Arsenali është duke përgatitur arkat për të pritur në llogaritë bankare hiç më pak se 60 milionë funte nga shitjet e Cesc Fabregas dhe Samir Nasrit.
Kjo do të thotë se Arsene Wenger është pajtuar për t’i shitur yjet dhe siç po vjen ‘era’, francezi është duke planifikuar disa blerje të rëndësishme për klubin javën e ardhshme.
Mund të konfirmojmë se Samir Nasri është disa orë larg zyrtarizimit si lojtar i Cityt dhe do të largohet para Fabregasit, për të cilin destinacioni i radhës do të jetë vendlindja Barcelona.
Sipas agjentit të FIFA-s, Giorgio de Giorgis, Mario Balotelli është ‘Mister X’-i i vërtetë i Milanit, përpos një përforcimi të domosdoshëm në mesfushë.
Është folur shumë për ‘Mister X’-in e Milanit, ndërsa besohet se ai është mesfushor. Kështu nuk mendon një prej agjentëve të FIFA-s që merret me transferimet e lojtarëve, Georgio de Giorgis, i cili thotë se Mario Balotelli do të jetë transferi i radhës i madh për kuq e zinjtë.
“Për mesfushë, do të jetë ose Aquilani ose Montolivo, kurse mendoj se objektivi i vërtetë është Mario Balotelli”, theksoi De Giorgis.
Diego Milito është shumë pranë largimit të tij nga Interi, me Galatasarayn dhe Rubin Kazanin tepër të interesuar për argjentinasin.
La Gazzetta dello Sport shkruan se sulmuesi nuk ka të ardhme te Interi dhe me Nerazzurët në telashe të mëdha financiare, janë rusët e Rubin Kazan ata që po e monitorojnë situatën për së afërmi.
Shuma e transferimit të Militos te klubet e lartpërmendura mund të shkojë deri në 10-15 milionë euro.
Chelsea është interesuar për transferimin e Goran Pandev nga Interi, rarportojnë mediat italiane.
Asi maqedonas besohet se është edhe cak i një oferte prej 15 milionë eurosh nga Napoli, gjithnjë sipas La Gazzetta dello Sport.
Por gjatë ditës së djeshme zyret e Interit janë kontaktuar nga zyrtarë të Chelseat të cilët kanë kërkuar nga Interi çmimin për sulmuesin.
Portieri i Interit, një prej më të mirëve në botë viteve të fundit, Julio Cesar ka deklaruar se klubi zi-kaltër nuk duhet të shesë yjet Wesley Sneijder dhe Samuel Eto’o, përkundër problemeve financiare.
“Unë shpresoj se Sneijder dhe Eto’o të mbesin në klub. Ata janë duke e bërë diferencën çdo herë për ne. Nëse klubi dëshiron të fitojë përsëri, atëherë nuk duhet t’i shesë këta dy”, theksoi Cesar.
‘Julione’ shtoi se Gasperini është trajner i madh dhe se Jose Mourinho ia ka sugjeruar klubit punësimin e tij si trajner Nerazzur.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti e ka këshilluar homologun e tij te Juventusi, Andrea Agnelli që të shkojë në pushime dhe të relaksohet para një sezoni ku përsëri Interi do të jetë në krye, në vend se të brengoset tani për titullin e vitit 2006.
Agnelli zbuloi të mërkurën se Juventusi pritet që ta dërgojë rastin e Scudettos 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare për Arbitrim Sportiv (CAS), në tentim për ta kthyer atë titull në vitrinat e Bianconerëve. Muaj më parë FIGC konstatoi se Interit nuk mund t’i mirret titulli, për shkak se nuk kishte bazë ligjore.
“Nuk kam asgjë për të thënë më për Scudetton e vitit 2006. Agnelli? Ai duhet të shkojë në pushime dhe të relaksohet pak”, u shpreh Moratti për Il Corriere dello Sport.
Milani sipas trajnerit Massimiliano Allegri sezonin që vjen do ta fitojë Scudetton pa ndonjë problem dhe do të jetë ndër pretendentët kryesorë për Ligën e Kampionëve, përkundër parashikimit të kritikëve se Milani do të ketë probleme në këtë garë.
“Ne kemi filluar një cikël. Interi është ende rivali më i rrezikshëm në Itali, por ne jemi favoritët për titull”.
“Unë kurrë nuk e kam parë Ibrën aq të qetë dhe të relaksuar, këtë sezon ai do t’i menaxhojë gjërat ndryshe pas problemve disiplinore sezonin e kaluar”, potencoi Allegri.
Anësori i Manchester United, Nani ka thënë se ai është i kënaqur me formën e tij dhe se po punon për t’u bërë një prej më të mirëve.
“Ishte ndjenjë unike. Ne kemi qenë duke humbur 2-0 dhe më pas në pjesën e dytë shënova dy gola, të cilët do të mbesin në kujtesën time. Unë po punoj për Nanin, që të bëhet më i miri ndonjëherë”.
“Jam i lëkundur nga interesimi i disa ekipeve për mua, por jam i kënaqur këtu ku jam”, tha Nani.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry ka thënë se inspirimin ai kryesisht e gjen te Manchester United dhe dëshira e Djajve për të fituar.
“Menaxheri i ri është i mrekullueshëm. Ne kemi pasur turne të mrekullueshme në Azi dhe të gjitha ndeshjet i fituam. Kur Andres Vilas Boas u emërua trajner, ai e shprehu rëndësinë e të fituarit”.
“Ne kemi fituar vetëm një ndeshje parasezonale vitin e kaluar. Kam frikë nga shumë ekipe këtë sezon. Të gjithë janë forcuar. Manchester City dhe Manchester United kanë blerë disa lojarë të mirë. Liverpooli po ashtu. Ne mund ta zëmë Unitedin. Ata janë në krye që njëzet vjet. Ne të gjithë po e shohim se çfarë uri për të fituar dhe çfarë dëshirë për tituj ata kanë”, ka thënë Terry.
Sulmuesi i Brazilit, Neymar ka thënë se ai do të bëhet një ditë lojtari më i mirë në botë dhe do të luajë më mirë se argjentinasi fantastik, Lionel Messi.
“Unë mund të bëhem po aq i madh sa ai, ose edhe më i mirë se ai. Unë jam i sigurtë për këtë”, theksoi Neymar për Marca.
Ylli i Santosit i cili kryesisht është i motivuar për paraqitjet e tij mediale nga Pele, njeri që urren Lionel Messin dhe Diego Maradonën, është pranë kalimit te Real Madridi, duke parë dhe këtë prononcim ku hapur shpreh urrejtjen ndaj ‘el Messiah’-s dhe Blaugranëve.
Liga Premier ka konfiruar se nëntë ndeshje do të zhvillohen gjatë kësaj fundjave, në hapje të sezonit të ri në kampionatin më atraktiv në botë, pas protestave të mëdha në Londër.
Ndeshja e vetme e anuluar është Tottenham-Everton për shkak të kërcënimit të sigurisë në White Hart Lane.
Ishte menduar se java e parë do të anulohet, por Liga Premier tani ka konfirmuar të kundërtën pasi shumica e ndeshjeve të zhvillohen ashtu siç është paraparë.
(Klikoni LEXO MË SHUMË për ta shikuar tabelën)
Kampioni i botës për klube, Interi është ndër gjigantët që do të preket më së shumti nga rregulla e Fair Playt Financiar (FPF), pasi klubi regjistroi humbje prej hiç më pak se 223 milionë eurosh.
Blerjet e pa kontrolluara nga Massimo Moratti në dhjetëvjeçarin e fundit kanë bërë që klubi zi-kaltër të regjistrojë humbje të jashtëzakonshme, pasojat që do të vërehen në vitet në vijim pasi nuk është rastësi pse Sneijder dhe Eto’o mund të shiten në ditët në vazhdim.
Më mirë nuk janë as Manchester United, Chelsea, Barcelona dhe Milani, por kapaku është Manchester City që do të ketë probleme pasi është në një minus prej 250 milionë eurosh.
Bilancin më pozitiv e ka Arsenali me 112 milionë euro përfitime të pastra, duke u përcjellur nga Real Madridi me 45.5 milionë dhe Tottenhami, Werder Bremeni dhe Napoli.
Asociacioni i lojtarëve spanjollë (AFE) ka bërë të ditur se lojtarët që luajnë në Primera dhe Segunda Divizion, do të jenë në protestë për dy javët e para të sezonit të ri.
Lojtarët duan garanci se do të paguhen dhe për këtë kërkojnë që të arrihet një marrëveshje mes zyrtarëve të La Ligas dhe AFE-së, që kontratat të respektohen dhe lojtarët të paguhen pa marrë parasysh për çfarë klub janë duke luajtur.
Shumë klube kanë pasur probleme financiare dhe nuk kanë paguar lojtarët, gjë që u reflektua në përjashtimin e Mallorcas nga Europa League dhe në grevën e Royston Drenthes te Herculesi, ku nuk u pagua për gjashtë muajt e parë sa ishte i huazuar.
Liverpooli ka arritur marrëveshje me Newcastle United për transferimin e mbrojtësit Jose Enrique, për një shumë prej 6 milionë funtesh.
Është klubi nga Anfield që në faqen zyrtare bëri të ditur arritjen e marrëveshjes dhe fillimin e bisedimeve për detajet kontraktuale, të cilat praktikisht janë vetëm formalitete të pa rëndësishme.
“Klubit i është dhënë leje që të bisedojë detajet kontraktuale me lojtarin, i cili do të udhëtojë në Liverpool dhe do t’i nënshtrohet testit mjekësor”, shkruan në komunikatën në faqen zyrtare të klubit.
Hamdi Salihi thotë se goli i mbrëmshëm në fitoren 3-2 të Shqipërisë në miqësoren ndaj Malit të Zi ishte goli i tij i ëndrrave.
Salihi shënoi një gol spektakolar i cili për më tepër ishte edhe goli i fitores që rrit shpresat e kuqezinjve në prag të takimit të dy shtatorit përballë Francës. Sulmuesi i Rapidit të Vjenës është shprehur i ngazëllyer që një gol kaq i bukur vjen pikërisht para tifozëve të qytetit të tij të lindjes, Shkodrës.
“Ka qenë gjithçka perfekte. E kisha ëndërruar këtë mbrëmje. S’ka ku shkon më bukur si për ekipin ashtu edhe në aspektin individual”.
“Ka qenë një gol me shumë vlera dhe më vjen mirë që e shënova në qytetin tim, në Shkodrën time, që më ka mbështetur gjithmonë. Meqë ishte edhe goli i fitores, ai merr vlera edhe më të mëdha”, ka thënë Salihi, siç përcjell Sporti Shqiptar.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, dëshiron të rikthejë mentalitet e fituesit te Biankonerët.
Juve edhe një herë po i nënshtrohet transformimit gjatë kësaj vere pas edhe një sezoni zhgënjyes.
“Ne duhet të besojmë se mund të fitojmë, ne thjesht nuk mund të jemi të lumtur me arritjen e objektivave minimale”.
“Thënë kështu, duhet të jemi realistë dhe të kujtojmë se ne po ndërtojmë, tullë pas tulle, një shtëpi që mund të zgjatë në kohë. Ne jemi në themel andaj ca durim është më se i nevojshëm”, ka thënë Conte për Corriere dello Sport.
Përzgjedhësi i kombëtare shqiptare, Josip Kuzhe, është shprehur i kënaqur me fitoren e Shqipërisë në miqësoren ndaj Malit të Zi.
Shqipëria kaloi në avantazh në ndeshjen e mbrëmshme, por përsoi dy gola për të humbur atë në fillim të pjesës së dytë,. Megjithatë dy gola të jashtëzakonshëm njëri nga Jahmir Hyka dhe tjetri nga Hamdi Salihi i sollën fitoren kombëtares kuqezi.
“Ka qenë një ndeshje me dy tablo, që ka pasur shumë oscilacione brenda vetes. Në fillim kemi luajtur mirë, kemi kaluar në avantazh, por më pas sikur u hutuam, lëshuam terren dhe e humbëm ritmin”, ka thënë Kuzhe, përcjell Sporti Shqiptar.
“Për pasojë, ishte kundërshtari, që e zhvendosi lojën në gjysmëfushën tonë, ushtroi presion deri në thellësi, për pasojë shënoi edhe dy gola. Edhe pas pësimit të golit të dytë nuk luajtëm shumë mirë, megjithatë skuadra pak nga pak reagoi dhe arriti të përmbysë gjithçka”.
“Ka qenë një miqësore pozitive, e cila na ka vlejtur, sepse duhet të bëhemi gati për ndeshjen me Francën, që është shumë më e rëndësishme se kjo. Aktivizimi i lojtarëve në pjesën e dytë ishte efikas, sepse ata dhuruan veprime të bukura në fushën e lojës dhe janë një garanci për të ardhmen e kombëtares”, ka shtuar strategu kroat.
Shqipëria më dy shtator pret Francën në kuadër të eliminatorëve për Euro 2012.
Mesfushori i Arsenalit, Andrey Arshavin, thotë se Topçinjtë duhet të fitojnë një trofe këtë sezon – cilindo trofe qoftë.
Arshavin pranon se Arsenali do të ketë një detyrë të vështirë në prag të sezonit të ri, pasi kampionati duket më konkurrues.
“Sezoni do të jetë i vështirë. Mendoj se janë gjashtë ekipe të cilat do të luftojnë për kreun. Gjëja kryesore, megjithatë, është të fitojmë ndonjë trofe me Arsenalin”, ka thënë Arshavin.
Sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, ishte krenar që mbajti shiritin e kapitenit në Bari, në ndeshjen në të cilën Italia mposhti kampionin e Evropës dhe Botës, Spanjën, me rezultat 2-1.
Cassano mori shiritin nga portieri i Juventusit, Gigi Buffon, i cili ia lejoi atij të jetë kapiten para bashkëqytetarëve të tij.
“Dua ta falënderoj Gigin, trajnerin dhe bashkëlojtarët për gjestin e mrekullueshëm. Vërtet nuk e kam pritur të mbaj shiritin e kapitenit. Shkova të nxehem dhe kur erdha në dhomën e zhveshjeve e pashë shiritin e kapitenit në ulësen time. Mendova se ishte gabim, por duket sikur ata kishin biseduar më herët për të ma dhënë këtë dhuratë të mrekullueshme”.
“Përveç të qenit kapiten dhe lojtar i shkëlqyeshëm, Gigi është njeri i shkëlqyeshëm. Ne qëndrojmë afër njëri-tjetrit nga fillimi deri në fund të detyrave me kombëtaren, andaj ai duhet të ketë durimin e një shenjtori”, ka thënë Cassano.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka shënuar një gol jubilar në ndeshjen e mbrëmshme.
Drogba shënoi golin e 50-të ndërkombëtar, kur ai fitoi dhe realizoi një penalti gjatë fitores 4-3 të Bregut të Fildishtë ndaj Izraelit në Gjenevë.
Sulmuesi luajti ndeshjen e tij të 78-të për vendin, derisa ekipi i tij kaloi në epërsi 3-0, para se Izraeli ta ngushtojë atë në 3-2. Drogba riktheu epërsinë prej dy golash për Bregun para se një gol i vonshëm të ngushtojë sërish rezultatin.
Rafa Nadal nuk ka treguar lojën e tij më të mirë pas rikthimit nga pushimi pesë-javor, pasi spanjolli u mposht 2-1 në sete (1-6, 7-6, 7-6) nga kroati Ivan Dodig në ndeshjen e parë në Montreal Masters.
I rikthyer për të parën herë në fushë pas disfatës nga Novak Djokovic në finalen e Wimbledonit më 3 korrik, Nadal dukej i etur për fitore pasi filloi me fitore bindëse sfidën, duke avancuar 6-1 në setin e parë.
Megjithatë, kroati i 41-të në botë nuk u dorëzua lehtë, duke fituar në dy setet e radhës, edhe pse me vështirësi.
Kjo ishte disfata e parë e Nadal në ndeshjen e parë të një turneu që nga Roma 2008.
Real Madrid ka prishur planet e Atletico Madrid për të nënshkruar me sulmuesin e Portos, Radamel Falcao.
Atletico dëshiron ta sjellë Falcao-n si zëvendësim për të larguarin drejt Manchester Cityt, Sergio Aguero.
Megjithatë mediat spanjolle shkruajnë se Reali tashmë ka një para-marrëveshje me Porton për Falcao. Kolumbiani ka arritur kushtet personale me Realin në mes të korrikut dhe pyetja mbetet nëse ai do të transferohet në Madrid këtë verë ose në janar.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, raportohet se e vlerëson lartë sulmuesin, dhe është i lumtur me këtë marrëveshje.
Ylli i Brazilit, Neymar ka deklaruar se ekipi i tij ende duhet të përmirësohet, pasi ata u mposhtën 3-2 nga Gjermania në miqësoren e zhvilluar në Stuttgart.
Sulmuesi i Santos ishte startues në ndeshje dhe, përveç një goli të shënuar në çastet e fundit të ndeshjes, zhgënjeu me paraqitjen e tij.
“Ky nuk është rezultati që ne dëshiruam, por ne kemi nevojë t’i mbajmë kokat lart dhe të vazhdojmë punën. Ne kemi nevojë për më shumë kohë për t’i bëjë gjërat të ecin si duhet”, ka thënë lojtari pas ndeshjes.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli, është i kënaqur me fitoren 2-1 ndaj Spanjës, por ka porositur lojtarët e tij të vazhdojnë të punojnë fuqishëm.
Riccardo Montolivo i dha Italisë avantazhin e hershëm, para se Xabi Alonso të barazojë rezultatin me anë të një penaltie, pasi Giorgio Chiellini u gjykua të kishte fauluar Fernando Llorente në zonën e rreptësisë.
Megjithatë, Italia vazhdoi angazhimin dhe arriti të nxjerrë fitoren me anë të një goditje të Alberto Aquilanit e cila u devijua për të përfunduar në rrjetën e spanjollëve.
“Ne duhet ta marrim këtë fitore në mënyrën e duhur. Ne bëmë një ndeshje të shkëlqyeshme, por kishte momente kur ne kishim nevojë të bëjmë më shumë. Kjo do të thotë se ne duhet të punojmë më shumë”.
“Ne kishim personalitet dhe kurajë. Është një rezultat shumë i mirë për ne që tregon se puna shpaguhet”, ka thënë Prandelli për Rai Uno.
Legjenda e Interit, Luis Suarez, thotë se kapiteni i Manchester Cityt nuk do të mund të zëvendësojë Samuel Eto'on.
Tevez është përmendur se mund të transferohet te Interi nëse Nerazzurët vendosin ta shesin Eto’on te ekipi rus Anzhi. Por Suarez mendon se ky do të ishte një hap i gabueshëm.
“Nëse Eto’o largohet, Interi humb një lojtar të shkëlqyeshëm, të pazëvendësueshëm. Ai është vështirë të zëvendësohet, ju nuk mund të gjeni ndonjë të nivelit të tij”.
“Tevez është lojtar i mirë, por ai nuk ka më shumë tipare se Samuel dhe Inter, me largimin e kamerunasit do të humbë një shënues të shkëlqyeshëm. Argjentinasi nuk garanton numër të njëjtë të golave si Eto’o dhe nuk do ta kompensojë këtë transferim të mundshëm”, ka thënë Suarez.
Trajneri i Francës, Laurent Blanc, është relativisht i kënaqur me ekipin e tij pas barazimit të mbrëmshëm me rezultat 1-1 ndaj Kilit në miqësoren e zhvilluar në Montpellier.
Loic Remy çoi francezët në avantazh, por një vendim kontrovers i arbitrit anësor, anuloi një gol të Kevin Gameiro që do të dyfishonte epërsinë e ekipit vendas. Pas kësaj, kilianët shënuan golin e barazimit përmes Nicolas Cordova.
“Nuk e prisja ekipin e tyre të zakonshëm, fizik. Ata kanë pushuar vetëm disa ditë pas Copa America. Por e dija se ne kishim një rival të vështirë”.
“Ata kanë lojtarë të shkëlqyeshëm dhe ne të gjithë ishim dëshmitar të një ndeshje argëtuese. Kishte mundësi shënimi dhe dy gola. Gjithmonë mund t’ia dilni më mirë, por jam i kënaqur me përpjekjet e lojtarëve të mi”, ka thënë Blanc.
Ndeshjen e radhës Franca do ta zhvillojë në Shqipëri përballë kuqezinjve më dy shtator, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për kampionatin evropian Euro 2012.
Trajneri i Brazilit, Mano Menezes, ka deklaruar se disfata 3-2 ndaj Gjermanisë erdhi për shkak se evropianët janë në formë më të mirë.
Gjiganti jugo-amerikan u detyrua të luajë në mbrojtje për pjesën më të madhe të pjesës së dytë, derisa golat nga Robinho dhe Neymar ishin të pamjaftueshme t’i sigurojnë ekipit ndonjë rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë.
“Gjermania fitoi sepse ata janë në formë më të mirë. E kam thënë që nga Kupa Botërore në Afrikën e Jugut se Gjermania është në mesin e ekipeve që luajnë futbollin më të mirë këtu. Kjo e ka bërë të mundshme që ata të vazhdojnë punën e tyre, me të njëjtën bazë”.
“Ata janë një ekip, i cili shërben si parametër, kjo është se pse ne luajmë miqësoret me këtë nivel të vështirësisë. Ne e ekuilibruam ndeshjen në disa momente, por ne nuk bëmë mjaftueshëm për ta merituar fitoren”, ka thënë Menezes.
Cesc Fabregas shumë shpejt pritet që të kalojë edhe zyrtarisht te Barcelona, gjithnjë sipas mediave angleze.
Zëvëndëspresidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka qëndruar në Londër gjatë ditës së sotme dhe do të qëndrojë edhe gjatë të enjtës për të arritur një marrëveshje me klubin londinez.
Nga ana tjetër besohet se agjenti i Cesc Fabregas është duke përmbyllur detajet kontraktuale të mesfushorit të ardhshëm të Barcelonës, ndërsa kompletimi definitiv i sagës më të gjatë transferuese ndoshta në historinë e futbollit pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme (e enjte).
















