Real Madridi mbetet tejet i interesuar edhe për sulmuesin e Atletico Madridit, Sergio Aguero, përkundër tentimeve të Los Blancos për Neymar.Real Madridi do të duhet të shpenzojë 45 milionë euro për të transferuar Neymar nga Santosi, ndërsa sipas Marca, edhe Aguero është në agjendën e Los Blancos.
Transferimi i Agueros te Real Madridi do të varet nga shitja e Gonazalo Higuain dhe Karim Benzemas, të cilët, njëri prej tyre, mund ta shohin veten te Interi.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ka ripërsëritur dëshirën për të qëndruar në San Siro dhe për ta fituar Ligën e Kampionëve.“Vitin e ardhshëm unë do të luaj te Milani dhe objektivi im i parë është ta fitoj Ligën e Kampionëve”.
“Deri në fund të kontratës time, unë do të qëndroj te Milani, më pas do të shohim. Unë së fundmi nënshkrova deri në vitin 2016”, potencoi braziliani.
Gino Pozzo, djali i pronarit të Udineses, Giampaolo Pozzo, ka thënë se anësori Alexis Sanchez nuk ka ndonjë preferencë të caktuar mes Barcelonës apo Manchester Cityt.“Barcelona është parpa Manchester Cityt, edhe pse lojtari vërtet nuk ka ndonjë preferencë mes dy ekipeve. Natyrisht, ne do të dëgjojmë edhe dëshirën e lojtarit. Ne nuk jemi duke i përmbyllur ende gjërat, pasi duhet të kemi kujdes për shumë gjëra”, theksoi Pozzo për La Gazzetta dello Sport.
E ardhmja e Alexis Sanchez është shumë e pa qartë, pasi drejtuesit e Udineses janë duke e luajtur një lojë me klubet e interesuara. Shuma shkoi nga 25 milionë në janar, deri në 50 milionë, gjë që ka krijuar mjaft konfuzion tek klubet e mëdha.
Sulmuesi fantastik i Portos, Hulk, është shumë pranë tranfserimit te gjiganti anglez, Chelsea.Sipas A Bola, Hulk sezonin e ardhshëm dëshiron të jetë nën urdhrat e trajnerit, Andres Villas Boas dhe për këtë po e kërkon transferimin në Stamford Bridge.
Madje është vet Villas Boas ai që ka biseduar me Roman Abramovich kohë më parë për këtë çështje, me miliarderin rus që ka dhënë dritën e tij të gjelbërt për këtë transferim.
Sulmuesi i Manchester United, Michael Owen, pret që Chelsea të kthehet në skuadër shumë të rrezikshme pas nënshkrimit me Andres Villas Boas.“Jam impresionuar nga intervista e menaxherit të ri të Chelseat. Ai po fliste në mënyrë të përkryer anglisht”.
“Gjërat kanë filluar të nxehen tej mase para sezonit të ri”, tha Owen.
Klubi brazilian, Santos, ka arritur ta fitojë atë që quhet “Liga e Kampionëve” e Amerikës Latine, Copa Libertadores, pas triumfit prej 2-1 ndaj skuadrës uruguaiane, Penarol.U zhvillua një ndeshje tejet interesante në Sao Paulo, e cila u përshkrua me tensione të mëdha.
Pjesa e parë përfundoi pa gol, ndërsa në pjesën e dytë fituan brazilianët. Ishte Arouca ai që me një pasim maestral e vuri në pozitë shënimi Neymar, i cili nuk gaboi për 1-0 (47’).
Tinejxheri tjetër, Danilo e dyfishoi rezultatin pas një goditjeje precize e cila përfundoi në portën kundërshtare (69’).
Gjithë ajo që ka mundur të bëjë Penarol, ishte të shënonte një gol në minutën e 80-të anë të një autogoli nga Durval. Rezultati përfundimtar ishte 2-1 dhe të zhgënjyer tej mase lojtarët e Penarol filluan të përleshen me ata të Santosit.
Kampioni i Ligës Premier, Manchester United, ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare, me anësorin Ashley Young.United e bëri të ditur lajmin në faqen zyrtare, duke mos treguan çmimin e blerjes së lojtarit nga Aston Villa.
Mediat angleze shkruajnë se 25 vjeçari është transferuar në Manchester United me çmim prej rreth 18 milion eurosh.
Young filloi karrierën e tij tek Watford dhe u transferua tek Aston Villa në Janar të vitit 2007 me një çmim prej rreth 11 milion eurosh. Që nga ajo kohë ai zhvilloi 157 ndeshje në ligë, duke shënuar 30 gola. Ai bëri debutimin e tij për Anglinë në Nëntor të vitit 2007 dhe ka shënuar dy gola në 15 ndeshje.
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, mund të detyrohet të largohet nga Old Trafford gjatë kësaj vere pasi klubi nga Ligue 1, Paris Saint-Germain është i gatshëm të transferojë sulmuesin bullgar.Pas kalimit në pronë të arabëve PSG është lidhur me një numër të lojtarëve të profilit të lartë. Sipas L’Equipe, klubi tash raportohet se është i gatshëm të sjellë në kryeqytetin francez edhe sulmuesin e Manchester United.
30-vjeçari ka kontratë me kampionin e Ligës Premier deri në verën e ardhshme, por atij nuk i është ofruar marrëveshje e re, pavarësisht dëshirës së tij për të mbetur në Old Trafford.
Për të mos e lejuar lojtarin të largohet si i lirë në sezonin e ardhshëm United mund të vendosë ta shndërrojë atë në para që në këtë verë dhe Parisi mund të jetë destinacioni i ardhshëm për bullgarin.
Juventusi është i gatshëm t’i ofrojë trajnerit Antonio Conte dhe menaxherit gjeneral, Beppe Marotta, një buxhet transferues prej plot 190 milionë euro.Tuttosport shkruan se bordi i Juventusit takohet sot dhe pritet të miratojë propozimin e klubit për të pasur 120 milionë euro në dispozicion për nënshkrime të reja, plus 70 milionë të tjera të cilat do të merren si huazim nga Exor.
Andrea Agnelli, presidenti i Juventusit, tashmë ka bindur sponsorin e klubit, Exor, të bëjë të mundur këtë huazim.
Paratë e reja do t’i lejojnë Juves të transferojë sulmuesin e Atletico Madrid, Sergio Aguero, si dhe transferimet tjera të vëna si cak për këtë afat kalimtar.
Njeriu i ndeshjes në fitoren 1-0 ndaj Republikës Çeke, Xherdan Shaqiri, thotë se Zvicra ka arritur në finale me meritë të plotë dhe është i bindur se ata kanë potencial për të mposhtur Spanjën në finale.Shaqiri shkëlqeu në këtë ndeshje duke krijuar disa raste shënimi, derisa ishte një shqiptar tjetër, Admir Mehmedi, ai i cili në kohën shtesë shënoi golin e vetëm të ndeshjes së mbrëmshme gjysmëfinale e cila çoi Zvicrën në finale përballë Spanjës.
“Ne ishim dukshëm më të mirë, kishim më shumë posedim. Ne ishim ata që jemi përpjekur më shumë. Mendoj se e merituam të jemi në finale në fund të ndeshjes”, ka thënë Shaqiri.

Kosovari është shprehur optimist se ata do të mund ta mposhtin edhe Spanjën në finalen e 25 qershorit, pavarësisht se spanjollët shihen si favoritë.
“Pse të mos [e fitojmë trofeun]? Ne kemi një ekip shumë të mirë. Ne kemi potencial për ta mposhtur Spanjën. Ne nuk jemi favoritë, andaj mund të ndjehemi më të lirë në finale”.
“Është e rëndësishme për ne të jemi në finale. Është një mundësi e shkëlqyeshme. Mendoj se e gjithë Zvicra mezi pret këtë ndeshje. Ne duam të shkruajmë një tregim të plotë”, ka thënë 19-vjeçari.
Zvicra, e cila ka në përbërje gjashtë shqiptarë, ka fituar të katër ndeshjet e deritanishme të kampionatit evropian U21 që zhvillohet në Danimarkë dhe ende nuk ka pranuar asnjë gol.
Presidenti i Lens, Gervais Martel, ka zbuluar se mbrojtësi i ri Raphael Varane do të veshë fanellën e Real Madridit në sezonin 2011/12.18-vjeçari është një prej lojtarëve të rinj më të kërkuar në Evropë dhe ka joshur vëmendjen e Manchester United, Paris Saint-Germain dhe Lille.
Megjithatë, pasi ekipi nga Ligue 2 konfirmoi se kishin filluar negociatat me Madrid, Martel ka thënë se oferta e gjigantit spanjoll është tepër e mirë për t’u hedhur poshtë.
“Ai do të luajë për Real Madridin vitin e ardhshëm nën drejtimin e Jose Mourinhos. Ata tashmë janë takuar dhe ai ka qenë në kontakte edhe me Zidane. Ai është një djalosh i jashtëzakonshëm dhe jam krenar që ai do ta veshë fanellën e Madridit”.
“Ata e kanë përcjellë atë në dy muajt e fundit dhe ai i ka vizituar ata. Ai më ka thënë se nuk mund ta refuzojë këtë mundësi. Ai është një fenomen”, ka thënë Martel për France Football.
Real Madridi raportohet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me yllin e Santos, Neymar.Klubi brazilian deri tash ka kërkuar 45 milionë euro për sulmuesin, aq sa shkruhet në klauzolën e tij. Sidoqoftë presidenti i klubit Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro kishte mohuar disa herë se lojtari është në shitje.
“Çdoherë kur ai luan një ndeshje të shkëlqyeshme lexoj gazetat se ne e kemi shitur atë për 45 milionë euro. Është një gënjeshtër e madhe. Neymar nuk është në shitje dhe ai synon të vazhdojë të luajë në Brazil në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme”, ka thënë Ribeiro.
Legjenda braziliane e futbollit, Pele i është kundërpërgjigjur Diego Maradonës, duke thënë se argjentinasi e adhuron atë.Mardona deklaroi të martën se ylli i ri i Santosit, Neymar, që tha se mund ta tejkalojë Messin, është i pa edukuar, ashtu si bashkëkombasi i tij Pele. Kjo nuk kaloi pa u prekur nga Pele, i cili me sarkazëm thumboi Maradonën.
“Sinqerisht, Maradona më do, ai më adhuron. Gjithçka që mund të bëj për ta ndihmuar Maradonën, do të bëj. Unë e di çfarë ka thënë ai. Tani po e vëreni se ai edhe më shumë po frikësohet nga Neymar”.
“Unë tashmë e kam thënë 500 mijë herë se do të bëj ç’mos për t’i ndihmuar Maradonës. Unë kam qenë në emisionin e tij, kam qenë në ndeshjen e tij lamtumirëse, e kam bërë një event për ta mbështetur. Problemi është se e dua Maradonën”, ka thënë Pele.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i gatshëm të heqë dorë nga shërbimet e Sergio Ramos për të sjellë në Bernabeu mbrojtësin e Interit, Douglas Maicon.Mourinho është i paepur të punojë sërish me Maicon dhe dëshiron të sakrifikojë Ramos për ta mundësuar këtë lëvizje.
Ramos është duke e menduar të ardhmen e tij me Realin dhe kërkon një ngritje të dukshme të pagës për të qëndruar në Madrid.
Mourinho shpreson të shfrytëzojë avantazhin e situatës duke ia ofruar spanjollin Interit në shkëmbim për Maicon. Por gjithçka pritet të varet nga trajneri i ardhshëm i Interit.
Mesfushori shqiptar Blerim Xhemaili është në rrugë për të kaluar te Napoli dhe këtë e kanë konfirmuar edhe drejtues të Parmës, e cila mban kartonin e tij.Sipas drejtorit gjeneral të Parmës, Pietro Leonardi, oferta për shqiptarin nga Maqedonia, i cili mbron ngjyrat e Zvicrës, tejkalon vlerën e 10 milionë eurove.
“Napoli ka ofruar 7 milionë euro për të, si edhe ka ofruar Manuele Blasi dhe 50 për qind të aksioneve të Fabiano Santacroce”, ka thënë Leonardi për Tuttomerkatoweb.
Xhemaili iu bashkua Parmës në verën e vitit 2009 dhe ka qenë një prej shtyllave të ekipit, duke ndihmuar klubin të mbijetojë në Serie A.
Sulmuesi i Milanit, Marco Borriello, raportohet se ka nënshkruar marrëveshje të përhershme me Romën.Borriello iu bashkua ekipit nga kryeqyteti italian verën e kaluar në ditën e fundit të afatit kalimtar, në formë huazimi njëvjeçar me mundësi blerje në kontratës këtë verë.
Dhe sipas Sky Italia, Giallorossët tashmë kanë vendosur ta shfrytëzojnë opsionin e blerjes dhe do t’i paguajnë Milanit 10 milionë euro për sulmuesin italian.
Ish-lojtari i Genoas ka shënuar 11 gola në 34 paraqitje në Serie A për Romën në sezonin e kaluar.
Drejtori sportiv i Interit, Marco Branca, është i bindur se Nerazurrët do ta mbajnë dyshen Wesley Sneijder dhe Samuel Eto'o.Sneijder është caku kryesor i Manchester United dhe Manchester City ndërsa trajneri i ri i Chelseat, Andre Villas-Boas dëshiron Eto’on.
“Ata janë dy lojtarë të shkëlqyeshëm dhe mund ta ndryshojnë ndeshjen përnjëherë. Është normale për ekipet e mëdha të mendojnë për ta, por ata janë të lumtur në [qytetin] Milano dhe nuk do të largohen. Sigurisht ne nuk duam t’i lejojmë të largohen”, ka thënë Branca.
Dejan Stankovic ia ka hedhur fajin ish-trajnerit Rafa Benitez për sezonin e tyre zhgënjyes.“Pas dy vitesh ne ishim mësuar me metodat e Mourinhos. Pastaj erdhi Benitez dhe u përpoqëm t’i tregojmë se tashmë kishim kaluar ushtrime të fuqishme, por ai nuk dëgjonte. Ai insistonte që ne të zhytemi në programin e tij me ngarkesë dhe vrapime maratonë derisa u shkatërruar. Ai ishte këmbëngulës”.
“Rezultati ishte se kishim 30 të lënduar në tetor. Ne mposhtëm çdo rekord sa i takon lëndimeve dhe kjo është sepse muskujt tonë ishin në prag të eksplodimit. Secili prej nesh kishte së paku dy lëndime përnjëherë”, ka thënë mesfushori serb.
Përfaqësuesja U-21 e Zvicrës që ka në përbërje gjashtë shqiptarë është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian U-21, pas fitores së vështirë të arritur në vazhdime, golin e vetëm të së cilës sfidë e ka shënuar një shqiptar.Nga fillimi i takimit janë paraqitur dy shqiptarë – superylli Xherdan Shaqiri dhe qendërsulmuesi Admir Mehmedi, ndaj një skuadre çeke shumë të talentuar.
90 minuta kaluan pa shënuar asnjë skuadër gol, me Zvicrën e cila dominoi këtë takim në çdo aspekt.
Ndeshja shkoi në vazhdime duke parë se ato ishin zgjidhja e vetme alternative për ta vendosur fituesin. Ishte Admir Mehmedi ai që shfrytëzoi një top të humbur 25 metra larg golit, për të shënuar në këndin e poshtëm të djathtë të portës së Çekisë dhe fitoren e madhe të Zvicrës.
Spanja U-21 po ashtu siguroi kualifikimin në finalen e madhe të të shtunës pas fitores së arritur po ashtu në vazhdime ndaj Bjellorusisë me rezultat 3-1 (1-1 pas kohës së rregullt).
Kështu, Zvicra e përforcuar me gjashtë shqiptarë do të luajë ndaj Spanjës që ka në përbërje disa yje të La Ligas, në finalen e të shtunës që vendos kombëtaren më të mirë të kontitentit për moshat deri 21 vjeç.
Anësori i Aston Villas, Ashley Young, tashmë mund të konsiderohet lojtar i Manchester United, pasi është parë në lokalet e klubit nga Old Trafford për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.Kështu raportojnë mediat angleze të cilat besojnë se tashmë është çështje orësh zyrtarizimi i anësorit fantastik anglez te kampioni i Anglisë. Telegrafi ju sjell imazhe ekskluzive të Ashley Young pasi iu nënshtrua testit të shumëpritur.
Ky transferim i Young automatikisht e vë në shitje anësorin Luis Nani, i cili edhe ashtu nuk ka pasur vend, edhe pa qenë Young në skuadër.
Ish-trajneri i Genoas, Gian Piero Gasperini besohet se do të jetë trajner i ardhshëm i Interit.Mediat italiane raportojnë se Gasperini është bërë opsioni primar për Interin pas takimit me presidentin e klubit, Massimo Moratti, i cili u mbajt pasditen e të mërkurës.
Gasperini që drejtoi për një dekadë të rinjtë e Juventusit, është i pa punë që nga nëntori i vitit 2010 kur u shkarkua nga Genoa.
Zërat tjerë në Itali sugjerojnë se Gasperini tashmë ka arritur marrëveshje me Interin dhe se do të prezantohet si trajner të enjtën.
Ish-portieri i Real Madridit, Santiago Canizares, beson se ish-klubi i tij duhet ta transferojë Sergio Agueron nga Atletico Madridi dhe jo Neymarin e Santosit.“Kun, sot është më i mirë se Neymar. Ai do të ishte fantastik për Real Madridin dhe për çdo ekip në botë, por tani për tani ai i takon Atletico Madridit. Ata vendosin dhe ne duhet ta harrojmë këtë”, theksoi Canizarez.
Që të dy futbollistët, edhe Aguero edhe Neymar, po lidhen fuqishëm me kalime te Real Madridi.
Sulmuesi i Manchester United, Michael Owen, është tepër i ngazëllyer para fillimit të sezonit të ri te Djajtë e Kuq, pa qenë i lënduar.Owen gjatë gjithë karrierës së tij kë lënguar nga lëndime të shumta dhe ky trend e përcolli atë edhe sa po qëndron te Manchester United.
“Gjuri im tani është në gjendje të përkryer. Gjëja kryesore është që të keni një rehabilitim të mirë, ta merrni lehtë dhe të mos merakoseni”, theksoi Owen.
Ylli i Palermos, Javier Pastore, po lidhet me një kalim te disa klube të mëdha, por presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, kur kishte shumë oferta i refuzoi të gjitha, kurse tani ka mbetur pa asnjë.“Ne nuk kemi marrë madje as një gjysmë ofertë për Pastoren. Të shohim çfarë do të na thotë agjenti i Pastores”.
“Nuk është e vështirë të shesim atë, në fakt është shumë e lehtë, por duhet të dimë mirë se cilit klub t’ia shesim”, u shpreh Zamparini.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është duke fjetur pa probleme për dalim me sezonet e kaluara, pasi tani nuk po brengoset fare për spekulimet që e lidhin klubin kampion të Italisë me lojtarë si Marek Hamsik dhe Arturo Vidal.“Hamsik është lojtar i Napolit dhe ne kurrë nuk kemi qenë të interesuar për të. Vidalin nuk e njohim, por është e mundur që Kucka të veshë fanellën e Milanit”, u ka thënë Galliani gazetarëve.
Mesfushori sllovak, Kucka ishte shpallur lojtari i ndeshjes në sfidën e Genoas ndaj Milanit dhe zyrtarë të të dyja klubeve nuk e kanë përjashtuar një marrëveshje.
















