Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, sipas Adriano Galliani, duhet të qëndrojë me Rossonerët deri në fund të karrierës së tij.
“Nëse ai është i kënaqur dhe do të qëndronte këtu për pjesën e mbetur të karrierës, atëherë ne do të ishim po ashtu të gatshëm që ta mbajmë atë përgjithmonë këtu”, theksoi Galliani.
Ibrahimovic momentalisht është në formë të lartë, me golin ndaj Interit të shënuar në Pekin si të parin për sezonin e ri.
Chelsea besohet se është duke e përgatitur një ofertë ku do të përfshihet edhe Yossi Benayoun në tentim për të bindur Tottenhamin ta shesë mesfushorin Luka Modric.
Blutë janë lidhur shumë me mesfushorin kroat, kurse janë Spursat ata që kanë refuzuar çdo lloj tregtie për Modric.
Daily Mail raporton se klubi nga Stamford Bridge është i gatshëm për t’i ofruar klubit rival londinez Tottenham një ofertë prej 30 milionë funtash, plus Benayoun.
Transferi i ri i Real Madridit, Raphael Varane ka këmbëngulur se ai kurrë nuk e ka shqyrtuar kalimin te Manchester United, përkundër interesimit të Djajve.
“Transferi u zgjodh shumë shpejtë. Në fillim kishte interesim të madh nga Manchester United, por në mendjen time ishte PSG dhe Reali. Zgjedhja ishte e qartë në fund, sepse pronarët e PSG më dëshironin, jo trajneri. Nëse trajneri do të kishte ardhur për të më thënë ‘ja projekti im’, atëherë do të kishte qenë ndryshe”.
“Para se të nënshkruaja me Realin, unë u takova me Jose Mourinhon në Madrid. Ai më tha: ‘Nëse vjen, ti do të jesh pjesë e grupit dhe nuk do të huazohesh’. Ai ishte i qartë kur ma tha këtë. Unë dua të përmirësohem. Dua të luaj sa më shpesh, por pa u nxituar. Unë nuk e shoh veten në përbërjen e parë menjëherë. Kjo nuk është e mundur. Së pari më duhet të adaptohem”, theksoi francezi për L’Equipe.
Shqipëria ka shënuar fitore të jashtëzakonshme në takimin miqësor ndaj Malit të Zi, që përfundoi me rezultat 3-2.
Ndeshja ishte dinamike që nga filliimi, por në epërsi të parët kaluan të tanët me anë të Erjon Bogdanit që shënoi në minutën e 32-të për 1-0.
Savic e barazoi rezultatin vetëm tetë minuta më vonë dhe shënoi për 1-1, që ishte dhe rezultati i pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë, Savic i dha Malit të Zi epërsinë duke shënuër për 2-1.
Në këtë moment lojtarët e kombëtares tonë u ndezën dhe Hyka arriti ta barazojë rezultatin, ndodhi kjo në minutën e 64.
Fitorja e kuq e zinjve u vulos pesë minuta më vonë (69’), kur Hamdi Salihi shënoi në mënyrë sensacionale me gërshërë për 3-2.
Ishte kjo një fitore e madhe për Shqipërinë që është në përgatitje për ndeshjet eliminatore të Euro 2012, me Francën kundërshtar të radhës.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael Van der Vaart ka thënë se bashkëlojtari i tij në kombëtaren holandeze, Wesley Sneijder dëshiron të kalojë në Ligën Premier.
“Natyrisht ai do të dëshironte të luante në Angli, është kampionati më i madh në botë. Ai është mik i mirë i imi dhe ne kemi kontakt çdo ditë. Ai e di se çfarë e pret në Ligën Premier”, tha Van der Vaart për Sky Sports.
Wesley Sneijder është pak orë para zyrtarizimit të kalimit të tij te Manchester United.
Hamburgu ka bërë të ditur se Juventusi ka bërë ofertë zyrtare për asin holanez, Eljero Elia, por drejtori sportiv i klubit gjerman konfirmoi se klubi nga Bundesliga nuk dëshiron ta shesë 24 vjeçarin.
“Juventusi ka bërë ofertë për Elian. Ne e kemi refuzuar ofertën pasi nuk duam ta shesim atë. Ai është lojtar i rëndësishëm për ne”, sqaroi Arnesen.
Elia është i kërkuar nga Juventusi, Liverpooli dhe Wolfsburgu.
Trajneri i Kilit, Claudio Borghi, është tepër i kënaqur tani që Alexis Sanchez është transferuar te Barcelona.
“Alexis është ende fëmi, një djalosh i cili do të bëhet më i miri në botë – vë bast për këtë. Transferi i tij ishte një serial latino-amerikan”.
“Kishte kohë që po fliteshin disa opsione, por unë i kam thënë shko te Barcelona, mos hezito. Unë e di se ai mund të zhvillohet atje”, deklaroi Borghi.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli beson se Mario Balotelli ka potencialin për t’u bërë sulmuesi më i mirë në botë, por duhet që të ndjekë instruksionet e tij për të arritur cakun.
“Mario duhet të rritet dhe duhet të kuptojë se nëse ai rritet atëherë fuqia e tij si lojtar mund të jetë e jashtëzakonshme”, theksoi Prandelli.
Italia takohet me Spanjën sonte me fillim nga ora 20:45, në një prej atyre miqësoreve para zhvillimit të eliminatoreve për Euro 2012.
Interi është duke planifikuar transferimin e sulmuesit të Barcelonës, David Villa.
Me Samuel Eto’on që po kërkon të largohet nga Interi për të pranuar një ofertë nga Anzhi Makhachkala, janë zi-kaltrit ata që po kërkojnë zëvëndësuesin e kamerunasit.
Burimet brenda Interit bëjnë të ditur se me gatishmërinë e Barcës për ta shitur Villan pas transferimit të Sanchez në Camp Nou, Nerazzurët kanë shprehur interesim për sulmuesin e rezikshëm spanjoll.
Sulmuesi i Santosit, Neymar ka thënë se ai është duke kaluar nëpër ndryshime drastike në karrierën e tij, pas një viti në të cilin ai është bërë një prej lojtarëve më atraktiv në planet.
“Unë po kaloj nëpër ndryshime të mëdha në karrierën time, por unë nuk tentoj të mendoj për të ardhmen apo për atë që mund të ndodhë. Unë vetëm dua të punoj shumë me Santosin dhe Brazilin, të vazhdoj të zhvillohem”.
“Do të doja të qëndroj i qetë. Unë jam njeri që brengoset shumë për karrierën dhe gjithmonë jep më të mirën në fushë”, potencoi Neymar.
Anësori i Barcelonës, Pedro Rodriguez ka pranuar se ndeshja e parë e Superkupës që zhvillohet të dielën në Madrid do të jetë e rëndësisë së lartë për Blaugranët.
“Është e vërtetë se së fundmi kemi luajtur mirë ndaj tyre, por është El Clasico, ndeshje ku mund të ndodhë gjithçka. Dinamizmi mund të ndryshojë, kështu që duhet të ngritet niveli”.
“Çfarë ne duam është të fitojmë Superkupën. Është sfidë e madhe. Ne përballemi me Realin për një titull. Do të jenë dy ndeshje me stres, shumë të mira dhe mjaft kompetitive. Do të jetë test i mirë për ne”, ka thënë Pedro.
Sulmuesi i Arsenalit, Andrey Arshavin e ka bërë të qartë se ai nuk do të shkonte kurrë te Real Madridi, pasi ai është tifoz i klubit rival, Barcelonës.
“Sa për Evropën, ekziston vetëm një klub që kurrë nuk do të transferohesha dhe ai është Real Madridi, sepse unë jam tifoz i Barcelonës”.
“Unë momentalisht po luaj për një top klub evropian dhe nëse vendosi të kthehem në Rusi, atëherë Zeniti do të ishte zgjedhja e parë”, theksoi Arshavin.
Legjenda e Interit, Javier Zanetti që sot është duke e festuar ditëlindjen e tij të 38-të ka deklaruar se ai është krenar që ka qëndruar te Interi, ku ka pasur shumë sukses, edhe pse ishte kërkuar shumë nga gjigantë si Real Madridi dhe Barcelona.
“Isha pranë transferimit te Barcelona dhe Real Madridi, por jam i lumtur që kam qëndruar te Interi, sepse unë e kam ditur se herët apo vonë do ta fitoja Ligën e Kampionëve dhe titujt do të vinin”.
“Unë erdha te Interi shumë i ri, kam pasur rastin të luaj me Giuseppe Bergomin dhe jam takuar edhe me legjendën Giacinto Facchetti”, theksoi Zanetti i cili ka mbi 1000 paraqitje në fanellën e kampionit të botës.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder mund të kalojë te Manchester United brenda 48 orëve të ardhshme, gjithnjë sipas mediave angleze të cilat raportojnë se akordi është arritur.
Mirror shkruan se Senijder po shpreson që bisedat formale me Unitedin në Londër të enjtën të përmbyllen me sukses dhe të sqarohet më pas edhe zyrtarisht e ardhmja e tij.
Shuma të cilën Sneijder do ta fitojë në javë te Manchester United është 200 mijë funte, kurse Interi do të përfitojë hiç më pak se 35 milionë euro.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger është nervozuar tepër me sjelljet e Samir Nasrit gjatë parasezonës dhe ka vendosur që ai definitivisht të shitet, nuk ka rëndësi çmimi.
Klubi i ardhshëm i Nasrit pritet të jetë Manchester City ku ai do të transferohet për 22 milionë euro dhe ku do të fitojë 185 mijë funte në javë.
Vet Samir Nasri ka deklaruar së fundmi se të hollat dhe kontrata joshëse e Cityt e ka bërë atë që ta mendojë largimin nga Arsenali dhe kjo duket ta ketë bërë trajnerin francez të eksplodojë.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri pritet që të nënshkruajë së shpejti kontratën e re me klubin nga San Siro që do ta mbajë atë në Milanello deri në vitin 2014.
Allegri e ka fituar titullin e parë për Milanin pas shtatë vitesh në sezonin e tij të parë dhe para pak ditësh e mposhti në mënyrë sensacionale Interin, një gjë që nuk kaloi lehtë te drejtuesit Rossoner.
Janë eprorët e gjigantit italian ata që i kanë ofruar një kontratë të re deri në vitin 2014 me një pagë të përmirësuar strategut italian, të cilën ai do ta nënshkruajë në ditët në vijim.
Roy Keane thotë se ish-klubi i tij, Manchester United, do të arrijë ta fitojë titullin e Ligës Premier me lehtësi në sezonin e ri.
Ish-kapiteni i ekipit nga Old Trafford thotë e djelmoshat e Sir Alex Ferguson do ta kryesojnë renditjen me lehtësi në muajin maj të vitit të ardhshëm.
“Edhe pse Sir Alex Ferguson tha një ditë se liga po bëhet më e vështirë, unë nuk mendoj kështu. Nëse United vërtet e dëshiron trofeun, që nuk ka dyshime, ata do ta fitojnë atë me lehtësi. Edhe vitin e kaluar kur United po rrëshqiste, asnjë ekip nuk ishte mjaft i fuqishëm të shfrytëzojë avantazhin”, ka thënë Keane për The Sun.
Irlandezi ka kritikuar rivalët Chelsea, Arsenal dhe Liverpool dhe thotë se i vetmi rival serioz për United është Manchester City.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, ka thënë se Real Madridi do të tregohet një rival më i vështirë për ta në sezoni e ri.
Ekipi nga Santiago Bernabeu nuk arriti t’u shkaktojë probleme Blaugranëve në La Liga në sezonin 2010/11, por Pedro pret një sezon të ri më të vështirë.
“Real Madridi do të jetë më i rrezikshëm se vitin e kaluar. Lojtarët e tyre vërtet janë të ndezur tash dhe mendoj se do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë për ne”, ka thënë Pedro për El Mundo Deportivo.
Dy ekipet do të përballen me njëri-tjetrin të dielën në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës e cila zhvillohet në Bernabeu. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet tre ditë më vonë në Camp Nou.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka thënë se kampioni në fuqi i Italisë, Milani, dhe fituesi i Kupës së Italisë, Interi, janë favoritët për të fituar titullin e Serie A në sezonin e ri.
Ekipi nga Torino përfundoi në pozitën e shtatë të tabelës në sezonin 2010/11 dhe edhe pse ata kanë bërë disa nënshkrime gjatë kësaj vere, Conte nuk mendon se Juventusi do të jetë në mesin e favoritëve për ta fituar Skudeton.
“Favoritët për Skudeton? Milani dhe Interi kanë shanse të mira për ta fituar ligën. Ata sërish kanë konfirmuar klasin e tyre në ndeshjen e Superkupës së Italisë në Pekin”.
“Prapa tyre është Napoli që ka punuar nën të njëjtin trajner për një vit e gjysmë, ka identitetin e vet dhe ka disa lojtarë shumë të përkushtuar. Lazio po ashtu ka bërë punë të mirë në tregun e transferimeve”, citohet të ketë thënë Conte për Il Corriere dello Sport.
Trazirat të cilat shkaktuan anulimin e miqësores në mes të Anglisë dhe Holandës, e kanë vënë në dyshim edhe fillimin e ndeshjeve të Ligës Premier këtë vikend.
Shpërthimi i dhunës ka tejkaluar limitet e policisë dhe mund të kërcënojë zhvillimin e ndeshjeve të elitës së futbollit anglez, që zakonisht monitorohen nga 100 policë.
Nëse forcat policore vendosin se ata nevojiten diku tjetër, atëherë kjo mund të bëjë që ndeshjet e Ligës Premier të shtyhen.
Ndeshja e sotme miqësore në mes të Anglisë dhe Holandës e paraparë të zhvillohet në Wembley është shtyrë, siç janë shtyrë edhe katër ndeshje të Kupës Carling në Londër si edhe miqësorja në mes të Ganës dhe Nigerisë në Watford gjatë të martës.
“Me informatat të cilat i kemi tash, nuk ka arsye për të menduar se ndonjë ndeshje jashtë Londrës mund të preket”, thuhej në një deklaratë të djeshme të Ligës Premier dhe Ligës së Futbollit.
Megjithatë shpërthimi i dhunës në Manchester, West Midlands, Nottingham dhe Gloucester mund të detyrojë drejtuesit e këtij sporti të rimendohen.
Fjalën e fundit për zhvillimin ose jo të ndeshjeve në Londër do t’i thotë Policia e Kryeqytetit, pasi të monitorojnë situatën gjatë 48 orëve të ardhshme.
Agjenti i Neymar ka përjashtuar një transferim të yllit të Santos te Real Madridi gjatë kësaj vere.
Edhe Neymar edhe agjenti i tij Wagner Ribeiro po qëndrojnë në Gjermani për miqësoren e sotme të Brazilit, nga ku i kanë bërë thirrje Realit ta harrojë transferimin për këtë vit.
“Një marrëveshje me Real Madridin do të ishte e mundshme në vitin 2012. Kam shumë marrëdhënie të mira me Realin, por çdo shkrim për transferim është vetëm spekulim. Para 31 gushtit nuk ka ose nuk do të ketë marrëveshje. Harrojeni. Vitin e ardhshëm? Gjithçka është e mundshme”, ka thënë Riberiro.
Real Madridi është duke kërkuar shtatë milionë euro për mesfushorin Fernando Gago.
Argjentinasi sot pritet të rikthehet në stërvitje me Realin pas pushimit të zgjatur për shkak të angazhimeve në Copa America me përfaqësuesen e Argjentinës.
Marca shkruan se Liverpooli dhe Interi janë në mesin e klubeve të cilat kërkojnë të nënshkruajnë me të.
Gago, në anën tjetër, më shumë do të preferonte të rikthehet te ish-klubi i tij Boca Juniors, por çmimi të cilin e kërkon Reali është pak i lartë për klubin argjentinas.
Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, thotë se ata janë në formë të mirë në prag të fillimit të sezonit të ri.
Arsenali do ta fillojë sezonin 2011/12 këtë vikend në udhëtim te Newcastle United, dhe mbrojtësi holandez është i kënaqur me formën të cilën e kanë arritur Topçinjtë gjatë para-sezonit.
“Ne kemi punuar fuqishëm dhe mendoj se jemi të gatshëm për këtë pasi forma e ekipit është e mirë dhe ne ndjehemi mirë. Ne kemi pasur një para-sezon të mirë gjatë disa javëve të kaluara. Në para-sezon, gjëja më e rëndësishme është të stërviteni fuqishëm për të rikthyer formën fizike”.
“Ne kemi punuar vërtet fuqishëm në Gjermani, siç bëmë edhe në Austri, andaj kjo ishte një javë e vështirë për ne të rikthejmë formën. Mendoj se kjo javë ishte vërtet e rëndësishme dhe ne ishim shumë të kënaqur me atë”, ka thënë Vermaelen për revistën zyrtare të Arsenalit.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, ka shprehur interesim për sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi.
De Laurentiis e ka ngritur klubin nga Serie C deri në nivel të Ligës së Kampionëve, dhe tash është duke kërkuar të ndërtojë një ekip që do të fitojë trofe.
“Edhe pse Walter Mazzarri kërkon një ekip të vogël, unë i kam telefonuar Rossit dhe Villarrealit. Ne duhej të njoftohemi përmes telefonit. Ai është lindur në Amerikë dhe nuk e di mirë Napolin, andaj ia shpjegova atij çfarë do të thotë të luash për Napolin. Ai nuk tha jo”.
“Kjo ishte një muaj më parë dhe ai nuk më ka telefonuar më, por do ta telefonoj atë tash. po ashtu i kam propozuar një transferim në janar. Rossi është një djalosh i mirë dhe ka thënë se është i nderuar nga ky interesim. Jam i gatshëm të angazhohem sërish për këtë lojtar”, ka thënë De Laurentiis.
Juventusi nuk po arrin të gjejë blerës për sulmuesin Amauri.
“Është normale për një lojtar si Amauri të joshë shumë klube. Ne kemi biseduar me disa ekipe, por nuk ka negociata të vërteta të cilat po zhvillohen”.
“Siç qëndrojnë gjërat për momentin, është më me gjasa që Amauri të mbetet te Juventusi. Ne jemi në një fazë të thashethemeve për momentin. Nëse diçka ndodh atëherë kjo do të jetë në dy javët e fundit të gushtit”, ka thënë Giampiero Pocetta.
Sulmuesi i Schalke, Klaas-Jan Huntelaar, thotë se një ditë ai dëshiron të luajë për Manchester United.
Duke folur për Spox, Huntelaar ka rikujtuar deklaratat të cilit i kishte bërë vite më parë kur kishte folur admirimin e tij për United dhe ka thënë se kurdo është i gatshëm për një transferim në Old Trafford.
“Kurrë nuk kam dëgjuar asgjë nga United. Ka qenë vetëm çështje e shtypit. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ju kurrë nuk mund të thoni kurrë, por gjithmonë ka qenë e qartë për mua se do të luaj për Schalke këtë sezon”, ka thënë Huntelaar.
Drejtoresha e Milanit, Barbara Berlusconi, nuk mund të përjashtojë shitjen e të dashurit të saj, Alexandre Pato.
Barbara është duke dalë me sulmuesin e Milanit, i cili është cak i klubit londinez Chelsea, por kjo lidhje nuk do ta pengonte largimin e lojtarit nëse kjo është në të mirë të të dyja palëve.
“Gjithkush është i transferueshëm dhe Pato nuk është më ndryshe. Kjo është një çështje delikate e cila nuk më shqetëson mua. Më parë nuk do të flisja për këtë. Ne thjesht po kënaqemi me veten dhe po i marrim gjërat sot për sot”, ka thënë Barbara.
Robbie Keane ka zbuluar se ai pret të largohet nga Tottenhami këtë verë.
Duke refuzuar të japë detaje më të veçanta, 31-vjeçari ka thënë se largimi i tij ende është i mundshëm.
“Është shumë e mundshme që unë të largohem por nuk mund të përgjigjem ku, për momentin. Ka shumë spekulime por ende ka edhe disa javë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”.
“Nuk kam refuzuar asgjë. Mendoj se disa njerëz po bisedojnë me klubet, por kaq mund të them për momentin. Jam i sigurt se në disa javët e ardhshme gjithçka do të zgjidhet. Është shumë pak e mundshme që diçka të ndodhë para vikendit”, ka thënë Keane.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o është shumë pranë transferimit te milionerët rusë të Anzhi Makhachkala, pasi agjenti i kamerunasit ka konfirmuar se palët janë pranë arritjes së marrëveshjes.
“Ne pothuajse e kemi arritur marrëveshjen me Anzhin. Tani shpresojmë që klubet të arrijnë marrëveshjen”, theksoi agjenti i Eto’os, Vigorelli.
Dhe, nga ana tjetër u shpreh Massimo Moratti i cili e cilësoi marrëveshjen si të mençur duke thënë: “Oferta nuk është e mirë, por nuk është puna ime ta vlerësoj atë. Në fakt, ajo është inteligjente, interesante dhe e drejtë. Tani varet nga ne që ta vlerësojmë Eto’on”.
Nga ana tjetër, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka thënë se gjatë një bisede me homologun e tij te Interi, Massimo Moratti, ishte ky i fundit ai që i kishte thënë në mënyrë sekrete se ka blerë një lojtar të ri, emrin e të cilit De Laurentiis e di, por të cilin nuk deshi ta zbulonte për Sky Sport Italia.
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew ka zbuluar se Mario Goetze ka gjasa të mëdha që të luajë ndaj Brazilit në miqësoren që zhvillohet nesër.
“Unë kam shtatë pozicione ku e di kush do të luajë, por po mendoj edhe për katër. Do të bëj ndryshime dhe Goetze mund të luajë”.
“Ai është i jashtëzakonshëm, ka vizion të mirë për lojë dhe mund të bëjë pasime vdekjeprurëse”, tha Loew.
Tomas Rosicky është duke shpresuar se yjet Cesc Fabregas dhe Samir Nasri mund të qëndrojnë me klubin këtë sezon.
Të dy lojtarët janë lidhur shumë me një largim nga Emirates, por mesfushori çek shpreson që ata të qëndrojnë.
“Nuk po e mendoj largimin tim. Arsenali është klub i madh me ambicie. Unë nuk dua që Fabregas apo dikush tjetër të largohet. Edhe nëse kjo ndodh, Wenger gjithmonë gjen zgjidhjen e problemit”, theksoi Rosicky.
Sulmuesi i Chelseat, Daniel Sturridge ka thënë se ai dëshiron të bëhet sikur idoli dhe bashkëlojtari i tij, Didier Drogba.
“Këta lojtarë njihen në mbarë botën. Të shohësh se si janë pritur në vendet aziatike, se sa fansa kanë, është vërtet fantastike. Shpresoj që pas dhjetë vitesh të jem edhe unë sikur ata”.
“Unë vazhdimisht mësoj nga Fernando Torres, Drogba dhe Anelka, por më shumë dua të bëhem sikur Drogba”, tha Sturridge.
Veterani i Liverpoolit, Jamie Carragher ua ka tërhequr vërjtjen kritikëve që të presin më shumë në të ardhmen nga Steven Gerrard, pasi ai të kompletojë riaftësimin.
“Ka për të ardhur edhe shumë në të ardhmen nga Gerrard. Ai është një prej më të mirëve, nëse jo më i miri në Ligën Premier”.
“Kur Steven Gerrard të kthehet është sikur të transferojmë një lojtar të madh. Ai ka edhe katër-pesë vjet të mira para tij”, potencoi Carragher.
Iker Casillas beson se Spanja është favorite për ta fituar Kampionatin Evropian, Euro 2012, përderisa kampionët e botës mezi presin të vazhdojnë dominimin e tyre në skenën e futbollit.
Duke folur për EFE para ndeshjes miqësore ndaj Italisë në Bari, 30 vjeçari tha: “Spanja është favorite për Euro 2012, gjithnjë sipas mendimit tim. Natyrisht, ne duhet të kemi kujdes si gjithmonë”.
“Ne mund të fitojmë një trofe tjetër nëse e trajtojmë kampionatin mirë dhe e respektojmë atë. Është ende rrugë e gjatë drejt realizimit”, përfundoi ai.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi besohet të ketë shpërthyer në raport me trajnerin e tij Pep Guardiola, të cilit i ka kërkuar në stërvitjen e djeshme që ta përfshijë në skuadrën që udhëton drejt Madridit për të zhvilluar superkupën ndaj Real Madridit.
Messi i ka thënë Guardiolas që ta përfshijë patjetër në ekip për sfidën ndaj Realit, përkundër pushimit të obliguar nga klubi pas angazhimeve me Argjentinën në Copa America.
Lionel Messi besohet po ashtu se i ka kërkuar Guardiolas që ta fusë në lojë edhe Alexis Sanchez edhe pse ai zhvilloi vetëm një stërvitje me ekipin.
















