Jose Mourinho u shpreh tejet i kënaqur me paraqitjen e futbollistit më të kompletuar në planet, Cristiano Ronaldos, duke thënë se ai është mësuar me paraqitjet e jashtëzakonshme të portugezit.
Ronaldo shënoi hettrick në fitoren prej 3-0 të Real Madridit ndaj skuadrës meksikane Chivas Guadalajara, duke mos shfaqur rënie të formës së sezonit të kaluar, ku shënoi plot 53 gola.

“Cristiano është Cristiano. Ai gjithmonë ka kënaqësinë, motivimin dhe krenarinë për të luajtur, të jetë në Kinë, Japoni dhe SHBA. Ai është i kënaqur me veten që luajti mirë dhe shënoi. Ne e kemi ditur se do të luanim mirë dhe ia kemi arritur kësaj”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes.
Barcelona edhe zyrtarisht ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Udinesen për të transferuar Alexis Sanchez për 37.5 milionë euro.
Anësori kilian, i cili mund të luajë edhe si sulmues dytësor, tashmë një muaj lidhet me një kalim në Camp Nou, por dy ekipet nuk arrinin një marrëveshje transferimi.

Marrëveshja u raportua si e përfunduar që dje, por klubi spanjoll zyrtarisht ka pranuar se ka arritur marrëveshje me Udinesen vetëm sot, pasi Kili u eliminua nga Venezuela në gjysmëfinale të Copa America më herët gjatë javës.

Barcelona fillimisht do të paguajë 26 milionë euro dhe 11.5 milionë shtesë në varësi të paraqitjeve të lojtarit dhe sukseseve të ekipit. Sanchez pritet të hënën t’u nënshtrohet testeve mjekësore para se të nënshkruajë kontratën.
Konflikti aktual mes Carlos Tevez dhe Manchester Cityt mund të zgjerohet në përmasa më të mëdha pasi klubi besohet se është duke shqyrtuar masa disiplinore kundër sulmuesit.
Mirror pohon se Roberto Mancini ka vendosur që të ketë një qëndrim më të rëndë ndaj Tevezit dhe agjentit të tij Kia Joorabchian.

Sulmuesi ka kërkuar të qëndrojë më shumë në Argjentinë, por nëse ai nuk do të rikthehet në stërvitje më 1 gusht, atëherë klubi pritet ta dënojë me shuma të mëdha të hollash.
Nicolas Anelka është këmbëngulës se Didier Drogba nuk ka çfarë të dëshmojë për të qenë startues, përkundër transferimit të superyllit Fernando Torres.
“Didier nuk ka çfarë të dëshmojë. Ai ka shënuar shumë gola për Chelsean dhe ai është i lumtur sepse, nëse klubi transferon një sulmues të madh, atëherë ai dëshiron ende të fitojë dhe është tepër i kënaqur kur sheh ndonjë lojtar të madh për t’i ndihmuar të fitojë trofe”.

“Kjo është mirë për Drogbën, për ne, për tifozët dhe për ekipin”, u shpreh Anelka.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ia ka tërhequr vërejtjen portierit të porsatransferuar, David De Geas duke i thënë se nuk e ka të garantuar pozitën startuese.
“Sigurisht se ne e kemi transferuar De Gean për të qenë zgjedhja jonë e parë. Por, Anders Lindegaard dhe Ben Amos sigurisht se i kanë thënë vetvetes se mund të kenë mundësinë pas pensionimit të Van der Sar”.

“Është një derë e hapur kjo për mua. De Gea do të luajë të shtunën ndaj Chicagos, por ata të gjithë do të kenë pjesën e vet të ndeshjeve për të marrë më pas vendimin se kush do të jetë startuesi”, tha Ferguson.
Sulmuesit të Barcelonës, Pedros, nuk i ka penguar deklarata e Arsene Wenger, duke ftuar hapur Cesc Fabregasin në Camp Nou, pasi sipas tij të gjithë e duan kapitenin e Topçinjve në Kataluni.
“Ne të gjithë e duam Fabregasin lojtar të Barcelonës. Të gjithë po e presin atë, pasi është lojtar i madh”.

“Djemtë duan që ai të vijë sepse ai ka cilësi të madhe dhe ne të gjithë duam që grupi nga akademia të bashkohet. Situata është mjaft e komplikuar. Varet nga ne, por shpresojmë se kjo do të rregullohet së shpejti”, ka thënë Pedro për AS.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, Ivan Zamorano beson se Alexis Sanchez do të jetë shumë i suksesshëm te Barcelona.
“Alexis Sanchez e ka një përparësi. Ai tashmë ka përvojë. Ai ka triumfuar në kampionatin më të vështirë në botë, që definitivisht është ai italian”.

“Sanchez është një djalosh që dëgjon dhe ai do të adaptohet në stilin e Guardiolës”, u shpreh Zamorano.
Milani e fitoi titullin e parë pas shtatë vitesh vitin e kaluar, duke thyer dominimin pesëvjeçar të rivalit lokal Interit, por sipas legjendës italiane Gianfranco Zolas, Rossonerët do të vazhdojnë triumfet edhe në të ardhmen.
“Milani është favorit për Scudetto. Më pas është Interi dhe Juventusi, që po bën mirë duke transferuar Arturo Vidal dhe Giuseppe Rossin, që është i njëjtë sikur unë”.

“Por, gjithashtu mendoj se Roma dhe Napoli mund të luftojnë për Scudetto”, tha Zola për La Repubblica.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se ai e ka identifikuar atë që të gjithë Rossonerët e quajnë ‘mister-X’ të këtij afati kalimtar veror.
“Ne e kemi identifikuar Mister-X, por nuk është e thënë se ai do të transferohet sigurt. Për çdo rast, ne e kemi identifikuar atë. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë në ditët e fundit të gushtit. Lojtari që ne po e kërkojmë ka fizik të mirë dhe është konkret”.

“Ai mund të jetë afër ose larg, të shohim çfarë ndodh”, potencoi Galliani.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp është i bindur se Luka Modric mund të luajë për Barcelonën, por shprehu besimin se mund ta mbajë atë.
“Unë mund ta kuptoj Lukan se si ndihet në gjithë këtë. Nëse dikush ju ofron pagë të trefishuar, atëherë sigurisht se do të ishit të interesuar dhe Chelsea është klub i madh. Të gjithë e duan Modricin. Pyeni Sir Alex Fergusonin se çfarë mendon për të, pyesni Roberto Mancinin, të gjithë e duan. Ai mund të luajë edhe për Barcelonën”.

“Luka dëshiron rastin për të fituar tituj dhe ai është ambicioz. Por, edhe ne mund ta bëjmë këtë. Janë ditët e para të afatit kalimtar veror dhe ka ende deri në fund të gushtit, nuk i dihet. Sidoqoftë, Daniel Levy është i përkushtuar që ta mbajë kroatin”, ka thënë Redknapp.
Roma është shumë pranë kompletimit të transferimit të ish-mbrojtësit të Marseille, Gabriel Heinze.
Sky Sport Italia dhe La Gazzetta dello Sport janë duke raporutar se 33 vjeçari është drejt kalimit në kryeqytet ku do të transferojë një kontratë njëvjeçare.

Heinze kishte bërë të ditur se do të largohej nga Ligue 1 e Franës me të përfunduar sezoni dhe do t’i bashkohet Romës në parametra zero
Reprezentuesi kilian, Arturo Vidal ka konfirmuar se ai do të kalojë nga Bayer Leverkuseni, te gjiganti italian Juventus.
“Unë jam i kënaqur, ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm në karrierën time. Unë kam marrë shumë përvojë në Gjermani dhe unë e di se si të kem sukses me Juventusin”, theksoi Vidal për Bild para se të nisej për në Torino ku do të nënshkruajë për Juventusin.

24 vjeçari i cili është mesfushor i shumëanshëm me tipare defensive do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me përfitime prej 3 milionë euro në sezon.
Agjenti i Alexis Sanchez, Fernando Felicevich ka shkuar në Barcelonë për të vazhduar bisedimet me Udinesen dhe kampionët e La Ligas në mënyrë që t’i vihet fundi sagës transferuesve të kilianit te klubi katalanas.
Gjatë të mërkurës djali i presidentit të Udineses, Gino Pozzo kishte deklaruar se klubet tashmë kishin arritur marrëveshjet dhe zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti kur të finalizohen detajet kontraktuale.

“Unë nuk mund të them asgjë, por nuk ka mbetur dhe shumë punë për të bërë”, theksoi Felicevich pasi arriti në Barcelonë.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Sergio Aguero shpreson se do t’i bashkohet Real Madridit gjatë afatit kalimtar veror.
Aguero është subjekt i spekulimeve që e lidhin atë me Manchester Cityn, por El Confidenial shkruan se ai e preferon një kalim në pjesën tjetër të qytetit, te klubi nga Santiago Bernabeu.

Por, City nuk po lëshon pe, pasi është në gjendje të paguajë 45 milionë euro për argjentinasin dhe t’i ofrojë atij kontratë të vlefshme 9 milionë euro në sezon.
Arsene Wenger ka bërë ofertë në vlerën 10 milionë euro për mbrojtësin e Evertonit, Phil Jagielka, shkruajnë mediat angleze.
Topçinjtë janë lidhur me një numër të mbrojtësve të qendrës këtë verë përfshirë atë të Blackburn, Christopher Samba dhe atë të Bolton, Gary Cahill, por tash kanë kthyer vëmendjen kah Jagielka.


Evertoni mund të kërkojë dyfishin e saj çfarë Arsenali ka ofruar për Jagielka, me të cilin Arsene Wenger është lidhur edhe në të kaluarën.

Me Cesc Fabregas dhe Samir Nasri që vazhdojnë të lidhen me një largim nga Emirates, Wenger do të kërkojë të sjellë edhe ndonjë mesfushor të ri në ekip.
Cristiano Ronaldo ka lavdëruar ndikimin e përforcimeve të reja në ekip, pas fitores 3-0 ndaj Chivas USA.
Ronaldo shënoi hat-trick në ndeshjen miqësore ndaj ekipit amerikan, por ka lënë anash golat e tij për të lavdëruar lojtarët e rinj, Nuri Sahin, Fabio Coentrao, Jose Callejon dhe Hamit Altintop.

“Që të gjithë lojtarët e rinj më kanë befasuar. Ata po ia dalin shumë mirë. Ne po punojmë mirë dhe po fillojmë të kthehemi në formë në prag të sezonit të ri”.

“Tre gola për 10 minuta? Po... kjo është gjë e këndshme. Por ne duhet të vazhdojmë të punomë mirë për fillimin e sezonit. Kjo ndeshje ishte e mirë dhe jam i lumtur që fituam”, ka thënë Ronaldo.
Benfica ka zbuluar se ka nënshkruar me mbrojtësin e Villarrealit, Joan Capdevila.
Mbrojtësi fitues i Kupës së Botës ka nënshkruar marrëveshje dyvjeçare me klubin portugez me një klauzolë lëshimi në vlerën 20 milionë euro.

Capdevila, i cili ka bërë 59 paraqitje për Spanjën dhe luajti çdo minutë gjatë triumfit në Kupën Botërore 2010, arrin te Benfica si agjent i lirë.

Mbrojtësi i krahut të majtë më herët kishte luajtur për Atletico Madrid, Espanyol dhe Deportivo La Coruna, para se t’i bashkohet Villarrealit në vitin 2007.
Ylli i Santos, Neymar, raportohet se u ka thënë bashkëlojtarëve brazilianë se ai do të luajë për Real Madridin në sezonin e ri.
Pas eliminimit nga Copa America, lojtarët braziliani kanë pasur një darkë përshëndetëse ku Neymar u ka treguar shokëve hapin e tij të ardhshëm.

“Do të shkoj të luaj për Real Madridin. Dua të arrij sukses atje”, citohet t’u ketë thënë bashkëlojtarëve sulmuesi brazilian, siç përcjell AS

Se lojtari është afër transferimit te gjiganti spanjoll, e ka konfirmuar edhe agjenti i tij, Wagner Ribeiro.

“S’ka mbetur asgjë tjetër për t’u diskutuar. E vetmja gjë e mbetur është që Real Madridi të paguajë. Nëse ata paguajnë, Santos nuk ka çfarë të bëjë përveç të mbledhë paratë e transferimit. Neymar duhet vetëm të vendosë kur të vijë te Real Madridi, pasi ai dëshiron të luajë në Kupën Botërore të Klubeve”, ka thënë Ribeiro për Marca.
Villarreal raportohet se është në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit të Fiorentinës, Alberto Gilardino.
Agjenti i Gilas, Beppe Bozzo, ka fluturuar në Spanjë dje për të negociuar me klubin spanjoll.

Nëndetësja e Verdhë ka ofruar 12 milionë euro për italianin, plus edhe një kontratë të vlefshme 3 milionë euro në sezon.

Gilardino dëshiron të largohet nga Viola pas një sezoni të dobët dhe moskualifikimi për në garat evropiane për të dytin vit radhazi.
Ikona e Interit, Marco Materazzi, thotë se ai ishte tradhtuar nga ish-trajneri i Interit, Leonardo.
Materazzi prishi kontratën me Nerazzurët më herët gjatë kësaj vere, një vit para se ajo të skadojë, pasi i ishte thënë se nuk është më në planet e Leo. Megjithatë disa javë më pas, braziliani u largua pasi iu ofrua një rol i drejtorit sportiv te PSG.

“Le të jem i qartë, largimi nga Interi një vit më herët nuk ishte vendimi im. Leonardo më tradhtoi, klubi më tha se unë nuk isha më në planet e tij dhe se as nuk do të përfshihesha në ekipin e Ligës së Kampionëve”.

“Nuk e di arsyen e saktë pse Leonardo më largoi. Kurrë nuk kam bërë ndonjë problem kur nuk kam luajtur. Ai gjithmonë më ka thënë se kam dhënë gjithçka në fushë dhe jashtë saj, por pastaj ai nuk më dha të luaj asnjë minutë në Kupën e Italisë”, ka thënë 37-vjeçari për La Gazzetta dello Sport.

Fituesi i Kupës Botërore 2006 tash është një agjent i lirë dhe thotë se nëse nuk gjen klub deri në gusht, do të rikthehet në Inter për ndonjë rol administrativ.
Carlos Tevez do ta 'respektojë' Cityn nëse largimi i tij aq i dëshiruar nga klubi dështon këtë verë, thotë agjenti i lojtarit Kia Joorabchian.
Transferimi i propozuar i Tevez te Corinthians dështoi gjatë të mërkurës, me Cityn që tha se klubi brazilian nuk kishte arritur të sigurojë garanci bankare për 40 milionë funte.

Joorabchian ka mohuar se garancitë kanë qenë problemi, por ka thënë se Tevez do të mbetet i qetë edhe pse dëshiron që e ardhmja e tij të zgjidhet.

"Mendoj se Carlos është një person shumë i qetë. Ai as nuk është i dëshpëruar e as i kënaqur. Ai është shumë i qetë. Ne pritëm të shohim se si marrëveshja do të strukturoret dhe ai u përpoq të qëndrojë jashtë, në aspekt të insistimit për diçka".

"Tash ai do të shkojë në pushime pas Copa America dhe do të shohë çfarë do të ndodhë. Ka pasur një ofertë konkrete në tavolinë dhe ishte shumë afër të negociohet dhe të arrihet një marrëveshje, por fatkeqësisht kjo nuk funksionoi".

"Nuk ka ndonjë spekulim nga ana jonë [se çfarë mund të ndodhë më pas]. Ai ende është lojtar i Cityt dhe do ta respektojë këtë. Ne do të vazhdojmë kështu derisa të ketë diçka konkrete në tavolinë", ka thënë Joorabchian.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se Fernando Torres po tregon një formë të mirë në para-sezon.
Londinezët luajtën ndeshjen e parë zyrtare para-sezonale gjatë të shtunës, kur ishte autogoli i ish-mbrojtësit të Chelseat, Tal Ben Haim, që ua dha atyre fitoren 1-0 ndaj Portsmouth.

Por ishte Torres që detyroi izraelitin të dërgojë topin në rrjetën e vet dhe Terry beson se sulmuesi spanjoll do të jetë në formën e tij më të mirë në sezonin e ardhshëm, pas disa muajve për t'u harruar në pjesën e dytë të sezonit të kaluar.

"Ai e mbështet veten. Ai e ka kuptuar nga Kupa Botërore se kishte një lëndim të lehtë dhe vazhdoi me të deri në fund të sezonit të kaluar. Ai tash ndjehet i freskët, i lumtur. Ai është plotësisht i përshtatur. Jam i sigurt se ai do të shënojë numër dyshifror të golave. Ai ishte i mirë në momente të caktuar vitin e kaluar".

"Ai është një lojtar i klasit botëror dhe çmimi i tij është një peshë e madhe për t'u mbajtur në shpatulla. Ai i ka të gjitha aftësitë. Ai është shumë i shpejtë dhe një përfundues i shkëlqyeshëm. Ne jemi të ngazëllyer që e kemi atë dhe nëse ai mund të sjellë gola krahas asaj çfarë tashmë kemi, do të jetë fantastike", ka thënë Terry.
Interi është i bindur se do të sigurojë kontratë të re me Lucion.
Mbrojtësi brazilian është në vitin e fundit të marrëveshjes së tij dhe agjenti i lojtarit Sandro Becker pret që negociatat të fillojnë tash pas eliminimit të tij nga Copa America.

Becker pritet të fluturojë në Itali në ditët në vazhdim për të filluar bisedat. Derisa edhe Manchester City edhe Chelsea janë lidhur me të, Lucio thuhet të jetë i lumtur në Milano.

Edhe në rast se nuk arrihet te ndonjë marrëveshje këtë verë, Interi do të mund ta bindë lojtarin të mbetet në Giuseppe Meazza gjatë sezonit të ardhshëm.
Paris Saint Germain raportohet se është e interesuar të transferojë sulmuesin e parehatshëm të Lazios, Mauro Zarate.
Sportitalia shkruan se klubi nga Ligue 1 shpreson të sigurojë shërbimet e argjentinasit para mbylljes së afatit kalimtar.

Lazio ka dhënë shenja se do të dëgjojë oferta për sulmuesin, por vetëm nëse ato janë në regjionin e 20 milionë eurove.

Zarate mund të mendojë të largohet nga Olimpico pasi klubi solli dy sulmues në ekip, Miroslav Klose dhe Djibrill Cisse.
Paraguai ka siguruar biletën për në finalen e Copa America 2011 pas fitores dramatike në gjuajtjen e penaltive kundër Venezuelës, pasi ndeshja kishte përfunduar me barazim pa gola.
Ndeshja solli plot emocione me të dy palët që synonin vend në finale, pas barazimit ngazëllues me rezultat 3-3 në fazën e grupeve.

Paraguaianët ishin më kërkues në ndeshje, megjithatë edhe venezuelasit kishin rastet e veta, madje edhe një gol të anuluar për pozitë jashtë loje.

Venezuela luajti me një lojtar më shumë në 20 minuat e fundit të lojës shtesë, pas përjashtimit të Jonathan Santana me kartonin e dytë të verdhë, por kjo nuk solli ndonjë ndryshim.

Në penalti paraguaianët ishin më të saktë duke triumfuar 5-3 dhe duke siguruar vend në finalen e të dielës ku do ta ketë përballë Uruguain.
Kampioni i Italisë, Milani, ka shënuar fitore të lartë prej 12-0 duke djegur skuadrën nga Serie D, Solbiatese në një prej miqësoreve parasezonale, përderisa Interi e ndau në gjysmë skuadrën nga Serie B, Cremonese, me rezultat 4-1.
Milani filloi që herët goleadën, me Clarence Seedorf (3’) që hapi serinë. Viscomi (5’), Cassano (6’), Valoti (12’), Flamini (13’), Ibrahimovic (29’ dhe 40’) ishin shënuesit në pjesën e parë, ku vlen të përmendet angazhimi i Ibrës, i cili shfaqi formë prej një titani.

Paloschi (49’), Zambrotta (59’), Emmanuelson (69’), Inzaghi (77’) dhe Comi (84’) mbyllën takimin dymbëdhjetëgolësh në favor të Rossonerëve në formë fantastike.

Samuel Eto’o nuk shfaqi shenja dobësimi përderisa me dy golëshin e tij ia siguroi Interit fitoren prej 4-1 ndaj skuadrës nga Serie B, Cremonese. Eto’o hapi serinë e golave (17’), përderisa Nizetto (45’) bëri që pjesa e parë të përfundonte me barazim.
Në pjesën e dytë Nerazzurët treguan fytyrën e vërtetë duke shënuar edhe tri herë tjera me anë të Pazzinit (57’), Eto’o (69’) dhe Faraonit (88’).
Kështu gjigantët nga qyteti i modës janë duke vazhduar me sukses përgatitjet parasezonale para superkupës që do t’i vë përballë më 6 gusht.