Mbrojtësi i Lazios, Stephan Lichtsteiner, është në rrugë për t’u transferuar te Juventusi.
Zvicerani është lidhur me një largim nga klubi romak këtë verë dhe Juventusi ishte një prej disa klubeve që synonin 27-vjeçarin. Përfaqësuesi i Lichtsteiner, Federico Pastorello, ka pohuar se marrëveshja tashmë është arritur dhe pritet vetëm zyrtarizimi.
“Ne jemi informuar se tashmë është arritur një marrëveshje në mes të Biankonerëve dhe Lazios. Ne presim që kjo të publikohet dhe të nënshkruajmë letrat me qëllim që Stephan të realizojë ëndrrën e tij”, ka thënë agjenti për Gazzetta dello Sport.
Lichtsteiner iu bashkua Lazios nga Lille në vitin 2008 dhe kishte kontratë për edhe një sezon me klubin italian.
Ish-mbrojtësi i Romës, Philippe Mexes, thotë se ai i është bashkuar Milanit për të fituar trofe.
Francezi kaloi te Rossonerët si transferim i lirë nga Roma dhe mezi pret sfidat e reja.
“Dua të jap më të mirën në fushë për klubin, trajnerin, kolegët e mi dhe fansat. Do të kem nderin të vesh këtë fanellë për së paku katër vite dhe ky klub është maksimumi për një futbollist”, ka thënë mbrojtësi.
Dirk Nowitzki Dallas Mavericks kanë treguar dhëmbët në pjesën e fundit të ndeshjes për t’iu afruar një hap titullit të kampionit të NBA-së, duke shënuar fitore 112-103 në ndeshjen e pestë finale përballë Miami Heat.
Dirk Nowitzki edhe një herë ishte ylli i mbrëmjes duke shënuar 29 pikë për Mavericks. Meritor në fitoren e Dallas ishte edhe Jason Terry i cili pati dy trepikësha të fituara në minutat e fundit vendimtare të ndeshjes. Ai shënoi 21 pikë duke qenë i saktë në tetë nga 12 tentimet për gjuajtje, si dhe kontribuoi me gjashtë asistime.
Ish-kampioni i shënimeve në NBA dhe MVP i dyfishtë LeBron James edhe një herë ishte zhgënjim te Miami, sidomos në çerekun e katërt kur shënoi vetëm dy pikë. Dwyane Wade shënoi 23 pikë, derisa Chris Bosh added 19 për Heat. Duke avancuar 3-2 në ndeshjet finale, Dallas tash ka nevojë vetëm edhe për një fitore nga dy ndeshjet e mbetura; por ata do të duhet t’i zhvillojnë këto ndeshje në Miami, ku ekipi u mposht në dy ndeshjet e para finale.
Ndeshja e gjashtë finale zhvillohet të dielën dhe nëse fiton Dallas Mavericks kjo ndeshje do të ishte e fundit dhe do të vendoste titullin (4-2 në seri ndeshjesh). Në të kundërtën, nëse fiton Miami Heat, rezultati i ndeshjeve finale barazohet në 3-3 dhe do të duhet të zhvillohet edhe ndeshja e shtatë, e cila është në plan të zhvillohet të martën dhe sërish në Miami.
Liverpooli ka bërë një ofertë befasuese për mbrojtësin e Arsenalit, Gael Clichy.
Guardian shkruan se menjëherë pas transferimit 20 milionësh të Jordan Henderson, Liverpooli ka bërë gati 5 milionë funte për Clichy.
Kenny Dalglish është i paepur të përmirësojë mangësitë në ekip në prag të sezonit të ardhshëm, dhe pasi ka analizuar edhe mbrojtësin e Newcastle, Luis Enrique, dhe atë të Celtic, Emilio Izaguirre, ka kthyer vëmendjen kah Clichy.
Francezi ka refuzuar të vazhdojë ofertën e Arsenalit për vazhdimin e kontratës, e cila e lidh atë me Topçinjtë deri në fund të sezonit të ardhshëm. Kjo ka bërë që drejtuesit e Emirates të mendojnë ta shndërrojnë atë në kesh këtë verë para se ai të largohet si i lirë vitin e ardhshëm. 25-vjeçari është lidhur edhe me klube të tjera evropiane.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është i paepur që kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas të rikthehet në Nou Camp.
“Do ta doja atë [të vijë]. Është një dëshirë e imja që kjo të ndodhë. Nuk mund të jem më i qartë. Ai është një fans i Barcelonës dhe ka qenë gjithë jetën e tij dhe do të dëshironte të vijë. Do të ishte shumë, shumë mirë për ne”.
“Vitin e kaluar dukej sikur ai do të vinte, por nuk erdhi. Tash duket se mund të vijë sërish, por duhet të presim. Shpresoj njerëzit në zyra mund të punojnë mirë dhe ta sjellin atë kësaj here”, ka thënë Pique për The Sun.
Barcelona mund të transferojë gjatë verës edhe Giuseppe Rossin edhe Alexis Sanchez, sipas agjentit të sulmuesit italian, Federico Pastorelllo.
Ditëve të fundit po ka shumë spekulime se Rossi ka rënë në radarin e Barcelonës dhe me transferin e Sanchez shumë pranë zyrtarizimit, janë shuar shpresat e italianit për të kaluar te skuadra më e mirë e të gjitha kohërave. Sidoqoftë, kështu nuk mendon agjenti i tij.
“Barcelona mund t’i transferojë që të dy”, theksoi Pastorello gjatë një bisede me Sky Sport Italia.
Milani është vënë në ndjekje të mesfushorit të Palermos, Antonio Nocerino, i cili ka vetëm edhe një vit kontratë me klubin nga Renzo Barbera.
Kampioni i Italisë është duke kërkuar një mesfushor kualitativ dhe pasi lojtarëve të mëdhenj u janë vënë çmime të pa përballueshme për kuq e zinjtë, zyrtarët Rossonerë kanë preferuar të kërkojnë alternativa në Itali.
Nocerino është atraktiv për Milanin pasi do të ishte transfer me parametra zero, një politikë kjo e suksesshme e kuq e zinjve, të cilët e fituan titullin falë transfereve të tilla.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani ka udhëtuar me Ariedo Braidan në Brazil për të vënë një hap para në transferimin e mesfushorit Paul Henrique Ganso.
Il Corriere dello Sport shkruan se zyrtarët Rossonerë janë në Amerikën Latine për të shikuar si qëndron gjendja me transferimin e Gansos dhe preferojnë ta shohin nga afër në Copa Libertadores.
Pas ndeshjes finale të Copa Libertadores besohet se Galliani ka aranzhuar takim me përfaqësuesit e Gansos, në mënyrë që të finalizohet marrëveshja për trikuartistin atraktiv të Santosit.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder definitivisht i ka dhënë fund sagës transferuese të tij që nuk ekzistoi kurrë te ndonjë prej gjigantëve anglez, duke thënë se ai dëshiron të qëndrojë te Interi.
“Është atmosferë familjare te Interi dhe janë të gjitha indikacionet për të arritur shumë”.
“Milano është i mrekullueshëm, piktoresk dhe plot elegancë. Unë e dua. Për momentin jam shumë i lumtur këtu dhe nuk shoh arsye për t’u larguar”, theksoi Sneijder për Il Corriere dello Sport.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, nuk dëshiron të pranojë se Barcelona është ekipi më i mirë i të gjitha kohërave, por mendon se ata meritojnë të kujtohen nga njerëzit në të ardhmen.
“Unë nuk mund të them se jemi më të mirët në hisotri sepse ka pasur shumë ekipe të mira në epoka të caktuara, por ne kemi treguar se ky ekip meriton që së paku të kujtohet”.
“Ky sezon ishte i shkëlqyer, por nuk ka fshehtësi. Te Barcelona ka punë dhe besim në përgjegjësitë tona”, potencoi Messi.
Superylli i Real Madridit, Leite Kaka ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin atë me një kalim te Interi gjatë verës, duke thënë se Leonardo nuk e ka kërkuar një gjë të tillë nga ai.
“Unë kam marrëdhënie të mira me Leonardon, të gjithë e dinë këtë. Kur refuzova ofertën e Manchester Cityt në janar të vitit 2009, ai ishte i pari që erdhi në shtëpi dhe më tha se bëra mirë që vendosa të qëndroj”.
“Ai kurrë nuk ka kërkuar nga unë që të luaj për Interin, sepse unë kurrë nuk e kam lënë derën të hapur për atë gjë. Sa herë flasim them se dua të triumfoj me Realin dhe ai thotë se duhet ta bëj këtë. Leo e di se nuk dua të largohem”, ka thënë Kaka.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka kritikuar mediat për mënyrën se si janë duke e mbuluar skandalin më të ri të trukimit të ndeshjeve në futbollin italian.
“Disa vite më parë diçka e ngjashme më ndodhi mua dhe unë isha konsideruar fajtor për diçka ku nuk isha i përfshirë”.
“Ekziston rrezik i dëmtimit të reputacioneve të njerëzve për disa javë dhe më pas përfundimisht shohim se ata nuk janë fajtorë dhe janë akuzuar pa fakte”, theksoi Buffon për Ansa.