Transferi i ri i Barcelonës, Cesc Fabregas është prezantuar para 30 mijë tifozëve Blaugranë në Camp Nou, duke thënë se ëndrra e tij është realizuar me kthimin në shtëpi pas tetë vitesh. Edhe Arsenali edhe Barcelona konfirmuan transferin gjatë takimit Real Madrid-Barcelona dhe me kalimin tashmë të kompletuar, Fabregas u prezanta para tifozëve të Barcës.
“Unë e kam pritur me vite të tëra këtë moment. Është ditë shume veçantë për mua. Unë vij në shtëpi pas tetë vitesh dhe kjo është sfida më e madhe në jetën time, por unë e di se si t’i ndihmoj ekipit”, theksoi Fabregas. “Pendohem shumë që nuk kam arritur të ngris asnjë titull si kapiten i Arsenalit. Unë do t’i shikoj ata çdo fundjavë, unë gjithmonë do të jem tifoz i Arsenalit. Unë kam biseduar me Wengerin të premtën dhe ishte aq e vështirë. Në një pikë as që kam mundur të flas, sepse isha aq i zhgënjyer. Ishte aq e vështirë të them lamtumirë. Ai ka bërë më shumë për mua se askush tjetër, ai është njeriu më i mirë që kam takuar në futboll”, përfundoi ai. Cesc Fabregas ishte lënë jashtë ndeshjes ndaj Newcastle për shkak të lëndimit në kofshë, por ka gjasa që ai të jetë i gatshëm dhe të bëjë një debutim sensacional të mërkurën në SuperClasicon ndaj Real Madridit në Camp Nou.
Kampioni i Kosovës, Hysi ka gjasa të mëdha gjatë gushtit të zhvillojë një ndeshje miqësore me gjigantin italian dhe kampionin e botës për klube, Interin.
Sipas burimeve të gazetës Express, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ata të klubit kampion janë duke u përpjekur maksimalisht që të aranzhojnë një miqësore ndaj ekipit më të madh italian në dekadën e fundit e që do të zhvillohej në Zvicër.

Zyrtarët e FFK-së janë të bindur se marrëveshja me drejtuesit Nerazzur mund të arrihet, por definitivisht gjithçka do të dihet në ditët në vijim, pasi edhe në të kaluarën kemi pasur raste kur përfaqësuesja e Kosovës nuk arriti ashtu si disa klube tjera të vendit të zhvillojnë miqësoret ndaj Dinamo Zagrebit, Bursasporit dhe kombëtars braziliane.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai meritoi penalti në barazimin e mbrëmshëm ndaj Barcelonës në Superkupën e Spanjës.
“Ishte penalti. Valdes preki këmbën time dhe ishte penalti e pastër. Gjyqtari nuk e pa atë, andaj duhet të pajtohemi me këtë. Ju duhet ta respektoni vendimin e gjyqtarit”, ka thënë ish-lojtari i Manchester United.

“Ishte një ndeshje e mirë për ne. Ne kishim më shumë shanse se ata, më shumë posedim, më shumë kontroll dhe merituam të fitojmë. Megjithatë, ndeshja ishte më shumë se kaq. Ne nuk mundëm të fitojmë, po ashtu ishim në disavantazh dhe në fund barazuam”.

“Do të duhet të luftojmë shumë në ndeshjen e kthimit për ta fituar Superkupën, që është titulli i parë i sezonit dhe një që ne duam ta fitojmë”, ka thënë Ronaldo.
Cesc Fabregas ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare te Barcelona duke u dhënë fund qëndrimit të tij tetëvjeçar te Arsenali.
Të dyja klubet të dielën zbuluan se është arritur një marrëveshje dhe se Fabregas të hënën (sot) do t’i kompletojë testet mjekësore.

Mediat sportive raportojnë se Barca do të paguajë 35 milionë euro për lojtarin, dhe pesë milionë në varësi të paraqitjeve të tij dhe sukseseve të klubit.

“Cesc ka nënshkruar kontratë e cila e lidh atë me Barcelonën deri në vitin 2016. Klauzola blerëse e tij është 200 milionë euro”, shkruhet në deklaratën e klubit spanjoll.

Fabregas sot gjatë ditës ka arritur në Camp Nou ku është pritur nga rreth 30 mijë fansa të Barcelonës.
Mesfushori i Liverpoolit, Charlie Adam, thotë se ata mund të përmirësohen, pas barazimit 1-1 ndaj Sunderlandit.
Redsat tash do të tentojnë të kërkojnë fitoren e parë të sezonit të ri në Emirates Stadium përballë Arsenalit gjatë javës së ardhshme.

Adam pranon se do të jetë vështirë për Liverpoolin për të siguruar pikë të plota në Emirates, por thotë se ekipi do të tentojë të nxjerrë rezultat sa më të mirë.

“Arsenali është një ndeshje e madhe, por çdo ndeshje është e madhe në këtë klub. Nuk është me rëndësi kush do të luajë, do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne mezi presim këtë. Ne do të kemi një javë të mirë në stërvitje sërish dhe do të përgatitemi në mënyrën e duhur për Arsenalin”, ka thënë Adam.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, thotë se ata mund të jenë të kënaqur me barazimin 2-2 kundër Barcelonës në Superkupën e Spanjës.
Reali tash do të udhëtojë në fushë të Barcelonës të mërkurën duke kërkuar fitoren dhe trofeun e parë të sezonit.

“Rezultati as nuk është më i miri as më i keqi në botë. Ka një ndjenjë të mirë brenda ekipit në dhomën e veshjeve dhe ne mund të shkojmë në Nou Camp me vetëbesim”.

“Nuk është trofeu më i rëndësishëm, por është e rëndësishme që ne të luajmë mirë. Ne dhamë gjithçka në këtë ndeshje. Barazimi nuk është rezultati më i keq”, ka thënë Alonso.
Roma raportohet se është e interesuar të transferojë mesfushorin e Real Madridit, Lassana Diarra.
Klubi nga kryeqyteti italian është i gatshëm të futet në garë për francezin që kërkon të largohet nga Bernabeu, pasi një ofertë nga Tottenhami u vlerësua si e pamjaftueshme nga Real Madridi.

Trajneri i Romës, Luis Enrique, është i etur të shtojë përvojë në mesfushë para mbylljes së afatit kalimtar të verës në fund të këtij muaji.

Diarra do të mund të arrinte si zëvendësim për Daniele de Rossi, i cili vazhdon të refuzojë nënshkrimin e një marrëveshje të ri.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka thënë se katalanasit nuk do të paguanin 40 milionë euro për shërbimet e mesfushorit Cesc Fabregas.
Të dy klubet zbuluan se kishin arritur marrëveshje për transferimin e 24-vjeçarit dhe Rossell tash thotë se marrëveshja është arritur për 29 milion euro.

“Ne paguam 29 milionë për Fabregas, jo 40. Ne thamë se nuk do të paguajmë më shumë se 30 milionë, andaj kemi çdo arsye të gëzohemi. Për më tepër, shuma shtesë përbëhet nga 5 milionë euro dhe 5 milionë të tjera. Do ta shpjegoj më mirë këtë të hënën (sot)”, citohet të ketë thënë Rosell për Sport.

Fabregas sot do t’u nënshtrohet testeve mjekësore dhe më pas do të nënshkruajë kontratën.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, mendon se ekipi i tij ka nevojë edhe për dy nënshkrime të reja para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Gjatë barazimit të së shtunës ndaj Sunderlandit, Dalglish u dha rastin e debutimit përforcimeve të reja si Jose Enrique, Charlie Adam dhe Jordan Henderson.

Por Daily Mail shkruan se Liverpooli, që së fundi ka përcjellë anësorin e Celtic, Paddy McCourt, ende dëshiron të sjellë në radhët e veta edhe një sulmues dhe një mesfushor, por ka nevojë së pari të shesë lojtarë.
Mesfushori i Barcelonës, Thiago Alcantara, ka thënë se ai nuk ka pritur të sigurojë vend në formacionin startues për ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit.
20-vjeçarit iu dha mundësua e startit për kampionin e Spanjës në takimin e mbrëmshëm në Santiago Bernabeu pasi Sergio Busquets dhe Xavi duhej të qëndronin në stol pasi nuk u rikuperuan plotësisht nga disa dëmtime të lehta.

“Nuk prita të jem startues dhe ishte një befasi të jem në gjendje të luaj pasi aty kishte lojtarë si Xavi dhe Iniesta. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Alcantara pas takimit.

Pavarësisht se Barca është në një avantazh të lehtë për ndeshjen e dytë pas barazimit 2-2 në Madrid, Thiago thotë se asgjë ende nuk është vendosur dhe sfida mbetet e hapur.
Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, beson se barazimi ndaj Newcastle United në ndeshjen e parë të sezonit në Ligën Premier ishte “një start i mirë”.
Topçinjtë kontrolluan lojën por nuk mund të gjenin rrjetën në takimin që do të mbahet mend për përplasjen në mes të mesfushorit të Newcastle, Joey Barton, dhe atij të Arsenalit, Gervinho, që bëri që ky i fundit të përjashtohet në debutimin e tij në Ligën Premier.

“Mendoj se ishte një fillim i rëndësishëm i sezonit me këtë lloj ndeshje. Ne ishim shumë të qëndrueshëm dhe mendoj se ishim të kujdesshëm në mbrojtje, që nga lojtarët sulmues deri te katërshja e fundit”.

“Edhe pse kishim zmbrapsje gjatë ndeshjes, ne luftuam fuqishëm deri në fund dhe duhet të mbajmë këtë lloj shpirti, nëse duam t’i fitojmë gjërat. Kështu duhet të luajmë gjithë sezonin, dhe ky ishte një start i mirë”, ka thënë Sagna.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, nuk e fsheh zhgënjimin pasi ekipi i tij barazoi 2-2 ndaj Barcelonës në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës.
Nikoqirët nga Madridi pranuan dy gola në fund të pjesës së parë pasi kishin kaluar në epërsi në fillim të ndeshjes, dhe vetëm një gol i pjesës së dytë i shënuar nga Xabi Alonso parandaloi ekipin e Jose Mourinhos nga një disfatë në Santiago Bernabeu.

“Në pjesën e parë ne luajtëm shumë mirë. Jam i kënaqur me ndeshjen, por i pakënaqur me rezultatin. Ndeshjen që bëmë në pjesën e parë është mënyra të cilën duhet të ndjekë ekipi”.

“Kjo ishte një ndeshje e mirë për të matur nivelin e Barcelonës dhe Real Madridit, por sezoni sapo ka filluar. Kjo nuk thotë shumë, por ne treguam se kemi ekip që mund të përballet me Barcelonën”, ka thënë Casillas.

Ndeshja e dytë e Superkupës në mes të dy gjigantëve spanjoll do të luhet të mërkurën në Camp Nou.
Milani ka marrë disa lajme zhgënjyese pas barazimit 2-2 në miqësoren ndaj Malmo, pasi Zlatan Ibrahimovic ka marrë një lëndim.
29-vjeçari, i cili filloi karrierën profesioniste te klubi suedez, pësoi një lëndim në gju në pjesën e parë dhe u detyrua të largohet nga fusha pas 60 minutash loje.

“Në një moment të caktuar e përdrodha gjurin, por vërtet doja të qëndroja në fushë pasi publiku ishte fantastik. Pas një ore nuk mund të ecja. Gjuri vërtet dhemb për momentin,
por mjeku më tha se nuk është shumë serioze”, ka thënë Ibra për faqen zyrtare të klubit.

Ibra mund të jetë jashtë fushe për disa ditë, por ai pritet të kthehet në fushë deri më 27 gusht, kur Milani zhvillon ndeshjen e parë të sezonit në Serie A kundër Cagliarit.
Arsenali ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Barcelonën për transferimin e Cesc fabregas në Camp Nou.
Kompletimi total i transferimit të 24 vjeçarit te Barcelona tani ka mbetur vetëm peng i një testi mjekësor, ndërsa besohet se Fabregas i ka kushtuar Barcelonës 40 milionë euro plus 5 milionë tjera në formë bonusesh.

“Ne kemi qenë të qartë se nuk kemi dashur të lejojmë largimin e tij. Sidoqoftë, ne e kuptojmë dëshirën e Cesc për t’u kthyer në vendlindje dhe tani kemi pranuar ofertën e Barcelonës. Dua të falënderoj Cesc për kontributin e tij te Arsenali, duke i dëshiruar sukses në të ardhmen”, theksoi Wenger.
Real Madridi dhe Barcelona kanë barazuar me rezultat 2-2 në SuperClasicon e vlefshme për Superkupën e Spanjës, ndeshja e parë e të cilës u zhvillua në Santiago Bernabeu.
Ndeshja filloi nën një atmosferë të zjarrtë në Bernabeu ku mbi 90 mijë madrilenë valëvisnin flamuj të bardhë. Jose Mourinho shfrytëzoi përbërjen më të fortë për këtë takim, përderisa Guardiola vendosi të lë në pankinë Piquen dhe Xavin, kurse Puyol nuk luajti për shkak të lëndimit. Alexis Sanchez, transferi i ri luajti nga minuta e parë.

Real Madridi e filloi më mirë takimin. Karim Benzema rrezikoi në minutat e para kur Victor Valdes ia mohoi golin nga vija fatale pas gjuajtjes së pa përshtatshme me kokë.

Reali vazhdon ta dominojë takimin dhe kjo u vërejt edhe pas dy goditjeve të rrezikshme në drejtim të Valdes – Barcelona në heshtje dhe Messi ende i pa vërejtur. Barcelona filloi të vuajë më në fund pas disa vitesh dominimi në futboll dhe këtë e shfrytëzoi më së miri Karim Benzema që e dërgoi në pushime verore Eric Abidal, për t’i asistuar Mesut Ozilit (12’) i cili me mjeshtri shënoi për 1-0 dhe gëzimin e madrilenëve.
Merengezët vazhdojnë të sulmojnë. Cristiano Ronaldo dhe Di Maria tentuan që me anë të goditjeve ta rrezikojnë portën Blaugrane, por çfarë vlen kjo kur Lionel Messi pas një dëpërtimi ku e ‘shkundi’ mbrojtjen e Realit arriti të shënojë lehtë nën duart e portierit Iker Casillas (45’) për 2-1 dhe epërsinë e parë e të fundit për Barcelonën në këtë takim.

Në pjesën e dytë në fushë u shfaq vetëm një skuadër – Real Madridi i Jose Mourinhos. Ky i fundit fut në lojë Coentraon dhe në aksionin e parë, Xabi Alonso në brendësi të zonës arriti të lansojë një goditje përtokë e cila ishte e pa kapshme për Victor Valdes (54’).


Rezultati ishte i barabartë, por Real Madridi nuk u ndal. Karim Benzema një herë me kokë dhe Cristiano Ronaldo në dy tentime shumë të mira nuk arritën të shënojnë për golin e fitores të Realit, duke bërë që ndeshja të përfundonte me rezultat 2-2.

Ky rezultat nuk i përshtatet Real Madridit që të mërkurën i shkon Barcelonës në Camp Nou para 100 mijë Blaugranëve në ndeshjen kthyese të Superkupës së Spanjës.


Real Madrid – Barcelona
53% posedimi 47%
14 goditje 5
9 (në portë) 3