Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, ka konfirmuar dëshirën e bashkëlojtarit të tij Cesc Fabregas për t’iu bashkëngjitur Barcelonës.
Në vitet e fundit, mesfushori spanjoll po lidhet me kalimin në Camp Nou gjatë çdo afati kalimtar, ndërsa Topçinjtë vazhdimisht kanë refuzuar të lejojnë largimin e yllit të skuadrës.
“Mund të them se është e vërtetë që Cesc dëshiron të shkojë te Barca”.
“Fabregas dëshiron të kthehet në vendlindjen e tij, në qytetin e tij, atje ku e ka familjen”.
“Ai dëshiron të luajë futboll për njërën nga skuadrat më të mira në botë, Barcelonën, dhe kjo është e kuptueshme”, ka thënë Sagna për radion franceze RMC.
Agjenti i Michael Essien, Fabian Piveteau, ka deklaruar se bisedimet e klientit të tij me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, nuk kanë të bëjnë me transferimin e 28-vjeçarit në Bernabeu.
Sipas The Sun, mesfushori do të vazhdojë qëndrimin te Chelsea, sepse ai nuk ka menduar asnjëherë për të kaluar te Mbretërit.

“Ai rregullisht flet në telefon me Jose Mourinhon, sepse ata e njohin njëri-tjetrin mirë dhe kanë pasur raporte të mira që nga koha kur Jose ishte te Chelsea”.

“Michael do të qëndrojë te Chelsea, ku ka edhe katër vite në kontratën e tij”, ka deklaruar agjenti.
Rossonerët planifikojnë të nënshkruajnë me mesfushorin e Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, gjatë kësaj vere.
Sipas Il Corriere dello Sport, të martën trajneri Massimiliano Allegri është takuar me shefin ekzekutiv Adriano Galliani dhe drejtorin Ariedo Braida, për të diskutuar në lidhje me transferimet.
I njëjti burim pohon se Allegri e ka kërkuar gjermanin 26-vjeçar, përkundër se ai ka kontratë me bavarezët deri në vitin 2016.
Pas largimi të Andrea Pirlos drejt Juventusit, trajneri i Rossonerëve dëshiron një lojtar që mund të luajë edhe si mesfushor defensiv edhe prapa sulmuesve.
Bianconerët kanë shtuar edhe më shumë interesimin për sulmuesin e Atletico Madridit, Sergio Aguero.
Së fundmi ka pasur spekulimet mjaft bindëse që 23-vjeçari do t’i bashkohet Real Madridit, mirëpo Los Blancos janë pranë transferimit të Neymar, ashtu që e ardhmja e Agueros vazhdon të mos ketë marrë një destinacion të qartë.

Sipas Il Corriere dello Sport, drejtorët e Juves do të mbajnë një takim për të diskutuar mundësinë e transferimit të argjentinasit, meqenëse transferimi i Carlos Tevez është thuajse i pamundur.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë për Manchester Cityn gjatë këtij afati kalimtar.
Javën e kaluar është spekuluar se ‘pasanikët’ janë të gatshëm të paguajnë 170 milionë euro për portugezin, ndërsa sipas burimeve të njëjta, Robaldo kishte kërkuar 24 milionë euro për sezon dhe shiritin e kapitenit që të shkonte atje.

“Jo keq, apo? Jo nuk do të shkoj”, është përgjigjur 26-vjeçari i pyetur nga Cadena Cope për këtë çështje.

“Mund ta eliminoni që tash, nuk do të shkoj. Po ua jap fjalën. Ndjehem mirë dhe dëshiroj ta respektoj kontratën. Po të më ofronte që tash Real Madridi kontratë tjetër, do ta nënshkruaja”, ka shtuar golashënuesi më i mirë në Evropë këtë sezon.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ka pranuar se ka pasur kontakte me Barcelonën, të cilën e ka ftuar të fillojë bisedimet me Rossonerët për transferimin e tij.
“Kam folur me Barcelonën dhe mund të flas për këtë gjë, sepse është legale”.

“Tash ata duhet të flasin me drejtorët e Milanit, sepse vetëm tre muaj më parë e kam vazhduar kontratën deri në vitin 2016”, ka deklaruar Silva.

Sido që të jetë, Milani vështirë se do ta lejojë largimin e tij, duke qenë se ia ka vazhduar kontratën dhe me transferimin e Philippe Mexes nga Roma, dëshiron të krijojë mbrojtje të fortë.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka deklaruar se është i gatshëm t’ia shesë Romës yllin kryesor Javier Pastore, nëse Giallorossët paguajnë 50 milionë euro.
Klube, si Juventus, Real Madrid, Chelsea e Manchester United, janë të interesuar për shërbimet 21-vjeçarit, mirëpo Roma ka shprehur interesim më të madh.
“Pastore nuk do të shkojë askund për një shumë më të ulët se 50 milionë euro. Ndërsa do ta ketë të vështirë të qëndrojë në Itali nëse vendos të largohet”, ka thënë Zamparini.
Chelsea raportohet se mund t’ia ofrojë Tottenhamit sulmuesin Didier Drogba në shkëmbim për mesfushorin Luka Modric.
The Mirror shkruan se trajneri i Totenhamit, Harry Redknapp, e ka bërë të qartë se kroati i vlerësuar 30 milionë funte nuk është në shitje, pavarësisht interesimit nga Blutë dhe kampionit në fuqi Manchester United.

Vetë Modric nuk e ka mohuar një largim nga White Hart Lane, duke shfaqur dëshirën e tij për të luajtur në Ligën e Kampionëve pasi luajti një rol të rëndësishëm në aventurën e evropiane të vitit të kaluar te Spurs.

Drogba, ndërkohë, ka marrë premtime se do të mbetet në Stamford Bridge pas paraqitjeve të tij në fund të sezonit të kaluar kur Fernando Torres dështoi të arrijë pritjet pas transferimit të tij rekord 50 milionë funtësh nga Liverpooli. Megjithatë duke marrë parasysh moshën, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë mund të bëhet pjesë e ndonjë marrëveshje të favorshme për Blutë

Redknapp kurrë nuk e ka fshehur admirimin e tij për Drogba dhe e ka bërë të qartë se ai do të dëshirojë ta ketë atë në ekip – nëse Chelsea e lejon largimin e tij dhe nëse financat ia lejojnë këtë.
Agjenti i Mirko Vucinic ka zbuluar se sipas gjasave 27-vjeçari do të largohet nga Roma gjatë kësaj vere.
Sulmuesi nga Mali i Zi kaloi një sezon të vështirë në Olimpico që bëri atë të mendojë largimin, pavarësisht se ka kontratë deri në qershor të vitit 2013.

“Ia kam ripërsëritur drejtorit Walter Sabatini se situata e tashme e bën klientin tim të mendojë për divorc. Futbolli duhet të jetë qejf, por kur fishkëlleheni dhe vendoseni në dyshim gjithë kohës, kjo e bën të vështirë të mbeteni të qetë. Situata e Mirco ka qenë e tillë për tashmë disa muaj”, ka thënë Alessandro Lucci.

Vucinic shënoi 10 gola në 29 paraqitje për Romën në sezonin 2010/11.
Sulmuesi i Juventusit, Amauri, është cak i dy klubeve angleze, bën të ditur agjenti i lojtarit, Ernesto Bronzetti.
Amauri kaloi pjesën e dytë të sezonit të kaluar i huazuar nga Juventusi te Parma, ku shënoi shtatë gola në 11 paraqitje, për të ndihmuar klubin të mbetet në Serie A. Ai nuk dëshiron të rikthehet te Juventusi dhe tashmë ka joshur interesimin e klubeve si Napoli dhe Lazio, por po ashtu edhe të klubeve jashtë Italisë.

“Nuk mendoj se Amauri do të rikthehet te Parma. Ne kemi oferta nga dy ekipe të Serie A dhe nga dy klube angleze dhe do të marrim vendimin me qetësi”, ka thënë Bronzetti për Gazzetta dello Sport.

31-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas, e di se ylli i Atletico Madrid, Sergio Aguero, do të përballet me kundërthënie nëse ai transferohet në Santiago Bernabeu.
Aguero e ka bërë të qartë se ai dëshiron të largohet nga Atletico, por nuk është shprehur për një transferim te Real Madridi.
“Nuk mendoj se do të jetë komforte ose e lehtë të jesh në kryeqytetin e Spanjës dhe të kalosh nga Atletico në Real Madrid. Ai është një lojtar shumë i ri, vendimtar dhe shumë i mirë”.
“Për momentin ai është një prej tre ose katër futbollistëve të cilët janë ca më lartë në skenën e futbollit. Çdokush do të dëshironte ta ketë atë në ekip”, ka thënë Casillas.
Xherdan Shaqiri Trajneri i përfaqësueses U21 të Zvicrës në Futboll, Pierluigi Tami, ka dhënë shenja se ai do t’i lërë të pushojnë disa prej lojtarëve të tij më të mirë për ndeshjen e sotme ndaj Islandës.
Zvicra, e cila ka pesë shqiptarë në ekip, tre prej të cilëve janë me përvojë edhe me ekipin senior, sonte ka një ndeshje më të lehtë në kuadër të grupit A të kampionatit evropian U21, atë kundër Islandës.
“Për ndeshjen e parë kam shfrytëzuar lojtarët të cilët kishin pak më shumë përvojë. Ndoshta do ta ndryshoj formacionin për ndeshjen kundër Islandës. Disa lojtarë kanë dhënë shumë energji në ndeshjen e të shtunës”, ka thënë Tami.
Në mesin e lojtarëve që pritet të pushohen janë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmeti dhe Innocent Emeghara, të cilët të gjithë luajtën edhe në barazimin 2-2 ndaj Anglisë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2012.
Megjithatë sonte mund të ketë më shumë hapësirë për dy shqiptarët tjerë të Zvicrës, Pajtim Kasami dhe Amir Abrashi.
Ylli i Udinese, Alexis Sanchez, dëshiron të shmangë krahasimet me emrat e mëdhenj të futbollit.
Kiliani është duke u kërkuar nga klubet më të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën, Manchester United e Chelsea.
“Do të doja të mbahem mend si vetja ime pa krahasime. Ende jam larg nga ajo çfarë kanë arritur Messi dhe Cristiano Ronaldo. Unë jam vetëm Sanchez. Jam vetëm në fillim dhe duhet të vazhdoj në këtë rrugë. Duhet më shumë se dy ose tre gola për t’u bërë një lojtar i shkëlqyeshëm”, ka thënë Sanchez.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të dëshironte ta shojë Luis Figon të rikthehet në klub.
Figo, i cili aktualisht është i angazhuar te Interi, është lidhur me një rol te Real Madridi pas shkarkimit të menaxherit gjeneral Jorge Valdano.
“Mirë... [Valdano] ishte rast për klubin. Ishte një vendim i presidentit. Figo ka përvojën pasi ka qenë lojtar te Madrid... Do të doja ai të rikthehet”, ka thënë Ronaldo.
Valencia është e gatshme të shesë Juan Mata te ndonjëri prej klubeve të interesuara angleze.
Mata aktualisht është në Kampionatin Evropian U21 në Danimarkë me ekipin U21 të Spanjës, dhe ka joshur vëmendjen e klubeve angleze si Chelsea, Manchester City dhe Liverpool.

Valencia tash është duke menduar ta diskutojë shitjen e lojtarit me të tre klubet e Ligës Premier, pasi tashmë ka arritur marrëveshje me mesfushorin e Getafe, Dani Parejo, i cili arrin si zëvendësim i drejtpërdrejtë për 23-vjeçarin.

Mata është mik i mirë me yllin e Cityt, David Silva, edhe pse është po ashtu i afërt edhe me sulmuesin e Chelseat, Fernando Torres.
Kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas, ka thënë se triumfi në Kupën e Mbretit nuk është i mjaftueshëm dhe se ata duhet të përmirësohen në sezonin e ardhshëm.
“Ne nuk mund të mbështetemi në kupë, ne duam më shumë. Vitin e ardhshëm shpresoj të fitojmë më shumë tituj pasi jemi ambicioz... Madridi gjithmonë duhet të ecë më tej.
“Unë kam dy medalje të Kupës Evropiane dhe dua të tretin. Kam katër medalje të ligës dhe dua të pestin. Çdo vit duhet ta merrni atë si një sfidë”, ka thënë Casillas gjatë një interviste për ESPN.
Legjenda e Manchester United, Paul Scholes, mendon se ai nuk ka mundur t’i japë klubit të tij më të mirën nga vetja.
Scholes zbuloi pensionimin dy javë më parë edhe pse pritej të vazhdojë të luajë së paku edhe për një sezon tjetër.
“Nëse doni të jeni pjesë e këtij klubi ju duhet të jeni në gjendje të luani nga fillimi deri në minutën e fundit të 90-të. Kur filloja ndeshje nuk ndjehesha mirë”.
“Nuk shqetësohesha kur luaja ndeshje të rastit ose kur inkuadrohesha në fund të ndeshjes – kjo ishte mbase mënyra e duhur për të më shfrytëzuar mu. Më së miri ndjehesha kur luaja në 15 ose 20 minutat e fundit dhe vërtet kjo nuk është në rregull”, ka thënë Scholes.

Liverpooli mund të lëshojë një varg ofertash transferuese gjatë kësaj jave.
Liverpool Daily Post shkruan se Redsat mund t’i ashpërsojnë transferimet me hiç më pak se pesë lojtarë të ri që mund të arrijnë këtë javë.
Mbrojtësi i Arsenalit, Gael Clichy, është përmendur si një cak serioz për Kenny Dalglish, derisa ekipi nga Anfield po ashtu është duke menduar ofertë për Stewart Downing të Aston Villas, kapitenin e Blackpool, Charlie Adam, sulmuesin e Ipswich, Connor Wickham dhe yllin e Southampton, Alex Oxlade-Chamberlain.
Dalglish bëri nënshkrimin e parë të verës javën e kaluar duke transferuar për 16 milionë funte mesfushorin e Sunderlandit, Jordan Henderson.
Shefi ekzekutiv i Interit, Ernesto Paolillo, nuk ka dashur të komentojë mbi të ardhmen e Diego Militos, mirëpo nuk e ka përjashtuar një transferim të mundshëm te Napoli.
Kontrata e sulmuesit argjentinas me Nerazzurrët skadon në vitin 2014, mirëpo mediat italiane e kanë lidhur atë me një kalim te Napoli, skuadër e cila dëshiron të përforcohet për sezonin e ardhshëm.
“Nuk do t’i përjashtoj marrëveshjet me Napolin, mirëpo preferoj të mos përgjigjem”, ka thënë Paolillo pasi është pyetur mbi Militon.