në 35 milionë, një shumë kjo që nuk do ta përballonte Barcelona.
Ish-futbollisti i Real Madridit, Ruben De La Red ka kritikuar trajnerin Jose Mourinho për tendencat e tij të vazhdueshme për të kritikuar gjyqtarët, ndërsa beson se nuk është duke treguar burrëri me sjelljet kontraverse.
“Unë vërtet nuk jam në pozitë për të folur për gabimet e njerëzve, por mendoj se Mourinho nuk duhet të akuzojë gjyqtarët, ose të mbajë pozicionin sikurse që mbajti ndaj mediave së fundmi”.
“Një trajner i Real Madridit nuk duhet ta bëjë këtë. E gjithë bota ka parë çfarë ndodhi në fushë. Ai nuk tregoi burrëri. Duhet t’i lëmë të tjerët të flasin”, u shpreh De La Red për Canal +.
Të njëzet klubet e Ligës Premier kanë humbur po thuajse gjysmë miliardë funte vitin e kaluar pavarësisht se rritjet e të hyrave kishin kaluar shifrën e dy miliardë funteve për të parën herë.
Në bazë të një raporti të ekspertëve financiar të futbollit, Deloitte, klubet e elitës angleze të futbollit në sezonin 2009-10 kishin gjeneruar 2.03 miliardë funte. Këto të hyra kryesisht kishin ardhur për shkak të rritjes së të ardhurave për shtatë për qind nga shitja e transmetimeve televizive të ndeshjeve, që solli 1.04 miliardë funte, shifër e cila për herë të parë arrihet nga cilado ligë vendore në botë.
Megjithatë humbjet e përgjithshme janë thelluar për 62 për qind për të arritur në 445 milionë. Nga njëzet klubet e Ligës Premier, 16 kanë deklaruar humbje, me vetëm Arsenalin dhe tre klubet e promovuara (sezonin e kaluar), Birmingham City, Wolves dhe Burnley, që kishin gjeneruar fitime.
Pas Ligës Premier, ligat të cilat kanë hyrje më të mëdha janë ajo e Gjermanisë (me 1.4 miliardë funte), pastaj Spanja dhe Italia (me 1.3 miliardë secila) dhe Franca.
Barcelona raportohet se ka bërë ofertë për sulmuesin e Boca Juniors, Sergio Araujo.
Araujo parashihet të jetë ylli i ardhshëm i botës së futbollit dhe burime lokale thonë se Barcelona tashmë ka përgatitur ofertën për të riun.
Araujo është krahasuar me sulmuesin e Atletico Madrid, Sergio Aguero, dhe nuk ka mbajtur të fshehtë se një ditë dëshiron të luajë në Spanjë.
Real Madridi po ashtu raportohet të jetë i interesuar për lojtarin.
Sulmuesi i Barcelonës, Bojan Krkic, është duke joshur interesimin e Romës.
Trajneri i ri i klubit italian, Luis Enrique, ka dhënë shenja se ai do të marrë me vete disa lojtarë të rinj të Barcelonës pasi edhe zyrtarisht të caktohet trajner i Romës.
“Do të shoh të punoj me lojtarët më të mirë, ata që do t’i gjej te Roma dhe ata që do të jem në gjendje t’i sjell me vete nga Barcelona”, ka deklaruar Enrique.
Një prej transferimeve të mundshme është Bojan Krkic i cili po dështon të gjejë vend të rregullt në ekipin e parë të Barcës. Megjithatë lojtari së fundi u shpreh i zemëruar me spekulimet rreth të ardhmes së tij.
Usain Bolt beson se ai është mjaft i mirë për të luajtur për Manchester United, kur të pensionohet nga atletika.
Rekordmeni botëror në vrapim në 100 dhe 200 metra ndezi publikun në mbarë botën kur doli në skenë në vitin 2008 në lojërat Olimpike në Pekin dhe tash është i bindur se mund të befasojë të gjithë duke luajtur për Djajtë e Kuq.
“Vërtet dua të përpiqem të luaj futboll pasi të pensionohem pasi kam shikuar shumë futboll gjatë viteve dhe mendoj se do të isha një konkurrent i mirë. Shpresoj në këtë dhe po, përfundimisht mendoj se jam mjaft i mirë për të luajtur për Manchester United”, ka thënë Bolt për BBC.
“Jam mjaft i mirë pasi jam i shpejtë, kam ca aftësi – duhet të përmirësohem edhe ca por duhet të jem mjaft i mirë“, ka shtuar xhamaikani.
Sulmuesi gjerman Miroslav Klose i është bashkuar ekipit të Serie A, Lazio, dhe pasi ka kaluar testet mjekësore ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.
Lajmin e ka konfirmuar ekipi nga kryeqyteti italian me anë të një deklarate në faqen zyrtare në internet.
Lazio dëshironte të shtojë më shumë përvojë në repartin e sulmit në prag të sezonit 2011-12 me qëllim që të garojë në të tre garat, pas kualifikimit në Europa League.
Klose arrin te Lazio si agjent i lirë pasi vendosi të mos vazhdojë kontratën me Bayernin e Munichut. Për gjermanin të interesuar ishin edhe Valenca dhe Trabzonspor.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, dëshiron të blejë një portier me përvojë, shkruajnë mediat britanike.
Daily Mail shkruan se Manuel Almunia pritet të largohet gjatë verës ndërsa Jens Lehmann do të rikthehet në Gjermani. Kjo ka bërë që Wenger të ketë mungesë të portierëve me përvojë.
Lëndimet e Wojciech Szczesny dhe Lukasz Fabianski, duke shtuar këtu formën e paqëndrueshme të Almunias, treguan mangësinë e Arsenalit në pozitën e portierit sezonin e kaluar. Dhe Wenger tash është i vendosur të mos bëjë të njëjtat gabime sërish në prag të sezonit të ri.
Wenger ka dashur portierin gjerman Manuel Neuer, i cili i është bashkuar Bayern Munichut, por nuk ishte i gatshëm të ndajë 22 milionë funte.
Francezi e sheh Szczesnyn si numër një, por e di se nuk mund të lejojë të mbështet vetëm në këtë portier jo aq me përvojë.



Real Madridi ka prezantuar fanellat e reja për sezonin 2011-12. (Kliko LEXO MË SHUMË për ti parë fotot tjera)
“Për herë të parë që nga themelimi, klubi ka vendosur që në fanellë të vendos ngjyrën e arit. Emrat e lojtarëve dhe numri do të jenë me ngjyrë ari”. Iker Casillas Angel Di MariaAngel Di Maria
Leite Kaka
Agjenti i mesfushorit të Liverpoolit, Alberto Aquilani, ka thënë se situata e klientit të tij është ende e pazgjidhur dhe i ka bërë thirrje edhe Napolit të bëjë ofertë për lojtarin.
Duket se Juventusi nuk do ta shfrytëzojë opsionin për të transferuar lojtarin pasi ai kaloi sezonin si i huazuar në Torino.
“Rasti me Juventusin nuk është përfundimisht i mbyllur. Ata kanë kërkuar disa ditë për të menduar për këtë, por është e drejtë për mua të kërkoj opsione tjera në këtë moment. Nëse ne nuk mund të gjejmë alternativa të tjera, atëherë lojtari do të rikthehet te Liverpooli”, ka thënë Franco Zavaglia për Sky Sport Italia.
Milani së fundi është lidhur me një transferim të mesfushorit italian, por duket se nuk ka asgjë as nga Rossonerët.
“Milani? Alberto mund të luajë në të gjitha klubet e nivelit të lartë. Mund të ketë interesim nga Inter dhe Napoli po ashtu, por ne duhet t’i shohim kërkesat teknike të ekipeve. Për shembull për momentin Napoli është duke kërkuar Gokhan Inler. Është natyrale që Alberto dëshiron të qëndrojë në Itali, por ai po ashtu ia ka dalë mirë në Angli dhe fansat e admirojnë atë”, ka shtuar agjenti.
Barcelona ka zbuluar se mund të lejojë të harxhojë deri në 45 milionë euro në transferimet e verës.
Shifrën e ka zbuluar gjatë të mërkurës zëvendëspresidenti për çështje ekonomike i klubit katalanas, Javier Faus.
“[Barcelona ka] 45 milionë euro për transferime, plus paratë të cilat mund të sigurohen nga shitjet [e lojtarëve] në këtë afat transferues. Kur ne flasim për shitjet ne do t’i mendojmë vetëm ato shitje të cilat janë të dobishme për klubin”, ka thënë Faus për faqen zyrtare të klubit.
“Superkupa spanjolle [që do të luhet në gusht kundër Real Madridit] do të sillte edhe 3 milionë euro të tjera”, ka shtuar ai.
Barcelona është lidhur me një numër lojtarësh të profilit të lartë gjatë javëve të fundit, përfshirë sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi, i cili pritet të kushtojë rreth 30 milionë euro dhe Alexis Sanchez, për të cilin Udinese kërkon afro 35 milionë euro. Gjiganti katalanas po ashtu vazhdon të lidhet me një transferim të Cesc Fabregas.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, thotë se ai nuk ka qenë i kënaqur me formën e tij sezonin e kaluar.
Evra kaloi një verë të vështirë në vitin 2010 pasi Franca kishte probleme si në fushë po ashtu edhe jashtë fushës gjatë Kupës Botërore në Afrikën e Jugut.
“Sezonin e ardhshëm mendoj se duhet të jap më shumë, pasi ky nuk ishte sezoni im më i mirë. Mungova në parasezon dhe kisha vetëm një javë stërvitje para se të luaja ndeshjen e parë time. Njerëzit e harrojnë këtë. Disa lojtarë të tjerë kanë pasur rreth tetë javë për të punuar në formën e tyre dhe kanë luajtur disa ndeshje miqësore”.
“Dhe megjithëse unë jam stërvitur gjatë pushimeve, duke pasur vetëm një javë stërvitje do të thotë se ka qenë e vështirë në fillim të sezonit. Në mes dhe kah fundi jam ndjerë se jam rikthyer në formën më të mirë, por duhet të punoj më shumë sezonin e ardhshëm”, ka thënë Evra.