Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka thënë ai dëshiron që Niko Kranjcar të mbetet në White Hart Lane pavarësisht të interesimit të Sunderlandit për të.
Redknapp ka lavdëruar lojtarin për të qartësuar të ardhmen e tij, duke thënë se ai do të mbetet në ekip.
“Jo, ai nuk shkon te Sunderlandi. Ne duam ta mbajmë atë. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. E dua atë. Ai do të jetë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Redknapp.
Kranjcar luajti në mesfushë në fitoren e mbrëmshme 5-0 në Europa League ndaj Hearts, duke zëvendësuar cakun e Chelseat, Luka Modric, i cili mungoi për shkak të një lëndimi.
Gian Piero Gasperini është tepër i frustruar me spekulimet për të ardhmen e Wesley Sneijder dhe Samuel Eto’os, ndërsa ka këmbëngulur se fuqia më e madhe e klubit është ekipi dhe jo lojtarët si individë.
“Gjatë gjithë verës kam dëgjuar nëpër gazeta dhe television, Eto’o dhe Sneijder, Sneijder dhe Eto’o”.
“Sneijder është kampion me aq shumë cilësi, por fuqia e Interit qëndron te grupi, grupi ku lojtari kualitativ mund ta bëjë atë më të fortë. A është Eto’o lojtar i Interit ? Po, ai ende është lojtar i Interit”, ka thënë Gasperini.
Sulmuesi i Tottenhamit, Peter Crouch mund të përfundojë si huazim të kampioni i Italisë, Milani.
Il Corriere dello Sport shkruan se Milani është duke u interesuar për Crouch si zëvendësues të Ibrahimovic, me suedezin që ka filluar të vuajë nga lëndimet.
Crouch gëzon reputacion të madh në qarqet italiane për shkak të golit ‘vrasës’ të shënuar ndaj Milanit sezonin e kaluar në San Siro në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Luka Modric nuk do të transferohet te Chelsea pasi klubi nga White Hart Lane, Tottenham, është i vendosur ta mbajë kroatin në skuadër.
London Evening Standard raporton se drejtori i klubit anglez Daniel Levy ka ripërsëritur qëndrimin se Luka Modric nuk është në shitje, pa marrë parasysh ofertën.
Levy nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e tij dhe është i përkushtuar që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, përkundër insistimit të Bluve nga Stamford Bridge.
UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Arsene Wenger për mos respektimin e suspendimit, pasi organi më i lartë i futbollit evropian beson se francezi ka komunikuar me telefon me stafin e tij gjatë ndeshjes ndaj Udineses.
Wenger ishte parë duke bërë telefonata për t’i dhënë instruksione zëvendësit të tij gjatë ndeshjes së parë të play-offit të Ligës së Kampionëve, gjest i cili për UEFA-në është shkelje e rregulloreve.
Arsene Wenger ishte suspenduar nga UEFA sezonin e kaluar kur komentoi ashpër mbi vendimet e gjyqtarit Massimo Busacca pas sfidës ndaj Barcelonës.
Agjenti i sulmuesit kamerunas, Samuel Eto’o është i brengosur se transferimi i ‘leopardit’ të Interit te Anzhi Makhachkala mund të dështojë.
Ishte thënë se një marrëveshje mund të arrihej gjatë të premtes, por mediat italiane raportojnë se Nerazzurët kanë refuzuar ofertën prej 30 milionë eurosh nga miliarderët rus.
“Unë nuk jam optimist për momentin. Janë disa gjëra që duhet të zgjidhen. Asgjë nuk është zgjidhur ende. Marrëveshja tani për tani nuk është as pranë zyrtarizimit. Negociatat kanë marrë fund njëherë për njëherë, por të shohim”, potencoi Peppino Tirri.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka goditur rëndë shpresat e Manchester Cityt për transferimin e asit francez, Samir Nasri, duke ftuar këtë të fundit për supersfidën ndaj Liverpoolit që zhvillohet nesër në Emirates Stadium.
Sot Roberto Mancini shprehu frustrimin e tij me ngecjen e negociatave për transferimin e Nasri, ndërsa Wenger ka shtuar edhe më tepër nervozizmin në kampin e Cityt duke e ftuar francezin për ndeshjen derbi.
Përkundër zhvillimeve të fundit Samir Nasri raportohet se është shumë pranë kalimit te City, megjithëse Arsenali tani është duke luajtur me nervat e ‘qytetarëve’.
Edhe zyrtarisht java e parë në kampionatin spanjoll, La Liga, nuk do të zhvillohet, kjo pasi Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE), nuk ka arritur marrëveshje me zyrtarët e La Ligas për ligjet rreth kontratave.
Real Madridi do të duhej të ishte mysafir i Athletic Bilbaos, përderisa Malaga do të takohej me Barcelonën, në një javë të parë tejet interesante ku pos tjerash në plan ishte edhe derbi andaluzian Sevilla-Betis. Por, këto ndeshje do të zhvillohen jo siç është planifikuar.
“Vendimi i marrë nga La Liga është në kundërshtim me të drejtën e grevës dhe lirisë së shprehjes, kështu që ne e kuptojmë se si rezultat ndeshjet nuk do të zhvillohen”, shkruan në një komunikatë të AFE.
Ylli i Real Madridit, Mesut Ozil ka thënë se ai është i pa fajshëm për incidentin mes tij dhe David Villas gjatë Superkupës të mërkurën, incident ku u shkëmbyen grushta.
Ozil thjeshtë u shpreh për Bild se është i pa fajshëm dhe se David Villa e ka goditur atë para se të fillonte mirë e mirë incidenti, pa vërtetuar nëse vërtet David Villa e ka fyer në religjion, ashtu siç kanë raportuar jo zyrtarisht disa mediume.
“Unë jam i pa fajshëm, kjo mund të shihet në television. Kur kolegët janë sulmuar, unë kam tentuar të ndihmoj”, theksoi Ozil .
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart ka kritikuar ashpër trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, për sjelljen e tij në finalen e Superkupës së Spanjës.
“Mourinho ka personalitet të dyfishtë. Ai e transformon veten kur është puna për futboll, por kjo është normale. Madje Reali është i kënaqur me këtë, por vërtet unë nuk e kuptoj këtë”.
“Ai nuk është Mourinho që e kam njohur. Rasti Vilanova? Kjo nuk është normale. Nuk më kujtohet kur një trajner ka sulmuar ndonjë trajner tjetër”, deklaroi Gaspart.
Cesc Fabregas thotë se ai nuk i është bashkuar Barcelonës për të zënë pozitën startuese të Xavit, pasi mendon se 31-vjeçari ende ka shumë për të ofruar dhe mezi pret të luajë në krah të tij.
“Mendoj se Xavi ende ka shumë vite të mbetura në të. Ai bën gjëra që nuk do të besoni! Nuk kam ardhur për ta pensionuar Xavin. Kam ardhur këtu të luaj me të, të garoj me Xavin, dhe të fitoj me Xavin”.
“Ajo çfarë them për Xavi vlen edhe për Andres [Iniesta] dhe Thiago [Alcantara]. Medoj se së bashku ne krijojmë një grup shumë të mirë. E di çfarë do të bëjmë. Me grupin e mrekullueshëm që jemi, ne do të bëjmë shumë gjëra të mrekullueshme së bashku”, ka thënë Xavi për faqen zyrtare të klubit.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, pret të jetë pa kapitenin Nemanja Vidic për pesë javë.
Mbrojtësi i qendrës u largua duke çaluar nga fitorja 2-1 ndaj West Brom. Edhe pse fillimisht u mendua se ai do të jetë jashtë fushe për vetëm dy javë, Ferguson ka thënë se lëndimi është më serioz dhe koha e rikuperimit është dyfish më e gjatë se e parashikuara.
“Situata ka ndryshuar dhe Vidic ka një lëndim muskulor, që do të thotë se ai mund të jetë për katër deri në pesë javë jashtë fushe”, ka thënë Fergie.
Chelsea ka bërë një ofertë të re në vlerën e 27 milionë funteve për anësorin e Valencias, Juan Mata, shkruan Telegraph-i britanik.
Pasi u raportua se oferta në vlerën e 22 milionë funteve (25 milionë euro) u refuzua nga klubi spanjoll këtë javë, Blutë menjëherë kanë rritur ofertën e tyre me qëllim që të eliminojnë çdo rival tjetër që tenton të transferojë mesfushorin.
Oferta e Chelseat pritet të jetë e mjaftueshme për të bindur Valencian të lejojë largimin e lojtarit dhe t’i japë fund çdo lidhje të mëhershme në mes të spanjollit dhe klubeve të tjera të Ligës Premier, si Liverpool, Arsenal dhe Tottenham.
Pasi barazoi pa gola ndaj Stoke Cityt, menaxheri i ri i Bluve, Andre Villas-Boas, është duke kërkuar të shtojë më shumë opsione në repartin e sulmit.
Mata ka shënuar 46 gola në 174 paraqitje për Valencian.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, raportohet se ka preferuar t’i bashkohet Manchester United para Manchester Cityt.
Nasri pritet këtë javë të largohet nga Emirates Stadium me Cityn që flitet se do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.
Megjithatë Le Parisien shkruan se Nasri ka pasur një darkë me shokun e tij të QPR, Adel Taarabt, dhe i ka thënë atij se opsionet e tij të preferuara ishin Barcelona, Real Madrid dhe United.
Megjithatë, ndryshe nga raportet, United kurrë nuk ka negociuar me Arsenalin për transferimi e Nasri, e le më të bëjë ofertë.
Thuhet se United nuk kanë qenë në garë dhe as dy klubet spanjolle nuk kanë qenë të interesuara për Nasri.
Arsene Wenger ka kritikuar rregullat e paqarta të UEFA-së, derisa menaxheri i Arsenalit rrezikon të mungojë edhe një ndeshje tjetër në Ligën e Kampionëve.
Wenger pret të mësojë nëse atij do t’i lejohet të dalë në fushë për ndeshjen e kthimit ndaj Udineses, pasi në ndeshjen e parë ishte i suspenduar por komunikoi me zëvendësin e tij përmes një personi të tretë, që u tha se ishte në kundërshtim me rregullat e UEFA-së.
“Ishte shumë vështirë pasi ju nuk e dini se cilat janë rregullat. Ata na thanë neve së pari se, përmes asistentit tim, mund të komunikojmë. Dhe pas pjesës së dytë thanë nuk mundesh kështu”.
“Kjo vërtet është shqetësim pasi deri në çfarë shkalle mund ta ndalosh dikë të bëjë punën e tij? Ne u përpoqëm t’i respektojmë rregullat dhe rregullat caktohen nga UEFA. Por, sigurisht, është shumë vështirë të shohësh se ku mund të ndalosh një person të ketë influencë. Nuk mund të shkosh në dhomën e zhveshjeve – kështu e kuptoj unë dhe unë nuk e kam bërë këtë”, ka thënë Wenger.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ka lavdëruar trajnerin Pep Guardiola për qasjen e tij pozitive gjatë sfidës së të mërkurës përballë Real Madridit.
Tre lojtarë u ndëshkuan me kartonë të kuq pas përleshjes masive në çastet e fundit të ndeshjes dhe derisa trajneri i Madridit, Jose Mourinho, pushtoi lajmet për veprime të gabuara, Guardiola ruajti qetësinë e tij.
“Nëse keni një model negativ, ju bëni gjëra negative. Nëse keni një model pozitiv, si Guardiola, i cili thotë gjëra pozitive dhe ju thotë juve të ndesheni në fushë dhe të luani futboll, është shumë më mirë”, ka thënë Alves për Barca TV.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas-Boas, ka dhënë shenja se ai është i interesuar jo vetëm për një, por për dy mesfushorë të rinj.
Përveç mesfushorit të Tottenhamit, Luka Modric, ai është lidhur edhe me atë të Valencias, Juan Mata, të Liverpoolit, Raul Meireles, pastaj atë të Portos, Joao Mutinho, dhe së fundit me anësorin tjetër të Portos, Alvaro Pereira.
“Janë shumë! Pse nuk ndalemi te emrat të cilët tashmë janë përmendur dhe të cilët nuk kanë arritur? Neymar, Nasri – sa emra janë lidhur me Chelsean në të kaluarën dhe nuk kanë ardhur?”.
“Gjatë veprimeve tona, çfarëdo që ne bëjmë ose nuk bëjmë në treg, ne përpiqemi ta mbajmë atë sa më të heshtur që mundemi. [Sidoqoftë] ne kemi studiuar të gjitha opsionet”, ka thënë Villas-Boas.
Andrea Pirlo është i kënaqur me progresin e ekipit të tij gjatë para-sezonit dhe mendon se Juventusi po përmirësohet ndeshje pas ndeshje.
Djelmoshat e Antonio Conte, barazuan 1-1 ndaj Interit (edhe pse humbën 6-5 në penalti) para se ta mposhtin Milanin 2-1 në ndeshjen e dytë të Trofeo Tim që u zhvillua mbrëmë, dhe Pirlo është i kënaqur me paraqitjen e Biankonerëve.
“Ne kemi treguar se çfarë mund të bëjmë në pjesën e dytë. Ne po përmirësohemi lojë pas loje dhe kemi vënë në praktikë filozofinë e menaxherit. Ne përpiqemi të shtrojmë rrugën për sezonin e ri”.
“Në ndeshjen kundër Milanit ne bëmë shumë ndryshime dhe luajtëm me shumë të rinj. Është e drejtë t’i japësh rast loje secilit, po ashtu pasi këto ndeshje janë një stërvitje e mirë”, ka thënë Pirlo.
Juve fillon sezonin e ri në Serie A me ndeshjen në udhëtim te Udinese më 28 gusht.
Porto i ka bërë të ditur tregut portugez të transferimeve (CMVM) se Atletico Madridi ka transferuar sulmuesin Radamel Falcao dhe mesfushorin Ruben Micael për një shumë të kombinuar prej 45 milionë eurosh.
Falcao kështu ka kaluar te Atletico Madridi pas muajve të tërë spekulimesh për transferimin e tij te Chelsea apo te Real Madridi, skuadra këto tejet të interesuara për kolumbianin.
Radamel Falcao është një prej sulmueve më të mirë në futbollin evropian pasi ka shënuar plot 18 gola sezonin e kaluar në Europa League dhe i ndihmoi Portos të fitojë tri tituj, me ç’rast u shndërrua në një prej njerëzve më të kërkuar gjatë këtij afati kalimtar veror.
Chelsea ka hapur bisedimet për transferimin e dyshes së Portos, Alvaro Pereira dhe Joao Moutinho.
Telegraph shkruan se një negociator i Chelseat ka arritur në Portugali për të biseduar me lojtarët dhe klubin portugez për transferimin e lojtarëve para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Shuma totale e transferimit të dyshes pritet të jetë rreth 45 milionë euro, por me këto transferime Chelsea do të siguronte një mesfushë tepër stabile dhe kreative.
Fiorentina ka kompletuar transferimin e mesfushorit maroken, Houssine Kharja nga Genoa për një shumë të pa përcaktuar.
Klubi toskan ka blerë gjysmën e kartonit të lojtarit, që ka nënshkruar kontratë me Violan për dy vitet e ardhshme.
Kharja iu bashkua Genoas nga Siena në vitin 2009, kaloi te Interi si huazim që më pas nuk u pajtua ta mbajë atë në ekip në mënyrë permanente, kurse tani Fiorentina e shfrytëzoi rastin dhe e bleu atë nga Genoa.
Transferi i ri i Chelseat, Romelu Lukaku e ka quajtur klubin e tij të ri ëndërr të realizuar, pas zyrtarizimit të kalimit të tij në Stamford Bridge.
“Ishte një ëndërr që u bë realitet. Unë kam ëndërruar që të luaj këtu që nga mosha 10 vjeçare. Kam ëndërruar që të shtrëngoj duart me John Terryn, Frank Lampard dhe Didier Drogban, është fantastike që jam këtu”.
“Unë thjesht dua të fitoj tituj dhe këtë edhe do ta bëj në këtë klub plot ambicie dhe lojtarë me përvojë të madhe”, u shpreh Lukaku.
Ish-portieri i Bayernit të Munichut, Oliver Kahn ka ri ngjallur debatin e nxehtë me lojtarët aktual të Bayernit, Phillipp Lahm dhe Bastian Schweinsteiger.
Kahn kishte kritikuar shumë më herët Schëeinin për mungesë të lidershipit, përderisa ishte ky i fundit që kritikoi portierin legjendar duke thënë se komentet e tij ishin për arsye se nuk arriti asgjë si lojtar. Megjithatë, Kahn tani është përgjigjur duke vazhduar fjalosjet mediatike.
“Jam ofenduar nga komentet e Schweinit. Sidoqoftë, të dy lojtarët duhet të bëjnë tani hapin vendimtar në zhvillimin e tyre. Por, në Gjermani kjo është e vështirë të arrihet, pasi pritet të bëhet nga liderë”, thumboi ashpër Kahn lojtarët e Bayernit.
Portieri i Chelseat, Petr Cech pritet të mungojë hiç më pak se katër javë pas lëndimit të pësuar në ligamentet e gjurit në stërvitje, zbuloi Andres Villas Boas gjatë të ditës.
Lajmi është goditje e rëndë për Blutë të cilët filluan keq me një barazim sezonin e ri ndaj Stoke Cityt, duke lënë kështu menazherin portugez me opsione të limituara si Ross Turnbull dhe Thibaut Courtois.
Petr Cech pritet të mungojë në superderbin ndaj kampionit aktual të Anglisë, Manchester United më 18 shtator.
Milani është duke punuar drejt transferimit të sulmuesit më problematik në botë, Marijo Balotelli, por do të përballet me rivalin e përbetuar Interin, pasi Nerazzurët kanë opsionin e blerjes së sërishme të SuperMarios.
Il Corriere dello Sport pohon se Adriano Galliani do të tentojë që t’i kalojë dy javët e fundit të afatit kalimtar veror duke punuar në transferimin e 21 vjeçarit.
Balotelli u largua nga Interi vitin e kaluar pas sjelljeve kontraverse të cilat ofenduan rëndë institucionin Nerazzur. Problem për Milanin është e drejta e Interit për ri-blerje të Mario Balotellit, por me Nerazzurët që po e kërkojnë Carlos Tevezin dhe Diego Forlanin, është pak e mundur që Rossonerët të kenë ndonjë pengesë të shprehur drejt transferimit të yllit italian.
Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc beson se Argjentina dhe Brazili janë shembuj të përkryer se futbolli modern nuk është vetëm për atë se kush ka lojtarët më të mirë.
“Vetëm shikojeni Argjentinën dhe Brazilin. Kjo tregon se aftësitë e jashtëzakonshme të lojtarëve nuk mund ta bëjnë një ekip të luajë mirë. Edhe Argjentina edhe Brazili janë dëshmi për këtë”.
“Talenti nuk mjafton, edhe pse është përbërës i nevojshëm për çdo ekip. Kur keni talent, ose ndonjë gjeni, atëherë atuomatikisht nuk do të thotë se jeni ekip i madh”, tha Blanc.
Zëvëndëspresidenti i Barcelonës, Carles Vilarrubi ka sulmuar ashpër trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, pas incidentit skandaloz dhe gjestit anti-njerëzor ndaj zëvëndëstrajnerit të Barcelonës, Tito Vilanova.
”Nuk kam çfarë të shtoj për dallim nga komentet e Piques, por më duhet të them se ai është turpi i futbollit spanjoll”.
“Dikush duhet të bëjë diçka që kjo të mos ndodhë më. Unë jam i bindur se Real Madridi si institucion nuk mund të përkrahë trajnerin në incidente sikur ai dje, kështu që të shohim se çfarë do të ndodhë në orët në vazhdim”, ka thënë Vilarrubi.
Sulmuesi i Santosit, Neymar, ka thënë hapur se Barcelona është ekip i pa krahasueshëm, duke ia garantuar vetes ndërprerjen e bisedimeve mes Santosit dhe Real Madridit për transferimin e tij.
Asi i ri brazilian në muajt e fundit është kërkuar nga Real Madridi, por deklaratat e fundit kanë distancuar edhe më tej Neymar me klubin mbretëror.
“Barcelona është përtej çdo komenti. Ju nuk mund ta krahasoni me asnjë ekip. Ata e kanë Lionel Messin”, tha sulmuesi pas humbjes së Santosit prej 2-3 ndaj Coritibas.
Manchester United është duke e përgatitur ofertën e fundit për mesfushorin e Interit, Wesley Sneijder.
Manchester Evening News raporton se United është në përgatitje të ofertës së fundmit për asin holandez, në mënyrë që të definohen gjërat dhe të kërkohet një tjetër lojtar në rast të refuzimit të sërishëm.
Massimo Moratti ka deklaruar në të kaluarën se Sneijder definitivisht mbetet në Meazza, por në futboll kurrë nuk i dihet.
Sir Alex Ferguson ka konfirmuar se Ashley Young do të vazhdojë të luajë në krahun e majtë për klubin nga Old Trafford.
Young ka luajtur në një rol më qëndror te Aston Villa, megjithëse tani ka shkëlqyer në krah për ekipin e tij të ri, dhe atë në debutim.
“Ai po e mbulon shumë mirë krahun e majtë dhe ekziston edhe opsioni që ai të luajë në krahun e djathtë apo edhe si sulmues. Opsioni që ai të luajë në qendër nuk më duket i mirë. Ne po kërkojmë pozita në krah për Young”, theksoi skocezi.
Manchester City dhe Interi kanë arritur në orët vendimtare për transferimin e Carlos Tevez dhe nëse nuk ndodh që argjentinasi të transferohet në Meazza, atëherë Diego Forlan do të jetë blerja më e re e Nerazzurëve.
Manchester City po kërkon 45 milionë euro për Tevezin, një shumë kjo e pa pranueshme për Interin, që po kërkon transferimin e Tevez në formë huazimi.
Mediat italiane njoftojnë se nëse nuk ndodh ndonjë gjë konkrete në orët në vazhdim me transferimin e Tevez te Interi, atëherë Diego Forlan deri në fund të javës pritet të nënshkruajë me klubin zi-kaltër, pasi uruguaiani fantastik është duke pritur telefonatën e Massimo Morattit.
Asi i Real Madridit, Leite Kaka kërkon që me çdo kusht të kthehet te klubi i tij i zemrës, Milani.
Il Corriere dello Sport shkruan se Milani është në gjendje që ta rikthejë Kakan, por është braziliani ai që duhet të pranojë shkurtim të papgës.
Kaka është i hapur për një rikthim te Milani dhe është i gatshëm të pranojë shkurtimin e pagës, megjithëse për këtë duhet ta bindë babain që është dhe agjenti i tij.
Chelsea ka kompletuar transferimin e tinejxherit të Anderlechtit, Romelu Lukaku nga Anderlechti, për një shumë prej rreth 25 milionë eurosh.
Sulmuesi belg pritet të jetë në formacion për ndeshjen ndaj WBA-së të shtunën dhe do të bartë fanellën me numër 18 te klubi londinez.
18 vjeçari shihet si një prej sulmuesve më me perspektivë në Evropë, pasi ka shënuar 16 gola në 37 paraqitje për Anderlechtin sezonin e kaluar.
Thomas DiBenedetto ka kompletuar transferimin e pronësisë së Romës pasi amerikani ka nënshkruar marrëveshje me grupin bankar UniCredit.
Sky Sport Italia raporton se DiBenedetto ka arritur sot në kryeqytetin italian ku është nënshkruar marrëveshja, që do të thotë se ai tash bëhet aksionari kryesor në klub.
Biznesmeni 62-vjeçar nga Bostoni u takua me avokatin e UniCredit, Roberto Capelli, dhe ka formalizuar kontratën.
Tash që marrëveshja është kompletuar, pronari i ri pritet të fluturojë në Sllovaki ku të zgjedhurit e Luis Enrique luajnë përballë ekipit Slovan Bratislava në ndeshjen e parë të Europa League.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, mendon se Arsenali mund të mbetet jashtë top katërshit këtë sezon.
Redknapp beson se këtë sezon do të jetë më vështirë se kurrë të sigurohet një vend për Ligën e Kampionëve pasi tre klube po luftojnë për pozitën e katërt.
“A mund të mendoni që Manchester City të mos jetë në top katërshe? Mund të mendoni Chelsea dhe Manchester United të mos ia dalin, nëse jemi real? Do të jetë një luftë e madhe në mes nesh, Liverpoolit dhe Arsenalit [për vendin e katërt]”, ka thënë Redknapp.
Interi ka kompletuar transferimin e mesfushorit të ri Rodrigo Alborno nga Club Libertad për një shumë të pazbuluar.
Përfaqësuesi i ekipit U20 të Paraguait ka nënshkruar kontratë me gjigantin italian deri në verën e vitit 2016. Alborno është produkt i akademisë së të rinjve të Libertad dhe shihej si një prej të rinjve më premtues në Amerikën e Jugut.
“Interi është një prej klubeve më prestigjioze në botë. Ata tashmë kanë treguar se janë të aftë të fitojnë gjithçka”, ka thënë Alborno për Fcinternews.it.
















