Kampioni i Maqedonisë në futboll, Shkëndija e Tetovës, do të debutojë në garat evropiane kundër kampionit e Serbisë, Partizanit të Beogradit, në një përballje sportive shqiptaro-serbe në kuadër të kualifikimeve të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.Shorti i hedhur sot në zyrat qendrore të UEFA-së në Nyon të Zvicrës ka caktuar tetovarët të udhëtojnë në Beograd për ndeshjen e parë (12/13 korrik), ndërsa do të presin serbët një javë më vonë.
Ekipi tjetër shqiptar që do të ketë rastin të garojë në Ligën e Kampionëve është kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, që do të duhet të eliminojë ekipin APOEL të Qipros për t’u kualifikuar në rundin e dytë eliminator për Ligën e Kampionëve.
Interi ka bërë gati një ofertë prej 30 milionë eurosh për yllin e Real Madridit, Kaka.Braziliani nuk e ka gjetur formën e tij që nga transferimi në Bernabeu në vitin 2009, si pasojë e lëndimeve të njëpasnjëshme, ndërsa spekulohet se ai mund të largohet nga Los Blancos, përkundër se vet lojtari vazhdimisht ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë.
L'Equipe njofton se Interi ka ofruar 30 milionë euro për shërbimet e Kaka, ndërsa këtë ofertë e kanë refuzuar drejtuesit e Realit, të cilët kanë kërkuar edhe 10 milionë më shumë për lojtarin që kanë paguar 68.5 milionë euro para dy vitesh.
Skuadra e Romës ka njoftuar se trajneri ri, Luis Enrique, ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin kryeqytetas.Spanjolli, i cili e merr drejtimin e Romës pas largimit të Vincenzo Montellas, do ta shënojë përvojën e parë si trajner i vërtetë pas drejtimit të skuadrës B të Barcelonës për tre sezone.
Në bazë të kontratës së re, Enrique do të qëndrojë te Roma deri në vitin 2013, ndërsa në sezonin e parë do të përfitojë 2.9 milionë euro dhe në të dytin 3.1 milionë euro.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk shqetësohet nga spekulimet në lidhje me të ardhmen e yjeve të tij, si Samuel Eto’o, Wesley Sneijder dhe Maicon.Eto’o së fundmi ka thënë se mund të mendojë për një kalim në Ligën Premier, Sneijder po ndiqet nga Manchester United, ndërsa Maicon është shënjestër e Real Madridit.
Megjithatë, Moratti është i bindur se të tre lojtarët dëshirojnë të qëndrojnë në Meazza.
“Krejt çka mund të them në lidhje me thashethemet për transferimet për Eto’o, Sneijder dhe Maicon, është se kam folur me ta dhe ata të gjithë duan të mos largohen”, ka thënë Moratti për La Gazzetta dello Sport.
Galatasaray ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për transferimin e Tomas Ujfalusit nga Atletico Madridi.33-vjeçari kaloi tri sezone në Spanjë, ndërsa klubi nga Stambolli ka njoftuar përmes një komunikate për media se ai ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.
“Galatasaray e ka transferuar Tomas Ujfalusin nga Atletico Madridi. Ujfalusi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare dhe klubi i dëshiron sukses në ambientet e reja”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi turk.
Sipas Dogan News Agency, lojtari çek pritet të shoqërohet edhe nga Jose Antonio Reyes dhe ndoshta Diego Forlan, që po ashtu pritet të nënshkruajnë me Galatasarayn.
Topçinjtë do të duhet të paguajnë dy milionë më shumë se shuma e përgatitur paraprakisht për qendërmbrojtësin e Blackburn Rovers, Christopher Samba, pasi që 15 për qind e shumës së transferimit do t’i takojë ish-skuadrës së tij, Hertha Berlin.Arsenali është i interesuar për shërbimet e 27-vjeçarit, ndërsa Daily Mail njofton se për transferimin e tij duhet të paguajë së paku 12 milionë funte.
Ekipi i Arsene Wenger ishte i gatshëm të shpenzonte 10 milionë funte për Samban, mirëpo Blackburni dëshiron më shumë, pasi që do t’i mbetet borxh skuadrës së mëparshme të lojtarit për shkak të një pike në kontratë, sipas së cilës dy milionë funte do të shkojnë te skuadra gjermane, Hertha.
Agjenti i Giuseppe Rossit, Federico Pastorello, ka thënë se Barcelona asnjëherë nuk ka qenë e gatshme të paguajë 30 milionë euro për të transferuar sulmuesin e Villarrealit.“Barcelona nuk ka ofruar asnjëherë 30 milionë euro, por më pak. Villarreali dëshironte më shumë, prandaj në fund nuk pati marrëveshje”.
“Tash për tash situata është e mbyllur. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Rossi dëshironte t’i bashkohet Barcelonës, ndërsa po ashtu nuk mund ta përjashtoj mundësinë se ai do të qëndrojë edhe një vit te Vilarreali”, ka thënë agjenti i 24-vjeçarit për Radio Mana Mana.
Lokomotiv Moscow ka siguruar shërbimet e Victor Obinnas, i cili ishte lojtar i lirë.Nigeriani që ishte në pronësi të Interit, kaloi sezonin e fundit në formë huazimi te West Hami, mirëpo asnjëra nga dy skuadrat nuk vendosën ta mbajnë atë, kështu që pas skadimit të kontratës me Nerazzurët, ai mund të kalojë në Rusi me parametrat zero.
“Obinna ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Lokomotivin dhe i ka kaluar ekzaminimet mjekësore në Moskë”, ka deklaruar agjenti i tij, Tony Adele.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Sergio Aguero, mund të jetë transferim i qëlluar për Juventusin- thotë drejtori gjeneral i Bianconerëve, Giuseppe Marotta.Argjentinasi ka kërkuar të largohet nga ekipi i dytë i kryeqytetit spanjoll, ndërsa skuadra të shumta janë kërkim të shërbimeve të tij, Zonja e Vjetër është një prej tyre.
Megjithatë, çmimi i lartë që është vënë për 23-vjeçarin (45 milionë euro) mund të bëjë që skuadrat të tërhiqen nga dëshira për transferimin e sulmuesit.
“Kur flas për ngritjen e nivelit të cilësisë te skuadra, unë i referohem atij (Agueros). Argjentinasi është lojtar i shkëlqyer”, ka thënë Marotta.
FIFA ka konfirmuar se ka pranuar dorëheqjen e ish-presidentit të CONCACAF, Jack Warner.Statusi i 68-vjeçarit, i cili ka mbajtur edhe postin e zëvendëspresidentit të FIFA-s, është dëmtuar pas akuzave në lidhje me korrupsion, duke bërë që ai të suspendohet nga të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me futbollin.
Kjo ka bërë që ai të japë dorëheqje, ndërsa përmes një komunikate për media FIFA ka njoftuar se Warner i ka dhënë fund bashkëpunimit 28-vjeçar me FIFA-n.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se ata i kanë dërguar një mesazh gjithë botës duke refuzuar ofertën e Chelseat për Luka Modric.“Nëse Tottenham e shet Luka, atëherë mendoj se kjo do të ishte një mesazh se edhe Gareth Bale mund të largohet dhe askush nuk dëshiron që kjo të ndodhë. Kam parë të tilla gjëra edhe më herët. West Ham vendosi ta shesë Rio Ferdinand dhe pastaj të gjithë u larguan. Kjo nuk është mirë për asnjë klub”.
“Tottenham duhet t’i mbajë lojtarët më të mirë si edhe të shtojë më shumë kualitet në ekip nëse dëshiron të jenë sfidues serioz për titull. Klubet tjera të kreut përforcojnë ekipin gjithë kohën dhe Spurs duhet ta ruajnë ritmin. Është shumë e thjeshtë”, ka thënë Redkanpp.
Tottenahmi së fundi refuzoi ofertën e Chelseat prej plot 22 milionë funtesh për Modric. Për kroatin të interesuar janë edhe dy rivalët nga Manchesteri, City dhe United.
Presidenti i Portos, Pinta da Costa, ka dyshime se ai mund ta mbajë trajnerin e ekipit Andre Villas-Boas pas interesimit të shfaqur nga disa skuadra evropiane.Portugezi është duke u kërkuar nga klubet më të mira evropiane, përfshirë Inter dhe Chelsea.
“Villas Boas ka një kontratë dhe një klauzolë në vlerën e 15 milionë eurosh. Nëse dikush depoziton 15 milionë në konto dhe ai dëshiron të largohet, ne nuk mund të bëjmë asgjë pasi është diçka që do të binte ndesh me specifikacionet”, ka thënë Da Costa.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është duke menduar ta shesë anësorin Nani në Itali gjatë kësaj vere.Manchester Evening News shkruan se gjigantët italianë, Inter dhe Juventus pritet të luftojnë për të marrë shërbimet e anësorit 24-vjeçar.
Interi besohet të jetë lider në betejë për të transferuar portugezin duke qenë se Djajtë e Kuq janë të interesuar për Wesley Sneijder.
Sigurimi i shërbimeve të mesfushorit holandez dhe shfrytëzimi i Nanit në ofertë plus 10 milionë euro, do të ishin një biznes i pranueshëm si për Manchester United po ashtu edhe për Inter.
Megjithatë, Juventusi planifikon të harxhojë plot 100 milionë euro për të rindërtuar ekipin dhe trajneri i ri Antonio Conte e sheh Nanin si një përforcim të vlefshëm dhe është i gatshëm të ofrojë 25 milionë funte.
Sulmuesi uruguaian Diego Forlan thotë se ai është i lumtur te Atletico Madrid.Ish-sulmuesi i Manchester United është lidhur me një transferim në kampionatin turk që nga fundi i sezonit të kaluar. Por ai edhe një herë ka përsëritur se nuk dëshiron të largohet nga Vicente Calderon.
“Kam thënë dhe po e përsëris se kam edhe dy vite kontratë me Atleticon dhe planifikoj ta mbyll kontratën këtu, pasi jam shumë i lumtur në klub dhe në Madrid”, ka thënë Forlan.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, dëshiron t’i shesë pesë lojtarë të ekipit gjatë kësaj vere.AS shkruan se Mourinho tashmë ia ka përcjellë presidentit të klubit, Florentino Perez, emrat e pesëshes.
Royston Drenthe, Pedro Leon, Ezequiel Garay, Fernando Gago dhe Sergio Canales që të gjithë janë në shitje.
Canales do të lejohet të largohet si huazim derisa katërshja tjetër do të shiten.
Manchester United raportohet se dëshiron ta sjellë mesfushorin e Real Madridit, Xabi Alonso, sërish në Angli.Ish-mesfushori i Liveproolit është duke u menduar në Old Trafford si një zëvendësim për të pensionuarin Paul Scholes.
Radio Cadena Ser thotë se menaxheri i United, Sir Alex Ferguson është duke vepruar vetë për transferimin e Xabit dhe tashmë ka caktuar biseda me kampin e lojtarit.
United dëshiron të përmirësojë pagën aktuale të Xabi te Reali me qëllim që ta transferojë atë sërish në ishull.
Çdo lëvizje në Old Trafford do të dëshmohej e vështirë për mesfushorin, i cili së fundi shfaqi lojalitetin ndaj ish-klubit të tij Liverpool.
Pedro Leon është duke ngulur këmbë të vazhdojë të luajë në Santiago Bernabeu.Ish-anësori i Getafes është nxjerrë në shitje nga Reali, por vetë lojtari deri tash ka refuzuar ofertat nga Anglia dhe Gjermania.
Reali është duke kërkuar vetëm 1.5 milionë euro për Leon, por ai tashmë ka refuzuar ofertat prej 3 milionë nga Liveprooli dhe po ashtu i ka thënë Tottenhamit të mos lodhet, shkruan Marca.
Bayern Munich po ashtu ka qenë në kontakt me menaxhmentin e Leon, por ngjashëm si dy klubet angleze ka marrë të njëjtën përgjigje refuzuese.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, ka konfirmuar negociatat me anësorin e Tottenhamit, Giovani dos Santos.Bosi i ri i Sevillas dhe ish-menaxheri i Racing Santander, Marcelino Garcia Toral, kishte punuar me meksikanin për gjashtë muaj në formë huazimi, por Nido thotë se transferimi ende nuk është formalitet.
“Është e vërtetë se ne kemi biseduar me lojtarin (dos Santos) dhe ne jemi të interesuar për të, por ai nuk është një cak unik për ekipin. E kam bërë të qartë se Sevilla nuk do të paguajë më shumë se 8 milionë euro për një lojtar edhe pa e ditur nëse (Frederic) Kanoute do të qëndrojë me ne”, ka thënë Del Nido.
Liverpool vazhdon të jetë në kontakt me Romën, kësaj here për një portier tjetër të këtij ekipi, Julio Sergio.Liverpooli është në treg për një portier me përvojë i cili do të ishte zëvendësim për Pepe Reina në sezonin e ardhshëm.
Pasi u përfol se Redsat ishin afër transferimit të portierit të Romës, Alexandre Doni, Sky Italia tash shkruan se ekipi anglez është i interesuar për portierin tjetër brazilian të ekipit.
Derisa Doni u tha se mund të transferohet për 1 milionë funte, çmimi i Julio Sergio pritet të jetë dukshëm më i madh.
Sergio dhe Doni kanë luftuar për vendin e parë të portierit në dy sezonet e fundit te Roma.
Kapiteni i Milanit, Massimo Ambrosini, thotë se ata duhet të gjejnë zëvendësim për nënshkrimin e ri të Juventusit, Andrea Pirlo.Trajneri Massimilliano Allegri është duke kërkuar një mesfushor të ri revolucionar, pasi Pirlo u lejua të largohet si agjent i lirë drejt Juventusit dhe klubi tashmë është duke kërkuar një anësor të krahut të majtë.
“Lexoj emra të ndryshëm në gazeta, por nuk e kam idenë se kush do të jetë Mister X misterioz. Përveç kësaj, unë mund të luaj në anën e majtë të mesfushës... Ne sigurisht kemi nevojë për një zëvendësim të Pirlo, edhe pse dikush me karakteristikat e tij do të ishte e pamundshme ta zëvendësojë. Mungesa e tij do të ndjehet në fushë dhe në dhomën e zhveshjeve”.
“Ka lojtarë të cilët mund ta kthejnë një ekip nga natyral në të shkëlqyeshëm. Andrea është një prej atyre lojtarëve. Kam filluar me të që në ekipin U18 të Italisë. Ai është unik”, ka thënë Ambrosini për Gazzetta dello Sport.
Al Ahli ka prishur kontratën me ish-mbrojtësin e Juventusit dhe Real Madridit, Fabio Cannavaro, shkruajnë mediat arabe.Fituesi i Kupës së Botës dhe çmimeve Topi i Artë dhe FIFA Lojtari i Vitit në Botë në vitin 2006, u largua nga Juventusi verën e kaluar për të luajtur sezonet e fundit në karrierë.
Por pas një viti të kaluar te klubi i Emirateve të Bashkuara Arabe, Cannavaro duket se do t’i japë fund karrierës si futbollist. Presidenti i klubit Abdullah Saeed Al Naboudah nuk ka thënë drejtpërdrejtë se italiani do të largohet, por ka dhënë shenja se një hap i tillë është i mundshëm.
“Nuk mund të tregoj gjithçka që ndodh në klub për momentin, por ne po marrim masat adekuate për t’u siguruar që Al Ahli vjen sërish te ditët e trofeshme. Të kemi lojtarë të fuqishëm të huaj është një prej aspekteve më të rëndësishme në ligën tonë pasi ata janë që mund ta bëjnë dallimin dhe t’i fitojnë ndeshjet. Ata duhet të kenë aftësi të ndryshojnë fytyrën e klubit”.
“Po ne e kemi Cannavaron, por i tillë është tregu. Ne mund të sjellim lojtarë dhe të shesim lojtarë dhe të transferojmë lojtarë, dhe e gjitha është e mundshme. Do të them edhe njëherë se do të ketë rindërtim të madh. Dhe përveç kësaj, ne gjithmonë e kemi ditur se asnjë prej lojtarëve të huaj nuk do të qëndrojë dhe kjo ishte treguar edhe në të kaluarën”, ka thënë presidenti i klubit arab.
Cannavaro është lidhur me një rol teknik po te i njëjti klub.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka thënë se lojtarët e Real Madridit dhe Barcelonës duhet të bashkohen, për hir të obligimit që kanë ndaj flamurit kombëtar.“Secili lojtar i takon një klubi, por ata po ashtu mbrojnë nderin e futbollist spanjoll. Pas fitimit të Botërorit, kemi përgjegjësi të jemi më kohezivë në nivel personal dhe futbollistik”.
“Dhe nëse vazhdojmë të mbajmë atmosferën e mirë në ekip, pa menduar për atë që ndodh nëpër klube, atëherë do të kemi sukses”, deklaroi Del Bosque.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Martin Skrtel, mendon se e ardhmja e Liverpoolit është e ndritur dhe shumë premtuese nën Kenny Dalglish.“Kenny na e ka kthyer besimin. Ndeshja e tij e parë ishte ndaj Manchester United për FA Cup. Në takimin tonë të parë ai na tha t’i besojmë sepse ai na besonte. Ai na tha gjërat më të rëndësishme për të ngritur shpirtin e ekipit”.
“Ai e ka bërë këtë me anë të personalitetit të tij. Ai është djalosh i mirë dhe ai gjithmonë bën shaka, qesh. Ai e ka ndryshuar atmosferën në ekip”, tha Skrtel.
Manchester City është duke e planifikuar hedhjen në sulm për mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, pasi sheikët kanë shprehur gatishmërinë për t’ia plotësuar kërkesat francezit.Daily Star Sunday pohon se vetëm City, Manchester United dhe Chelesa mund të përmbushin kërkesat e Nasrit prej 90 mijë funtesh në javë.
Nasri aktualisht fiton 70 mijë funte në javë dhe drejtuesit e Arsenalit nuk dëshirojnë t’ia rritin pagën. Pos tjerash, Nasri është i brengosur dhe për aktivitetin e dobët të Topçinjve në tregun e transferimeve.
Manchester United është duke e përcjellë me vëmendje situatën e sulmuesit të ri të Chelseat, Daniel Sturridge.Oferta e fundit e Chelseat për Sergio Agueron që besohet të jetë diku rreth 50 milionë funte, besohet se do ta detyrojë talentin e ri të kërkojë front të ri për karrierën e tij.
Dhe, këtë dëshiron ta shfrytëzojë kush tjetër pos Sir Alex Ferguson, që është në gjendje ta shpëtojë sulmuesin e ri nga dezertimi te Chelsea që është duke mbledhur një kontingjent lojtarësh joanglezë.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, është shumë pranë riaftësimit dhe pritet që të jetë plotësisht i gatshëm për sezonin e ri.Një problem në gju ishte problemi kryesor për spanjollin nga janari, ndërsa mbrojtësi nuk ka luajtur rregullisht që nga ajo kohë. Sidoqoftë, ai po përfiton nga ndeshjet e pakta të kombëtares spanjolle për t’iu përkushtuar rikuperimit.
Sipas faqes zyrtare të Barcelonës, Puyol është duke tejkaluar me lehtësi vështirësitë dhe pas operacionit bërë më një qershor, ai shumë shpejtë do t’u kthehet seancave stërvitore me ekipin më të mirë në botë.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka pranuar se oferta e Chelseat pa menaxher për Modric e shokoi atë tej mase.“Është shumë, shumë e çuditshme dhe e vështirë për të kuptuar. Por, kështu po shkon që një kohë të gjatë, jo vetëm këtë javë. Ky trend po vazhdon që tri-katër javë, që pas shkarkimit të Ancelottit”.
“Dikush tjetër po zgjedh lojtarët te Chelsea, jo menaxheri i ri”, u shpreh Redknapp.
Alex McLeish, menaxheri i Aston Villas, është i gatshëm që ta shesë anësorin Ashley Young te Manchester United.Mail on Sunday raporton se gjëja e parë që do të bëjë McLeish si menaxher i Villas është ta shesë anësorin Young për 15 milionë euro te United.
Manchester United është që një kohë të gjatë në kërkim të anglezit fantastik dhe me transferimin e tij, Djajtë e Kuq do ta përmbyllnin para kohe afatin kalimtar veror.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, dëshiron me çdo kusht kalimin në Itali te Interi.Bendtner thotë se ai mezi pret të largohet nga Arsenali për t’iu bashkuar Interit, dhe besohet se Nerazzurët janë shumë të interesuar për danezin.
“Nuk ka dyshim për këtë, unë 100% do të largohem nga Arsenali dhe dua të shkoj te Interi”, u shpreh Bendtner për Daily Star Sunday.
Guus Hiddink është i gatshëm që të fillojë bisedimet me Chelsean, dhe sipas mediave angleze kjo do të ndodhë jo më larg se javën e ardhshme.Mail on Sunday raporton se Chelsea është duke u ristrukturuar pas fundit të epokës Ancelotti dhe Hiddink shihet si njeriu i vetëm që mund të kthejë Chelsean në piedestalin e futbollit anglez.
Megjithëse Chelsea ishte thënë se do të angazhojë Andres Villas Boasin e Portos, tani duket se edhe Blutë kanë hequr dorë nga portugezi për shkak të klauzolës, për ta finalizuar marrëveshjen me strategun holandez Hiddink.
Sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez, ka folur për dëshirën e tij të zjarrtë për t’u bërë edhe më i suksesshëm me Manchester Unitedin, pas titujve të fituar në sezonin e tij të parë me Djajtë.“Më herët gjatë sezonit, mendova se do të kem minutazh të kufizuar, shumë të kufizuar. Dhe mendova se do të jem një ‘xhoker’, asgjë më shumë”.
“Gjithçka shkoi aq shpejtë, unë nuk kam mundur të kërkoj një sezon më të mirë. Unë pata një sezon të ëndrrave. Dua edhe më shumë tituj me Manchester Unitedin, pasi jo si të tjerët, ne kemi një shpirt që na bashkon”, potencoi Chicharito për L’Equipe.
















