Agjenti i Guus Hiddink ka thënë se trajneri holandez nuk ka pasur takime me presidentin e Interit, Massimo Moratti, por ai thotë se klienti i tij do ta shqyrtojë nëse vjen ndonjë ofertë nga Nerazzurët.Hiddink është pjesë e listës së gjatë të zikaltërve për ta zëvendësuar Leonardon, i cili së shpejti do të konfirmohet si trajner i PSG.
Mirëpo, në një bisedë për La Gazzetta dello Sport, agjenti i tij ka thënë se asnjëherë nuk kanë biseduar me Morattin.
Ai e ka qartësuar se Hiddink ka kontratë me Federatën Turke të Futbollit, prandaj para fillimit të bisedimeve, Moratti duhet të marrë leje nga FTF.
Mesfushori i Milanit, Mathieu Flamini, dëshiron që ta bartë fanellën kuqezi edhe për disa vite.Kontrata aktuale e francezit skadon në verën e ardhshme, ndërsa ai ka thënë se është i lumtur në San Siro dhe dëshiron të qëndrojë më gjatë.
“Qëllimi im është që të qëndroj te ky klub dhe ta vazhdoj kontratën me Milanin”, ka thënë Flamini për Corriere dello Sport.
Antonio Cassano nuk do të largohet nga Milani. Kjo është përgjigja e agjentit të tij, Beppe Bozzo, kundrejt pohimeve të Luciano Moggit se Rossonerët duhet ta shesin sulmuesin italian.Ish-drejtori i Juventusit sugjeroi se 28-vjeçari do ta ketë vështirë të gjejë vend në formacionin bazë të Milanit në sezonin që vjen, ashtu që do të ishte më mirë që kuqezinjtë të lejonin largimin e tij.
“Antonio do të qëndrojë te Milani dhe ai do t’u shërbejë atyre. Nuk ka diskutime”, ka thënë Bozzo për Sky Sport Italia, duke heshtur edhe spekulimet se ai mund të kalojë te Napoli.
Agjenti i Cristian Zapatas, Massimo Italiani, ka konfirmuar se Liverpooli është i interesuar për shërbimet e klientit të tij, mirëpo për shkak të Kupës së Amerikës po ngadalësohet transferimi.Javën e kaluar mbrojtësi i Udineses, deklaroi se është i gatshëm që të heqë dorë nga Liga e Kampionëve për t’iu bashkëngjitur ekipit nga Liga Premier.
Ndërsa tani agjenti i tij ka pranuar se janë në negociata për transferimin, megjithëse ende janë shumë larg arritjes së ndonjë marrëveshjeje.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Joshua King, do t’i bashkohet Borussia Monchengladbachut në formë huazimi për sezonin e ardhshëm.Drejtori sportiv Max Eberl ka njoftuar se norvegjezi do ta kalojë sezonin 2011/2012 te skuadra gjermane, e cila ka plane serioze pas sigurimit të qëndrimit në Bundesliga.
“Ne kemi një marrëveshje me Manchester Unitedin për huazim njëvjeçar”, ka thënë Eberl për faqen zyrtare të Monchengladbachut.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, e ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndonjë shkëmbim mes Marek Hamsik dhe sulmuesit të Milanit, Alexandre Pato.Sllovaku 23-vjeçar lidhet me një kalim te kampioni i Italisë, ndërsa sipas spekulimeve ai mund të shkëmbehet me Paton.
Mirëpo, De Laurentiis ka deklaruar se ai më mirë do ta mbante në skuadër Hamsikun sesa brazilianin 21-vjeçar.
“Pato për Hamsik? Ju lutem, nëse më lejoni, mendoj se sllovaku vlen më shumë”, ka thënë presidenti i Napolit.
Sulmuesi i Romës, Mirko Vucinic, i ka thënë drejtorit sportiv Walter Sabatini se ai dëshiron të largohet nga Giallorossët dhe t’i bashkohet Juventusit.27-vjeçari dëshiron ta vazhdojë karrierën në një skuadër tjetër, ndërsa së fundmi lidhet me një kalim te Bianconerët.
Drejtori i përgjithshëm i Juves, Giuseppe Marotta, ka thënë se malazezi mund të jetë transferim i qëlluar në Torino, ndërsa këtë kalim duket se e kërkon edhe vet lojtari.
Megjithatë kërkesa e Romës prej 20 milionë eurosh duket të jetë shumë e lartë, ndërsa kryeqytetasit kanë thënë po ashtu se nuk janë të interesuar për ndonjë shkëmbim me Vincenzo Iaquintan ose Amaurin.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, do të takohet me Leonardon në Paris për të diskutuar mundësinë e kalimit në Paris Saint-Germain.Trajneri brazilian pritet ta marrë postin e trajnerit të PSG-së, ndërsa sipas Il Corriere dello Sport ai do të flasë me kamerunasin për ta angazhuar në Ligën e Parë franceze.
Drejtuesit e PSG dëshirojnë një skuadër të fortë për sezonin 2011/2012, ndërsa 30-vjeçari Eto’o është një nga emrat që mund të transferohen.
Cristiano Ronaldo është vendosur t’i japë fund dominimit të Barcelonës në sezonin e ardhshëm.Barca fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar dhe ky ekip shihet si një prej më të mirëve në historinë e futbollit. Megjithatë Ronaldo mendon se periudha e suksesshme e Blaugranëve është afër fundit.
“Për ta ndaluar Barcelonën ne duhet ta mposhtim atë. Ne mund ta fitojmë ligën vetëm duke i mposhtur ata. Ne do të jemi edhe më të fuqishëm në sezonin e ri dhe jam i bindur se kemi atë çfarë duhet për t’i goditur ata. Ne do ta sjellim Barcën sërish në tokë”, ka thënë Ronaldo.
Portugezi po ashtu ka diskutuar arritjen e Nuri Sahin në Santiago Bernabeu, dhe e ka bërë të qartë se ai do të japë më të mirën për të ndihmuar mesfushorin të gjejë veten në ambientin e ri.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, thotë se Milani do të tregonte mençuri nëse e shet sulmuesin gjaknxehtë Antonio Cassano gjatë verës.Sulmuesi iu bashkua Milanit nga Sampdoria në muajin janar, por me yje si Zlatan Ibrahimovic dhe Alexandre Pato që janë opsione të para, është e vështirë që italiani të fitojë shumë kohë për lojë. Andaj Moggi ka këshilluar kampionin e Serie A ta shndërrojë në para lojtarin para se ai të shkaktojë probleme.
“Milani duhet ta shesë Cassanon, pasi Allegri ka shumë opsione në sulm. Cassano mund të jetë problem nëse ai nuk aktivizohet rregullisht me ekipin e parë”.
“Napoli do të ishte një ekip i përkryer për të sipas mendimit tim. Megjithatë, pres ai të qëndrojë te Milani deri në janar. Pastaj ai do të shkojë te ndonjë ekip tjetër dhe Napoli mund ta shfrytëzojë këtë avantazh”, ka thënë Moggi.
Trajneri i ri Andre Villas-Boas raportohet se do ta sjellë me vete te Chelsea sulmuesin e Portos, Radamel Falcao.The London Evening Standard shkruan se edhe pse 33-vjeçar, sa edhe lojtarët Blu si Frank Lampard dhe Didier Drogba, karriera e Villas-Boas është mjaft premtuese dhe portugezi pritet të shpejti të zyrtarizohet si trajner i Chelseat.
Transferimi i Villas-Boas nga Porto mund të shoqërohet edhe me një transferim tjetër, atë të sulmuesit Falcao.
Arsenali dhe Tottenhami ishin disa prej klubeve që monitoronin sulmuesin 25-vjeçar, i cili shënoi golin e fitores në finalen e Europa League dhe ka shënuar një rekord të ri me plot 17 gola në 14 ndeshje të kësaj gare.
Chelsea ka dhënë shenja se mund të ofrojë rreth 25 milionë funte për lojtarin, i cili muajin e kaluar tha se mund të largohet nga klubi.
Agjenti i Gianfranco Zola thotë se ende nuk ka pasur kontakte me Interin por do ta mirëpresë një interesim nga Nerazurrët.Ish-menaxheri i West Ham United synon ta drejtojë Interin në sezonin e ardhshëm.
“Për momentin dy palët nuk kanë dëgjuar nga njëra-tjetra, por mund të them se ai do ta mirëpriste një thirrje nga Nerazzurët”, ka thënë Fulvio Marucco për Sport Italia.
Legjenda e Chelseat, Zola, po ashtu është lidhur me një rikthim në Stamford Bridge si dhe me stolin e Birmingham Cityt.
Barcelona raportohet se është e interesuar në mbrojtësin e Manchester United, Rafael da Silva, të cilin e sheh si pasardhës të Daniel Alves.Alves nënshkroi marrëveshje të re me Barcën më herët gjatë këtij viti, megjithatë Barca dëshiron ta sigurojë mirë mbrojtjen dhe e sheh mbrojtësin e djathtë të United si një përforcim të shkëlqyeshëm.
Rafael nuk u përfshi në ekipin e finales së Ligës së Kampionëve, pasi Sir Alex Ferguson zgjodhi vëllain e tij binjak, Fabio.
Dyshja sapo kanë mbushur 20 vjet dhe Rafael tashmë është pjesë e kombëtares së Brazilit.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai nuk është i mërzitur nga arritjet e rivalit të tij të Barcelonës, Lionel Messi.Ronaldo thotë se atij i pëlqen të fokusohet në lojën e tij dhe të shijojë sukseset me Realin e të mos mendojë për të tjerët.
“Nuk mërzitem për këtë, nuk më shqetëson. Personaliteti im dhe futbolli im nuk ka të bëjë asgjë me të tijën. Unë shqetësohem vetëm për futbollin tim dhe të fitoj për Madridin. Kaq!”, ka thënë Ronaldo në një intervistë të fundit.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka deklaruar se klubi nuk do të thyejë bankën për të nënshkruar me mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas.Spanjolli nuk e ka fshehur dëshirën për t’iu bashkuar Barcelonës, nga e cila u largua si tinejxher në vitin 2003 për ta provuar fatin në Angli.
Arsenali nuk është i gatshëm at humbë lojtarin dhe e ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë lehtë nga shërbimet e tij.
“Nuk e di nëse do të nënshkruajmë me Cesc ose jo. Nuk kam dyshime se ai dëshiron të vijë te Barcelona. Ne kemi ofruar më pak se 40 milionë dhe nëse Arsenali nuk dorëzohet. Cesc nuk do të vijë”, ka thënë Rosell.
Janë zbuluar të nominuarit për çmimi prestigjioz të karrierës, Shputa e Artë 2011, favoriti kryesor për të cilën shihet David Beckham.Lista e ngushtë kandidatëve për këtë çmim përfshin:
David Beckham (LA Galaxy, England), Gianluigi Buffon (Juventus, Italy), Iker Casillas (Real Madrid, Spain), Didier Drogba (Chelsea, Ivory Coast), Samuel Eto'o (Inter Milan, Cameroon), Ryan Giggs (Manchester United, Wales), Carles Puyol (Barcelona, Spain), Raúl González Blanco (Real Madrid, Spain), Xavi Hernández (Barcelona, Spain), Javier Zanetti (Inter Milan, Argentina).
Shputa e Artë është një çmim karriere i kufizuar për lojtarët mbi 29 vjet. Çmimi prestigjioz jepet çdo vit nga Principata e Monakos. Emrat zgjidhen nga juria e Shputës së Artë, e përbërë nga 58 gazetarë që prezantojnë mediat sportive në gjithë botën. Megjithatë fituesi zgjidhet nga vota e fansave.
Edhe ju lexues të SportiSot mund të votoni për të preferuarin tuaj duke vizituar ueb faqen goldenfoot.com. Votimi është i hapur deri më 7 tetor ndërsa ceremonia zhvillohet më 10 tetor në Monte Carlo.
Në ceremoninë e vitit të kaluar ky çmim iu nda kapitenit të Romës, Francesco Totti.
Andre Villas-Boas ka arritur marrëveshje me Chelsean, shkruajnë mediat britanike.The London Evening Standard raporton se Villas-Boas mëngjesin e sotëm ka arritur marrëveshje në vlerën e 44 milionë funteve në vit, ndërsa Guus Hiddink do të rikthehet në Stamford Bridge vetëm si drejtor sportiv.
Villas-Boas ka joshur interesim nga një mori klubesh nëpër Evropë pasi drejtoi Porton te tre tituj sezonin e kaluar, duke fituar ligën dhe kupën e Portugalisë si edhe Europa League.
Burime nga Portugalia kanë thënë se Villas-Boas është duke u përgatitur t’i bashkohet Chelseat, por Porto do të luftojë edhe më tej për ta mbajtur menaxherin i cili ka shanse të shndërrohet në një “Jose Mourinho” të ri duke luftuar për titullin e Ligës së Kampionëve me Porton.
Por Blutë janë duke fituar garën dhe portugezi sipas gjasave do të qëndrojë në Londër sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Brazilit, Mano Menezes, e ka etiketuar Argjentinën si ekipin që duhet mposhtur në Kupën e Amerikës.Brazilianët i kanë fituar dy edicionet e fundit të garës dhe së bashku me nikoqirin e garës, janë në mesin e favoritëve për ta fituar trofeun edhe njëherë.
“Në të njëjtën mënyrë me të cilën ne jemi favoritë në vitin 2014 [Kupën Botërore], Argjentina është favorite tash. Për më tepër, duhet të mendoni sa kohë kanë kaluar ata pa fituar titull”, ka thënë Menezes.
“Në fazën e grupeve, në teori kundërshtari më i vështirë do të jetë Paraguai. Ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe kundër Ekuadorit dhe Venezuelës po ashtu. Kjo është arsyeja se pse, për momentin, mendoj se ndeshja jonë më e vështirë është kundër Venezuelës pasi kjo është ndeshja jonë e parë”.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë avantazhin në çdo ndeshje dhe çdo moment që kemi. Synimi jonë është të luajmë shkëlqyeshëm në Kupën e Amerikës, që është një hap i rëndësishëm drejt Kupës Botërore 2014”, ka shpjeguar më tej braziliani.
Brazili fillon garën më 2 korrik kundër Venezuelës.
Olympique Lyon ka zbuluar se klubi është ndarë me trajnerin Claude Puel.Klubi francez dhe Puel kishin qenë në negociata në disa ditët e kaluara në lidhje me mbylljen e kontratës së trajnerit, e cili skadonte vitin e ardhshëm.
Pas disa tentimesh për të arritur marrëveshje, Lyoni ka zbuluar të hënën në mbrëmje se Puel ‘nuk është më’ trajneri i klubit.
Ky hap pritet të hapë rrugë për caktimin e drejtorit të akademisë së Lyonit, Remi Garde, si personin e ardhshëm në drejtim të ekipit.
Puel, i cili morri drejtimin e ekipit nga Alain Perrin në vitin 2008, ka dështuar të udhëheqë Lyonin te një titull i vetëm gjatë tre viteve të tij në stol ndërsa sezonin e kaluar klubi përfundoi i treti në tabelë, jashtë pozitës që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Një formacion i dytë i përfaqësueses tonë, Shqipërisë, ka mbrojtur suksesshëm nderin e kombit, duke pësuar humbje të ndershme ndaj një Argjentine që në përbërje kishte superyjet e futbollit botëror.Me që lojtarët e formacionit ‘bazë’ të Shqipërisë refuzuan të luajnë në këtë takim miqësor, ishin rezervistët dhe të rinjtë ata që shpëtuan nderin e kombit, përkundër humbjes prej 4-0. Argjentina luajti më mirë, por duhet të marrim parasysh se në formacionin startues ishte jashtëtokësori Lionel Messi.
Nga fillimi i takimit, Argjentina filloi të dominonte me Shqipërinë krenare që në këtë takim hyri sa për prestigj. Rezultati u bllokua shumë shpejtë. Kush tjetër pos Lionel Messit e gjeti të lirë në zonë Ezequiel Lavezzin, i cili shënoi në portën e Beqajt për 1-0 (6’).
Në vazhdim të takimit Shqipëria nuk arrin të kërcënojë aspak portën e Argjentinës, ndërsa këta të fundit po zhvillonin me sukses stërvitjen e tyre për Copa American.Ishte Ezequiel Lavezzi ai që në minutën e 43-të asistoi për Lionel Messin, i cili me magjinë e tij shënoi për 2-0 dhe fundin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë vazhdoi presioni i madh i Argjentinës, me Shqipërinë që arriti të bëjë vetëm një goditje drejt portës rivale me anë të Gjergji Muzakës.
Rezultatin e trefishoi Sergio Aguero (75’) që shënoi me ndihmën e të madhit Lionel Messi, kurse rezultatin përfundimtar të këtij takimi miqësor Argjentinë 4-0 Shqipëri, e vuri Carlos Tevez (90’).
















