Trajneri i Real Madridit, është i gatshëm ta harrojë formacionin e tij 4-2-3-1, për të shfrytëzuar sistemin 4-3-3, gjithnjë sipas Marca.


Ky ndryshim do ta lejonte Nuri Sahin të spostohej në krahun e majtë të mesfushës së përbërë prej tri njerëzve.


Sezonin e kaluar Jose Mourinho përdori formacionin 4-2-3-1, megjithëse ndryshimet që Mourinho mendon t’i bëjë, nuk do ta prekin vetëm mbrojtjen, por do ta forcojnë edhe sulmin.


Mendohet se Khedira do të luajë në krahun e djathtë të mesfushës, ndërsa Alonso në qendër, kurse Ozil, së bashku me Ronaldon dhe Benzeman do ta përbëjnë sulmin bombastik madrilen.


Formacioni i ri, nëse fillon të aplikohet nga Mourinho, do të dukej kështu: Casillas; Ramos, Pepe, Riccardo Carvalho, Coentrao; Khedira, Alonso, Sahin; Ozil, Benzema, Ronaldo.


Casillas
Ramos – Pepe – Carvalho – Coentrao
Khedira – Alsono – Sahin
Ronaldo – Benzema – Ozil

Chelsea ka lansuar një ofertë prej 50 milionë eurosh për sulmuesin e Atletico Madridit, Sergio Aguero.
Daily Star Sunday shkruan se Chelsea mbrëmjen e të shtunës ka dërguar një ofertë rej 50 milionë eurosh për Sergio Agueron, duke larguar menjëherë nga gara Juventusin.

Tani mbetet vetëm çështje kohe, sipas tabloidit, kur Aguero do të konfirmohet lojtar i Chelseat, pasi Abramovich ka vendosur të shpenzojë në mënyrë që ta përforcojë ekipin.
Drejtori i Interit, Marco Branca, i cili vet ka qenë i përfshirë në bisedime për ta bindur Porton të heqë dorë nga klauzola e Andres Villas Boas, ka konfirmuar se trajneri portugez nuk do të jetë strateg i Interit për sezonin e ardhshëm.
“Andres Villas Boas nuk do të jetë trajner i Interit, dhe jo vetëm për shkak të klauzolës së tij prej 15 milionë eurove”.

“Tashmë bota e futbollit e di se cilat janë lidhjet e Portos dhe Villas Boas, ndërsa klauzola vetëm sa i fuqizon këto relacione”, ka thënë Branca për ANSA.

Kështu, në pole pozicion për pankinën e Interit është Sinisa Mihajlovic përkundër deklaratës se do të qëndrojë te Fiorentina, ndërsa si favoritë janë edhe Delio Rossi dhe Gian Piero Gasperini.
Diego Maradona ka thënë se sulmuesi të cilin po e kërkon Real Madridi, Sergio Aguero, shumë lehtë mund edhe të mbetet te Atletico Madridi.
“Sergio Aguero do të mbetet në Madrid, te Atletico apo diku tjetër”.

“Real Madridi gjithmonë e ka kërkuar atë, ndërsa Spanja duhet t’i jetë falënderuese familjes Maradona”, u shpreh Diego.
Barcelona është e gatshme ta shesë sulmuesin David Villa për një shumë prej 40 milionë eurosh te Mancheter City apo Chelsea, gjithnjë sipas Sunday Mirror.
Gjiganti katalanas është duke kërkuar që të sigurojë fonde shtesë për të transferuar Alexis Sanchez dhe Cesc Fabregas në Camp Nou, ndërsa për ta bërë këtë duhen bërë shitje.

Kështu, mendohet se Barcelona dëshiron ta shesë David Villan 30 vjeçar, dhe të sjellë me ato para të rinjtë Giuseppe Rossi, Cesc Fabregas dhe Alexis Sanchez në Camp Nou.
Javier Pastore ka ngritur edhe njëherë dyshimet mbi të ardhmen e tij te Palermo, pikërisht në mes të spekulimeve të shumta kur atë po e kërkojnë shumë skuadra evropiane.
“Të shkoja te Palermo ishte shumë me rëndësi për karrierën time dhe shpresoj që të vazhdoj të luaj mirë viteve të ardhshme”.

“E ardhmja ime do të vendoset pas Copa Americas. Unë do të flas me presidentin Zamparini dhe agjentin tim dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, potenco Pastore.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, nuk dëshiron të dorëzohet për asin Samir Nasri dhe për këtë ka planifikuar një takim me francezin.
Sunday Mirror raporton se Wenger është duke bërë tentime të shumta për të mbajtur në Emirates mesfushorin, të cilit i ka mbetur edhe një vit kontratë.

Arsenali është duke dështuar që ta bindë Nasrin të rinovojë kontratën aktuale, pasi futbollisti kërkon rritje drastike të pagës. Paqartësitë rreth të ardhmes së Nasrit pritet të sqarohen pas takimit sy më sy me Wengerin.
Sulmuesi i Santosit, Neymar, ka thënë se nuk ka ende asgjë të re sa i përket një kalimi të mundshëm të tij te Real Madridi, duke zgjatur edhe më shumë sagën e tij transferuese.
“Nuk më intereson që të luaj mirë në mënyrë që t’u lë përshtypje klubeve të mëdha”.

“Nuk ka asgjë të re për Real Madridin. Unë jam lojtar i Santosit dhe do të luaj në finalen e Copa Libertadores për Santosin. Kjo më intereson”, u shpreh Neymar.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, edhe njëherë ka shprehur përkushtimin e tij që ta mbajë Luka Modricin, duke insistuar se mesfushori nuk do të shitet, përkundër interesimit të Chelseat.
“Është gjë e mirë të kemi një lojtar si Modric, që papritmas kushton 50 milionë funte dhe të gjithë e duan. Ne kemi qenë me fat që e kemi marrë dhe nuk do ta shesim, kështu ka thënë edhe kryetari dhe kjo mjafton për mua”.

“Kryetari e ka bërë një deklarim sot, ai nuk mund të tërhiqet nga ajo. Unë e di çfarë mendon ai, dhe ai e di çfarë dua unë. Luka nuk shkon askund”, ka thënë Redknapp.
Barcelona është shumë pranë që të sigurojë shërbimet e yllit të Udineses, Alexis Sanchez.
Sipas Sport, Barcelona do ta kompletojë të hënën transferimin e kilianit 22 vjeçar për një shumë prej 39 milionë eurosh.
Blaugranët kanë shtuar impenjimin për Sanchez dhe duket se më në fund kanë arritur ta bindin Udinesen të heqë dorë nga ylli i saj, i cili personalisht do të shkojë në Barcelonë për të nënshkruar marrëveshjen me Barçën.
Arsenali ka konfirmuar me anë të kreut të klubit, Peter Hill-Wood, se Barcelona ka bërë ofertë për kapitenin Cesc Fabregas.
“Po, ata kanë biseduar me ne për Cesc. Ata kanë qëndruar në kontakt me ne. Por deri tani ata nuk kanë bërë ndonjë ofertë serioze dhe ne nuk duam ta lëmë të largohet”.
“Por, ai është nga Barcelona dhe është e kuptueshme që ai të kërkojë kthimin në vendlindje. Sidoqoftë, ata nuk kanë bërë ndonjë ofertë deri tani”, theksoi Hill-Wood për Sunday Mirror.
Chelsea mund të dënohet me një dënim me heqje pikësh për shkak të mënyrës se si është duke e kërkuar kroatin Luka Modric.
Sunday Mirror spekulon se Tottenhami me në krye Daniel Levyn është duke u përgatitur që ta raportojë Chelsean te autoritetet e Ligës Premier. Ai ia tërhoqi vërejtjen Chelseat në letrën me shkrim që të mos tentojnë të bëjnë ofertë dhe tani ka akuzuar ata për bërjen publike të negociatave.
Chelsea e ka zakon që t’i transferojë lojtarët në mënyrë të ‘pistë’ pasi shembujt nga e kaluara, siç ishte rasti i transferimit të Ashley Cole dhe të Gael Kakutas, na flasin se autoritetet e Ligës Premier kësaj radhe nuk do të kenë mëshirë dhe do të marrin në konsideratë historinë e errët të Chelseat, ndërsa ajo me të cilën mund të përballen Blutë është dënimi me heqje pikësh.
Interi nuk është dorëzuar ende në luftën për të bindur Andres Villas Boas të kalojë te klubi nga Giuseppe Meazza, përkundër agjentit të trajnerit të Portos që ka mohuar spekulimet se klienti i tij do të kalojë në Itali.
Sipas Sky Sport, Interi është aq i vendosur ta sjellë Villas Boas, sa që drejtori sportiv, Marco Branca ka udhëtuar personalisht në Portugali për të bindur Villas Boas të kalojë te kampioni i botës.
Në ndërkohë, Sinisa Mihajlovic përfundimsht me anë të një deklarate ka thënë se nuk do të largohet nga Fiorentina, duke u bërë emri i tretë që refuzon Interin brenda pak ditësh.
Super mesfushori i QPR, Adel Taarabt, është i gatshëm të largohet nga klubi i posa promovuar në Ligën Premier, pas dështimit të bisedimeve për rinovimin e kontratës së tij
“Unë i kam ndihmuar QPR që të kthehet në Ligën Premier, por ata nuk duan të më ofrojnë kontratë më të mirë. Ata thonë se unë po marr pagë shumë të madhe. Ata duan që të qëndroj me vite nën kontratë të njëjtë”.
“Por, nuk dua të nënshkruaj për katër vjet dhe vitin e ardhshëm të kthehem në Championship. Nuk është mos respekt, por nëse mbajmë lojtarët e njëjtë, do të jetë e vështirë të qëndrojmë në Ligën Premier duke luajtur ndaj Manchester United dhe Chelseat”, pohoi Taarabt.
Braziliani i shumëanshëm i Lyon, Michel Bastos, pritet që të largohet nga klubi francez për t’iu bashkuar Juventusit, gjithnjë sipas L’Equipe.
Gazeta franceze pohon se Juventusi ka bërë një ofertë prej 15 milionë eurosh dhe kampioni francez është i gatshëm ta shesë atë.

Për Bastos ka qenë në garë edhe Interi, por duket se Bianconerët edhe njëherë kanë mposhtur Nerazzurët.
Fatlum Ramadani Interi ka zgjeruar kërkimet për krijimin e ekipit për dekadën e ardhshme, ndërsa gjiganti italian tani duket se ka shtrirë ndikimin me anë të agjentëve edhe në Kosovë, ku po kërkohen talentë të rinj.
Bëhet fjalë për Fatlum Ramadanin, talentin 16 vjeçar që mbron ngjyrat e F.C. Prishtinës, babain e të cilit, Mehmet Ramadanin e kanë kontaktuar agjentët e Interit.

“Një agjent italian më ka kontaktuar dhe më ka thënë se dëshiron ta sjellë Fatlumin në Itali. Ai do ta dërgojë djalin tim te Interi, por pasi Interi nuk ka vend tani për tani, ka propozuar një huazim njëvjeçar te Vicenza”, theksoi Mehmet Ramadani, babai dhe agjenti i kosovarit.

Sulmuesi 16 vjeçar është kërkuar edhe nga Werder Bremen dhe sipas të gjitha gjasave, ai do të dalë shumë shpejtë jashtë vendit, pasi nuk ekzistojnë as kushtet optimale që ai këtu të zhvillohet si lojtar.

Fatlum Ramadani konsiderohet një prej talentëve më të mëdhenj kosovar të kohës dhe shumë ekspertë si vendorë ashtu dhe ndërkombëtarë mendojnë se ai është një prej futbollistëve më me prespektivë sot në Evropë. Telegrafi do të kontaktojë futbollistin e talentuar për të mësuar më shumë rreth të ardhmes së tij.