Alexis Sanchez ka thënë se ëndërron që të luajë për Barcelonën dhe të bëhet lojtari më i mirë në botë.
22-vjeçari është në shënjestër të Blaugranëve, ndërsa nuk e ka fshehur dëshirën që të transferohet në Camp Nou, ku dëshiron t’i plotësojë ëndrrat e tij.

“Ëndërroj të luaj te Barcelona, sepse kam mundësi që të fitoj trofe atje. Qëllimi im kryesor është që të fitoj sa më shumë trofe”, ka thënë Sanchez për Sport.
Një burim pranë Arsenalit ka thënë për BBC Sport se Topçinjtë po përgatiten t’ia shesin Barcelonës kapitenin Cesc Fabregas.
Vitet e fundit mesfushori spanjoll vazhdimisht është lidhur me një kthim te Blaugranët, ndërsa së fundmi është spekuluar se Arsenali ka refuzuar një ofertë prej 27 milionë funtesh të bërë nga kampioni i Evropës për klube.

Tani thuhet se skuadra londineze është në pritje të një oferte më të madhe nga Barcelona, e cila nëse është e mjaftueshme, atëherë Fabregas sezonin e ardhshëm do të luajë në Camp Nou.
Mesfushori i Napolit, Marek Hamsik, ia ka hapur derën Milanit, duke thënë se do t’i pëlqente që ta veshë fanellën kuqezi në të ardhmen.
Javën e kaluar, Massimiliano Allegri ka thënë se është i interesuar për një mesfushor klasi që do ta zëvendësojë të larguarin Andrea Pirlo.

“Është vështirë të parashikoj se kur do të largohem. Shkuarja te Milani do të ishte një hap i madh në karrierën time, sepse jam ende i ri dhe nuk kam fituar asgjë”, ka thënë Hamsik për Il Corriere dello Sport.

Megjithatë, ai i ka përkujtuar tifozët se aktualisht është shumë i lumtur te Napoli, ku është duke qëndruar qe katër vite.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka thënë se Scudetto e vitit të kaluar është vetëm fillimi i sukseseve të tija me Rossonerët.
“Te Milani duam të fitojmë gjithçka. Unë dua të bëhem një shtyllë e këtij klubi dhe asnjëherë nuk do të largohem prej këtu”.

“Dua të bëhem një simbol i historisë së Milanit, të bëhem njëri prej atyre lojtarëve që kanë lënë kujtime të mëdha dhe trofe”.

“Unë kam një kontratë deri në vitin 2014 dhe dua të qëndroj te Milani sa më gjatë që mundem, së paku deri sa të mërziten nga unë”, ka thënë Pato për Don Balon.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka besim të plotë në trajnerin e ri Gian Piero Gasperini.
Moratti caktoi Gasperinin si zëvendësim të Leonardos dhe nuk është penduar për këtë vendim të tij.

“Sa i takon Gasperinit mund t’ju garantoj. Ai është një i cili e njeh futbollin, absolutisht jo zgjidhje e dytë. Kundër Genoas së tij ne gjithmonë kemi vuajtur, tash do të fillojmë mirë dhe do të fitojmë sërish, që nga Superkupa e Italisë”, ka thënë Moratti.

Italiani po ashtu ka premtuar se Maicon do të mbetet në Giuseppe Meazza.
Nani nuk ka plane të largohet nga Manchester United pas arritjes së Ashley Young dhe ka thënë se ai e mirëpret konkurrencën për vend në formacionin e parë.
Anësori i Manchester United është lidhur me një largim nga Old Trafford muajin e fundit pasi tha se përcjellja e ndeshjeve nga stoli ishte diçka ‘e mërzitshme’, por tash është zotuar se do të mbetet dhe do të luftojë për vend në ekip.

“Sigurisht më duhet të mirëpres çdo nënshkrim të ri, mendoj se Man United është një ekip fantastik. Kur ata sjellin lojtarë të rinj, ata e dinë nëse kjo është mirë për ekipin ose jo, dhe kjo (nënshkrimi i Young) e ka ndihmuar ekipin. Është mirë për ekipin, ne duam më shumë lojtarë për të na ndihmuar të fitojmë trofe”, ka thënë Nani.
Lewis Hamilton ka pranuar se titulli i Formula 1 është jashtë duarve të tij, pasi ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, shënoi edhe fitoren e gjashtë në tetë gara.
“Mendoj se vërtet ka përfunduar. Në kuptimin e kampionatit po thuajse gjithçka është e përfunduar”, ka thënë ngasësi i McLaren, i cili përfundoi i katërti në European Grand Prix që u zhvillua dje në Valencia.

Hamilton, i cili ishte kampion i Formula 1 në vitin 2008, mposhti Vettel në Kinë në muajin prill, por ajo fitore ishte arritur me një strategji më të mirë se sa me një veturë më të shpejtë. Ai tash rreshtohet i katërti edhe në renditjen e ngasësve me 89 pikë prapa Vettel.

Gjermani ka 77 pikë diferencë me pozitën e dytë, ku ndodhet ngasësi tjetër i McLarenit, Jenson Button, dhe tjetri i Red Bull, Mark Webber, me edhe 11 gara të mbetura të cilat në maksimum sjellin 275 pikë.
Milani ka fituar një rival serioz në garën për të marrë shërbimet e mesfushorit të Chelseat, Michael Essien.
Pas pesë vitesh te Chelsea, Essien është duke menduar një aventurë të re dhe mesfushori është i preferuari i trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri.

Megjithatë tash në garë për lojtarin është edhe gjiganti gjerman Bayern Munich. Bavarezët raportohet se janë favoritë për Essien, i cili vetë preferon një transferim në Gjermani nëse largohet nga Londra.

Edhe Real Madridi raportohet se është i interesuar për Essien, me ish-trajnerin e Chelseat, Jose Mourinho, i cili dëshiron të ribashkohet me ganezin.
Drejtori sportiv i Romës, Walter Sabatini, thotë se ata janë të interesuar në portierin e Ajaxit, Maarten Stekelenburg.
Holandezi është lidhur së fundi me një transferim te Giallorossët dhe klubi italian tash ka pohuar interesimin për të.

“Maarten Stekelenburg? Është e vërtetë se çdokush do të dëshironte ta ketë portierin e Ajaxit”, ka thënë Sabatini.

Edhe agjenti i lojtarit ka thënë se ai është i hapur për një transferim në Olimpico.

“Maarten mund të shkojë te Roma, absolutisht. Mund të them vetëm se ato raporte se Ajaxi ka caktuar një shumë prej 10 milionë euro thjesht janë të pavërteta. Nëse Giallorossët bëjnë një propozim zyrtar, atëherë Roma ka përparësi”, ka thënë agjenti Robert Jansen.
Drejtori i ri i PSG, Leonardo, është duke synuar të sjellë në kryeqytetin francez sulmuesin e Romës, Marco Borriello.
Sulmuesi së fundi nënshkroi kontratë të përhershme me Romën, pasi kaloi sezonin e kaluar vetëm si i huazuar nga Milani.

Megjithatë Borriello nuk duket se ka shumë të ardhme në Olimpico dhe mund të largohet gjatë këtij afati kalimtar.

Interesim për italianin ka shprehur Paris Saint-Germain, ku drejtor sportiv është caktuar ish-trajneri i Milanit dhe Interit, Leonardo. Braziliani kishte punuar me Borriellon te Milani në sezonin 2009/2010.
Mesfushori i Parmës, Blerim Dzemaili, është i ngazëllyer me interesimin e Napolit.
Shqiptari nga Maqedonia, i cili aktivizohet për kombëtaren e Zvicrës, tashmë disa vite luan në Serie A, së pari me Torinon dhe tash me Parmën, dhe këto ditë pritet të nënshkruajë me Napolin.

“Si mund t’i them jo Napolit? Ky klub do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe ata vërtet janë të interesuar për të nënshkruar me mua”, ka thënë Xhemaili.
Barcelona shpreson të sigurojë një marrëveshje për mbrojtësin e Sporting Gijon, Jose Angel, gjatë kësaj jave.
As shkruan se drejtori sportiv i Barcës, Andoni Zubizarreta, dëshiron të mbyllë një marrëveshje me të riun në ditët në vazhdim.

Blaugranët janë të gatshëm të ofrojnë rreth 4 milionë euro për lojtarin. Mbrojtësi po ashtu pritet të fitojë një kontratë të vlefshme 1.8 milionë euro në vit si dhe bonuse të tjera në varësi të paraqitjeve.
Portieri i Manchester United, Anders Lindegaard, është i vendosur të bëhet numri 1 në Old Trafford.
Lindegaard, i cili ka bërë vetëm dy paraqitje me ekipin e parë sezonin e kaluar, është i ngazëllyer në prag të sezonit të ri dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet për të fituar fanellën me numrin një.

“Jam vërtet i ngazëllyer t’i filloj gjërat. Do të jetë një sezon i ngazëllyer për mua dhe për ekipin. Do të luftoj me të gjitha mundësitë që kam që pozita [e portierit] të jetë e imja”.

“Qëllimi i Manchester United është të fitojmë sa më shumë tituj që mundemi dhe do të jap më të mirën për këtë”, ka thënë Lindergaard.
Arsenali raportohet se është i interesuar për anësorin spanjoll Juan Mata.
The Sun shkruan se Topçinjtë tashmë janë duke biseduar me Valencian për një ofertë në vlerën e 18 milionë funteve për sulmuesin.

Mata, i cili gjatë vikendit fitoi edhe titullin e kampionit të Evropës nën 21 vjet pas medaljes së Kupës së Botës të fituar verën e kaluar, është nxjerrë në shitje nga Valencia.

Klubi spanjoll është në borxhe në vlerën e 327 milionë funteve, dhe Arsene Wenger dëshiron të reagojë shpejt për të shfrytëzuar rastin.
Chelsea është i hapur për të shitur anësorin Florent Malouda.
Francezi tregoi formë të mirë nën drejtimin e Carlo Ancelottit sezonin e kaluar. Megjithatë me ardhjen e trajnerit të ri, Andre Villa-Boas, Chelsea është duke kërkuar blerës për Malouda.

National shkruan se Blutë tashmë ia kanë ofruar lojtarin tre klubeve italiane, Milanit, Interit dhe Romës.
Agjenti i Sergio Ramosit e ka qartësuar se ai asnjëherë nuk ka thënë se klienti i tij nuk është i kënaqur me mënyrën se si po e trajton Real Madridi.
Vëllai dhe agjenti i mbrojtësit të krahut, Rene Ramos, ishte cituar gjatë të dielës të ketë thënë se 25-vjeçari meritonte trajtim më të mirë në Bernabeu dhe se nuk e kishte mohuar mundësinë e largimit të spanjollit nga Los Blancos.

Mirëpo, ai ka reaguar për të mohuar komentet e tilla duke thënë se planifikon që ta padisë gazetën britanike People për këto spekulime.

Ndërkaq, më herët është spekuluar se Ramos mund të largohet nga Reali pasi që klubi po vonohet me rinovimin e kontratës së tij, ndërsa mundësia e ardhjes së Maicon te Mbretërit i ka forcuar edhe më shumë këto spekulime.