Barcelona raportohet se tashmë ka arritur marrëveshje me Udinesen për të transferuar Alexis Sanchez.
El Mundo Deportivo shkruan se blaugranët janë pajtuar të paguajnë 26 milionë euro tash plus 11 milionë euro në varësi prej paraqitjeve të lojtarit.

Takimi mes drejtuesve të dy klubeve është zhvilluar të shtunën dhe mediat spanjolle shkruajnë se tash kanë mbetur të qartësohen vetëm disa detaje.

Sanchez aktualisht është në detyrë me Kilin me të cilën merr pjesë në Copa America.
Juventusi do të bënte shumë mirë po të siguronte nënshkrimin e sulmuesit të Atletico Madridit, Sergio Aguero, ka thënë ish-sulmuesi i Bianconerëve, Fabrizio Ravanelli.
Drejtuesit bardhezi janë në bisedime me klubin spanjoll, i cili po kërkon 45 milionë euro për shërbimet e argjentinasit, ndërsa duket se Zonja e Vjetër është pajtuar të paguajë rreth 40 milionë euro.

“Aguero është një lojtar xhentëlmen, ai është numër një”.

“Juventusi po angazhohet mirë në tregun e transferimeve për t’u kthyer në nivelet ku përket, dhe jam i sigurt se do të ketë sukses”, ka thënë Ravanelli për Goal.com.
Fabio Coentrao duket të jenë gjithnjë e më pranë Real Madridit, pasi portugezi ka vendosur të mos udhëtojë ne Zvicër me pjesën tjetër të skuadrës së Benficas për stërvitjet parasezonale.
23-vjeçari do të qëndrojë në Lisbonë, ndërsa besohet se do të ketë një takim mes tij, përfaqësuesit të tij dhe drejtuesve të të dyja klubeve për të vazhduar negociatat rreth një transferimi të mundshëm gjatë kësaj vere.

Deri më tani vazhdimisht është spekuluar se Mbretërit e kanë mundësinë për ta transferuar lojtarin, mirëpo ata nuk janë të gatshëm të paguajnë 30 milionë euro sa po kërkon Benfica.
Agjenti i Giuseppe Rossit, Federico Pastorello, ka thënë se sulmuesi i Villarrealit mund të jetë trashëgimtar i fronit të Alessandro Del Pieros te Juventusi.
Pastorello mendon se dy lojtarët kanë ngjashmëri në lojën e tyre, ndërsa 24-vjeçarit do t’i pëlqente të luajë krahas ikonës së Zonjës së Vjetër, para se 36-vjeçari ta përfundojë karrierën me bardhezinjtë.

“Po flasim për një lojtar, i cili më kujton paksa Del Pieron me aftësitë e tija teknike dhe pozitën e tij në fushë”.

“Është e dukshme se ai është i fascinuar me idenë se mund të luajë me Del Pieron, dhe se Rossi mund të jetë pasuesi i tij eventual”, ka thënë Pastorello për Tuttosport.
Milani raportohet se është i interesuar të nënshkruajë me anësorin e Ajaxit, Christian Eriksen.
Corriere dello Sport shkruan se Milani është duke përgatitur ofertë për 19-vjeçarin. Danezi shkëlqeu kur luajti në San Siro për ekipin holandez në ndeshjen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar.

Eriksen ka shënuar gjashtë gola në 28 ndeshje me Ajaxin duke ndihmuar ekipin të fitojë titullin e ligës.

Ndërkohë Milani spekulohet se është duke kërkuar edhe mesfushorin e Juventusit, Claudio Marchisio.
Trajneri dhe menaxheri i David Haye, Adam Booth, ka thënë se është vështirë që Wladimir Klitschko ose vëllai i tij Vitali të përballen me Haye para se ai të pensionohet.
Haye humbi titullin e tij në kategorinë e rëndë WBA nga Wladimir gjatë të shtunës në meçin e zhvilluar në Hamburg dhe më pas dha shenja se ai mund të përplaset edhe një herë me ukrainasin, por duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Rimeç? Jo. Të bëjmë biznes me ta kur nuk kemi barabarësi? Kurrë nuk do ta bëjë. Flas për David pasi e di çfarë ai më ka thënë vazhdimisht. Nuk mendoj se ai do ta bëjë atë. Ai nuk do ta bëjë atë ‘kontratën robëruese’ për të cilën ai është ankuar gjithë kohën”, ka thënë Booth.
Ronaldo beson se ylli i Santos, Neymar, duhet patjetër të zhvendoset në Evropë.
Neymar është cak i disa prej klubeve më të mëdha evropiane si Real Madrid dhe Chelsea.

“Nëse Neymar largohet nga Brazili ai mund të bëhet më i miri në botë. Nëse ai nuk shqetësohet për para, ai duhet të ketë ambicie për zhvillim profesional dhe nëse qëndron në Brazil, ambiciet e tij do të jenë në të vogla”, ka thënë Ronaldo.
Real Madridi është afër arritjes së një marrëveshje me Atletico Madrid për shërbimet e sulmuesit Sergio Aguero.
Pavarësisht interesimit nga Juventus, El Mundo Deportivo shkruan se Reali është i gatshëm të paguajë klauzolën blerëse të lojtarit prej 45 milionë euro.
Aguero ka kërkuar nga agjentët e tij ta shtyjnë procesin deri në fund të Cupa America, e cila po zhvillohet këtë muaj në Argjentinë.
Ndërkohë, As shkruan se familja e Agueros është e bindur se ai do të mbetet në Madrid dhe do të pranojë një transferim te Reali.
Drejtori i Romës, Walter Sabatini, thotë se ata sot pritet të nënshkruajnë me mbrojtësin e Sporting Gijon, Jose Angel.
I riu spanjoll është cak i trajnerit të ri të Romës, Luis Enrique, dhe duket se dëshira e këtij të fundit do të realizohet së shpejti.

“Ne do ta mbyllim marrëveshjen për Jose Angel gjatë të hënës”, ka thënë Sabatini në një prononcim gjatë ditës së djeshme.
Ish-kampioni i Italisë dhe Evropës, Interi është kthyer kah sulmuesi i Lille, Eden Hazard.
L'Equipe shkruan se Interi dëshiron të paguajë 40 milionë euro për Hazard. Ofertë për lojtarin ka përgatitur edhe Paris Saint-Germain.

Mesfushori 20-vjeçar shihet si Zinedine Zidane i ri dhe është një prej caqeve më të nxehta në Francë gjatë kësaj vere.

Bayern Munich, Chelsea dhe Juventus që të gjithë kanë shfaqur interesim për Hazard, por gazetat franceze shkruajnë se gara më e ashpër do të zhvillohet në mes të Interit dhe PSG.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se ai ka dyshime nëse David De Gea do të arrijë t’ia dalë te Manchester United.
“Është një avantazh i madh për Manchester United të ketë një portier i cili është 20 vjet, pasi ai mund të qëndrojë për shumë vite”.

“Por kjo gjë është një risk i madh në të njëjtën kohë pasi ai po i bashkohet një klubi historikisht shumë të suksesshëm, i cili ka pasur portierë të mëdhenj si Peter Schmeichel dhe Edwin van der Sar”.

“Ne mbajmë mend se sa shumë vite duhej për të zëvendësuar Peter Schmeichel, andaj le të shohim çfarë do të ndodh tash pasi Edwin van der Sar është pensionuar. Është një detyrë e madhe të mbulosh zbrazëtirën e Van der Sar”, ka thënë Cech.
Juventusi dhe Valencia janë futur në një garë 14 milionë funtëshe për sulmuesin e Manchester United, Dimitar Berbatov.

News of the World shkruan se e ardhmja e sulmuesit ka ngecur që kur ai u la jashtë ekipit të finales së Ligës së Kampionëve, dhe sipas gjasave ai do të largohet nga Old Trafford këtë verë.

Valencia është duke kërkuar përforcime në radhët e sulmit por për shkak të situatës së vështirë financiare ka nevojë të shesë lojtarë, mbase mesfushorin Juan Mata.

Në anën tjetër edhe Juventusi është në treg për të përforcuar ekipin pas disa vitesh zhgënjyese dhe e sheh bullgarin së një opsion që do të zgjidhë problemet e sulmit biankoner.

Manchester United është gati ta shesë sulmuesin por paraprakisht kërkon të gjejë zëvendësimin.
Trajneri i Brazilit, Mano Menezes, ka deklaruar se djelmoshat e tij ishin lehtë të parashikueshëm në sfidën e parë të Copa America kundër Venezuelës, e cila përfundoi pa gola.
Kampionët në fuqi të Amerikës Jugore ishin më të interesuar se kundërshtari për të nxjerrë tre pikë të plota nga takimi, por nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen e organizuar të Venezuelës.

“Rezultati ishte i keq, pasi ne luajtëm më mirë se Venezuela. Ne kishim kontrollin dhe iniciativën e ndeshjes, por na mungoi qartësia në disa shanse, kryesisht për të gjetur lojtarët në momentet e fundit”.

“Ne ishim shumë të dukshëm. Topi i gjente lojtarët të cilin ishin në krahë, por ata ishin shumë larg nga Pato dhe loja nuk mund të rridhte. Kjo është diçka për të cilën duhet të punojmë gjatë javës”, ka thënë Menezes.

Trajneri brazilian po ashtu ka kritikuar kushtet e dobëta të fushës, që kanë ngadalësuar ritmin e ndeshjes.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, dëshiron qëndrim sa më të gjatë në Ligën e Kampionëve.
City u kualifikua për të parën herë në garën më të madhe evropiane dhe Mancini dëshiron që ata të impresionojnë në këtë garë.


“Nuk dua që ajo të jetë një paraqitje mysafire pasi jemi kualifikuar me meritë. Dëshirojmë të jemi liderë në garë”, ka thënë italiani.
Samir Nasri thotë se mungesa e trofeve pengon atë për të fituar mirënjohje individuale, bëjnë të ditur mediat angleze.
Francezi është cak i Manchester United dhe Manchester Cityt dhe pritet sot të diskutojë me trajnerin Arsene Wenger të ardhmen e tij.

“Pa tituj në bel, ju nuk mund të jeni në listë për Topin e Artë. Unë erdha në Angli për të fituar trofe pasi nuk kam fituar asnjë në karrierën time, përveç kampionatin evropian U17 në vitin 2004”.

“Ne të gjithë duhet të dalim nga zona e komfortit, të rritemi dhe ta testojmë veten. Edhe pa trofe, mendoj se unë jam pjekur. Jam i etur për tituj. Luaj futboll pasi e dua këtë sport dhe dua të ndjej emocionet e të fituarit. Të ngremë trofeun të gjithë, kjo është bukuria dhe kuptimi i sportit ekipor”, ka thënë Nasri.