Sulmuesi i Corinthians, Adriano ka thënë se ai dëshiron që të ndjekë hapat e sulmuesit legjendar, Ronaldo, dhe të tejkalojë problemet në jetën e tij.
“Mendoj se kam mundësinë e mirë për të hyrë në zemrat e tifozëve të Corinthians. Karakteri im në fushë do të mbetet i njëjtë. Unë do të vazhdoj të luftoj dhe të luftoj për secilin top. Unë kam gjithçka në dorën time për të fituar zemrat e tifozëve, ashtu sikurse Ronaldo”.

“Unë shpresoj se mund të bëhem si Ronaldo, por Ronaldo është Ronaldo. Ju thjesht nuk mund të krahasoheni me të. Ai ka fituar shumë më shumë se unë. Është shumë e vështirë të jesh sikur ai, por do të tentoj që të jem sikur ai kur ishte te Corinthians”, tha ish-sulmuesi i Interit.
Bosi i WBA-së, Roy Hodgson, ka vënë në pikëpyetje aftësitë e menaxherit të Chelseat, Andres Villas Boas, pasi beson se portugezi nuk është në gjendje të përballojë presionin nga pritjet.
“Kur jemi në nivelin e Chelseat, është shumë e lehtë të rrëzohesh nga ke ardhur. Por, nuk është e lehtë të shkosh përpara me Chelsean. Ne e dimë se çfarë ka qenë shkalla e emërimeve dhe shkarkimeve viteve të fundit”, theksoi Hodgson.

Chelsea pret pikërisht ekipin e Hodgson sot në Stamford Bridge me fillim nga ora 18:30.
Liverpooli ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2-0 si mysafir i Arsenalit në Emirates Stadium, duke e rikthyer veten në piedestalin e futbollit anglez.
Pjesa e parë ishte tepër e baraspeshuar me më shumë një lojë agresive se sa futboll atraktiv. Vlen të përmenden vetëm mundësitë e Liverpoolit, që me anë të Andy Carroll disa herë rrezikoi nga ajri.

Në pjesën e dytë shohim lojë diçka më të mirë. Emmanuel Frimpong (70’) përjashtohet nga loja duke lënë Arsenalin me një lojtar më pak në terren, me ç’rast u vështirësuan shumë punët për Topçinjtë.

Goli i parë në këtë takim u realizua nga Aaron Ramsey (78’) që i dha fitoren Liverpoolit me anë të një autogoli.

Rezultatin përfundimtar prej 2-0 u zyrtarizua nga Luis Suarez që shënoi gol pasi u inkuadrua në lojë (90’). Është ky goli i dytë për Suarez në dy javët e para në Ligën Premier.

Kështu, Liverpooli ngritet në pozitat e larta në tabelë pas fitores së shënuar në Emirates, e para kjo pas 11 vitesh. Arsenali me këtë disfatë ka dëshmuar se nuk i ka kredencialet për të luftuar për titull, përderisa Liverpooli po kthehet në formën e vjetër.
Agjenti i Diego Forlan ka deklaruar se nuk ka pasur negociata mes tij dhe Interit dhe se kjo nuk do të ndodhë derisa Interi të mos e shesë Samuel Eto’on.
Sulmuesi i Atletico Madridit është duke u lidhur me një kalim te Interi, por shumë varet nga e ardhmja e Eto’os që ende është larg kalimit te Anzhi.

“Sa për sot (e shtunë), unë nuk kam biseduar ende me asnjë zyrtar të Interit. Unë e ripërsëris se duhet të shohim çfarë ndodh me Eto’on. Unë kam mësuar nga burimet e mia se çështja Eto’o për momentin është e ngrirë. Nëse nuk arrijnë marrëveshjen, vështirë se do të flasim për Forlan”, ka thënë agjenti Daniel Bolotnikoff.
Drejtori i Fiorentinës, Pantaleo Corvino ka pranuar se klubi nga Artemio Franchi ka refuzuar ofertën e Milanit për Riccardo Montolivon.
“Unë kam pasur një ofertë nga Milani për Montolivon, por nuk e kemi pranuar. Ishte një shkëmbim me një lojtar timin dhe gjysmëpronësia e kartonit të Rodney Strasser dhe Alberto Paloschi, por pa përfshirë asnjë cent”, theksoi Corvino.

Mediat italiane nga ana tjetër raportojnë se Bayerni i Munichut është serioz në garë për Montolivon dhe një ofertë prej 10 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për ta mposhtur Milanin.
Bosi i Liverpoolit, Kenny Dalglish ka qartësuar se ai nuk ka ndonjë problem me rivalin nga Arsenali, Arsene Wenger.
“Incidenti në prill? Ne vërtet shtrënguam duart në fushë, por askush nuk e shfaqi këtë në televizion”.

“Unë kurrë nuk kam pasur ndonjë problem dhe as që do të kem ndonjëherë”, theksoi Dalglish para duelit që fillon sot në ora 13:45 mes Liverpoolit e Arsenalit që zhvillohet në Emirates.
Agjenti i FIFA-s, Peppino Tirri thotë se Anzhi Makhachkala duhet të paguajë më shumë para nëse dëshiron ta transferojë Samuel Eto’on nga Interi.
Bisedimet për kamerunasin kanë pësuar kolaps pasi me efekt imediat është refuzuar oferta prej 22 milionë eurosh nga Anzhi, pasi Interi dëshiron 30 milionë euro.

“Negociatat për tranferimin e Samuel Eto’os në Rusi kanë mbaruar, Interi vetëm po e pret ofertën e cila do të ketë përgjigjen precize dhe kjo mund të ndodhë në orët në vazhdim, më së largu të hënën”, potencoi Tirri.
Menaxher i Arsenalit, Arsene Wenger, ka aluduar se mesfushori Samir Nasri, që është i ftuar për ndeshjen ndaj Liverpoolit, është duke u larguar nga klubi për të holla.
“Unë kurrë nuk e kam vënë në pikëpytje dashurinë e Nasrit për klubin. Ju mund të punoni në një gazetë, mund ta duani gazetën duaj, dhe dikush tjetër t’iu ofrojë tri herë më shumë, mund të largoheni nga gazeta që e doni dhe ende ta duani atë. Është e njëjtë. Duhet të bëni zgjidhje”.

“Ju mund të nënshkruani kontratë kudo për para, por kjo nuk ka vlerë në fushë. Edhe nëse do të luaja në plazh, do të doja të fitoja. Nuk mendoj se motivimi për të fituar është i lidhur me para”, u shpreh Wenger.
Zëvëndëstrajneri i Argjentinës, Julian Camino mendon se Lionel Messi dhe Diego Maradona janë shumë më të mirë se sa Pele.
“Maradona dhe Messi janë lojtarë të mëdhenj dhe është e vështirë të zgjedhësh mes të dyve. Por, për mua ata janë më të mirë se sa Pele”, theksoi 50 vjeçari.

Kështu tani pritet të nxehet edhe më tej debati për futbollistin më të mirë në histori të futbollit, pasi pritet kundërpërgjigjja e Peles, i cili edhe në të kaluarën është konfrontuar me Maradonën.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, nuk është fare i brengosur pse do t’i mungojnë gjigantët e mbrojtjes ndaj Tottenhamit, duke thënë se ai do të luajë me fëmijët e tij.
”Ekipi të hënën do të jetë i përbërë nga një mbrojtje tejet e re, me Jones dhe Evans në qendër dhe Smalling në krah. Por, Patrice Evra do të jetë i gatshëm, që na jep shumë përvojë”.

“Nuk jam i frikësuar nëse lojtarët e rinj do të na i plotësojnë zbrazëtirat në mbrojtje. Evans ka përvojë, natyrisht, dhe ai është në klub nga mosha 12 vjeçare. Ai ka luajtur shumë ndeshje në ekipin e parë”, u shpreh Fergie.
Lionel Messi sigurisht se është një prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit dhe pa kurrfarë dyshimi më i miri në glob aktualisht, por as se si nuk mund të thuhet se edhe ‘el Messiash’ nuk ka filluar të bëhet nervoz.
Se SuperClasico i të mërkurës ishte tepër i nxehtë, e treguan imazhet në fund të takimit, por pos tyre, mediat spanjolle kanë filluar të vënë në pah sjelljet e çuditshme të lojtarëve të Barcelonës e sidomos të Lionel Messit.

Messi shihet duke provokuar në një moment pankinën e Realit, ku me anë të një gjesti u rekomandoi madrilenëve ta mbyllin gojën, para se të vërsulej për ta shtyrë Fabio Coentraon, pa ndonjë arsye.

Barcelona mposhti Real Madridin me rezultat 3-2 të mërkurën në një ndeshje tejet diskutabile sa i përket tensioneve, ku në fund u shënuan incidente të rënda, ku pos rrahjes mes lojtarëve, ndodhi dhe gjesti jo-sportiv i Jose Mourinhos, kurse tani po zbulohet se gjestet jo-sportive ndodhën si pasojë e provokimeve mes palëve rivale.
Pas zërave se ai mund të largohet nga Arsenali me tifozët që po e kritikojnë për kopracinë në tregun e transferimeve, menaxheri Arsene Wenger ka garantuar se nuk do të largohet.
“Unë një ditë do ta dëshmoj lojalitetin dhe do t’iu tregoj se çfarë oferta kam refuzuar, do të befasoheni edhe vet”.

”Megjithatë, ju mund të vini në pikëpyetje vendimet e mia, por as se si lojalitetin ndaj klubit. Nasri? Samir Nasri është i ftuar për këtë takim, i përgatitur dhe mund të luaj”, tha Wenger para duelit ndaj Liverpoolit.
Ish-drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano ka kritikuar ashpër Jose Mourinhon për përfshirjen e tij në kacafytjen mes lojtarëve në fund të ndeshjes së dytë të Superkupës ndaj Barcelonës.
“Le të themi se ajo që ndodhi nuk i bëri mirë as Realit e as Mourinhos. Unë jam i bindur se askush nuk është krenar për atë që ndodhi”.

“Mourinho erdhi te një klub me 109 vjet histori dhe natyrisht ai përfaqëson një klub me një kulturë mjaft solide. Çfarë ndodhi në këto momente tensioni mes Real Madridit dhe Barcelonës ishte vërtet gjë e madhe pasi të gjithë ishin të kapluar nga presioni”, tha Valdano duke lëvduar Barcelonën për transferimin e Alexis Sanchez.
Interi ka ende shumë punë për të bërë për të rivalizuar Milanin në garën për titullin e kampionit të Italisë, thotë Luciano Moggi.
"Mund të them se Milani ende është ekipi që duhet mposhtur. Nga pikëvështrimi kualitativ, Milani është para Interit. Djelmoshat e Gian Piero Gasperinit kanë nevojë për diçka më shumë për të arritur nivelin e Milanit", ka shkruar Moggi në kolumnën e tij për Tuttomercatoweb.

Interi së fundi fitoi Trofeun TIM, një turne miqësor që u zhvillua të enjten në Bari, pasi mposhti edhe Juventusin edhe Milanin.
Mbrojtësi i Bayernit të Munichut, Jerome Boateng, është i bindur se ekipi i tij do të jetë në gjendje që t’u kthehet trofeve me të rigjetur formën.
“Ne jemi ende në fillim të sezonit dhe kështu dua të qartësoj se gjithçka nuk shkoi sipas planeve, por ka hapësirë për përmirësim”.

“Sidoqoftë, së shpejti do të shihni eksplodim nga ne. Nuk mendoj se mund të luani lojë magjike në çdo ndeshje, por ne e dimë se si mund të luajmë më mirë nëse shfrytëzojmë rastet që na ofrohen”, tha Boateng.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta ka garantuar se Biankonerët nuk do të ndalen me transferime, pasi do të mundohen të sjellin edhe së paku dy deri në tre lojtarë të rinj.
“Edhe minimum dy-tre lojtarë pritet të vijnë. Sa i përket situatës aktuale, ne po punojmë në harmoni me trajnerin. Klubi është i gatshëm t'i mirëpresë idetë e tij dhe të shfrytëzojë mundësitë të cilat mund të rriten. Ne po presim të shohim çfarë do të ndodhë me rastin Perotti”, theksoi Marotta.

Juventusi ka mposhtur Milanin në turneut Trofeu Tim të mbajtur të enjten, por u mposht në penalti nga Interi.
Babai i asit të Santosit, Neymar, është shprehur se Real Madridi do të ishte opsioni më i mirë për brazilianin nëse ai vendos të largohet nga klubi aktual.
“Real Madridi është klubi më i mirë në Evropë dhe nëse shikoni në të kaluarën, ata gjithmonë i kanë trajtuar mirë lojtarët. Ai është opsioni më i mirë për djalin tim”.

“Është ëndrra ime që ai të qëndrojë me Santosin. Sidoqoftë, nëse më pyesni për klubet tjera, do të thosha se Reali është opsioni më i mirë. Ende asgjë nuk është nënshkruar”, theksoi agjenti dhe babai i Neymar, Wagner Ribeiro.